Times Square në Nju Jork u shndërrua në shesh festimesh mbrëmjen e së martës kur sapo u kuptua se Barack Obama po fitonte mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Qindra njerëz u mblodhën në shesh duke ndjekur direkt rezultatet në ekranet e vendosura rreth atij çka njihet si kryqëzimi i botës. "Energjia këtu është vërtet e pakrahasueshme. Kaq shumë njerëz që gëzohen, jemi duke shkruar historinë. Katër vite të tjera është vërtet frymëzuese. Do të jetë diçka e madhe", thotë Britney Nielsen nga Dakota e Veriut.

Festimet ishin të papërmbajtshme edhe mes turmës së madhe të njerëzve të mbledhur para Shtëpisë së Bardhë. Nën thirrjet "edhe katër vite të tjera" dhe "SHBA" ata i dhanë ritëm festës ndërsa nuk munguan festimet me puthje të zgjatura mes çifteve. I riu Caden Otunu thotë se ndjehet shumë i lumtur. "Këto ishin votimet e mia të para dhe produkti ishte përfekt. Edhe katër vite të tjera", u shpreh ai.

Festa është shtrirë edhe më tej ndërsa nxënësit në ish shkollën e Obamës në Xhakarta reaguan në mënyrën e tyre. Të mbledhur sëbashku ata ndoqën përmes televizioneve rezultatet e zgjedhjeve ndërsa thërrisnin vazhdimisht "Obama, Obama". Duke vlerësuar faktin se janë pjesë e të njëjtës shkollë ku dikur ka studiuar Obama, ata nuk ngurojnë ti japin edhe këshilla duke shpresuar se ai do të jetë një njeri për të cilin bota ka nevojë.

Fitorja e Obamës është vlerësuar edhe nga rusët të cilët tek Mitt Romney shikonin një njeri më problematik në raportet ndërkombëtare. Në rrugët e Moskës qytetarët thonë se Romney e konsideronte Rusinë më keq se talebanët. "Obamën ne e njohim. Ai është këtu dhe ka qenë. Mitt është një person që nuk e dimë se kush është", thotë Galina, banore e Moskës. Të njëjtën ide ka edhe Darya sipas të cilës kandidati republikan kishte një këndvështrim negativ ndaj Rusisë.

Në Mexico City qytetarët amerikanë u mblodhën në një restorant për të festuar fitoren e Obamës ndërsa ndiqnin me emocion gjithçka përmes televizionit. Duke qenë se Obama kishte një prirje më afruese me komunitetin meksikan, Amalia Montoua, qytetare amerikano-meksikane shpreson se mandati i dytë do të jetë më pozitiv sa i takon çështjes së emigracionit.

Në Irak njerëzit nuk duken aspak të interesuar për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Shumica prej qytetarëve të prononcuar për median deklarojnë se këto zgjedhje nuk kanë asnjë shans të sjellin ndryshim sa i takon çështjeve të lindjes së mesme.

Qindra amerikanë dhe gjermanë u mblodhën së bashku për të ndjekur gjithçka në televizione. Të organizuar nga konsullata amerikane në Frankfurt ata shprehën mbështetjen për Presidentin Barack Obama dhe suksesin e tij.

Në Londër, baret ishin mbushur me qytetarë të cilët ndiqnin me interes atë çka ndodhte në Shtetet e Bashkuara. Duartrokitjet nuk munguan për asnjë moment ndërsa në ekran shfaqej dukshëm dominimi i Barack Obamës.

Në Francë, gazeta "Liberation" publikoi një edicion special për zgjedhjet ndërsa titulli i saj ishte thjesht "Po" ndërsa në foto ndodhej imazhi i Barack Obamës së buzëqeshur. Në rrugët e Parisit qytetarët ndjehen të kënaqur për zgjedhjet që bënë amerikanët të martën.

Qytetarët e pranishëm në rrugët e Madridit që në orët e para të mëngjesit konstatojnë se është në interesin e Spanjës një fitore e Obamës krahasuar me ndonjë rezultat të tillë për Mitt Romney. Gjithësesi, për disa prej tyre nuk zgjedhja nuk përbën ndonjë diferencë të madhe.

Gazetat në Greqi e ndoqën në mënyrë të zgjeruar garën presidenciale në shtetin më të fuqishëm të botës. Të intervistuar nga Reuters qytetarët në rrugët e Athinës shpresojnë se ky mandat i dytë do ti japë shansin Obamës të bëjë diçka më të mirë për botën duke përçuar paqen dhe ndaluar luftërat.

(dm/shqiptarja.com)