VLORE- Ndërtimi i dy pallateve pa lejë në qytetin e Vlorës, është kryer nga një mish-mash shkeljesh të kryera nga 8 të pandehurit e dosjes së prokurorisë së Vlorës, ku mes tyre ndodhet dhe emri i kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Sipas akt-akuzës Gjika ka lëshuar vendimin e shkurtuar me nr.4/3, datë 15.07.2010 në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, vendim i cili është dorëzuar nga administratori i shoqërisë “Deco System” sh.p.k, i pandehuri Blerdi Licaj, dhe sipas akuzës është me përmbajtje tërësisht të falcifikuar. Ndërkohë nga këqyrja e kryer protokollit të mbledhjeve të vitit 2010 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, rezulton se më datë 15.07.2010 është zhvilluar mbledhja e KRRT-së. Në pikën (1) të kësaj mbledhje është vendosur që të miratohet projekt-zbatimi i bulevardit “Ismail Qemali” Vlorë-Skelë dhe në pikën (2) të kësaj mbledhje është vendosur që të mitratohet projekt-zbatimi i rrugës kampi i punëtorëve-tyneli.

Në fund të proces verbalit të kësaj mbledhje, në numërin rendor (3), është përshkruar se, “kryetari i KRRT propozon dhe miratohet DP dhe SUP lagje “29 Nëntori”, autori A.Muderizi dhe shesh plus lejë ndërtimi për kompleks banimi dhe shërbimi 13 kate në lagjen “29 Nëntori”, me pronar Tartari, Ferhati, Ahmetaj dhe subjekt “Deco System” sh.p.k.” Vihet re se largësia midis rreshtave të shkrimit në pikën (3) është shumë e vogël në krahasim me rreshtat e tjera të ndodhura në të njëjtin proces verbal. Një praktikë e njëjtë ka ndodhur edhe në rastin e dytë në mbledhjen të 24 marsit 2010, ku sërisht është shtuar një fjalë me shkrim të ndryshëm, dhe që autorizonte dhënien e lejës për shtetasin Gëzim Feta dhe subjektin “En-Bjo Sh.p.k” me përfaqësues Gentjan Sherifaj. Në fakt në këto dy mbledhje nuk është diskutuar asnjëherë për këto dy leje ndërtimi.


 Shkrimi u publikua sot (09.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)