Një ditë pas festimeve tê Ditës së Pavarësisë, Fieri ka vijuar festimet kuq e zi në kuadër të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi- fashistë. Në ceremoninë e zhvilluar në orën 10:00, në Varrezat e Dëshmorëve, ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të komuniteteve fetare, të cilët vendosën kurora dhe buqeta me lule në obeliskun kushtuar dëshmorëve.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga nënkryetari i organizatës së veteranëve të Lanç, Vangjel Ndreko, i cili pohoi se lufta nacional çlirimtare është një pasuri e çmuar e kombit tonë që na lanë të parët dhe duhet ta ruajmë e t’ua përcjellim brezave.
Ndërkohë, në prononcimin e tij për mediat, kryebashkiaku Armando Subashi ka vlerësuar sakrificën e bijve dhe bijave të Fierit që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot ndërsa mungesën e opozitës në festime e ka konsideruar si vendim i tyre por ne jemi në anën e duhur, ka thënë Subashi.
"Sot përulemi me respekt të gjithë para heronjve e dëshmorëve të luftës nacional çlirimtare. Është një ndjenjë krenarie për të gjithë ne. Kemi shumë pjesëmarrës, pa dallim moshe dhe padyshim se është tregues i mirë që vlerat e luftës do të përçohen brez pas brezi. Është lavdi e dëshmorëve, e përjetshme e jetës dhe veprës së tyre. Opozita? Duhet të jetë por kjo i takon opozitës.", tha Subashi.
Ndërkohë, për herë të parë homazheve në obeliskun e dëshmorëveiu është bashkuar “Lëvizja Bashkë”. Kreu i degës së Fierit, Elis Baba, tha se merr pjesë si një parti antisistem, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që sakrifica e dëshmorëve të nderohet çdo ditë dhe jo me ditë të caktuara historike.
"Ne si përfaqësues të popullit, i ndjejmë festat në realitetin e tyre. Jemi këtu sot si një parti antisistem. për të kujtuar vërtet vlerat e festës së Çlirimit, në emër të bijve të të gjithë Shqipërisë, por edhe të Fierit që kanë dhënë jetën për liri. Kemi ardhur këtu për të kujtuar se këto vlera duhen respektuar edhe në jetën e përditshme, jo vetëm për evente të mëdha, por në punën në përditshmëri, në drejtësinë që i japim komunitetit dhe duke ruajtur sovranitetin territorial, të mos e lëshojmë këtë për vende si Gjadri apo marrëveshje si me Greqinë. ", u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
Sot 81-vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit homazhe te Varrezat e Dëshmorëve! Opozita përçahet, PD s'e njeh 29 Nëntorin, PL nderon (VIDEO)












