Fitoi kampionatin vetëm 19 vjeç, Çelhaka: Dua të luaj me një ekip të njohur jashtë vendit, Kombëtarja ëndrre e çdo fëmije

Fitoi kampionatin vetëm 19 vjeç, Çelhaka: Dua të luaj me një ekip të njohur jashtë vendit, Kombëtarja ëndrre e çdo fëmije

Jurgen Çelhaka është vetëm 19 vjeç, por në këtë sezon ku ka luajtur 30 nga 36 ndeshjet e kampionatit, ka arritur të fitojë Superligën me Tiranën, ekipin e tij të zemrës. Në një intervistë për faqen e federatës ai tregon vështirësitë që dikush duhet të kalojë për t'u bërë futbollit, profesion që sjell shumë kufizime në jetën e përditshme.

"Kur isha i vogël, luaja shumë me shokët në lagje, ku pavarësisht se vritesha, dëshira për të qenë pjesë e kësaj loje, ishte më e madhe se dhimbja e këmbëve apo duarve. Gjithashtu, ndeshjet e kombëtares ishin një tjetër burim frymëzimi për mua, të cilat ma shtonin edhe më shumë dëshirën për t’iu futur rrugës së mrekullueshme të futbollit."

Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

Njeriu i parë që më afroi me këtë sport ka qenë babai im. Ai e shihte se sa unë e doja futbollin dhe pa tek unë cilësite e veçanta që kisha. Kështu, ai investoi tek unë, duke më futur në Akademinë e KF Tiranës dhe unë mos të luaja më thjesht futboll në lagje por të stërvitesha në mënyrë të plotë dhe në të ardhmen të bëhesha futbollist profesionist.

Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

Të gjithë kur jemi të vegjël, pavarësisht ku luajmë, në lagje të pashtruara a në lagje të shtruara, në fusha të mëdha futbolli apo kalçeto, kemi vetëm një ëndërr: Të luajmë me kombëtaren shqiptare. Fatmirësisht, kjo ëndërr u bë realitet për mua dhe unë kam qenë dhe jam shumë i lumtur. Nuk dua të përsëris të tjerët, por i besoj të gjithë kur thonë që është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

E vërteta është që nuk i shikoj të gjitha, por ato që shikoj, bëj shumë autokritikë për gabimet trashanike që mund të kem bërë. Rishikimi i ndeshjeve është një formë stërvitjeje që i bëj vetes.

Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

Akoma nuk kam mbushur 20 vjeç dhe jam shpallur kampion i Shqipërisë me ekipin tim të zemrës, Tironën. A ka moment më të lumtur se ky?

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

Sakrifica më e madhe që kam bërë dhe vazhdoj e bëj akoma është të shoh shokët e mi teksa dalin pa problem ndërsa unë jo, sepse më duhet të mbaj regjim sepse mund të kem ndeshje ose stërvitje.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?

Dëshira e madhe që kam dhe synimi im është që të luaj në një ekip të nivelit të mirë jashtë Shqipërisë dhe të arrij kombëtaren A.

Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

Kam marrë shumë këshilla, nga shumë njerëz të botës së sportit, por këshilla që e mbaj vëth në vesh është se asgjë nuk është falas. Vetëm me punë dhe me regjim, mund t’ia dal të bëhem një futbollist i madh.

Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

Nuk kam një idhull në veçanti, por të gjithë lojtarët e kombëtares i shikoj si shembull për t’u ndjekur.

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik