Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në aktivitetin me rastin e Ditës se Europës

Një përshëndetje të veçantë për Ambasadorin e Britanisë së Madhe! Shpresoj që të mos jetë festa e fundit e Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian! Një përshëndetje tjetër e veçantë për Ambasadoren e Bashkimit Europian, në mungesë. Besoj, mungesë plotësisht e justifikuar, për faktin se Ambasadorja, me siguri, është duke ndjekur rrugëtimin e draftit të Reformës në Drejtësi që sot diskutohet në Komision.

Unë dua shumë të uroj që në Ditën e Europës, Komisioni i Reformës në Drejtësi të votojë në parim draftin për t’i çelur rrugë diskutimit brenda në korniza të përcaktuara në parim të të gjitha neneve të draftit të një reforme historike, e cila faktikisht na kalon nga ky stacion tranziti në fluturimin e negociatave, për t’u ulur përfundimisht në aeroportin e Bashkimit Europian.


Përfitoj nga rasti t’u them të gjithë atyre që janë shqetësuar lidhur me një nen të draftit se, nuk do të ketë absolutisht asnjë amnisti për askënd që në të gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë. Çka do të thotë se, nuk do të lejohet asnjë përjashtim dhe besoj se në këtë pikë nuk do të jetë e vështirë për të pasur konvergjencë të plotë midis të gjithë partive.

Pika, që u bë dhe objekt diskutimi dhe që shumëkush me të drejtë e mori me shqetësim, sepse shfaqej në formën e një amnistie, tregon vetëm që edhe miqtë dhe partnerët tanë që na mbështesin dhe na ndihmojnë me shumë dëshirë e vullnet, janë të gabueshëm.


Sot është dita për të folur për Europën. Besoj që është një 9 Maj i posaçëm për ne sepse jemi në një moment kyç dhe jemi më pranë se asnjëherë më parë çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Jemi më pranë se asnjëherë më parë krijimit të një mundësie konkrete për të ecur së bashku në një rrugë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, por që është e vetmja rrugë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian, rruga e negociatave.


Jemi krenarë që pasi i dhamë Shqipërisë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit me një vonesë të gjatë dhe të pajustifikueshme, por thjesht dhe vetëm për shkak të mungesës së vullnetit reformator të qeverisë së shkuar, sot, falë vullnetit reformator, jemi shumë pranë çeljes së negociatave.

Do të ishte një hap që do ta bënte historik në këtë drejtim mandatin tonë qeverisës dhe do të vendoste vendin tonë në një stad të ri në raport me vetveten dhe me Bashkimin Europian.

Nuk dua ta zgjas më tutje. Kjo është një ditë e gjatë europiane e cila fillon sot këtu me këtë nismë të Ministrisë dhe Ministres së Integrimit dhe vazhdon më tutje, në Shkodër, ku do të çelim Muzeun Kombëtar të Fotografisë në respekt të një dinastie europianësh që në Shkodër i dhanë kujtesës pamore të disa gjeneratave materializimin në fotografi dhe më pas do të marrim pjesë të gjithë së bashku në ‘qokën’ e organizuar nga Komisioni Europian.

Jemi për një ditë të gjatë, por s’mund të mos jetë e gjatë asgjë që bëhet me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian punon më valë të gjata, jemi mësuar më këtë.

Ajo që është e rëndësishme, është të mos lodhemi, mos të mërzitemi e të mos llastohemi siç llastohen ca francezë, e ca holandezë, e ca anglezë që kanë lindur ne një Europë me paqe dhe e marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë paqen, duke harruar që kjo është koha më e gjatë e paqes, që Evropa ka kaluar në historinë e vet, pa luftë dhe kjo i dedikohet në radhë të parë Bashkimit Europian.

Prandaj Bashkimi Europian është një krijesë që meriton shumë kritika, por që përtej të gjitha kritikave meriton admirimin më të madh si krijesa me e jashtëzakonshme e imagjinuar nga njeriu dhe si projekti më i jashtëzakonshëm politik dhe njerëzor i bashkëjetesës në paqe mes popujsh që kanë tradita të ndryshme, flasin gjuhë të ndryshme, u përkasin kulturave nga më të ndryshmet dhe që janë të gjithë pjesë e trungut të përbashkët të Europës.

Kështu që edhe njëherë le të ndjehemi vërtetë fatlum që jemi në mes të Europës dhe që kemi një horizont të mirëpërcaktuar, që është horizonti i Bashkimit Europian. Këtë, në radhë të parë, ua them më të rinjve, sepse sot në këtë kohë kaq të ngatërruar dhe në këtë botë kaq të ngatërruar, ata që janë të rinj dhe kanë pasur fatin të lindin në këtë kontinent, kanë një privilegj që të rinj të tjerë në zona të tjera të botës nuk e kanë, - privilegjin e të pasurit të një mundësie të madhe për të realizuar një aspiratë të madhe të përbashkët, në emër të një ëndrre të madhe, që është ëndrra e Shqipërisë europiane dhe e materializimit konkret të përkatësisë sonë europiane, si një përkatësi, jo vetëm shpirtërore, kulturore dhe gjeografike, por edhe si një përkatësi në tryezën e Bashkimit Europian, ku shpresojmë shumë, e nisa me Britaninë, po e mbyll me Britaninë, që kur ne të ulemi, t’i kemi pranë dhe të mos na mungojnë se do të ishte një mungesë e pajustifikueshme. ​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel