Finalja e Kupës së Botës 2026, e planifikuar të zhvillohet më 19 korrik në 'MetLife' të New Jerseyt, ngjitur me New Yorkun, mund të ndikohet nga ndotja e lartë e ajrit e shkaktuar nga zjarret masive pyjore në Kanada. Megjithatë, reshjet e shiut të parashikuara për ditën e shtunë konsiderohen si faktori kryesor që mund të përmirësojë situatën përpara sfidës së madhe.
Sipas autoriteteve lokale, shiu pritet të zbusë përqendrimin e tymit në atmosferë, por nuk do ta eliminojë plotësisht problemin. Gjatë natës, cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm, duke detyruar institucionet përgjegjëse të lëshojnë një paralajmërim për rrezikun që paraqet ndotja për shëndetin e qytetarëve.
Në njoftimin e publikuar në orët e para të së premtes thuhet se situata është më e rëndë se një ditë më parë dhe se çdo person mund të përjetojë pasoja shëndetësore, ndërsa grupet më të ndjeshme përballen me rreziqe edhe më serioze.
Burimi kryesor i ndotjes janë grimcat e imëta PM2.5, të cilat depërtojnë thellë në mushkëri dhe mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut. Indeksi i cilësisë së ajrit ka arritur në 185, një nivel rreth 20 herë më i lartë se norma e zakonshme, ndërsa autoritetet kanë këshilluar qytetarët të përdorin maska mbrojtëse gjatë qëndrimit jashtë.
Sipas shkallës së cilësisë së ajrit, vlerat mbi 100 janë të dëmshme për grupet e ndjeshme, mbi 150 paraqesin rrezik për të gjithë popullsinë, ndërsa nivelet mbi 200 konsiderohen shumë të rrezikshme.
Situata shqetëson edhe organizatorët e finales së Botërorit, pasi ndotja e ajrit mund të ndikojë në aktivitetet sportive të planifikuara në ambient të hapur, përfshirë seancat stërvitore të skuadrave finaliste dhe ndeshjen e legjendave që do t’i paraprijë finales së madhe.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente









