Një producent filmi po kërkon 105 milionë dollarë dëmshpërblim nga Netflix, pasi pretendon se një kopje e filmit të tij ende të papublikuar me Nicolas Cage u vodh nga studiot e platformës së transmetimit në Hollyëood.

Avokatët e producentit Simon Afram thanë në një padi të depozituar të mërkurën në Kaliforni se ekipi i filmit i kishte dorëzuar Netflix një kopje master të paenkriptuar të dramës së Luftës së Dytë Botërore, “Fortitude”, në muajin qershor, me kërkesë të kompanisë.

Afram ka investuar më shumë se 45 milionë dollarë në produksion, realizimi i të cilit zgjati shtatë vjet, dhe në atë kohë ishte në proces negociatash për t’ia shitur filmin Netflix ose një transmetuesi tjetër.

Nëntë ditë më vonë, paditësit u njoftuan përmes një emaili nga Netflix se “dikush vodhi një sasi të konsiderueshme disqesh nga tavolinat tona gjatë javës së kaluar”, përfshirë edhe diskun që përmbante “Fortitude”, thuhet në padi.

Producentët argumentojnë se vlera e filmit është “shkatërruar”, pasi shpërndarësit ka të ngjarë të mos blejnë një film që mund të përfundojë në faqet e piraterisë. Ata pretendojnë se Netflix duhej ta kishte siguruar më mirë hard diskun.

“Nuk mund të imagjinohet që një blerës i sofistikuar të investojë dhjetëra miliona dollarë për të marrë filmin dhe dhjetëra miliona të tjera për ta promovuar atë, ndërsa përballet vazhdimisht me rrezikun që ai të shfaqet online dhe të shihet gjerësisht falas në çdo moment,” thuhet në padi.

Në një deklaratë, Netflix tha se “kundërshton çdo pretendim se mban përgjegjësi për humbjen e një filmi të dorëzuar pa masat mbrojtëse të duhura, sipas standardeve të industrisë”.

Edhe pse ne nuk zotërojmë të drejtat e ‘Fortitude’, ne e marrim seriozisht sigurinë e përmbajtjes dhe kemi marrë masa shtesë për të mbështetur producentin dhe ekipin e tij”, tha kompania, duke shtuar se ka hetuar vjedhjen dhe ka monitoruar faqet e piraterisë për shpërndarje të paautorizuar të filmit, ndërsa refuzon t’u japë avokatëve të producentit informacionet nga hetimi pasi po përpiqen të marrin para nga kompania “në vend që të bashkëpunonin në mirëbesim.”