Fjala e Kryeministrit Edi Rama në
prezantimin e kamerave trupore të policisë   

Jemi mësuar tanimë me ecurinë e një programi që mbështetet në një vizion dhe në një plan rritjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë të Policisë së Shtetit, ku paralelisht me punën e përditshme, betejat e përditshme, me sukseset dhe edhe të metat e përditshme punohet intensivisht për një transformim, pa as më të voglin dyshim, epokal, që është vënia në shfrytëzim e teknologjisë së lartë për të transformuar nga rrënjët marrëdhënien e Policisë së Shtetit me qytetarin.

Pak muaj më parë, në një tjetër aktivitet që ishte pjesë e këtij programi të zhvillimit teknologjik të Policisë së Shtetit, ne u angazhuam që shumë shpejt, efektivat e policisë në terren do të pajisen me kamerat e trupit, çka i bën të monitorueshëm në çdo sekondë të orarit të tyre të kryerjes së detyrës në çdo aspekt; vendndodhja, lëvizja, komunikimi me qytetarët, reagimi ndaj çdo sjelljeje apo veprimi që bie ndesh me ligjin.

Ja ku jemi sot, vetëm pak muaj më pas, për të lançuar realizimin në terren të këtij aspekti të programit tonë shumë ambicioz për transformimin rrënjësor të Policisë së Shtetit. Ky angazhim, i pandashëm nga angazhimi i përditshëm, faktikisht na jep mundësinë që si një vend jo shumë i zhvilluar të bëjmë një kapërcim epokal, së pari, për të realizuar një marrëdhënie shumë më cilësore mes policisë dhe qytetarëve; Së dyti, për të realizuar një betejë të përditshme shumë më cilësore ndaj krimit të organizuar, korrupsionit apo shkeljeve të ligjit në territorin e bashkëjetesës qytetare; Së treti, për të ngritur në mënyrë shumë më të shpejtë nivelin e vetëdijes dhe të përgjegjshmërisë së çdo efektivi policie.

Ky program i revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit është një mundësi e pazëvendësueshme, për të realizuar një transparencë të plotë në të gjithë veprimtarinë e forcave tona të rendit. Transparenca i jep mundësi drejtuesve, i jep mundësi punonjësve, i jep mundësi qytetarëve, i jep mundësi komuniteteve, i jep mundësi partnerëve të lexojnë çdo aspekt të kësaj veprimtarie dhe ballafaqon Policinë e Shtetit me mundësinë që çdo ditë të realizojë ambicien e madhe, për të qenë një polici që nuk ka dallim me policitë e Bashkimit Europian.

Një nga aspektet, në të cilat ministri i Brendshëm, ekipi i tij, drejtuesit e policisë janë fokusuar që në ditën e parë, ka qenë beteja me analfabetizmin apo gjysmë analfabetizmin në komunikim dhe në sjellje, me normat e papranueshme të edukatës qytetare të efektivëve të policisë, si rezultat i një degradimi të vazhdueshëm të rolit, misionit, funksionit, por edhe të nivelit, vetëdijes efektive të policisë. Trashëguam policinë më të paedukuar në Europë dhe rajon, me nivelin më të lartë të moshës, me nivelin më të lartë të analfabetizmit funksional dhe me një numër shumë më të vogël sesa policitë në rajon apo në Bashkimin Europian.

Vendosja e standardeve të reja është lehtë të thuhet dhe të shkruhet, por është shumë më e vështirë që të zbatohet. Për këtë arsye, sot, duke parë edhe këtë grup që kemi këtu përpara, që nuk është një grup fotomodelësh, por është një përfaqësi e një policie shteti që po ndryshon në moshë, po ndryshon në ekuilibrat gjinorë, po ndryshon në sjellje, jemi absolutisht të bindur se jo vetëm kemi bërë gjënë e duhur, por se po të mos kishim bërë ndërhyrjen e menjëhershme, për të riçelur dyert e Akademisë së Sigurisë, për të ftuar qindra e qindra vajza e djem të shkolluar, që t’i bashkoheshin përpjekjes sonë, sot do ta kishim shumë më të vështirë të ballafaqoheshim me nevojat dhe pritshmëritë e publikut.

Nga ana tjetër kjo nuk mjafton. Mundësia që na jep teknologjia e lartë është e pafundme. Faktikisht, sot me këtë sistem, ne heqim çdo mundësi justifikimi, çdo alibi, çdo instrument për të manipuluar të vërtetën nga çdo komunikim mes policit dhe qytetarit, sepse gjithçka regjistrohet. Ashtu sikundër i japim fund çdo mundësie nga ana e qytetarëve dhe posaçërisht, nga ana e atyre që ndihen ende më të rëndësishëm se të tjerët, për të fajësuar efektivat e policisë, në përpjekje për të justifikuar një shkelje të rëndomtë të ligjit në rrugë.

Kamera e trupit siguron nga njëra anë, efiçencën maksimale në përdorimin e të ardhurave nga taksat e qytetarëve për të paguar Policinë e Shtetit dhe nga ana tjetër, një mbrojtje spektakolare të efektivëve të policisë nga sjellja abuzive e kujtdo, që në ballafaqimin e drejtpërdrejtë, ditën apo natën, në mes të Tiranës apo në një rrugë periferike i bën bisht ligjit dhe shfaqet para policisë me gjithfarë lloj imunitetesh të pretenduara. Por ende më e rëndësishme është se futja e efektivëve policorë të pajisur me këtë teknologji të lartë dixhitale në terren rrit sigurinë dhe jep mundësi që kapja dhe monitorimi i çdo shkeljeje dhe sigurimi i provave në kohë reale të bëhet me një faktor të tretë në mes, që është syri objektiv i kamerës dixhitale. Çdo informacion që merret nga ky sy objektiv transmetohet në kohë reale në trurin elektronik të Policisë së Shtetit, ku memorizohet dhe në çdo moment është në dispozicion të drejtuesve të policisë për të proceduar më tutje.

Nuk diskutohet që ka edhe një element të tretë, përpjekja anti-korrupsion i Policisë së Shtetit hyn në një fazë tërësisht të re. Gjithçka në komunikimin mes efektivëve të policisë dhe çdo qytetari që përpiqet ta mbulojë shkeljen e ligjit, duke paguar ryshfet, zhvillohet përpara këtij syri objektiv që mbledh çdo informacion dhe ekspozon çdo sekondë të çdo komunikimi. Nuk është e tepërt të pretendohet se  me shtrirjen e kësaj teknologjie në të gjithë territorin dhe me futjen e kamerës dixhitale në punën e efektivave të policisë në terren zhduket ryshfeti.

Çdo mundësi për ryshfet bëhet praktikisht e pamundur, sepse nuk ka asnjë mundësi që efektivi i policisë të fikë kamerën, të mbyllë syrin objektiv që mban mbi trup dhe të përfshihet në bashkëpunime me natyrë korruptive. E pra, ja ku është një provë kokëfortë dhe shumë domethënëse e asaj që kemi thënë dhe kemi përsëritur e do të përsërisim vazhdimisht, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, janë sistemet që korruptojnë njerëzit dhe për të luftuar korrupsionin, për të luftuar përhapjen e tij në formën e ryshfetit në territor ka vetëm një mënyrë për të siguruar qëndrueshmëri, ndërtimi i një sistemi të pakorruptueshëm nga njeriu dhe të një sistemi që faktikisht nuk e korrupton njeriun. Nuk janë zëvendësimet dhe ndëshkimet zgjidhja përfundimtare. Ato janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Zgjidhja përfundimtare është modernizimi i sistemit të funksionimit të marrëdhënieve mes publikut dhe shtetit në çdo sektor.

Përmes kamerave të trupit janë regjistruar disa histori suksesi që flasin vetë, në periudhën e provave dhe të kolaudimit, që nga operacioni i quajtur “Kruja”, tek ai i quajtur “Prokurori” apo “Tempest 2015”, ku janë kapur autorë të dyshuar vrasjesh, ku është arrestuar një prokuror i përfshirë në mitmarrje dhe ku janë ndaluar 5 persona në suazën e një operacioni ndërkombëtar. Nga ana tjetër, vetëm në këtë periudhë provash ka pasur arrestim të efektivit të policisë për ryshfet.

