Fjala e Kryeministrit Edi Rama në
takimin me efektivë të Policisë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në<br />takimin me efektivë të Policisë
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me efektivë të Policisë së Shtetit:

E kam pasur gjithmonë bindje që vrazhdësia është shumë më pak efektive sesa bukuria, përballë kujtdo që është i nxitur të sillet keq në mjedisin publik. Një nga provat e kësaj bindjeje e kanë dhënë të gjitha ato prej jush që janë në rrugë, në kontakt me qytetarët dhe me ata qytetarë që ishin mësuar të parkonin gabim dhe t’ia kthenin me të keq policit.

Kjo ndodh shumë pak, për të mos thënë nuk ndodh fare, në radhë të parë falë vajzave dhe grave që janë bërë engjëjt mbrojtës të rregullit në rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera. Një ditë, një deputet më tregonte sesi e kishte pasur të pamundur të diskutonte gjobën që duhet të paguante për parkimin e gabuar, përballë dy vajave të veshura me uniformë policie. Isha mësuar, – tha - me policë që nuk dinin as të flisnin dhe përfitoja nga kjo për t’u thënë, “ik mësoni të flisni njëherë, pastaj hajde të kërkoni të paguaj gjobën”. Kurse përballë atyre vajzave u detyrova të paguaja kokulur gjobën time të parë.

E këto histori janë të panumërta në raportin e ri mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve. Në këto histori ju të gjitha, vajzat dhe gratë që punojnë në Policinë e Shtetit keni rolin tuaj të padiskutueshëm. E nisëm me një Polici Shteti që kishte vetëm më pak se 25 % të trupës me arsim dhe më shumë se 75% të trupës pa shkollë. Një Polici Shteti që ishte më e plakura në Europë dhe në rajonin ku jetojmë. Një Polici Shteti që ishte tkurrur dhe mbulonte vetëm 55% të territorit, ku një pjesë e madhe ishin të mbyllur nëpër zyra dhe popullonin kafenetë e kryeqytetit. Një Polici Shteti që ishte shëmbëlltyra e braktisjes nga vetë shteti, e të tradhtuarve prej vetë drejtuesve që shkonin e vinin në këtë godinë me mandatet e tyre politike dhe e përdornin mandatin e tyre për të ushqyer lidhjet që, në fakt, Policia e Shtetit ka detyrë t’i këpusë mes politikës e krimit, mes përfaqësuesve të popullit dhe shkelësve të ligjit e prishësve të qetësisë së popullit.

Sot nuk e themi ne, por e thonë anketimet e organizatave më të mirënjohura ndërkombëtare se Polica e Shtetit është institucioni më i besuar në vend. Edhe më i besuar se liderët fetarë. Sipas anketimit të fundit të BE-së. Dua ta nënvizoj këtë, për t’ju thënë të gjithëve që sot janë pjesë e kësaj trupe se çfarë keni bërë në kaq pak kohë. Ju që jeni këtu dhe që jeni sot nën uniformë në gjithë Shqipërinë e që ruani çdo ditë, çdo orë, çdo minutë rendin dhe qetësinë e qytetarëve, të ndarë nga plot të tjerë që deri dje ishin nën këtë uniformë dhe shkuan aty ku e meritonin, ose në rrugën e procedimeve penale, ose në rrugën e procedimeve administrative për ndotje të kësaj uniforme. Uniformë që është blu, por që ka në përmbajtjen e vet edhe gjakun e të gjithë atyre që nuk janë më dhe që ranë në krye të detyrës, duke mbajtur me nder këtë uniformë.

Besimi i kthyer tek Polica e Shtetit mund të shikohet dhe tek numri i telefonatave të qytetarëve në numrat e emergjencës së policisë. I pakrahasueshëm me thirrjet e viteve të mëparshme. Besimi i kthyer tek Polica e Shtetit mund të shikohet edhe tek fakti që në këto 3 vjet kemi numrin mesatar më të ulët të vrasjeve në Shqipëri, në 20 e kusur vite që nga rënia e regjimit të vjetër. Ashtu sikundër mund të shikohet tek fakti që 7384 persona të shpallur në kërkim janë kapur. Pakrahasimisht më shumë se shifrat e të shkuarës fare të afërt. Mund të shikohet tek 100 milionë euro e më shume pasuri kriminale e sekuestruar, njëqindfishi i vitit të fundit të qeverisë së shkuar.

