Kriza politike në Shqipëri po ngjall kohët e fundit interesimin e disa prej kompanive kryesore të vlerësimit financiar botëror. Pas Njësisë së Zbulimit Ekonomik të revistës The Economist, edhe BMI Research, pjesë e grupit Fitch ka publikuar raportin më të ri të vlerësimit për Shqipërinë.

Ajo që të bie në sy, është nënvizimi i një sigurie se vendi do të vijojë të drejtohet nga koalicioni në pushtet. “Shqipëria ka bërë progres në zgjidhjen e sfidave politike në dy vitet e fundit, por testimi i vërtetë do të kryhet kur vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme në 18 qershor”, thuhet në raport. Sipas analistëve të Fitch, “ne besojmë se koalicioni socialist do të vazhdojë të mbajë pushtetin, duke nënkuptuar vazhdimësinë e politikave”, thotë raporti.

Nga ana tjetër, për herë të parë, një institucion privat financiar ndërkombëtar nga më të mëdhenjtë në shkalla botërore deklaron publikisht që, në rast se opozita merr pushtetin, do të kemi një pikë kthese mbrapsht në tendencat integruese të vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Ndërsa kriteri i pranimit të BE-së mbetet një politikë e rëndësishme pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, risku i regresit është më i madh nëse opozita fiton pushtetin”, theksohet në raportin e Fitch, të publikuar ditën e djeshme.

Sipas tabelave të raportit, rritja ekonomike e vendit për vitin 2016 vlerësohet se ishte në nivelin 3.1% dhe pritet të përshpejtohet në 3.3% në 2017 dhe 2018. Raporti thekson se ekonomia shqiptare nuk do të përfitojë nga treguesit që pritet të përmirësohen për Evropën pas daljes së Britanisë nga BE-ja, të cilët tregojnë se ekonomia globale do të shkojë drejt rritjes gjatë 2017-ës.

Kjo, pasi vendi ynë mbetet shumë i ekspozuar ndaj dy prej ekonomive të dobëta të Europës: Greqisë e Italisë. Kërkesa e brendshme do të mbetet e fortë, në veçanti me shpenzimet në infrastrukturë, të cilat do ta mbajnë ekonominë shqiptare ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë të rajonit në 2017-ën dhe 2018-ën, shtojnë ekspertët.

Sipas tyre, një goditje në ekonominë italiane apo atë greke gjatë 2017-ës do ta çonte valutën vendase në zhvlerësim, duke marrë në konsideratë remitancat dhe të ardhurat nga eksportet drejt secilit vend. Kjo do të rriste inflacionin dhe do të rrezikonte konsumin privat, thekson raporti.

Edhe Economist Inteligence Unit (EIU), një njësi e “zbulimit” e revistës prestigjioze “The Economist”, në raportin për tremujorin e parë 2017 për Shqipërinë ka dhënë një prognozë pozitive, jo vetëm për ekonominë e vendit, por kryesisht edhe për situatën politike. nalistët e EIU vlerësojnë se koalicioni aktual qeverisës, që përbëhet nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, është në një pozicion të fortë për të mbajtur pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme të qershorit 2017.

Nga ana tjetër, “The Economist” nuk mungon ta vejë theksin edhe në perspektivën e reformave të ndërmarra nga shteti shqiptar. Kështu, Economist Intelligence Unit pret që reforma në drejtësi të përfundojë me sukses, madje me shumë gjasa brenda vitit në vazhdim.

“Pas reformës së sistemit të drejtësisë, Shqipëria do të marrë shpejt një ftesë për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por kjo nuk pritet të ndodhë para fundit të vitit 2017, ose edhe më vonë se kaq”.

Por EIU beson se qeveria, gjatë një periudhe të shkurtër kohore do të pezullojë konsolidimin fiskal. Kjo lidhet me periudhën përpara zgjedhjeve parlamentare, çka është bërë tashmë traditë nga të gjitha qeveritë shqiptare, megjithatë ajo do të vazhdojë të nxisë rritjen ekonomike.

Natyrisht, vëmendja kryesore edhe e raportit të Inteligjencës i kushtohet situatës në ekonominë shqiptare. Sipas raportit, rritja ekonomike në vitin 2016 është përshpejtuar në 3.2%.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com