Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, çmimi "Golden Bear" për film të shkurtër iu dha filmit “Someday, a Child” me regji të libanezes Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie shqiptarin Sokol Keraj.

Në qendër të filmit është një djalë 11-vjeçar me aftësi të pazakonta, që jeton me xhaxhain e tij në në një fshat libanez, ku avionët luftarakë janë zhurmë e përditshme.

Ndërsa xhaxhai i tij përpiqet ta bëjë të duket “normal”, djali në fshehtësi vë në provë një aftësi që mezi e kupton.

Kur ai aksidentalisht shkakton rrëzimin e dy avionëve luftarakë, ajo që ishte e fshehur bëhet e pamundur për t'u kontrolluar.

Filmi 27 minuta i gjatë ka pasur premierën e tij në Festivalin e Berlinit, ndërsa është një bashkëprodhim midis Francës, Rumanisë dhe Libanit.

Regjisori Sokol Keraj, që në këtë film është drejtori i fotografisë, ka studiuar për regji filmi në Rumani dhe është pedagog në Universitetin "Politecnico Grancolombiano" në Bogota, Kolumbi.

Mes filmave që ai ka realizuar mund të përmendim: “Dita e fundit e Loro Shestanit” apo “Gëzuar Vitin e Ri 1982”.