Shumë faleminderit të gjithëve! Është një kënaqësi e shumëfishtë. Një kënaqësi e shumëfishtë, sepse sot, ne, socialistët dhe progresistët jemi të gjithë së bashku. Sepse, ne sot socialistët dhe progresistët jo vetëm jemi bashkë, por kemi në të dy krahët miqtë, partnerë dhe aleatë të fuqishëm që vijnë nga e gjithë shoqëria shqiptare në emër të ndryshimit, në përpjekjen e përbashkët popullore për ndryshimin dhe me vullnetin për ta garantuar ndryshimin në 23 qershor dhe pas 23 qershorit.

Zgjedhjet e 23 qershorit janë po aq historike sa zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Në 22 mars populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësor për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një kapitull të ri. Në 23 qershor populli shqiptar me një votë plebishitare do ta mbyllë kapitullin e rrënimit dhe do të hapë një kapitull të ri, të shpresës dhe të ëndrrave që do të bëhen realitet me “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

Për ne socialistët dhe progresistët është e rëndësishme të mos e harrojmë se në 23 qershor bashkimi ynë do t’i kthejë Shqipërisë të drejtën natyrale për t’u qeverisur nga shumica dërrmuese dhe për të mos mbetur më kurrë peng i një pakice.

Më lejoni të ftoj të gjithë aleatët tanë, të vijnë këtu bashkë me mua, sepse siç e tha profesor Skënderi, ne kemi një tren të gjatë për të gjithë qytetarët. Unë i jam mirënjohës të gjithë aleatëve tanë, të gjithë kryetarëve të partive, atyre që folën përpara meje, por edhe të tjerëve që janë këtu në sallë për këtë bashkim të madh që do të sjellë ndryshimin.

Ky është ai që profesor Skënderi e quajti treni i qytetarëve. Qytetarët janë të lirë të zgjedhin vagonin që duan, e rëndësishme është që të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që po shkon drejt humnerës dhe le të shkojë se drejt aty e ka nisur, por nuk ka pse të marrë me vete asnjë shqiptar të ndershëm dhe që do të jetojë me punë të ndershme. Kështu që më 23 qershor zgjedhja është e qartë me trenin e qytetarëve drejt Europës, ose në trenin e mallrave drejt humnerës.

Pa dyshim treni ynë dhe treni i Shqipërisë do të shkojë drejt Europës.

Kryetari i Partisë Socialiste ka ftuar, gjatë fjalës së tij, të përshëndesin Konventën edhe disa nga përfaqësuesit e partive aleate, të cilat Rama i ka konsideruar një prani shumë të posaçme në këtë koalicion:

100 vjet më parë një ëndërr në dukje e pamundur bashkoi një grusht shqiptarësh kurajoz dhe lindi shtetin shqiptar. Sot kur 100 vjetori i dytë i këtij shteti sapo ka filluar ne jemi më shumë se një grusht njerëzish, jemi shumica e shqiptarëve që me forcën e një ëndrre do të shkojnë përpara drejt 23 qershorit për të fituar zgjedhjet dhe për të rilindur Shqipërinë.

