PRISHTINE- Ka filluar sot ngrohja përmes projektit të koogjenerimit, i cili ka për qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës, nëpërmes sjelljes së ujit të ngrohtë nga Termocentrali Kosova B. Ky projekt do të sigurojë qëndrueshmërinë e ngrohjes, konsiderohet se do të ulë shpenzimet operacionale, ndikon në një ambient më ekologjik, krijon mundësinë për zgjerimin e rrjetit dhe kyçjeve të reja.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale, "Termokos", Arsim Janovën, besojnë se ky dimër do të jetë më i lehtë për qytetarët e Prishtinës.
"Me rëndësi është që të kemi ngrohje, jo siç ka qenë gjatë viteve të kaluara me lëndën e mazutit, i cili përveç kostos së lartë, shkaktonte edhe ndotjen e ambientit dhe natyrisht nuk ka pasur as mjete financiare që ta përballojmë ngrohjen 24 orë, e cila tashmë mund të jetë realitet përmes projektit të koogjenerimit", ka thënë Ahmeti në një konferencë për medie.
Ahmeti tha se ky do të jetë një dimër më i lehtë sa i përket ngrohjes për ata qytetar të cilët do të ngrohen përmes "Termokos"-it.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka vlerësuar se përmes këtij projekti arrihet kursimi i shpenzimeve të energjisë elektrike, përmbushja e kritereve ambientale, si dhe do të ofrojë ngrohje më kualitative për qytetarët e Komunës së Prishtinës, duke e zgjeruar në të ardhmen rrjetin e ngrohjes në kryeqytet.
E përgjegjësi për funksionimin e kësaj, Arsim Janova, ka thënë se fillimisht kapacitetet do të jenë më të vogla për shkak se konsiderohet si fazë testuese, mirëpo gjatë ditëve në vijim ngrohja do të plotësojë mjaftueshëm kërkesat e qytetarëve që janë të kyçur në rrjetin e ngrohtores së "Termokos"-it. /ATSH/