TIRANË - Pas lajmit të publikuar në gazetën Shqiptarja.com, ka reaguar Ministria e Financave e cila e gjykon pozitiv bilancin e aksionit kundër lojërave të fatit, nga këndvështrimi i informalitetit. Pikërisht falë operacionit "Marrëzia", sipas tyre, sot nuk ka më pika informale.

Bastet sportive para aksionit nuk paguanin taksa sepse nuk ishin të regjistruar, ndërkohë që tani paguajnë rRegullisht duke dyfishuar arkëtimet dhe të ardhurat. Sipas ministrisë së Financave në dy vite të operacionit që u ndërmor në bashkëpunim me policinë, nuk ka trefishim të pikave të baste, por formalizim të plotë të tyre.
 
Reagimi i plotë i Ministrisë së Financave
Ministria e Financave, në vijim të transparencës dhe respektimit të detyrimit ligjor për tranparencën e treguesve zyrtarë, ka bërë të njohur në mënyrë periodike treguesit e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF). Duke u nisur nga deklarimet e fundit, sqarojmë se në krahasim me vitin 2014, kur numri total i licensave të lëshuara nga autoritetet përgjegjëse ishte 56, në vitin në vijim janë në fuqi vetëm 26 licensa për lojra fati. Ulja e numrit të tyre është rrjedhojë e formalizimit dhe e detyrimit për respektimin e ligjit nga të gjithë poseduesit e këtyre licensave.

Në krahasim me vitin 2013, në vitin 2015 është e vërtetë se është rritur numri i subjekteve me nipte sekondare të lëshuara për bizneset e licensuara, respektivisht nga 1271 në 3464 për kategorinë “baste sportive”, por nuk është rritur numri i kazinove dhe i kazinove elektronike (madje i këtyre të fundit është ulur). Rritje me vetëm tre nipte sekondare shënon edhe kategoria “bingo tradicionale”.

Përkundër këtyre shifrave që janë shifrat zyrtare, të disponueshme për të gjithë të interesuarit, duhen marrë në analizë edhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht me numrin, por edhe me të ardhurat e siguruara, të cilat, në respekt të ligjit aktual “Për Lojrat e Fatit në RSH”, janë 42,6 % më të larta, vetëm në një vit, pra në krahasimin mes vitit 2013 dhe 2014. Kështu, të ardhurat në total për vitin 2013 kanë qënë rreth 3,6 miliardë lekë, ndërsa ato për vitin 2014 shënojnë 5,3 miliardë lekë. Kjo e ardhur nuk ka të bëjë aspak me rritjen e nipteve sekondare (ligji aktual nuk e ndalon - çdo subjekt i licensuar mund të hapë lojra fati të kategorive të sipërcituara pa kufizim), por, së pari i operacionit “Fundi i marrëzisë”, që identifikoi informalitetin e pamasë të këtij sektori, e, sidomos edhe i punës së Njësisë së Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit, që në respekt të ligjit, ka arritur ta formalizojë pothuajse plotësisht këtë sektor.

Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë në vite, vlen të përmendim se detyrimet e subjekteve ndaj NJMLF-së (vetëm për treguesin e detyrimit për 0,5 për qind të xhiros), për periudhën 2009-2015 kanë një vlerë prej 21.7 milionë lekë. Kjo i përket kryesisht viteve të kaluara 2009-2013 (në vlerën 18.1 milionë lekë) dhe 3.6 milionë i përket viteve 2014-2015.

Edhe duke iu referuar të dhënave të fundit, atyre janar-tetor 2015, të dhënat paraprake tregojnë se taksa nacionale (ku përfshihet edhe taksa e lojrave të fatit) është nga 16, 2 milionë lekë në vitin 2013, në 25,024 milionë lekë në 2015, ose me një rritje prej 17,4 % nga fakti i vitit 2014-ës.

Sa i përket reduktimit të lojrave të fatit dhe të basteve, kjo është parashikuar qartë në projektligjin që Ministria e Financave ka depozituar në Kuvend (dhe që po diskutohet nga ligjvënësit), i cili sjell një rregullim të plotë dhe afatgjatë të problematikave që janë vërejtur në këtë sektor dhe që janë përmendur ditët e fundit në media të ndryshme.
Ministria e Financave dhe institucioni në varësi të saj, Njësia Mbikqyrëse e Lojrave të Fatit (NJMLF), do të vijojnë respektimin e ligjit aktual për organizimin dhe mbikqyrjen e lojrave të fatit dhe, në ndërkohë, janë duke punuar për të qënë të përgatitur për të gjitha ndryshimet që kërkon projekti i ri, sapo ai të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Objektivi është mbyllja e kazinove në zonat e banuara dhe ështëq fakt se, pas aksionit të sipërcituar nuk është hapur asnjë sallë e re në këtë kategori. Ndërsa kategoria “baste sportive” do të vijojë të jetë brenda qyteteve dhe vetëm formalizimi ka sjellë trefishim të numrit të tyre.

Ajo që është për t’u theksuar, në përgjigje të komenteve të media-s, është se formalizimi i këtij sektori tashmë është një realitet që shprehet në rritjen e të ardhurave dhe në një performancë më të mirë të vetë autoritetit shtetëror mbikqyrës.

Ministra e Financave është e hapur dhe e gatshme për të gjitha të dhënat që ndihmojnë në transparencën e plotë të këtij sektori dhe jo vetëm.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)