Ka shumë të drejtë ministri që e nënvizon këtë fakt si një fakt kokëfortë përballë gjithë lumit të llumit që derdhet çdo ditë ndaj Policisë Së shtetit, ku gjithfarë karagjozësh me mandat nga populli, që vetëm për popullin nuk mendojnë, i adresojnë Policisë së Shteti një akuzë krejtësisht të pavërtetë, sikur kjo është “polica që merret me të varfrit, me të dobëtit e jo me të fortit”. Por të kujt janë mbi 100 milionë euro pasuri kriminale?! Të të varfërve?! Të më të dobëtëve, apo të atyre që deri dje kishin mbrojtje nga kjo godinë?! Të kujt janë policët dhe policet që përballen me ofertat për të marrë ryshfete, në këmbim të mbylljes së syve e në vend që të marrin ryshfetin, marrin të pandehur atë që ia ofron ryshfetin?! E paimagjinueshme kjo deri tre vjet më parë.

Ata që ofrojnë ryshfete nuk janë të varfrit, nuk janë të dobëtit. Janë ata që janë mësuar ta blejnë dhe ta poshtërojnë Policinë e Shtetit në rrugë, për vite e vite të tëra. Këto para kriminale, mbi 100 milionë euro që për buxhetin e Republikës së Shqipërisë janë një zë shumë i konsiderueshëm, nga vijnë? Vijnë nga droga, nga trafiqet, nga kontrabanda. Pra, janë para që sekuestrohen. Nuk janë para që si deri dje i gjenin rrugët për t’u shpërndarë sa në anën e krimit, aq dhe në anën e politikës.

Mos e harroni kurrë, sa herë që ndjeheni të akuzuar pa të drejtë, një shprehje të famshme të  Kantit: “Kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose është në gjendje ta bëjë vetë”. E tillë është edhe akuza për paratë e drogës dhe për  paratë e krimit; Ose i kanë marrë vetë, ose janë në gjendje t’i marrin vetë.

Mbi 100 milionë eurot, para të drogës dhe të krimit, që janë sekuestruar nga shteti shqiptar dhe falë Policisë së Shtetit shqiptar, janë 254% më shumë se në 8 vite të mbledhura bashkë të qeverisë atyre që sot, çdo ditë sulmojnë Policinë e Shtetit. Çdo ditë organizojnë konferenca, fjalime, sulme për Policinë e Shtetit.

Në 26 vjet, kurrë nuk është sulmuar Policia e Shtetit si në këto tre vjet dhe kurrë, çuditërisht, nuk ka qenë në krye të punës dhe të respektit të njerëzve për institucionet e shtetit si këto tre vjet!  Si është e mundur që një institucion që sot është në majë të besimit të publikut, në raport me  të gjitha institucionet e tjera, të jetë edhe institucioni më i sulmuar?! Ka një arsye! Dhe arsyeja është se bën pikërisht punën e vet dhe se puna e vet, është pikërisht të godasë aty ku deri dje mblidhej i gjithë qelbi i pisllëkut që prodhonte në bashkëpunim, bota e krimit me politikën.

Ka goditur dhe do të vazhdojë të  godasë edhe më fortë kjo polici shteti, falë edhe faktit që po ripërtërihet në moshë, po ripërtërihet në mëndje, po ripërtërihet në moral dhe në të gjitha ato shqisa që deri dje ishin paralizuar apo mpirë me qëllim.

Rezi është një kampione, jo vetëm në basketboll, por në shoqëri. Sepse ajo është shprehja më kuptimplotë e asaj që mund të bëjnë njerëzit e talentuar dhe të vullnetshëm të këtij vendi.

