Një histori e brishtë për fëmijërinë mes luftës i solli Ariun e Artë për Filmin më të Mirë të Shkurtër filmit “Someday, a Child” në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit.
Me regji nga Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie shqiptarin Sokol Keraj, filmi 27-minutësh ndjek historinë e një djali 11-vjeçar në një fshat libanez, ku avionët luftarakë janë pjesë e përditshmërisë.
Teksa xhaxhai përpiqet ta bëjë të duket “normal”, ai zbulon një fuqi të pazakontë, që shpërthen papritur dhe ndryshon gjithçka. Bashkëprodhim mes Francës, Rumanisë dhe Libanit, filmi pati premierën botërore në Berlin. Në fjalimin e saj, Osta foli për vuajtjet e palestinezëve dhe libanezëve, duke e kthyer çmimin në një mesazh solidariteti.
Regjisori Sokol Keraj, që në këtë film është drejtori i fotografisë, ka studiuar për regji filmi në Rumani dhe është pedagog në Universitetin "Politecnico Grancolombiano" në Bogota, Kolumbi.
Ndërsa “Ariu i Artë” për filmin më të mirë me metrazh të gjatë, iu dha dramës politike “Letra të Verdha” të regjisorit Ilker Çatak. Filmi, i vendosur në Turqinë bashkëkohore, trajton presionin e shtetit ndaj artistëve dhe u vlerësua si një nga veprat më politike të edicionit.
Presidenti i jurisë, Wim Wenders, theksoi forcën e filmit në pasqyrimin e gjuhës së totalitarizmit, ndërsa Çatak bëri thirrje për unitet kundër autokracisë. Drejtoresha e festivalit, Tricia Tuttle, e cilësoi festivalin e këtij viti në Berlin si një pasqyrë të një bote të polarizuar, ku arti dhe politika u ndërthurën fuqishëm.
Komente
