Fjala e kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi:

Para gjysëm ore me kërkesë të opozitës u thirr Konferenca e Kryetarëve. Opozita kërkoi ato që parashtroi një javë më parë dhe që i vuri kusht për marrëdhënien me parlamentin. Pra një nismë të saj për të ndryshuar atë që miratuam thjesht para dy javësh, apo atë që plotësuam me aktet normative para një jave, ta ndryshojmë pas 3 javësh. 

E dyta, kërkoi një ndryshim në ligjin për komisionet hetimore. 

E treta, kërkoi nëse do votohet apo nuk do votohet, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e saj për të përcjellë çështjen për shqyrtim me themel të deputetit Kokëdhima. 

Sigurisht të treja këto kërkesa nuk kishte asnjë nevojë të mblidhej Konferenca e Kryetarëve. Kalendari parlamentit mbaron pas një jave, të enjten që vjen. Kërkonin me insistim, sebep që ne të mos ta fusnim këtë në kalendar. Pra të përligjin atë qëndrim që kanë. Nuk ua dhamë këtë shans, se jo vetëm që nuk përbën shkak, por është thjesht sebep. Është një sebep. Jashtë të gjitha rregulloreve unë në emër të mazhorancës këtë jua thashë, ky është sebep megjithatë, bujrum, fute në kalendar. Çështja është shqyrtuar nga komisioni i mandateve dhe imuniteteve, kryetari i parlamentit brenda rregullores e ka futur në rendin e ditës. 

Edhe këto që quhen shkaqe nga ana juaj, apo sebepe nga ana jonë, të dyja janë plotësuar. Nuk e kuptoj as sebepin dhe as shkakun.  Ju mbajtët parlamentin javën e kaluar 48 orë të bllokuar.  Negociatori që foli këtu ne emrin tuaj, e kishit caktuar ju të cilin unë e respektoj për bagazhin e tij juridik si ekspert, por ama, më falni, unë do ta kisha për turp që partia ime të më caktonte negociator dhe unë të arrija në negociata 6 herë marrëveshje, e 6 herë marrëveshjet që unë do arrija në negocitat me ju, ju të mi grisnit ose të mi hidhnit në fytyrë. Këtë bëtë ju me negociatorin tuaj. 6 herë! E megjithatë ne u treguam të duruar, të matur deri në moment të fundit. Edhe pse u miratua kjo, ju prap u larguat. Përsëri ishte sebepi, nuk kishit shkak. Kështu mund të vazhdoj me kërkesën që futëm sot në rend dite për të ashtuquajturin dekriminalizim, të cilat në atë që keni nënshkruar  i keni futur "mot a mo" në formularin që dakortësuam dhe votuam me 114 vota, javën e kaluar. Përsëri ju kërkoni sebep. 

Të njëjtën gjë do të thosha për atë që ngriti kreu i grupit të opozitës për moszbatimin e Kushtetutës. Jo i dashur! Në Konferencë të kryetarëve, Kryetari Parlamentit të dha përgjigje dhe të tha ‘që është futur në rendin e ditës për tu votuar dhe nuk ka asnjë të marrë në krahun e mazhorancës që të verë në diskutim legjitimitetin e Kushtetutës dhe aq më pak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 


Çështja e komisioneve hetimore në këtë parlament ka një histori të gjatë. Këtu janë zhvilluar seanca pas seancash dhe lideri juaj në atë kohë kërkonte fakte dhe grup faktesh. Fakte dhe grup faktesh po nuk u ngrit dhe nuk u ngrit asnjëherë. Ne ju kemi thënë sa herë të kërkoni komisione hetimore aq herë do ti ngrejmë. Jemi seriozë dhe për të dyja çështjet këto komisione hetimore i kemi ngritur tre herë. E të treja herët kanë dështuar me sukses, jo nga bllokimi i mazhorancës, por nga mungesa e vullnetit politik dhe profesional tuajin. Ju kërkoni ta mbani si gozhdën e Nastradinit në mur këtë çështje. Dështoi herën e parë, dështoi herën e dytë, do dështojë herën e tretë, përsëri herën  e katërt. Në asnjë rast, në asnjë mbledhje nuk ka dështuar as komisioni i parë dhe as komisioni i dytë. Po deshët mund ti ngre të dy nënkryetarët këtu t’jua thonë me data, me orë, me mungesa se i kanë aty që kanë munguar deputetët e minorancës dhe jo të mazhorancës. Në qoftë se ka një marrëdhënie politike midis mazhorancës dhe opozitës do të ishte pikërisht kjo për funksionimin normal të parlamentit, që të ulen kryetarët e grupeve dhe të bashkëbisedojnë pse dështon. Këto janë procesverbalet e komisioneve hetimore, asnjë mungesë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, me firmën e kryetarit tuaj. Përsëri është sebep të nderuar kolegë të opozitës. Nuk është shkak. Sepse ju kërkoni që të ndryshoni ligjin që të bëhet ajo që nuk bëhet asgjëkund në botë, që komisionet apo parlamentet të votojnë me minorancë, të mblidhet me minorancë, të funksionojë me minorancë. Megjithatë ngelet për tu shprehur në kohën e duhur dhe në momentin e duhur kur do ta shqyrtojë seanca këtë.  Lidhur me marrëveshjen politike që ne kemi zhvilluar qysh në krye të herës dhe me negocimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ne jemi treguar shumë luajal që në fillim, jemi treguar shumë serioz në zbatimin e tyre. Ndaj edhe ky nuk është një shkak por përsëri është një sebep. 

Bijtë e mi, 

Ne nuk jemi këtu as t’ju bëjmë ju axhendën politike dhe as të zbatojmë axhendën tuaj politike. Nuk jemi këtu që të përcaktojmë se kush duhet të jetë kauza juaj, këtë gjejeni ju, përcaktojeni ju. Si pasuri, opozita e demokracisë, ne ju kemi kërkuar të pranoni që keni dal në opozitë dhe gjeni këndvështrimin opozitar, kauzën e opozitës dhe luftoni me të gjitha rrugët  dhe mjetet e një demokracie. Në qoftë se ju nuk jeni në gjendje ta bëni këtë nuk është faji jonë. Po në qoftë se me këtë paaftësinë tuaj doni të delegjitimoni dhe të krijoni shqetësime në funksionimin normal të parlamentit, për këtë ne nuk jemi dakort.

Ja pse ju thashë qysh në krye të herës, se nuk janë shkaqe por janë sebepe. E populli shqiptar, se të gjitha filozofitë bien e populli ngelet, ka një thënie të bukur ‘ nuk janë shkaqe po sebepe, e turpin e mbajtçi për vete’. 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut