Fjala e Kryeministri Edi Rama, në Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri:

Unë edha me një fjalim këtu, por do ta lë fjalimin mënjanë dhe do të përqendrohem tek këto dhjetë pika që janë ngritur, të cilat ju keni zgjedhur t’i vlerësoni. Këto pika,  mesa i shoh unë me shpejtësi, janë gjëra që flasin shumë. Do të filloj me një histori të vogël që më tregoi ministri i Ekonomisë sot. Ai u takua dje, me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë së Greqisë. Kolegu grek ishte gjithë energji, ishte shumë i lumtur dhe me shumë optimizëm dhe po i tregonte që ata kishin arritur ta shpëtonin ekonominë greke dhe që të gjithë ishin me shumë energji nga fakti që kishin parashikuar -3% rritje ekonomike dhe në fakt, rritja ishte më pak se -1%.

Pastaj, ai pyeti ministrin tonë dhe ai i tha se ne nuk jemi shumë të kënaqur. Ne ndihemi të motivuar, por jo për të njëjtat arsye. Ne kemi parashikuar +3%, por arritëm +2,7%. Kështu që, ekonomia varet shumë nga cili këndvështrim e sheh dhe natyrisht, në rast se optimizmi shëron, është edhe optimizmi ai që vret.

Nuk jam shumë i kënaqur kur shoh se drejtori i një prej bankave më të suksesshme po ecën në fakt me likuiditet dhe është këtu përpara jush, duke thënë gjërat janë të mira dhe janë në rrugën e duhur, por... Nuk duhet të ketë “por” dhe në rast se do ta shihja këtë listë, do të thosha me pak fjalë që jam mëse i kënaqur që shoh këto vlerësime dhe që ndoshta është hera e parë në jetën time politike që unë nuk kam nevojë për të kontestuar sondazhe. Mendoj se europianizimi i sistemit të TVSH-së dhe shpejtimi i rimbursimit të TVSH me 50% është një shifër e lartë dhe një arritje goxha e madhe.

Sot në mëngjes isha në një investim fantastik afër Tiranës, në një kompleks për prodhimin e çelikut, për shndërrimin e materialeve të para në disa lloje të ndryshme prodhimesh çeliku për industrinë. Ata po ecnin me shpejtësi dhe ishte shumë e qartë që, në rast se kanë rreth 10 vite që punojnë në Shqipëri, dy vitet e fundit në fakt kishin qenë më të suksesshmet dhe më shpërblyeset për ta. Kjo është në saj të sistemit të TVSH-së dhe të shpejtimit të rimbursimit të TVSH-së.

Nga njëra anë, anulimi i TVSH-së për makineritë e importit dhe nga ana tjetër, rimbursimi i drejtpërdrejtë i TVSH-së. Kështu që, nëse dikush do të donte të shikonte përmirësim, apo të bënte një krahasim me vende të tjera, të cilat në fakt performojnë më mirë, si Gjermania apo ndoshta Italia, kjo natyrisht duhet të përmirësohet. Në rast se nuk harrojmë që vetëm përpara dy vitesh e gjysmë, rimbursimi i TVSH-së ishte për të gjithë investitorët e biznesmenët, mundësia për të qenë pjesë e ferrit të Dantes si tregimtar, atëherë ne besojmë që jemi në një vend të duhur.

Ndërsa liberalizimi dhe hapja e tregut të energjisë nuk jam shumë i sigurt, nëse e dhëna e kësaj tabele është e sakta, por në të njëjtën kohë nuk do ta kundërshtoj dhe do të theksoj madje, që është kjo qeveria jonë, e cila ka hapur rrugën për liberalizimin e tregut të energjisë, në të vërtetë. Plani ynë është që të punojmë, të ecim përpara me një udhërrëfyes dhe synimi ynë është që në vitin 2018, ne do të kemi liberalizim të plotë të tregut të energjisë. Ia kemi dalë mbanë që të ndryshojmë në sektorin e energjisë, siç e dini edhe ju, shumë gjëra. E di që në rast se do të kishit vënë një notë për pagesat për konsumin e energjisë, kjo shifër do të kishte qenë më e larta.

Po ashtu, sa i përket komunitetit të biznesit brenda këtij tregu, unë do të thosha që shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë dhe njëkohësisht, interesi i publikut është gjithnjë e më shumë i mbrojtur nga sa ka qenë më përpara. Nuk ka më konkurrencë të egër në bazë të disa qindra koncesioneve, që ishin transformuar në transaksione të tregut të zi. Nuk ka më pagesa të prapambetura në këtë sektor dhe kjo në kurriz të biznesit, pasi janë paguar 93 milionë dollarë për energjinë e shitur, në bazë të atyre kontratave që nuk ishin paguar më parë.

Duke iu kthyer sistemit të çmimit të referencave në tatime dhe në dogana, e di që ne kemi ende shumë për të bërë, por ne po punojmë shumë me miqtë tanë italianë dhe shpresojmë që më në fund do të arrijmë të kemi një zgjidhje për shkëmbimin e të dhënave. Mungesa e shkëmbimit të të dhënave me vendet e origjinës për mallrat e importuara, në fakt po krijon një barrë të madhe dhe po hap shumë hapësirë për evazion. Prandaj, çmimet e referencës ekzistojnë ende. Në rast se ne do të kemi një marrëveshje të mirë, atëherë besoj se do të kemi sukses. Të paktën, të gjithë mallrat që vijnë nga BE të mund t’i kalojmë me çmimet e referencës dhe më pas do të shohim sesi do të merremi me mallrat që vijnë nga Kina apo vende të tjera, ku gjërat janë më të ndërlikuara.

Nëse kalojmë tek pika tjetër, që është një rishikim në aspektin afatmesëm përsa i përket paketës fiskale të mesit të vitit 2014, unë mendoj që aty kemi një bazë të shëndetshme për të ecur përpara në një mënyrë më efikase.

Aspekti tjetër ka të bëjë me ndalesën e subvencioneve të padrejta dhe një disiplinë në pagesë të shërbimeve publike. Besoj se kjo është e drejtë dhe ne kemi pasur progres në këtë fushë. Megjithatë duhet të vazhdojmë punën dhe faktikisht jemi shumë të angazhuar që të ndalojmë të gjitha ato subvencione që bëhen të padrejta për konkurrencën dhe efikasitetin e sistemit. Në të njëjtën kohë, sa i takon disiplinës së pagesave, ajo është përmirësuar shumë, megjithatë ka ende shumë për të bërë.

Fokusimi tek stabiliteti fiskal dhe balanca makro-ekonomike, mendoj se edhe këtu nota duhet të kishte qenë më e lartë, pavarësisht se për mua, për ministrin e Ekonomisë dhe ministrin e Transportit e shumë të tjerë, kjo është një çështje e dhimbshme dhe i vetmi person i lumtur këtu është ministri i Financave, por e dimë që ky është çmimi që duhet të paguajmë për të pasur një ekonomi serioze dhe një shtet funksional serioz.

Një aspekt tjetër ka të bëjë me aplikimin e praktikave të mirëqeverisjes dhe të standardeve europiane në administratë. Shifra juaj është bujare. Unë e di që në këtë aspekt, ne duhet të përmirësojmë shumë. Në këtë aspekt do të thosha madje se duhet të luftojmë me historinë, me kulturën, me mendësinë dhe me shumë vite të një injorance të plotë. E kam fjalën që askush nuk u përpoq që të investojë në mënyrë serioze në përmirësimin e kapaciteteve të kapitalit njerëzor.

Ne kemi filluar ta bëjmë këtë në mënyrë sistematike. Inspektorët tanë të tatimeve - më mallkojnë, jam i sigurt e jo vetëm mua- janë të detyruar që në mënyrë sistematike të trajnohen, të bëjnë testime dhe të vërtetojnë se kanë njohuritë e plota dhe të duhura për punën e tyre. Megjithatë kemi ende punë për të bërë.Faleminderit për vlerësimin tuaj.

Nivel i ri transparence me publikimin online të ecurisë së koncesioneve, kjo për mua është i paqartë, t’iu them të drejtën, sepse ju e dini që jemi në një vend ku koncesionet po luftohen si me djallin, apo ashtu siç u luftua me besimet fetare njëherë e një kohë, atëherë kur nuk u lejuan më kishat, xhamitë dhe u hodhën në erë me dinamit. Kështu që falë Zotit nuk jemi në atë lloj kohe. Më duhet të them që ne kemi besim që ajo që duhet bërë në këtë aspekt është që ne të vazhdojmë të fuqizojmë partneritetin me sektorin privat.

Ne jemi një vend që nuk e kemi rritur borxhin dhe nuk duam të rrisim taksat. Atëherë, si ndryshe, në çfarë mënyre tjetër do të sigurojmë që të kemi investime të mira për përmirësimin e shërbimeve, nëse nuk do ta bëjmë këtë nëpërmjet partneriteteve publike-private. Jam i bindur që këto partneritete janë të mirëmenduara, janë studiuar shumë mirë dhe do të dalin që janë të sakta dhe që janë gjëja e duhur për interesin publik. Në këtë aspekt, unë do të doja të theksoja se partneriteti që ne po përgatisim për të përmirësuar sistemin e TVSH-së do të jetë në fakt, shumë i mirë për të gjithë ju dhe do të përmirësojë çështjen e konkurrencës së padrejtë.

Këtu [në tabelë] kemi një përqendrim shumë të lartë tek konkurrueshmëria dhe promovimi i investimeve, edhe kjo është jo e mirë. Por në të njëjtën kohë më duhet të them që nuk ka qenë e lehtë dhe ju e dini fare mirë këtë gjë dhe ende nuk është e lehtë, që të bindnim investuesit e huaj që të merrnin rrezikun dhe të vinin në Shqipëri, sepse historia e tranzicionit, madje edhe ajo e para shumë kohëve në fakt, nuk ishte një gjë shumë e mirë dhe imazhi që kemi, luan rolin e tij. Megjithatë, jemi të inkurajuar gjithmonë e më tepër nga shenjat e mira që shohim dhe po arrijmë në fund të disa projekteve, e kemi besim që këtë vit ne do të shikojmë finalizimin e disa kontratave shumë të rëndësishme përsa i përket naftës, turizmit dhe po ashtu, edhe për fushat e tjera.

Në fund, pika 10 ka të bëjë me Këshillin e Konkurrueshmërisë për Investitorët. Shifra këtu është shumë e lartë, sepse ky është këshilli juaj dhe ju i keni dhënë vetes notën më të lartë, duke qenë egoistë siç duhet të jeni dhe duke u përpjekur që nëpërmjet kësaj shifre të na tregoni sesa shumë keni arritur ju në krahasim me qeverinë dhe sesa shpejt po ecni ju në krahasim me qeverinë.

Do të doja të shihja edhe realitetin e huadhënies për investuesit për projekte. Kjo do të më bënte mua që t’iu jepja notën 100%, në rast se do ta bëni. Por ne ende jemi në bisedime me bankat, se ato po flenë mbi likuiditetin dhe po gjejnë çfarëdo lloj arsyesh për të mos dhënë hua aq sa mundin dhe aq sa duhet. Kjo gjë nuk po ndihmon dhe jam i sigurt që, nëse do të doni të gjeni alibinë më të mirë, nuk duhet të pyesni juristin për të gjetur alibinë, por në fakt një bankier, pasi janë ata që kur duan ta bëjnë diçka, e bëjnë atë edhe sikur të jenë në konfliktin më të dhunshëm të mundshëm, pale në këtë vend ku jemi tejet larg konflikteve tëdhunshme.

Së fundmi, nuk e kuptova se çfarë donte të thoshte Silvio (Pedruzzi, presidenti i FIA-s) “për t’u bashkuar”. Pastaj ai theksoi nevojën për të qenë të bashkuar me qeverinë dhe në rast se kjo ka të bëjë me të qenit e kësaj qeverie e bashkuar, unë dëshiroj t’iu siguroj se ju nuk duhet të shqetësoheni, sepse është një martesë, e cila funksionon më së miri. Që do të thotë, në këtë aspekt, ju duhet të ndiheni të siguruar. Ndonjëherë, ajo dashuria e zjarrtë i hedh në erë martesat, ndonjëherë konvenienca i bën martesat shumë më jetëgjata, madje se edhe ata persona të martuar mund ta imagjinonin. Kështu që gjithçka është në rregull. Nuk e di se çfarë kisha në fjalimin tim dhe i kërkoj ndjesë atyre që kanë kaluar kaq shumë kohë për të shkruar fjalimin tim dhe për të bërë një fjalim të guximshëm këtu përpara jush, por besoj se ia vlejti më shumë që të shikonim këto dhjetë tema që kishit dhënë ju.

Faleminderit të gjithëve që më dëgjuat me kaq durim dhe shpresoj si gjithmonë, të mos kem qenë i mërzitshëm.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij