Elbasani është rikthye të fitojë në Superligë pas 5 ndeshjesh dhe e ka bërë pikërisht ndaj Dinamos, skuadër që gjithashtu synon kreun e kampionatit. Në Elbasan Arena ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0, por pas saj pati akuza të ashpra ndaj arbitrimit nga klubi Dinamo.

Fitore tepër të rëndësishme, edhe pse me rezultatin 1-0 siguroi Tirana që mposhti një kundërshtar të drejtpërdrejtë për mbijetesën si Flamurtari. Ndërkohë po të dielën Teuta barazoi 1-1 kundër Vorës, me këta të fundit që për disa minuta braktisën ndeshjen për shkak të pretendimeve që kishin ndaj penalltisë që barazoi ndeshjen. Gjuhë e ashpër nga trajneri Bellai që e krahasoi gjykimin e arbitrave me kohën e komunizmit.

Më herët Vllaznia, pas sukseseve ndaj Egnatias dhe Dinamos, siguroi edhe një tjetër 3 pikësh ndaj Partizanit. Në Loro Boriçi shkodranët ia dolën 1-0 falë Lirim Kastratit.

“Shumë i lumtur që arritëm të jemi me pikë të barabarta me vendin e parë. më e rëndësishmja ishte edhe që arritëm të mos pësonim gol,”-u shpreh Sherif Kallaku, futbollist i Vllaznisë.

Disfata në Shkodër mjaftoi që të riktheheshin shpejt zërat për shkarkimin e Kërnajës nga Partizani.

“Ndjehem shumë mirë se kam mbështetjen e presidencës, stafit, drejtorit dhe çunave. Po mundohemi të bëjmë maksimumin por ndonjëherë fati s’na ka ndihmuar. Shpresoj të na kthehet në favor dhe do të shohim para,”-tha Oltijon Kërnaja, trajner i Partizanit.

Sfida tjetër e javës së 21 të Superligës mes Bylisit dhe Egnatias u mbyll 2-2. Ky rezultat bëri që kampionët në fuqi të humbasin kreun pas shumë javësh, teksa janë me pikë të barabarta me Vllazninë kryesuese. Vetëm 1 pikë më pak ka Elbasani i vendit të tretë, ndërsa top 4-shen e mbyll Dinamo. Javë pozitive për Tiranën e vendit të fundit, që tani e sheh veten 1 pikë më pak se Flamurtari i vendit të 9-t dhe 2 pikë më pak se Bylisi i vendit të 8-t. Pozicion që bën play-off për të qëndruar në Superligë.