Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, e ka cilësuar këtë një lajm shumë të mirë, ndërsa shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqëson Shqipërinë në Arbitrazh. Gjiknuri shkruan në 'Facebook' se hidrocentrali i Kalivaçit do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz.
Sipas tij, Arbitrazhi konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj që është deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit.
"NJË LAJM SHUMË I MIRË. Të dashur miq! Shqipëria fitoi një përballje të rëndësishme në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC kundrejt shoqërisë Hydro S.R.L. Gjej rastin të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në arbitrazh: juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e bërë dhe Avokaturën e Shtetit, e cila me profesionalizëm udhëhoqi me sukses këtë proces. Vendimi i arbitrazhit konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj çka ne kemi deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo vepër e rëndësishme energjetike tashmë do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz", shkruan Gjiknuri në 'FB'.
(Postimi i ministrit Damian Gjiknuri pas vendimit të Arbitrazhit)
d.c./shqiptarja.com

