Shqipëria është sot në një luftë, luftë të vërtetë me varfërinë, papunësinë, borxhin mbytës dhe maskarallëkun e kthyer në sistem qeverisës. Dramat e së shkuarës brenda familjes së madhe të së majtës apo grindjet dhe hatërmbetjet e së djeshmes në gjirin e Partisë Socialiste, s’mund të përbëjnë kurrsesi një arsye të mirë për të mos e marrë në dorë të gjithë bashkë të ardhmen dhe për të mos bërë atë që na takon përpara se sa Saliu ta çojë Shqipërinë në humnerën tragjike të një krize financiare. Fuqia e gjykimit të një njeriu apo një organizate nuk është të mos gabojë kurrë, po të mos bëjë gabime të përsëritura. E them këtë për vete. E them këtë për ne. E them këtë për të gjithë ata që gabimet e së shkuarës mund t’i pengojnë psikologjikisht të rikthehen në hapësirën e madhe të opozitës së sotme. Çdo socialist me mandat, që nga kryetarët e organizatave tek deputetët, duhet të jetë një zemër dhe derë e hapur për këdo me të cilin na ndan e shkuara po mund të na bashkojë e ardhmja. Ne duhet të jemi tërësisht të vendosur të shkojmë përpara, për të realizuar programin tonë për një rilindje shqiptare dhe për të mos rënë në asnjë rast apo në asnjë formë pre e personalizimeve aq shumë të dëmshme të konflikteve të të shkuarës. Lufta me borxhin publik e me borxhet e familjeve të zakonshme që duam të marrim sot në mbrojtje me programin tonë të ri, s’ka vend për personalizma e beteja meskine kohërash normale.
Kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë. Themelet e financave tona publike dhe tërë ngrehina e ekonomisë shqiptare janë në rrezik. Izolimi faktik nga Europa në kushtet e stuhisë financiare që po afrohet është i papranueshëm dhe i pafalshëm. Politika duhet t’i dalë zot vendit dhe t’i lerë mënjanë sherret e llastimet e saj mediokre. Programi ynë është pikërisht vullneti ynë për të marrë lidershipin moral në këtë luftë, duke vendosur veten tonë në dispozicion të plotë të shpresave e të halleve të atdheut të 1 milionë të papunëve, dhe duke i lënë mënjanë të gjitha grindjet e sherret për hesape mirëfilli politike. Sot s’ka vend për to. As brenda partisë. As midis partive. Madje as me kundërshtarin politik. Me të cilin kurrë nuk do të na bashkojnë vizioni dhe idetë për Shqipërinë që duam, po asnjëherë mospëlqimi i thellë personal nuk do të na pengojë të dialogojmë në emër të interesit madhor të kombit dhe shtetit që përfaqësojmë. Sot ky interes madhor e kërkon me urgjencë që të përshpejtohet me çdo kusht procesi i integrimit. Stuhia që po afron nuk do të na gjejë jashtë mureve të Europës.
E prandaj ne kemi ofruar një plan propozimesh. Të hënën do të bëjmë një propozim të ri në kuadrin e planit tonë për përshpejtimin e integrimit. Të tjera propozime do të vijojnë më tej. Kjo është detyra që kemi marrë përsipër dhe rruga që kemi zgjedhur si alternativa e vetme europiane e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim dua t’u them sot shkoqur:
Mundoheni kot.
Nuk do ta gjunjëzoni dot opozitën.
Nuk do ta dobësoni dot Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Nuk do ta blini dot shpirtin tonë patriotik.
Nuk do të korruptoni dot mendësinë tonë demokratike dhe shikimin tonë drejt të ardhmes.
Nuk do të na mposhtni as me dhunën tuaj, as me paratë tuaja, as me baltën tuaj të shpifjeve e fyerjeve të përditshme.
Ne do t’ju heqim nga qafa e Shqipërisë megjithë borxhet, megjithë hajdutëritë, megjithë paaftësinë tuaj epike.
Padrejtësitë tuaja na kanë zemëruar, po s’na kanë ligështuar. Zemërimi nuk na e ka humbur, por na e ka kthjelluar arsyen. Na i torturoni përditë njerëzit tanë, me plumba i keni vrarë njerëzit tanë. Me flakje në rrugë, dhunë psikologjike e përndjekje në gjithë pemën e gjakut të shtëpisë. Ju jeni venë pas njerëzve tanë. Na keni vjedhur dy herë votat. Një herë natën dy vjet më parë dhe një herë ditën për diell në mes të kryeqytetit, në sytë e gjithë botës për turpin e të gjithëve. Po nuk do të ketë një herë të tretë! Dhe e dini pse? Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, ata që i kanë dhënë shpirt e zemër Partisë Demokratike, e kanë kuptuar që ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për Shqipërinë e tyre. Ju jeni vetëm një kastë grabitqare. Dhe si e tillë do të trajtoheni nga populli i majtë e i djathtë, kur hera e tretë të jetë hera e të vërtetës së të gjithë atyre që nën qeverisjen tuaj jetojnë sot shumë më keq se më parë. E këta janë shumë. Janë shumë më shumë se shumica që na mbështet e na voton ne. Janë një popull që do të ngrihet mbi malin tuaj të mëkateve e manipulimeve, ashtu siç ngrihen në një ditë, si nga dheu, popujt e varfëruar me pahirin e regjimeve si i juaji. E treta do të jetë hera e të vërtetës së madhe që Shqipëria do t’ju tregojë me votë për tradhtitë tuaja. Për fukarallëkun e shpirtit tuaj dhe për varfërinë e shtëpive shqiptare. Për padrejtësinë tuaj të kthyer në sistem mbytës. Për tangërllikun e kthyer në mënyrë komunikimi.
Të dashur socialistë e progresistë kudo që jeni, të dashur opozitarë e qytetarë që doni ndryshimin pavarësisht se me kë jeni. E dëgjoj qartë zërin tuaj që thotë, nuk dëgjojnë këta asnjë propozim tonin. Nuk marrin vesh me të mirë këta. Nuk ikën Saliu me votë. E me radhë. Dua të më besoni se nuk është problemi ynë nëse qeveria i dëgjon apo jo propozimet tona. Është barra e mëkateve të saj që rëndohet duke qëndruar në llogoren e politikës së konfliktit, për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë me vota të vjedhura. Problemi ynë është që ju t’i dëgjoni dhe të ndjeheni pjesë e propozimeve që ne bëjmë në interesin tuaj në radhë të parë. Ju të ndjeni deri në fund se është Partia Socialiste që i përfaqëson qartë interesat tuaja, jo qeveria e lidhur me interesat e oborrit të Saliut. Sepse besomëni, nuk ka më asnjë rëndësi çfarë bën Saliu, po çfarë bën secili prej jush dhe çfarë bëjmë ne të gjithë sëbashku. Koha e Saliut ka mbaruar. Jetojmë vetëm agoninë e qeverisjes së tij. Të bashkuar do t’i japim fund agonisë për një rilindje të re shqiptare.
E kemi pasur të lehtë, shumë të lehtë madje, t’ia kthejmë Saliut në fytyrë përditë stërshpifjen e tij të stërpërsëritur, se opozita paska bllokuar integrimin. Po nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë. Sepse as integrimi s’është lojë “e ka kush e ka” dhe as ne socialistët s’mund ta përdorim kurrë flamurin e Europës, siç e përdor Saliu, si gjethe për të mbuluar pjesët e dukshme të përgjegjësive të tij. Ribashkimi me Europën, quhet pjesa e katërt e programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Titullin e kësaj pjese e ka frymëzuar vetëdija e përkatësisë së hershme europiane të Shqipërisë, në kushtet e sotme kur flitet çdo ditë për Europën dhe përditë halldupëria e harbutllëku oriental në pushtet e largojnë Shqipërinë nga Europa. Për ne integrimi europian s’është rrugëtim drejt një vendi të huaj, po rrugëtimi i Shqipërisë drejt vetvetes. Bashkimi Europian s’është një organizatë ku ne do të aderojmë për të mbetur këta që jemi, po një familje ku Shqipëria do të hyjë vetëm duke u bërë ajo që nuk është ende, një shtet europian në shërbim të qytetarëve europianë. Në partneritet strategjik me Bashkimin Europian.
