TIRANE - Qeveria është kujtuar të ndryshojë sistemin informatik të të dhënave financiare pikërisht në fund të mandatit. Në një Udhëzim të ministrit të Financave Ridvan Bode, thuhet se nga data 12 deri në datën 30 korrik do të qendrojë i stakuar sistemi që evidenton të gjitha pagesat, hyrjet dhe daljet nga buxheti dhe thesari i shtetit, ndërkohë që një gjë e tillë do të bëhet me “stilin e vjetër”, pra në rrugën tradicionale, manualisht, me urdhër të ministrit të Financave, për të gjitha rastet e transfertave në drejtim të Bankës së Shqipërisë apo për pagesat e borxhit.

Udhëzimi është nënshkruar që në datën 8 maj, por është bërë pikërisht dje i njohur për publikun. Sipas një eksperti të Financave, që kërkoi të ruhet anonimati i tij, procesi i rinovimit të sistemit të informatikës qeveritare financiare është diçka normale, por disi anormal për të duket periudha e zgjedhur për një gjë të tillë.

Kjo periudhë e gjatë do t’u japë mundësi drejtuesve aktualë, në ikje, të Financave të “rregullojnë” apo të fshijnë disa shifra të dyshimta, në mënyrë që ato të mos lejojnë hetime të mëtejshme kur qeveritarët e rinj të marrin frenat e pushtetit ekzekutiv në duar.

Bode udhëzon Tatimet që, gjatë periudhës së ndryshimit të sistemeve, të mos aplikojnë gjoba për vonesa, të cilat do të shkaktohen nga mosfunksionimi në fjalë i informatikës financiare. Ndërkohë, do të merren masa që para datës 12 korrik për të siguruar pagat e korrikut të administratës publike.