Nuk ka asnjë dyshim se besimi i publikut tek Policia e Shtetit bazohet në rezultate, por unë jam i bindur se rezultatet e arritura deri tani janë vetëm baza për rritjen e mëtejshme të tyre. Arsyeja themelore qëndron tek gjithçka po shohim dhe po diskutojmë sot, tek fakti që në Policinë e Shtetit nuk punohet sot për sot; Tek fakti që lidershipi i ministrit të Brendshëm nuk është administrim i të përditshmes, por është në të njëjtën kohë, vizion dhe vullnet për të projektuar në afatmesëm dhe në afatgjatë dhe për të realizuar paralelisht këtë program të revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit, e cila sot është një shembull i shkëlqyer për të gjithë sektorët e tjerë, se si teknologjia na jep mundësi të lëmë mbrapa një epokë të tërë ndryshimesh “ikën një parti, vjen një parti”, “iku një qeveri, vjen një qeveri”, “iku një drejtor vjen një drejtor”, që në fund fare nuk sjellin kapërcimin epokal, sepse nuk kanë ndryshuar sistem.

Kjo është një reformë tërësore në kantierin e madh të reformave të qeverisë. Një reformë që po jep hap pas hapi rezultate që njëri pas tjetrit, jo vetëm na japim mundësi që të kemi një Polici Shteti shumë më të përgjegjshme dhe të suksesshme në krye të detyrës sot, por na japim mundësi të projektojmë një Polici Shteti, që nesër do të jetë ende shumë më e vetëdijshme, shumë më e përgjegjshme dhe shumë më e suksesshme sesa sot. Sigurisht që pas çdo reforme ka një sërë masash, një sërë programesh, një sërë planesh, që kërkojnë përgatitje, kërkojnë studime, kërkojnë analiza dhe vendimmarrje, kërkojnë prova për t’u kolauduar, siç është kjo që sot bëhet pjesë e realitetit të Policisë së Shtetit, pra, kamera ose syri objektiv në trupin e çdo efektivi të policisë, për të cilën puna ka filluar prej dy vitesh.

Shtrirja e gjithë këtij rrjeti vëzhgimi objektiv të trurit elektronik të Policisë së Shtetit në të gjithë territorin, pa asnjë dyshim do të sjellë një përmirësim rrënjësor, të mëtejshëm të situatës, që sot as që nuk ka të krahasuar me dy vjet e gjysmë më parë, por ju garantoj se pas një viti apo dy vjetësh nuk do të ketë të krahasuar me këtë që kemi sot.

Rezultate e Policisë së shtetit janë të njohura dhe të mirënjohura. Janë të njohura publikisht dhe ndërkombëtarisht. Asgjë, asnjë përpjekje sado e paturpshme, sado e papërgjegjshme, sado kriminale, për të bërë politikë me krimin, nuk e frenon dot jo vetëm transformimin e Policisë së Shtetit, por edhe rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, sepse Policia e Shtetit flet me rezultate. Pa dyshim që ka ende sot në territorin e Shqipërisë, efektiva policie që janë më pak të edukuar sesa shumë kolegë dhe sidomos kolege, që i kanë dhënë Policisë së Shtetit jo vetëm një fytyrë tjetër, por edhe një nivel tjetër në shkallën e respektit të qytetarit.

Pa dyshim ka ende sot në territor, efektiva policie që bien pre e tundimit për të kërkuar ryshfet. Pa dyshim ka ende sot, aspekte të punës së policisë së shtetit që janë më pak të shkëlqyera, sesa aspektet që flasin troç për këtë histori suksesi. Do të ishte e pamundur që të mos kishte, do të ishte e habitshme sikur gjithçka, në vetëm dy vjet e gjysmë të ishte transformuar dhe sikur e gjithë Policia e Shtetit, në të gjithë territorin të kishte fytyrën, përgatitjen dhe sjelljen e këtij grupi të rejash dhe të rinjsh, që janë këtu sot. Por fakti që sot, ne mund ta shohin dhe mund ta mendojmë të shkuarën e afërt, si diçka që është gjithmonë e më e largët dhe ambiciet tona janë shumë më të mëdha, flet vete. Janë këto rezultate dhe ky transformim që na bëjnë të jemi edhe më ambiciozë.

Para disa muajsh lajmëruam këtë që po ndodh sot dhe që do të shtrihet hap pas hapi, me synimin që brenda vitit, çdo efektiv policie në terren të ketë syrin objektiv, që lidh veprimtarinë tij me trurin elektronik të Policisë së Shteti. Sot po ju them se në muajt e tjerë, ne do të kemi një tjetër hap të madh dhe një tjetër stacion në këtë revolucion teknologjik, vendosjen e kamerave në rrugët e vendit, me standardet më të larta teknologjike dhe të lidhura edhe ato në sistem me këtë tru elektronik. Deri dje, Policia e Shteti u katandis në një uniformë pa tru. Sot nuk është vetëm një uniformë dhe një kolektivitet njerëzish gjithmonë më të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, por është dhe një sistem dhe një organizëm që bën bashkë njeriun dhe teknologjinë.

Ky stacion tjetër, ku me siguri do të jemi përsëri bashkë, për të parë qoftë progresin në këtë projekt që fillon e realizohet sot, qoftë fillimin e projektit tjetër, me kamerat inteligjente në akset  kryesore të Shqipërisë, do të na krijojë një mundësi të shtuar dhe të re, për të qenë jashtëzakonisht më të shpejtë, më të saktë dhe më të përgatitur, për të reaguar në kohë reale ndaj krimit dhe ndaj çdo shkeljeje në hapësirën e bashkëjetesës sonë. Kjo do të sjellë një nivel të ri të paqes, të qetësisë dhe të sigurisë për çdo familje, për çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi, për çdo prind, për çdo të ri, për çdo fëmijë, sepse të gjithë nuk do të jenë më, thjeshtë dhe vetëm të vetëdijshëm se me një klik mund të kenë aty pranë policinë, falë sistemit të komisariatit dixhital, por do të kenë sigurinë se askush nuk mund t’ju afrohet për t’ju bërë keq, pa lënë gjurme në syrin dhe në trurin elektronik të Policisë së Shtetit.

Këto kamera inteligjente kanë kapacitetin e identifikimit shumë të shpejtë, të kujtdo që bën keq, pa pasur nevojë të bëjë operacione kërkimesh dhe hetimesh të sofistikuara, duke pastruar rrugët kryesore të vendit, rrugët kryesore të qyteteve tona nga çdo sjellje dhe veprimtarie kriminale ose abuzive.

Nuk kemi qenë të pavetëdijshëm apo utopikë, kur jemi angazhuar që në 4 vjet do ta bëjmë policinë e shtetit shqiptar, një polici që jo vetëm do të jetë një shembull i madh suksesi i reformave, por nuk do të ketë dallim nga policitë e vendeve të rajonit. Ashtu sikundër nuk është as utopi dhe as mungesë përgjegjshmërie në analizën e të sotmes dhe të programit për të ardhmen, nëse themi me plot bindje se edhe pak vite dhe policia e shtetit shqiptar do të jetë një polici shembullore, që nuk do të ketë dallim nga policitë e vendeve të Bashkimit Europian.

Reforma do të japë rezultate të mëtejshme. I gjithë procesi  i edukimit që po ndodh intensivisht, nëpërmjet Akademisë së Sigurisë, nëpërmjet gjithë sistemit të trajnimeve që është ngritur në të gjithë Policinë e Shtetit, nëpërmjet përpjekjes të përditshme të drejtuesve për të përmirësuar sjelljen e efektivëve të policisë, është bazë e një historie të padiskutueshme suksesi. Është një nga arsyet e forta, pse qytetarët e këtij vendi duhet të ndihen shumë mirë që kanë investuar me votën e tyre për atë ndryshim të vitit 2013, që po sjell ndryshime të njëpasnjëshme, diku më të shpejtë, diku më të ngadalta, diku më të dukshme, diku ende jo të prekshme, sepse e tillë është natyra e një procesi kaq të gjerë reformimi për të bërë shtet. Nuk mjafton të bëjmë Policinë  e Shtetit, për të bërë shtet. Nuk mjafton të vendosim ligjshmërinë në një sektor, për të bërë shtet. Por duhet të bashkojmë të gjithë gurët e shpërndarë dhe të hallakatur të një mozaiku të shkatërruar për vite të tëra.

I jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që janë të angazhuar në këtë projekt. I jam shumë falënderues të gjithë ekipit që mbulon programin ambicioz të revolucionit dixhital në Policinë e Shtetit. Padyshim i jam shumë falënderues drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët nuk erdhën nga hëna, ishin këtu mes nesh, njerëz punëtorë, njerëz të karrierës, njerëz me eksperiencë apo më të rinj, që kanë përqafuar plotësisht misionin real të Policisë së Shtetit, që është të mbrojë qytetarët nga shkelja e ligjit, që nga rruga deri në labirintet e krimit të organizuar dhe të mos bëjë dallim për asnjë qytetar, nga ai më i thjeshti që lustron këpucë në trotuar, tek ai më i kamuri, që përballë Policisë së Shtetit nuk është as më shumë dhe as më pak, por po aq i zakonshëm dhe i rëndësishëm saç është lustraxhiu në rrugë.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet