Megjithatë le të kalojmë në temë. Ju lutem se i zura radhën dhe Jozefinës për grindaren e vet. Kështu që të mbaroj unë, që të grindare Jozefina.
Unë kam një mendim pak ndryshe nga shumica e kolegëve dhe e miqve të mi, këtu në grupin parlamentar.
Unë nuk mendoj që ju luftoni për të bllokuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe as nuk e mendoj dhe as keni për ta dëgjuar nga unë që t’ju akuzoj që po luftoni që ta bllokoni. Unë mendoj ndryshe.
Unë mendoj që ju nuk dini të bëni asgjë tjetër, përveç kësaj. Ju që ditën e parë që jeni në opozitë, po sidomos që nga dita e parë që jeni në opozitë, se ju jeni tapë. Jeni tapë në kuptimin e të dehurit se nuk iu ka dalë akoma pija e pushtetit të humbur, por edhe tapë në kuptimin e tapës së topit.
Jeni kaq tapë topi, që sa më shumë flisni, në fakt t’ju them të drejtën aq më keq, mua personalisht, por edhe të tjerë, na bën të ndjehemi me veten që për fajin tonë, jo për meritën tuaj e qeverisët këtë vend tetë vjet rresht, pa qenë asnjë ditë të vetme shumicë reale në këtë vend. Ju jeni një pakicë aq shumë e llastuar nga fati në tetë vitet e fundit, saqë nuk arrini as ta mendoni dhe jo ta kuptoni sesa shumë dëm i bëni, përveçse këtij Kuvendi, përveçse kësaj politike që e keni marrë peng prej shumë vitesh, por edhe vetes suaj. Sepse sa më shumë ju bëni sikur s’keni qenë në pushtet deri 9 muaj më parë, aq më shumë kohë do të duhet që t’ju marrë njeri seriozisht. Dhe, në fakt, ju nuk merrni seriozisht as njëri-tjetrin, jo t’ju marrin seriozisht të tjerët.
Ju jeni kaq tapë, sa ju duket sikur tani jeni venë në krye të një lëvizjeje shpëtimtare dhe kaq tapë-topi, sa ua kujtoni vetë, në fakt, përditë, shqiptarëve se kush jeni. Ua thoni vetë, nuk i lini shqiptarët që për një moment ta dyshojnë kush jeni ju. Dilni vetë. Përditë. Kur vjen e enjtja dilni këtu, gjithë ditën, që shqiptarët të mos ta harrojnë kush jeni. Duke e kujtuar kush jeni ju, shqiptarët nuk harrojnë dot, asnjë sekondë se në çfarë derexheje e latë ju vendin. Dilni këtu çdo të enjte, siç dilni përditë nëpër ato foltoret, shani, shpifni, akuzoni, gënjeni, fabrikoni. Por kujtoni se do t’ju besojë njeri juve, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, që ky vend u mboll me drogë për herë të parë, ditën kur erdhëm ne në qeveri; Që ky vend e dëgjoi shpërthimin e tritolit për herë të parë, gjatë këtyre muajve të qeverisjes sonë; Ky vend pa në lajme për herë të parë, vrasje e aksidente rrugore, pasi ju përzuri ju dhe na zgjodhi ne në drejtim.
S’keni faj ju, në fakt. Kaq dini, kaq bëni. T’ju kërkosh më shumë ju, është vërtetë e kotë. Se nuk keni ditur kurrë më shumë se kaq dhe s’mund të bëni kurrë më shumë se kaq, sesa të provoni çdo ditë se kush jeni dhe pse në fakt nuk keni qenë kurrë shumicë reale në këtë vend. As një ditë të vetme.
Lerë pastaj, kur flisni këtu pa u ndalur, jashtë çdo rregulloreje, nuk diskutohet. Jashtë çdo etike. Nuk bëhet fjalë për parlamentarizmin, për të drejta fjale e rregulloreje.
I jepni vetes vazhdimisht një lloj droge të veçantë që të besoni se juve po iu shkelen liritë. Se kush mund të ketë ngenë të shkelë liritë tuaja dhe për çfarë duhet ta bëjë këtë, ju siguroj që unë nuk e kuptoj, por di vetëm kaq, që sa më të lirë ju, aq më rehat ne. Edhe pse rehati ynë nuk është gjëja më e mirë, se në fakt, do të na duhej një opozitë shumë më e ditur dhe shumë më e përgjegjshme.
Flisni për rrëmbime të institucioneve, dilni këtu mbroni Presidentin. Presidenti është pushtet, ç’është kjo, si thoni s’është pushtet... Tani e kuptoni që shqiptarët ju njohin prej më shumë se 9 muajsh, apo se kuptoni! Ju mbajnë mend mirë.
Ne mund të kemi thënë shumë gjëra, por as kemi thënë, as kemi ndërmend ta themi ndonjëherë dhe as që e mendojmë dot që Presidenti mund të jetë horr bulevardi. S’na shkon mendja. Nuk e mendojmë dot që Prokurori i Përgjithshëm mund të jetë lavire. Se mendojmë dot, jo më ta themi.
Flisni pastaj, më e bukura fare, që ne po nxisim konflikt me ju, ne po nxisim luftë me ju, ne nuk po ju lëmë ju që të bëni opozitarizmin. Me ju, që në fakt, këtë Kuvend e keni bërë tamam sheshin ku bëni përshesh, hani përshesh gjithë kohës, çdo të enjte. Aq shumë përshesh hani, sa duket sikur gjitha java ju kalon duke përtypur përsheshin e së enjtes, nëpër ekrane, nëpër tribuna.
Ju jeni kaq tapë-topi, sa sot dëgjova njërin nga ju që tha se ne paskemi vënë në siklet Gjermaninë. Ne kemi vënë në siklet Gjermaninë, që Gjermania sot nuk fliska dot hapur, se paksa hallin e Ukrainës dhe nga halli i Ukrainës nuk flet dot hapur. Në fakt, unë nuk e mbaja mend, këtu ka njerëz me eksperiencë në politikën e jashtme dhe në integrim, unë nuk kam dhe aq eksperiencë, por nuk e mbaja mend ndonjëherë që të dilte ndonjë deklaratë e Qeverisë gjermane, për të vënë pikat mbi ‘i’, lidhur me shpifjen tuaj të pak ditëve më parë, që u përsërit edhe këtu sot, që qenkan kapur në Gjermani, 5.5 tonë drogë. Jo vetëm kaq, por Qeveria gjermane vuri edhe një pikë tjetër mbi ‘i’, që jua kam thënë vazhdimisht, që bashkëpunimi me policitë e vendeve partnere jo vetëm ka rifilluar, por po intensifikohet dita ditës.
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)