Rezi këtu ka qenë edhe më parë. Nuk ka ardhur sot në Policinë e Shtetit, por ka qenë e tradhtuar, ka qenë e veshur keq, ka qenë e pajisur keq e mbi të gjitha, bashkë me kolegët e saj është gjendur jo një herë, gafil përballë bosëve të krimit. Jo nga paaftësia, ose nga  mungesa e  vullnetit të saj dhe shokëve të saj, por nga telefonatat që bëheshin prej kësaj godine për të dekonspiruar operacionet e trupës fantastike të RENEA-s , e cila gjendej në një mjedis që të kujtonte mjediset e atyre refugjatëve që dalin nga deti dhe nuk ka kush t’i presë. E megjithatë kanë luftuar si luanë, pa mundur të marrin mbrapsht as rezultatet që po marrin gjithmonë e më shumë tanimë, as vlerësimin moral dhe material që i detyrohej ky shtet të gjithë atyre. Shumë shpejt, ne do t’i krijojmë RENEA-s kushtet më optimale, pasi po përfundon ndërtimi i kompleksit për ta. Mua më mjafton Rezi, bashkë me  tre nga ju, për të mundur 5 burra të RENEA-së në basketboll, sapo të bëhet gati kompleksi.

KY është një premtim Rez dhe ne do ta mbajmë live në Facebook.

Është shumë e gjatë lista e arritjeve të Policisë së Shtetit, por për mua është krenari e veçantë që sot janë 889 vajza dhe gra police me grada. 11 prej tyre kanë gradën drejtues. Nuk janë vajza e gra që punojnë nëpër zyra, por janë vajza e gra që përballen në terren me krimin dhe me nevojat e pafundme të qytetarëve. 27 kryekomisare, 37 komisare, 168 nënkomisare dhe 684 inspektore dhe në këtë rrugë, të tjera do vijnë dhe edhe më shumë do kemi drejtuese gra dhe vajza në Policinë e Shtetit. Po të mos ishin gratë dhe vajzat, deputetët do vazhdonin të parkonin gabim dhe të mos paguanin gjobat. Janë gratë dhe vajzat police që kanë bërë të mundur që asnjë deputeti nuk i shkon në mendje që të  parkojë gabim se,  siç më thoshte një deputet tjetër, “ato as nuk të ndahen mor burrë”.

Edhe njëherë dua ta rivë gishtin në plagë. Në plagën e drejtësisë, sepse është një sfidë më vete të gjurmosh dhe të arrestosh kriminelë, por është një tradhti më  vete, që kriminelët që ke arrestuar me prova, t’i rishikosh në rrugë, të ribëjnë krime, për të cilat  janë dënuar më parë. Sepse janë më të fortë sesa ty, përfaqësuesit e shtetit në gjykatë. Qindra e qindra krime të rënda, janë krime të përsëritura nga kriminelë të arrestuar nga Policia e Shtetit dhe të liruar në sallë nga gjykatës të korruptuar, për të cilët na duhet vetting-u, e vetmja rrugë për të çliruar popullin dhe Policinë e Shtetit, si forca që mbron popullin nga krimi dhe nga prishësit e rendit dhe qetësisë prej kthetrave të këtyre killer-ave që sot mbrohen nga bojkoti i parlamentit.

Orët e tyre janë të numëruara dhe agoninë e tyre në detyrë e zgjat vetëm bojkoti i parlamentit, sepse sipas kalendarit të reformës duhet të fillojnë tani procedurat për ngritjen e komisioneve që do të bëjnë vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve dhe do të pastrojnë pallatin e drejtësisë nga gjykatësit, që rinxjerrin nga duart e policisë, kriminelë që ribëjnë vrasje, ribëjnë përdhunime, rikthejnë në territorin e Shqipërisë, ata që trafikojnë dhe që përfitojnë në kurriz të njerëzve.

