Fjala e kreut socialist
Edi Rama në Kongres (Pjesa fundit)

Fjala e kreut socialist<br />Edi Rama në Kongres (Pjesa fundit)
E padyshim kjo parti është një vlerë e shtuar, jo thjesht numerike, por kulturore e koalicionit tonë. Respektimi i të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje ne e konsiderojmë pjesë të projektit tonë të Shqipërisë Europiane. Programi ynë është një derë e hapur për emigrantët. Asnjëherë më parë një parti politike shqiptare nuk e ka pasur emigracionin në fokusin ku e vendos ky program bazë për një rilindje shqiptare. Shqipëria ka fluksin më të lartë migrator të Europës. Jashtë kufijve tanë jeton 40% e popullsisë aktive shqiptare. Janë 1 milionë e gjysmë shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Europian e në Amerikën Veriore. Duke nisur nga 60% e tyre që punojnë në Greqi e pastaj nga 12% që janë në Itali e me radhë, emigrantët përbëjnë prej njëzet vjetësh traun mbajtës të çatisë së ekonomisë shqiptare. Pa punën e tyre ekonomia e familjeve të zakonshme shqiptare do kishte falimentuar krejtësisht. është e patolerueshme që qeveria shqiptare, prej njëzet vjetësh po sidomos në vitet e fundit, e ka katandisur kujdesin për emigrantët në një shërbim konsullor të krimbur në korrupsion e qesharak deri në dhimbje. Dhe është po ashtu e pajustifikueshme që kontributorët kryesorë në ekonominë e vendit prej njëzet vjetësh, nuk shprehin dot vullnetin e tyre në zgjedhje.

Përveç një pakete masash konkrete, që u paraqitën në mënyrë konkrete pak më parë, për rritjen cilësore të kujdesit të qeverisë për emigrantët, programi ynë " Për një Rilindje Shqiptare" parashikon edhe të drejtën e votës për ta aty ku jetojnë. Qeveria e sotme i bishtnon vijimësisht këtij detyrimi. Ne do të bëjmë çmos që t’ia garantojmë çdo shqiptari në emigracion këtë të drejtë kushtetuese.

Ne sot flasim për një shumicë shumë më të madhe sesa shumica jonë elektorale. Programi ynë flet kundër interesave që e mbajnë këtë shumicë të varfër, të ndarë me thikën e dasisë primitive në palë të kundërta. Ky program u flet shqiptarëve të zakonshëm për interesat e tyre të cënuara, pa dallim bindjesh e përkatësish partiake, krahinash e besimesh fetare, moshe e gjinie. U flet të gjithë atyre që jetojnë me një rrogë. Në shtet apo tek privati. U flet atyre që e kanë rrogën 200 mijë lekë të vjetra dhe sot paguajnë 227% më shumë taksa se ditën kur Saliu erdhi në pushtet. Nga 4400 lekë atëherë, 10000 lekë në muaj sot. Programi ynë u flet me radhë, atyre që e kanë rrogën 300 mijë lekë, në shtet apo privat dhe paguajnë sot taksa 213% më shumë sesa ditën kur Saliu erdhi në pushtet. Nga 9400 lekë gjashtë vjet më parë, sot paguan 20000 lekë. U flet atyre që e kanë rrogën 400 mijë lekë dhe po ashtu paguajnë sot taksa më shumë se më parë, plot 278% më shumë. Nga 14400 lekë 40000 lekë taksë, 10% taksa e sheshtë. Apo atyre që e kanë rrogën 500 mijë lekë të cilët sot paguajnë më shumë, por më pak se ata që përmenda deri tani, sepse me taksën e sheshtë sa më lartë të ngjitesh dhe sa më plotë ta kesh xhepin aq më pak paguan. Sa më poshtë të mbetesh dhe sa më të vështirë ta kesh të mbërrish fundin e muajit aq më shumë paguan. 205% më shumë paguajnë ata që marrin 500 mijë lekë. Paguanin 24400 lekë, sot paguajnë 50000 lekë tani.

Ky program e thotë shkoqur, ne e konsiderojmë këtë sistem taksimi një abuzim me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Ne e konsiderojmë taksën e sheshtë një grabitje në xhepat e shumicës dërmuese dhe të dërmuar të këtij vendi, socialist, demokratë, pa parti, çfarëdo qofshin vuajnë të gjithë nga i njëjti problem. Vuajnë të gjithë nga e njëjta barrë dhe këtë barrë ne do ua heqim. Kush merr më pak do paguaj më pak, kush merr më shumë do paguaj më shumë.
Dëgjoni me vëmendje, ky program thotë se ne e konsiderojmë të padrejtë që një pakicë fare e vogël, që paguhet me një rrogë 1.4 milionë lekë (deputetët), sot paguan fiks po aq taksa sa dikur, paguante 141 mijë gjashtë vjet më parë, paguan 141 mijë sot. Por ka akoma, ministrat marrin 2 milion lekë. Përpara se të vendosej taksa e sheshtë paguanin 229 mijë lekë taksë, sot paguajnë 200 mijë lekë. Pra kur mbërrin tek ministrat fillon ulja e taksave. Por sigurisht dhe këtu rekordin e mban ai që rri më shumë në ujë apo jo, Shkëlqesia e Tij Zoti Kryeministër, nga 240 mijë lekë taksë që duhet t’i jepte shtetit kur shkeli në zyrë, e ka çuar në 200 mijë për veten e tij. Edhe spikerja kuptohet se bashkë me atë i ka edhe uljet e taksave.
Po, është e vërtetë, Saliu i ka ulur taksat po vetëm për veten, për spikeren e për oborrin e shërbëtorëve të tij në qeveri e të ortakëve të tij në biznes, për të cilët do të vij tani më poshtë.

Kjo logjikë e përmbysur komplet kokëposhtë në një vend me çmimet që ka Shqipëria, më të lartat në rajon, krahasuar me rrogat e shqyera, se nuk është vetëm taksa e sheshtë janë edhe taksat e konsumit dhe një barrë fiskale e padurueshme, e bën ulëritëse këtë padrejtësinë dhe është e habitshme sesi ka njerëz jashtë atij oborri të ngushtë që kanë arsye të forta, të cilat do t’jua shpjegojmë shqiptarëve me fakte dhe shifra, ta pranojnë këtë padrejtësi.
10% taksë për 200 mijë që merr një prind punëtor në muaj, janë shumë më tepër sesa 10% për 500 mijë që merr një rrogëtar më i lartë.
Po ashtu 10% për 500 mijë janë shumë më tepër se 10% për 2 milionë, që merr Saliu. Pa llogaritur se po 10% paguajnë edhe ata që merren me biznes. 10% paguajnë dyqanxhinjtë e vegjël të Tiranës, 10% paguajnë kompanitë e mëdha. Madje dhe monopolet e mëdha 10% paguajnë. Ku është morali njerëzor i këtij sistemi pervers, shtrydhjeje të më të varfërve e fryrjeje e më të pasurve?
Si na qenka e mundur që sa më i varfër aq më ngarkuar me taksa dhe sa më i pasur aq më i lehtësuar nga taksat?
Si ka mundësi që më e taksuara, e dini kush është në tabelën e shqiptarëve që mbajnë peshën e kontributeve fiskale, në krye fare të tabelës është infermierja, që sot paguan 30 herë më shumë taksa se kur Doktori ishte në opozitë. Ndërsa në fund fare janë ministrat e oborrit dhe vetë Doktori kuptohet.

Programi ynë për një rilindje shqiptare është një derë e hapur për 95% të shqiptarëve. Ejani me ne, ejani me koalicionin tonë. Kujt PS i duket një kapërcim i madh, në Aleancën për të Ardhmen ka shumë zgjedhje. Në Aleancën për të Ardhmen ka socialdemokratë. në Aleancën për të Ardhmen ka demokrat social. Në Aleancën për të Ardhme ka demokristianë. Në Aleancën për të Ardhmen ka jo të përndjekur politik por simbolet e rezistencës ndaj regjimit në burgjet e Enver Hoxhës.
Ne u themi këtyre 95 % të shqiptarëve:
Do të vendosim moralin njerëzor dhe drejtësinë sociale në themelin e sistemit të taksimit në Shqipëri. Madje kush fiton më pak do të paguajë më pak, por do të ketë jo vetëm më shumë lekë në xhep por dhe më shumë mbrojtje nga shteti.

Shqipëria e varfanjakëve, invalidëve, të papunëve, pensionistëve, edukatoreve, infermiereve, mësuesve, Shqipëria e policëve që bëhen mish për top, Shqipëria e të gjithë rrogëtarëve të zakonshëm, e atyre që për një copë bukë e bëjnë kurrizin shesh nën taksën e sheshtë, apo e atyre të tjerëve që nuk e marrin dot as një copë bukë pavarësisht se mund ta meritojnë sepse shihen si armiq, paguan sot kjo Shqipëri edhe një taksë tjetër më të rëndë se taksa e sheshtë, taksën e fshehtë 20%, taksën hileqare TVSH, për çdo kg bukë që fut në bark, 20% i merr Saliu. Prindërit e këtij vendi duhet t’i paguajnë qeverisë së Saliut 20% taksë për çdo kokër vezë a gotë qumësht që e mbledhin me pika për tua dhënë fëmijëve atje në fshat, atje ku Saliu merr votat, atje ku Saliu bredh me gërshërë, atje ku Saliu gënjen sikur këndon mu si gjeli maj plehut. Fëmijët më të rritur, gjenerata jonë për t’ju dhënë prindërve një ilaç paguajnë 10% taksë. Po mirë kur prindërit e moshuar i kanë fëmijët, po kur janë pensionistë të vetmuar? Ne do ti bëjmë zero ato taksa. Do ta ulim në zero taksën e bukës, taksën e vezëve dhe taksën e ilaçeve. E po ashtu do ta çojmë nga 20% në 6% taksën e faturës së energjisë. Për pjesën tjetër të ushqimeve ne nuk premtojmë atë që nuk do bëjmë, po studiojmë masën e uljes por sigurisht nuk mund ta çojmë ne zero. Këta jemi ne dhe programi ynë nuk është një program për të gënjyer. Por është një program për të ëndërruar Shqipërinë europiane që së bashku do ta bëjmë realitet.

Tani dëgjoni një shifër domethënëse për ato çka thashë pak përpara:
Nga taksat e konsumit të përditshëm, pra tatimit mbi vlerën e shtuar, taksa hileqare për të gjithë ata që sot mezi mbahen në këmbë, apo dhe akciza mbi një sërë produktesh të tjera, pije, veshje, mallra, shërbime, nga të gjithë të papunë, invalidë, veteranë, ish të përndjekur, ministra, biznesmen, kompani mblidhen plot 1.5 miliardë dollarë njësoj nga të gjithë, si shoferë si ministra, si mësues si biznesmenë, si pastruesja si kryeministri. Sot qeveria merr 271 milionë dollarë nga të ardhurat personale të këtyre njerëzve, ndërsa nga aktiviteti i biznesit në Shqipëri merr vetëm 200 milionë. Dhe e dini sa merr për taksimin i pasurisë? Pra taksimi i pasurisë të atyre që kanë pasuri, që blejnë pasuri, që shesin pasuri vetëm 20 milionë dollarë. Shkurt, cilido që ka pak paguan aq sa e ndjen dhimbje deri në palcë, kush fiton dhe bën pasuri, shton pasuri, shet pasuri paguan më pak se ai që ka fare pak.

Shifra e fundit: Ata që mbijetojnë vetëm me një pagë i paguajnë qeverisë 160 milionë dollarë në vit. Kurse gjithë atyre që kanë pasuri, shesin pasuri etj, në total japin më pak, vetëm 130 milionë dollarë në vit. Kështu, 5% e shqiptarëve kanë sot më shumë se 50% të depozitave të këtij vendi, ndërsa 95% e tyre paguajnë sa 5%-shi. 

Ja si thotë nobelisti amerikan për ekonominë Paul Krugman:
Rritja e përqendruar e parave në duart e pak njerëzve e bën përqendrimin e të ardhurave e të pasurisë një kërcënim për demokracinë që rrezikon të mbetet në fund vetëm një fjalë boshe. E vërteta është se vetë natyra e sistemit demokratik vihet në fije të perit nga kjo mënyrë taksimi. Por dua të jem shumë i qartë:
Programi ynë nuk është kundër 5%-shi.

Ky program është pa asnjë mëdyshje një derë e hapur për sipërmarrjen shqiptare që nuk jeton në oborrin e pushtetit të Saliut. Ne do të çmontojmë sistemin e shëmtuar abuziv të referencave. Sipërmarrësit do të jenë të lirë të vetëdeklarohen dhe nuk do të penalizohen as nga referencat e numrit të individëve të punësuar, nivelit të pagave, çmimit të importit, dhe as nga gjobat arbitrare të xhandarmërisë fiskale. Sepse ajo taksa e sheshtë tek e fundit fare ju shërben atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit, klientëve të oborrit të pushtetit, ortakëve në biznes të Saliut. Të cilët janë të lehtë sa mund të fluturojnë drejt fitimesh të reja çdo ditë. Sipërmarrësve që janë jashtë oborrit, vërtet ju vendoset barra vetëm 10%, por ju qepet pas xhandarmëria fiskale, me gjoba arbitrare, mafioze, ashtu sikundër ju bllokohen nga të katër anët të gjitha shtigjet e konkurrencë, të gjitha rrugët ku duhet të kalojnë pa pengesa klientët dhe ortakët e oborrit të Saliut.
Ne do të bëjmë një politikë fiskale të kthjellët e të qëndrueshme, e përsëri kjo do ti shërbej sipërmarrës së ndershme. Do ti shërbej 99%- shit të atij 5%-shi. Jo si Saliu që në gjashtë vjet e ka ndërruar 64 herë bazën tatimore. Përfytyrojeni çfarë çorodie për gjithë sipërmarrjen, çfarë çorodie për gjithë dokumentacionin, çfarë çorodie për gjithë planet e biznesit, çfarë çorodie për të gjithë ata që nuk e kanë mik atë që ka mik atë që është miku i atij që ka ndërtuar një shtet vetëm për miqtë.
Ne do ta bëjmë administratën tatimore një model dhe kjo do të jetë në shërbim të sipërmarrësve. Shqipëria që ne duam do të jetë vendi ku biznesmenët do të jenë në piedestalin e nderimit shoqëror për gjithçka bëjnë me talentin, idetë, vullnetin e tyre, si aktorë në një rol kryesor për shoqërinë. Po njëkohësisht ky është edhe vendi ynë i përbashkët, ku këta aktorë të respektuar të zhvillimit duhet të kontribuojnë më shumë me taksa për Shqipërinë e të gjithëve, sepse do të fitojnë më shumë nga gjithë të tjerët dhe edhe më shumë kur gjithë të tjerët të jenë edhe më mirë.
Le t’u themi sot me plot gojën të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi pa dallim:

Qeveria ka tradhtuar pabesisht secilin prej jush dhe ju gërryen çdo muaj xhepin me një sistem të pabesë taksash, po ne do të jemi gjithnjë e më pranë jush. Ne jemi kthyer me energji edhe më të mëdha në fushë për ndeshjen vendimtare, për të folur si partia e të gjithëve dhe e të gjithë njerëzve të zakonshëm pa dallim. Shiheni Shqipërinë, ta shoh çdo kush, socialist, demokrat, pa parti, në veri, në jug, të shoh qytetin a fshatin tuaj, rrethin tuaj shoqëror, shtëpinë, tryezën e bukës, dollapin e fëmijëve e të moshuarve, gjashtë vjet pasi Saliu ka hyrë në zyrë.

Aty ku kishte plehra a ka vallë më pak plehra?

Aty ku kishte korrupsion a ka vallë më shumë ndershmëri?

Aty ku kishte varfëri a ka vallë më shumë mirëqenie?

Aty ku kishte papunësi a ka vallë më shumë punë?

Aty ku kishte probleme me lirinë e drejtësinë a ka vallë më shumë liri e drejtësi?

Aty ku kishte pak shpresë a ka vallë më shumë shpresë?

Ata kanë sjellë më shumë padrejtësi, më shumë trembje sociale dhe më shumë borxhe. Saliu flet përditë me vete rrugë, rrugë, rrugë, po për ato rrugë e ka çuar borxhin në nivele kërcënuese dhe ka bërë investime pa studime të plota e pa standarde europiane. Me shumë korrupsion dhe me pak siguri. 4 herë më pak makina kemi se në BE, 4 herë më shumë vriten njerëz rrugëve të rindërtuara me borxhe sepse nuk ka standarde europiane në rrugë. Të gjithë shqiptarët kanë patur mundësi ta kapërcejnë kufirin, kanë pasur mundësi të ecin në rrugët e fqinjëve, në rrugët e Europës, a ngjanë me rrugët rrugë rrugë rrugë të Saliut, përveç një segment të rrugës së Kombit që është e vetmja pjesë që i ka standardet europiane. Këtë vit do të shpenzohen 600 milionë dollarë për shërbimin e borxhit publik, dy herë më shumë se 6 vjet më parë. Sot të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se çdo fëmijë që lind ka në kurriz për shkak të kësaj politike një borxh 2450 dollarë. Nuk ndjehen sepse nuk janë lek që njerëzit nuk i kanë dhe jua marrin, por janë lekë që mund ti kishin dhe nuk i kanë. Ndërsa sot pikërisht në vend që të kishte më shumë lek, familja e zakonshme shqiptare paguan borxhin e Saliut 65 dollarë në muaj, baraz me gjysmën e pensionit në qytet dhe më shumë se sa fatura e energjisë elektrike. Programi ynë është një program që e sheh Shqipërinë europiane nga një kënd tjetër. Për ne sot, sigurisht janë rindërtuar, janë reabilituar, janë riasfaltuar rrugë por siç e thashë janë larg standardeve europiane. Asnjë hap përpara në shfrytëzimin e pozicionit tonë strategjik gjeografik, e kemi detin akoma të kyçur nga politika qorre. është bërë si govatë ku noton vetëm Saliu. Nuk ka asnjë aktivitet. Ndërkohë që programi ynë i ri e zgjon detin dhe për rilindjen shqiptare që duam është e domosdoshme të ndërtohet të paktën të paktën një port i ri, e ne synojmë të ndërtojmë portin e ri të Shëngjinit, që për nga pozicioni gjeografik dhe për nga karakteristikat që ka mund të jetë një nga vendet më strategjike në mesdhe. E po ashtu të zgjerojmë e modernizojmë me patjetër portin e Vlorës.

Kur ne themi se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë Saliu hidhet përpjetë. E patë shpjegimin me shifra, shifrat zyrtare, po e vërteta është se nëse në vitin 2000 për çdo 100 vetë punonin 60, sot vetëm 52 shqiptarë në 100 janë në punë. Pra punojnë 8 vetë më pak. Gjysma e grave dhe të rinjve janë gjithashtu papunë.

Filozofia e Saliut ka marrë fund. Pushtetit të tij i ka rënë gjithë kallaji. Dështimi i tij është i qartë.
Ai duhet të ikë një orë e më parë. Partia e tij e marrë peng duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja. Qeveria duhet t’u rikthehet në dorë shqiptarëve. Për të rinisur punën si një komb, si një bashkësi, si një komunitet që duhet të punojë së bashku për të mundësuar suksesin e çdo individi. Pas gjashtë vjetësh është e qartë se shqiptarët jo vetëm taksohen padrejtësisht, po paratë e mbledhura nga taksat e tyre shpërdorohen paturpësisht. Ne s’e kemi problemin tek taksat që duhen paguar për arsimin, shëndetësinë, policinë. Ne e kemi problemin që me taksat e tyre shqiptarët po paguajnë për përditë e më shumë papunësi, korrupsion, plehra.

Në vend që të ulim taksat për të pasurit, në duam të ulim papunësinë, varfërinë, korrupsionin, ndotjen, borxhet.
Dhe të pasurve u themi:
Merrni shembull nga të pasurit e mençur të Amerikës, Gjermanisë, Francës, që u kërkojnë qeverive të tyre rritje të progresionit të taksimit. Janë gati të paguajnë më shumë që shteti të investojë më shumë, që shoqëria të ndjehet më mirë, që njerëzit të konsumojnë më shumë dhe për pasojë ata vetë të fitojnë më shumë.

Ne duam të hapim 300 vende të reja pune brenda një mandati qeverisës. 75 mijë çdo vit. Papunësia masive nuk shkon bashkë me një shoqëri të qytetëruar, janë dy drejtime krejt të kundërta. Atyre që hidhen përpjetë njësoj si Saliu, megjithëse janë kësaj e jo asaj ane, u them merreni më qetë. Ne e dimë çfarë flasim dhe çfarë duam të bëjmë, po ju a e dini se sot vetëm në fshat ka 500 mijë njerëz që qeveria i konsideron të vetëpunësuar, po në fakt janë të papunë apo të çerekpunësuar?
Nëse e dini, atëherë lexojeni më vëmendje programin tonë.

E kemi ndarë mendjen top:
Do ta rilindim fshatin shqiptar. Dhe vetëm në fshat do krijojmë një pjesë shumë të konsiderueshme të 300 mijë vendeve tona të reja të punës. Sot Shqipëria eksporton 9 herë më pak seç sa sjellë nga jashtë për të ngrënë. Kjo është e papranueshme për një vend si Shqipëria me këto resurse dhe me këto mundësi. Ne do të hyjmë fort në zemrën e problemeve të fshatit. Do të krijojmë kushte lehtësues për format e reja të organizmit në bujqësi. Nuk do ta prekim taksën 20% të prodhimeve të fushës. Do krijojmë kushte lehtësuese për format e reja të organizimit të punës në bujqësi. Dhe do mbështesim fuqishëm arsimin profesional për punët e tokës. E do të promovojmë historitë e suksesit. Ka histori suksesi në Shqipëri. Jo vetëm për kritikët e nxituar, por për nder të gjithë njerëzve të mirë të punës së ndershme, të të gjithë talenteve e potencialeve njerëzore të këtij vendi, dua t’ju bëj një surprizë të vogël. Dua t’ju lexoj një copëz nga libri im që del javën e ardhshme. Sepse më ndihmon të ilustroj më së miri temën për të cilën po flasim. Personazhi është real. Gjendet këtu në sallë. Edhe historia e tij është reale. Gjendet e shkruar mbi një copë tokë të begatuar të Shqipërisë. Copëza ime është kjo: Këtë ëndërr e kam parë me sytë e mi të jetësohet me ecuri të mahnitshme edhe në një copëz të vogël Shqipërie që jeton në fshat, tutje poshtë, matanë kanalit magjik buzë Parkut Kombëtar të Butrintit, në një enklavë të papunësisë zero, të moslejimit të asnjë ndërtimi pa leje në mes të tokave të bukës, me ujë të pijshëm njëzetekatër orë në çdo shtëpi, me rrugë fshati të shtruara për bukuri, 70% nga të ardhurat e vetë komunës e 30% nga subvencionet e vetë fermerëve, ku drejton prej katër mandatesh një shqiptar i mençur, Dhimo Kote, prej kohësh mësuesi im i admiruar i punëve të fshatit, kthyer ndër të parët në djerrinat e Xarrës së braktisur nga krahët e punës pas konvulsioneve shkatërruese të të mbjellave në trazirat e fillimviteve ’90, bashkë me vëllezërit katër vjet argat në arat e fqinjëve të jugut i cili, nën shpotitjet e fshatit që e quante të çmendur pse u kthye, iu qep me krahë e thonj utopisë së tij për të rimbjellë e rilulëzuar njësoj si në kohën e komunizmit vendlindjen, po me ndryshimin themelor të vendosjes së lirisë e jo të skllavërisë në rrënjët e fidanëve që sot janë bërë shembulli përlotës i asaj çka mund të jetë e gjithë Shqipëria rurale, e punësuar e tëra prej vërteti, ku liria punon fort e paguan mirë, ku fshatarët ushqehen shëndetshëm e shkollojnë fëmijët pa sikletet e tmerrshme të dhjetëramijëra sivëllezërve të tyre nëpër zonat rurale të Shqipërisë, ku prodhimi eksportohet në Europë e shtohet vit pas viti, për shembull para ca vitesh u arrit të prodhohen 30 mijë ton bostan, barabar me sasinë e bostanit prodhuar në vit në tërë Shqipërisë komuniste, e përveçse në vend e në Kosovë u eksportuan në Maqedoni, Kroaci, Itali, Holandë, Poloni e gjetkë akoma. Në Xarrën e Dhimos, që kur punët treguan se s’ishte i çmendur po gjenial bashkëfshatarët e morën hopa dhe e futën në zyrën e kryekomunarit, prej vitesh ka më shumë punë se ç’mund të përballojë komuna me 8 mijë frymë, kështu që janë hapur edhe 250 vende pune për familje nga të tjera zona të vendit dhe punëtori paguhet në kohë të zakonshme 15 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa kur vijnë ditët intensive të vjeljes së prodhimit rroga minimale është 20 mijë lekë në ditë. Komuna mbledh plotësisht taksën e tokës si askund tjetër në Shqipëri, madje edhe të tokës së marrë me qira nga shteti, ndërkohë që qeveria s’i le komunës as qiranë po e thith në Tiranë për arkën e saj, dhe e fut bashkë me paratë e tjera të popullit në rrugën pa rrugë të punëve të veta, ashtu siç nuk ia kalon Xarrës kullotat që i takojnë si të gjitha komunave që i kanë marrë ato në administrim, madje për arsyet e mosarsyes partiake ia ka kaluar një komune fqinj edhe një pjesë të kullotave të Xarrës.

Në s’u beson fjalëve të mia për këtë copëz në realizim Shqipërie Europiane e ke atje ku të tregova, kam parë edhe të tjerë që më shikonin mua si të çmendur kur u tregoja “çmendurinë” e Dhimo Kotes, po kush ndër ta ka marrë mundimin të shkojë e të bredhë mes fushave të qëndisura për merak me ullinjtë e agrumet që shtohen vit pas viti e ujiten në çdo rrënjë me sistem të centralizuar, duke sjellë begati për pesë fshatrat e Xarrës që përmirësohet e mirëmbahet çdo vit në infrastrukturë e shërbime nga qeverisja e komunës, si askund në Shqipërinë rurale, është kthyer i mrekulluar. Më e fundit drejtorja rajonale e Bankës Botërore, e cila më tha “Xarra ishte mbresëlënëse, aty shihje vërtet se si mund të bëhet europian fshati shqiptar”. Ky kongres për një rilindje shqiptare që do miratojë sot një program aspak të lehtë me angazhimin e hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës, kryesisht në fshat, i detyrohet një duartrokitje Dhimo Kotes. Sa shumë talent shkon dëm në Shqipëri. Sa shumë potencial njerëzor mbetet i pazhvilluar. Sa shumë mund të bëjmë ne shqiptarët po të ndërtojmë besimin tek puna e përbashkët. Besimin tek vlerat që ka shoqëria në jetën e individit. Solidaritet. Bashkëpunim. Partnership. Ky është socializmi ynë europian. Socializmi i Dhimo Kotes. Botëkuptimi që individi bën më të mirën në një komunitet të denjë njerëzish me parime e standarde dhe qëllime e vlera të përbashkëta.
E për ta thënë me fjalët e Toni Blerit: Ne socialistët jemi partia e individit sepse jemi partia e komunitetit.

Shpirtin dhe frymën e komunitetit duam ta kultivojmë me një plan të veçantë që në shkollë. Edukimi për ne është politika më e mirë ekonomike. Më shumë se për çdo gjë ne kemi nevojë të arsimojmë, edukojmë, të trajnojmë njerëzit tanë. Edukimi do jetë pasioni i qeverisë sonë. Im bir tanimë është në shkollën e lartë dhe si gjithë bashkëmoshatarët e tij, 20 vjeçarët e lindur në momentin e ndryshimit, edukimi i tij kaloi nëpër shkolla të rrëgjuara moralisht, me disiplinë mizerabël, standarde të ulëta, pritshmëri mediokre e mësues të varfër. Ne s’do të tolerojmë që ky të jetë rrugëtimi me edukim për vite të tjera i fëmijëve të sotëm të Shqipërisë që po troket në dyert e Bashkimit Europian. Çorodia në shkollë duhet të marrë fund. Ne do ta dyfishojmë buxhetin e arsimit. Me çdo sakrificë e shtrëngesë të nevojshme. Do ta çojmë 5%. Më kujtohen gjithnjë fjalët e një plaku të moçëm në Kalanë e Dodës: Unë kam një kurs kundër analfabetizmit tha, kurse nipi im ka gjithë ato klasë shkollë me dhjeta, po emrin e shkruj unë më mirë se ai! Dhe e di pse, sepse qeveria nuk investon për shkollën, po kënaqet vetëm që i mban fëmijët mbledhur nëpër shkolla. Nuk investon se arsimi s’ka duk për me marrë vota, është si pemë që do shumë hyzmet e kohë me u rrit dhe dhanë kokrra. Ne e dimë këtë. Po ne nuk do të investojmë në arsim për të marrë vota, po për një rilindje shqiptare.

Një ndryshim rrënjësor duam edhe për shëndetësinë. Që do të thotë se 1 milionë shqiptarë që sot janë jashtë sistemit shëndetësor sepse janë të pasiguruar, ngaqë nuk kanë punë. Madje kur shkojnë në dyer e spitalit, duhet të paguajnë tarifa të cilat Saliu i ka rritur 5 herë. Në kemi projektuar një skemë radikalisht ndryshe. Për t’i shërbyer falas të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të sigurohen sepse nuk e kanë një punë. Në bazë të programit tonë do të jemi shumë radikalë në ndryshimin e marrëdhënieve me mjedisin për një rilindje shqiptare që nuk mund të bëhet realitet në rast se nuk ndryshojmë katërcipërisht raportin tonë me mjedisin. Moratoriumin mbi detin do ta heqim dhe do ta vendosim për një afat të pacaktuar moratorium mbi lumenjtë e pyjet. Do të rishikojmë të gjitha praktikat koncesionare si akte në dëm të publikut e të natyrës dhe do të anulojmë çdo koncesion që ka shkelur afatet ligjore. Kjo nuk do të thotë që ne jemi kundër koncesioneve. Përkundrazi partneriteti publik privat zë një vend të rëndësishëm në programin tonë. Edhe koncesionet ne i shohim përmes garës, përmes konkurrencës, përmes transparencës, jo përmes propozimeve të pakërkuara, të cilat në fakt shkojnë në tryezën e qeverisë me kërkesë të oborrit të shtëpisë. Bukuria është aseti më i rëndësishëm që ka Shqipëria. Mbi bukurinë do të investojmë për zhvillim turistik të Shqipërisë, e cila nuk mund ta zhvillojë turizmin me afatgjatë nëse i jepet projekteve destruktive të industrializimit primitiv.

Votimin e parë shumica jonë në parlament do ta bëjmë për anulimin e ligjit antikombëtar të importit të plehrave. Do të jemi shumë të ashpër me krimin dhe me shkaqet e krimit. Në programin tonë ne angazhohemi publikisht që t’i japim nesër Shqipërisë një Polici Shteti në shërbim të qytetarit. Një Polici Shteti që mbulon të gjithë gamën e problemeve rendit e të sigurisë publike. Mbron jetën dhe pronën shtetërore dhe private. Duke i dhënë fund çorodisë dhe larmisë të gjitha atyre policisë dhe uniformave që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri, secila për të shqyer copën e vet.

Të dashur delegatë, le ta votojmë sot këtë program, e gjithë Shqipëria i ka sytë sot nga ne. të gjithë shqiptarët që kërkojnë një ndryshim dhe duan rrugëdalje. Sot kërkojnë të dinë atë që ne jemi dhe atë që ne duam të bëjmë. Premtimi ynë solemn sot përpara tyre ndaj njëri tjetrit duhet të jem të fokusohemi që të gjithë bashkë tek e ardhmja duke u fokusuar tek diskutimi i programit në çdo organizatë e në çdo komunitet. Politika s’mundet të vazhdojë më kështu. Qeverisja s’mundet të vazhdojë më kështu. Shqipëria s’mundet të vazhdojë më kështu. Le t’u tregojmë me pasion e durim shqiptarëve jo vetëm për çfarë ne jemi kundër, po çfarë duam të bëjmë bashkë me ta.

Për një politikë të re. Për një qeverisje të re. Për një Shqipëri të re.

Për një rilindje shqiptare.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?