POGRADEC - Lidhja e Hoxhallëve sqaron nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se ajo që mund të ndodhë në Pogradec nuk do të jetë një protestë e myslimanëve kundër filmit anti-islam që ka zemëruar botën islame, por thjesht një simpozium që pritet të organizohet më 22 shtator.

Nëpërmjet deklaratës, tha se asnjë protestë e përfolur sot nuk do të organizohet në qytetin e liqenit, paralajmëruar se do të zhvillohej gjatë orës 17:00 të ditës së sotme.

Kureshtarë të ndryshëm u mblodhën anës liqenit pasditen e kësaj të mërkure në pritje të ndonjë reagimi të mundshëm nga ana e myslimanëve, por asgjë e tillë nuk ndodhi.

Lidhja e Hoxhallarëve sqaron më tej se simpoziumi në një sallë të mbyllur pas dy ditësh, do të jetë tërësisht paqësor dhe me synimin për të treguar pozitën e lartë të personalitetit të Profetit. Hoxhallarët shprehen gjithashtu se aktiviteti do jetë i hapur për të gjithë njerëzit dhe janë të mirëseardhur të gjithë ata që duan të marrin pjesë në të, për të parë natyrën e këtij aktiviteti dhe për tu informuar më tepër në lidhje me të.