Është shumë e lehtë që të flasësh për gratë e dhunuara, është shumë e lehtë të flasësh për krimin e për drogën e për të tjera si këto. E gjitha kjo është një hipokrizi, kur nuk thua asnjë fjalë, por përkundrazi iu bëhesh mburojë gjykatësve dhe prokurorëve që pa asnjë problem, grave të dhunuara iu rikthejnë në shtëpi dhunuesit, vajzave të përdhunuara ua shpërblejnë bashkë me familjet e tyre, etjen për drejtësi, duke lëshuar përdhunues që ripërdhunojnë të tjera vajza, të tjera familje. E kështu me radhë, qindra e qindra raste.

Si mundet këta gjykatës vazhdojnë të gjykojnë sot, nesër, pasnesër, pas një jave, pas një muaji, pas dy muajsh, ndërkohë që populli shqiptar ka një Kushtetutë që i jep tani mundësinë që t’i pastrojë këta nëpërmjet përfaqësuesve të vet në Parlament! Si mundet që përfaqësues të popullit shqiptar ta braktisin këtë front, që është  fronti më i rëndësishëm, sot, i luftës për të bërë shtet dhe për të  bërë drejtësi, duke u mbledhur në çadër dhe duke i thirrur popullit, “hajdeni na mbroni ne nga drejtësia dhe mbroni këta gjykatësit dhe prokurorët nga vetting-u”!

Respekt i sinqertë për çdo njeri të zakonshëm që proteston, por jo për organizatorët e një proteste që bojkotin e Parlamentit e kanë një instrument për të bllokuar vetting-un. Le ta provojnë të kundërtën. Le të vazhdojnë të protestojnë, le të vazhdojnë ta bojkotojnë Parlamentin dhe le të çojnë atje ata, 3 njerëz duhen, që i përfaqësojnë për të ngritur komisionet që populli shqiptar përmes Parlamentit dhe me Kushtetutën në dorë të shpëtojë nga kthetrat e këtyre killer-ave të veshur me të zeza, që kanë 25 vjet që i bien me çekiç kokës, nënave të viktimave, vajzave të përdhunuara dhe të gjithë atyre që shkojnë në gjykatë për të marrë një pronë dhe e humbasin pronën, duke marrë çekiçin në lule të ballit.

Ne jemi të bindur që në rrugën për të bërë shtet nuk na ndal dot askush. Jo sepse jemi ne, por sepse kjo është një aspiratë e shqiptarëve, që ka ardhur koha që të realizohet. Ne jemi vetëm instrumenti në duart e tyre, për të bërë shtetin që ka munguar 25 vjet. E natyrisht mund të bësh polici, mund të bësh kompani të shpërndarjes së energjisë elektrike sipas të gjithë nevojave, mund të bësh shkolla të reja, mund të bësh qendra të reja shëndetësore, mund të bësh shumë gjëra, por nuk ke bërë shtet, nëse nuk ke ndërtuar një sistem drejtësie, prej të cilit të dridhen të gjithë ata që shkelin ligjin, apo që u shkon mendja që të shkelin ligjin, nga presidenti e kryeministri, deri tek njeriu më i zakonshëm.

Këtë aspiratë nuk mund ta ndalë askush. Mund ta vonojnë, mund ta pengojnë, - frika është këshilltari më i keq, - por nuk e ndal dot. Unë ju siguroj se më herët se vonë, ne t’ia dalim që asnjë kriminel, që arrestohet nga ju për krimin që ka bërë, të mos rikthehet i lirë nga dera e sallës së gjyqit, pa u gjykuar fare, për të ribërë të njëjtin krim. Ky është një  zotim që ne e kemi në zemër dhe do ta mbajmë.

Nëse në fund të ditës, sot me ju do të kisha nderin të bëja një “Photo of the day”, do të isha njeriu më i lumtur për ditën e sotme në këtë vend.

Shumë faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

PD akuza se grabitën prona në Vuno, Rama: Baltë mbi familjen time, shihemi në gjyq! Trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit s’kanë marrë certifikatë

PD akuza se grabitën prona në Vuno, Rama: Baltë mbi familjen time, shihemi në gjyq! Trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit s’kanë marrë certifikatë