E falenderoj ambasadorin Sequi për praninë e tij në këtë kongres dhe i them në emrin tuaj: Europa për ne socialistët s’është një pikë ku duam të mbërrijmë, po një mënyrë e re të qeni këtu, mes nesh, në Shqipëri. Për këtë mënyrë të re të qeni flet shkoqur programi ynë i ri. Këtë mënyrë të re të qeni do ta bëjmë realitet përmes afirmimit të parimeve e vlerave të pandryshuara që mishëron Partia Socialiste. Si parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe e familjes politike të socialistëve europiane. Por po ashtu si partia më e madhe e shqiptarëve që gëzojnë privilegjin e miqësisë dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. E falenderoj ambasadorin Aleksandër Arvizu për praninë e tij sot në këtë ngjarje të rëndësishme të jetës së Partisë Socialiste. Ju siguroj miku ynë në vullnetin e hekurt të socialistëve shqiptarë, për t’i dhënë mbështetje pa kushte sot në opozitë, qeverisë shqiptare lidhur me çdo mision e detyrim që angazhon Shqipërinë në kuadrin e partneritetit tonë strategjik. Ashtu siç ju garantoj se nesër Shtetet e Bashkuara do të gjejnë tek qeveria jonë jo vetëm aleatin e palëkundur për të gjitha angazhimet globale e rajonale, po edhe një partner të frymëzuar nga parimet e nga vlerat e demokracisë amerikane në mirëqeverisjen e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara nuk do të krenohen me ne vetëm për luajalitetin dhe besnikërinë në kuadrin e betjës së madhe për një botë më të mirë, por do krenohen me ne për një nxënës të mirë në mes të Europës dhe në zemrën e Ballkanit që punon dhe heton i frymëzuar nga parimet dhe vlerat që e bëjnë Shtete e Bashkuara vendin e ëndërruar të të gjithë atyre që duan kushtetutshmërinë. Të gjithë atyre që duan zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Të gjithë atyre që duan drejtësi të pavarur. Të gjithë atyre që duan lirinë e medias, tregun e lirë dhe vlerësimin e meritës.
Faleminderit edhe të gjithë miqve të tjerë që iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë, apo na uruan për këtë kongres pa mundur të vijnë. Faleminderit miqve tanë italianë e grekë, marrëdhëniet e konsoliduara me të cilët programi ynë i konsideron shumë të rëndësishme për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve gjermanë e austriakë, me të cilët duam ta zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin e gjithanshëm për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve francezë, britanikë, spanjollë e turq, me të cilët synojmë të inkurajojmë rritjen e shkëmbimeve dypalëshe, ashtu si edhe me Vendet e Ulëta e Skandinave, të cilave u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer që i japin demokratizimit e integrimit europian të Shqipërisë. Faleminderit të gjithë miqve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria Europiane që kemi programuar ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësisë, lirisë e sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe e stabilitet në rajon e më gjerë. Kosova është për ne jo vetëm një tjetër shtet shqiptar në anën tjetër të kufirit, po edhe një potencial i madh historik e kulturor për një partneritet shumëplanësh, në funksion të qytetarëve të nesërm shqiptarë të Bashkimit Europian.
Programi ynë quhet për një rilindje shqiptare, por është një derë e hapur. Jo vetëm për ide e sugjerime, po edhe për të gjithë ata që duan të bashkohen me ne për ta bërë realitet një rilindje shqiptare. Individë, grupe interesi, organizata shoqërore, parti politike, të majta, të qendrës apo liberale të djathta, që gjejnë arsye për t’u bashkuar në programin tonë, bujrum, dera është e hapur. Programi ynë është një derë e hapur brenda një koalicioni të gjerë opozitar, Aleanca për të Ardhmen. I falenderoj përzemërsisht aleatët tanë për praninë e tyre sot dhe u shpreh respektin e të gjithë socialistëve, për konseguencën e për shpirtin e sakrificës, në rezistencën ndaj këtij pushteti vrastar e grabitqar. E në kontekstin e koalicionit tonë të gjerë lejomëni të nënvizoj: Programi ynë për një rilindje shqiptare më detyron një kërkesë ndjese ndaj atyre që deri dje i kemi quajtur, si gjithë të tjerët edhe ne, ish-pronarë. Që të ketë një rilindje shqiptare s’mund të ketë pronarë legjitimë që quhen ish-pronarë dhe sorollaten prej njëzet vjetësh në kalvarin e një përndjekjeje të ftohtë pas përndjekjes së përgjakshme të dyzetepesë viteve diktaturë. Pronarë dhe pikë. Dikush në Asamblenë Kombëtare tha ç’punë kemi ne me ish-pronarët e me të përndjekurit politikë që do vdesin duke i shkuar pas Saliut si lypsarë, po për ne s’do votojnë kurrë? Gabim. Për ne sot çështja e pronës nuk është një çështje elektorale, po një çështje përgjegjësie kombëtare që marrim përsipër ta zgjidhim me këtë program dhe me këtë koalicion. Tallja e Saliut dhe e gjithë politikës së vjetër me pronarët është jo vetëm një cinizëm i pashembullt, po edhe një pengesë e madhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të Shqipërisë.
Qëllimi ynë është i qartë: Përmes zgjidhjes së çështjes së pronës, jo vetëm t’i japim fund sorollatjes së pronarëve legjitimë me një zgjidhje të dakordësuar me ta; të pajisim po ashtu me certifikata pronësie fermerët që punojnë prej njëzet vjetësh tokën e s’kanë një copë letër; t’u japim titujt e pronësisë të gjithë atyre që kanë hyrë në proces legalizimi. E kështu në këtë mënyrë të krijojmë një pasuri të plotë e të qarkullueshme në tregun e tokës. Krijimi i tregut të tokës, me vlerë të shtuar nga politika të mirëmenduara zhvillimi rajonal e rural, do të çlirojë energji të pafundme për një rilindje shqiptare. Njësoj si pronarëve edhe të përndjekurve ne u themi që angazhohemi për ta zgjidhur me dinjitet problemin e tyre, të pazgjidhur qëkur liria u është bërë një burg pamundësish e gënjeshtrash me një bisht njëzet vjet të gjatë. Ne do të zbatojmë për ish-të përndjekurit një dëmshpërblim progresiv sipas viteve të dënimit. Për ata mbi 75 vjeç do ta shlyejmë të gjithë masën e dëmshpërblimit brenda vitit të parë të qeverisjes së Aleancës për të Ardhmen. E atyre ndër ta që ndryshe nga Kurt Kola e nga Spartak Ngjela e nga të tjerë të burgosur me të vërtetë politikë të regjimit të vjetër që vazhdojnë edhe pas njëzet vjetësh rropatje pa dëmshpërblim, të shohin tek unë Partinë e Punës dhe tek Saliu lirinë e demokracinë, u them sot shumë qartë: Paragjykimi juaj nuk na pengon të jemi të drejtë me ju. T’ju respektojmë përulësisht për të gjitha vuajtjet dhe t’ju ofrojmë falas të gjitha shërbimet publike, njësoj si veteranëve të luftës. Për ne kjo nuk është një çështje interesash elektorale, nuk është as një çështje miklimi grupesh të ndryshme interesi. Për ne kjo është rivendosja e Shqipërisë në pozicionin e duhur, jo vetëm për ta ëndërruar, por edhe për ta mundësuar, një rilindje shqiptare. Për ne veteranët e luftës dhe të përndjekurit politikë, janë dy grupet më të vuajtura të këtyre njëzetë vjetëve tranzicion. Veteranët i dhanë Shqipërisë nderin e të qenit në krahun e duhur të historisë në orët dramatike të luftës botërore me një të keqe të madhe. Në këtë kongres mungojnë disa prej tyre, e ndër ta edhe kryetari i Komitetit të Veteranëve e miku ynë i paharruar, Adnan Qatipi. I paharruar qoftë kujtimi i tyre dhe i përjetshëm nderimi për luftën e për sakrificat që ata bënë.
Në programin tonë ne kemi shprehur vullnetin për adresimin e çështjes çame në koherencë të plotë me standardet e të drejtës ndërkombëtare. Edhe lidhur me këtë problem ka njëzet vjet që politika shqiptare rrotullon arra nëpër gojë. Ky problem as mund të lihet zvarrë në një heshtje fyese për komunitetin çam, as duhet lënë të kthehet në vatër të flakëve të një mllefi primitiv ndaj fqinjit tonë mik. Ne do ta trajtojmë atë me dinjitetin e forcës patriotike dhe europiane që jemi, ashtu siç trajtuam problemin e marrëveshjes së kufijve detarë të Shqipërisë. E sot kur kjo çështje është ringritur përsëri, dua ta bëj të qartë në emër të socialistëve shqiptarë: Ne jemi për një marrëveshje të shpejtë për kufijtë detarë, por vetëm mbi themelin e reciprocitetit absolut. Miqësia jonë me popullin grek është e patjetërsueshme dhe ne besojmë se një miqësi e vërtetë është vetëm një miqësi e barabartë. Vizioni europian, kuptimi i njëjtë për problemet e rënda të vendit dhe solidariteti njerëzor, na bëjnë natyrshëm aleatë me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e me mikun tonë Vangjel Dule. Nëse minoriteti grek është një urë e fortë lidhjeje e bashkëpunimi me Greqinë fqinje dhe veçoritë e tij një pasuri kulturore për Shqipërinë, PBDNJ-ja është një urë e fortë që e lidh Partinë Socialiste me minoritetin grek në radhë të parë e me të gjitha pakicat e tjera në Shqipëri.