Firmoset Marrëveshja, Shqipëria dhe
Kosova bashkë për integrimin në BE

Firmoset Marrëveshja, Shqipëria dhe<br />Kosova bashkë për integrimin në BE
PRISHTINË- Shqipëria dhe Kosova thellojnë bashkëpunimin për përkthimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe, në kuadër të procesit të Integrimit të dy vendeve.
 
Gjatë vizitës zyrtare që Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha po zhvillon në Kosovë, u firmos e Marrëveshja e bashkëpunimit “ Për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e Legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe dhe bashkëpunimit në sferën e përafrimit të legjislacionit”.
 
Kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë pasi dëshmon për vullnetin maksimal të dy shteteve për të ecur bashkërisht në rrugën e integrimit në BE.

“Përafrimi i legjislacionit sipas standardeve të BE-së është një nga detyrimet thelbësore që duhet të përmbushë çdo shtet që dëshiron të bëhet pjesë e tij. Në këtë kontekst jam e bindur se firmosja e marrëveshjes së sotme ka rëndësi të veçantë, pasi duke qenë të koordinuar e mbi të gjitha bashkë , do të mund të avancojmë në axhendën evropiane”, tha ministrja e Integrimit Evropian gjatë konferencës për shtyp të mbajtur për mediat.

Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, shprehu gjithashtu bindjen e saj se marrëveshja do të mundësojë strukturimin në një gjuhë të vetme të dy shteteve. Ajo falënderoi ministren Gjosha për legjislacionin e përkthyer të Shqipërisë i cili po i vihet në dispozicion Kosovës.

“Vullneti ynë për të thelluar bashkëpunimin nuk është i diktuar nga procesi i integrimit, por nga lidhja e brendshme mes dy shteteve tona. Nuk do të ndalemi këtu por do të vijojmë duke bashkuar të gjitha resurset njerëzore dhe financiare për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE”, tha Ministrja Citaku gjatë konferencës.
 
TAKIMET ME ZYRTARËT E LARTË 
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha do të zhvillojë disa takime me zyrtarët më të lartë të shtetit tjetër shqiptar në Ballkan. Konkretisht, ministrja Gjosha, ka planifikuar të zhvillojë një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Një tjetër takim do të jetë ai me kryeministrin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi. Gjithashtu pjesë e axhendës është takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj.

Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)