Unë jam krenar dhe ndjehem i privilegjuar si askush tjetër të jem në krye të kësaj Skuadre Kombëtare, që sot u prezantua qark pas qarku përpara shqiptarëve me dinjitetin, pasionin, vullnetin, kurajon dhe dëshirën e jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë Rilindjen që duam. Ndaj, unë do të ftoja të gjithë pjesëtarët e Skuadrës sonë Kombëtare të bashkoheshin këtu me ne, me Skuadrën e Rilindjes për Vlorën. Do të ftoja këtu përfaqësuesit e Tropojës, të Hasit, të Kukësit, të Malësisë së Madhe, të Shkodrës, të Pukës, Peshkopisë, të Matit, Bulqizës, të Lezhës, të Mirditës, të Kurbinit, të Durrësit, të Krujës, të Fushë-Krujës, të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Peqinit, të Korçës, Devollit, Kolonjës, Pogradecit, të Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës, të Beratit, të Kuçovës, Skraparit, të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit; Përfaqësuesit socialistë dhe progresistë të të gjithë Shqipërisë. Të Shqipërisë që kërkon punësim real dhe jo rritje të mëtejshme të papunësisë; të Shqipërisë që kërkon mbështetje në sipërmarrjen e vogël dhe të madhe dhe jo shkatërrim të biznesit dhe mbytje në lakun e borxheve; të Shqipërisë që kërkon shërbime sipas nevojës dhe jo sipas xhepit; të Shqipërisë që kërkon një fshat të rilindur dhe jo një fshat të braktisur në mëshirën e fatit; të Shqipërisë që kërkon të jetë e bukur dhe e pastër dhe jo e mbytur në plehra dhe me plehra të importuara nga jashtë; të Shqipërisë që kërkon për njerëzit e vet të punës së ndershme, taksim të ndershëm dhe jo taksë të sheshtë që shkatërron të varfrit, që mbyt shtresën e mesme dhe pasuron vetëm një grusht njerëzish; të Shqipërisë që me Partinë Socialiste do të fitojë mundësinë e madhe të një Rilindjeje dhe do t’i japë fund rrënimit të mëtejshëm; të Shqipërisë së burrave dhe grave, të djemve dhe të vajzave që janë krenar për emrin e tyre, por familjet e tyre, për qytetin apo fshatin e tyre, për atdheun e tyre, që e duan model suksesi dhe frymëzimi në rajonin e Ballkanit dhe më në fund një atdhe që të mos jetë më sëkëlldia jonë kombëtare në sytë e të huajve, por të jetë krenaria jonë kombëtare në Europën e Bashkuar.

Unë jam krenar, sepse sot, ne, kemi programin më të detajuar që një forcë politike ka pasur në këto 20 vjet përpara një ballafaqimi zgjedhor. Jo një program elektoral të radhës, por një kontratë qeverisëse me popullin shqiptar për të rilindur Shqipërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje shqiptare mundësinë që të jetojë me punën e vet të ndershme. Unë jam krenar, sepse programi ynë nuk është një copë letër që rrezikon të mbetet aty në letër, por është instrumenti që do të jetë në dorën e kësaj Skuadre Kombëtare që ndërthur eksperiencën më të mirë të të shkuarës me idetë e reja të Europës ku ne duam dhe do ta integrojmë Shqipërinë.

Unë jam krenar, sepse ky program dhe kjo skuadër, kanë mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që kërkojnë të jetojnë si zotër në atdheun e tyre me punën e tyre dhe me familjen e tyre të mirëqenë dhe kurrë më të kërcënuar nga falimentimi për shkak të borxheve.

Unë jam krenar, sepse, ne, Partia Socialiste e Shqipërisë jemi sot lokomotiva e një transformimi të madh. Jemi sot forca udhëheqëse e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, aleanca e një bashkimi të madh.

Socialistët, progresistët, liberalët, qytetarët që nga e gjithë Shqipëria, që do t’i kthejnë Shqipërisë të drejtën për t’u qeverisur nga shumica. Unë jam krenar, sepse për të gjitha këto arsye pas një rrugëtimi të vështirë në opozitë, në mbrojtje të lirive dhe të vlerave të demokracisë në 23 qershor ne do të fitojmë. Do të fitojmë për Shqipërinë Europiane! Do të fitojmë për qytetarët e Shqipërisë Europiane! Do të fitojmë për fëmijët që lindin apo do të lindin nesër të cilëve me krenari do t’ju trashëgojmë një Shqipëri të denjë për ëndrrën e atyre që e themeluan. Të denjë, për ëndrrën e Rilindësve që frymëzojnë programin, skuadrën dhe rrugën tonë drejt fitores.

Fitore! Fitore! Fitore!