Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e qendrës publike të inovacionit, Innovation Hub‏

Mirëdita të gjithëve!

Unë kam pasur mundësinë që t’i ndjek javët e inovacionit dhe dua të nënvizoj faktin që kjo javë e tretë, që zhvillohet në të tretin vit radhazi, është shumë më e pasur dhe shumë më sfiduese se java e parë ku ne e nisëm këtë aktivitet që tanimë ka marrë një përmasë rajonale. Më duhet të kujtoj se trashëguam një sistem të shërbimit online e-albania me vetëm 13 shërbime dhe sot janë 260 shërbime online dhe 570 shërbime të tjera me natyrë informative.

Pavarësisht se numrat flasin për shumë, e vërteta është që ka ende më shumë për të realizuar qëllimin. Qëllimi është që këto shërbime të jenë të përdorura nga qytetarët në  një masë shumë herë më të madhe saç përdoren sot. Në këtë aspekt ka një punë të dyfishtë për të bërë; Nga njëra anë për të rritur ndjeshmërinë dhe shkallën e informimit të publikut për këtë mundësi të jashtëzakonshme që ofrojnë shërbimet online, duke kursyer energji, kohë dhe mbi të gjitha, duke shkëputur publikun nga kthetrat e korrupsionit dhe të bakshishit ordiner për të marrë një shërbim sado të thjeshtë;

Nga ana tjetër ka ende shumë për të bërë për të rritur nivelin e  edukimit të publikut, duke filluar nga moshat më të vogla, në funksion jo vetëm të shfrytëzimit të këtyre hapësirave, por edhe të rritjes së kontributit për transformimit e tyre. Jemi të gjithë të  vetëdijshëm që inovacioni është instrumentit i gjeneratës tjetër dhe ashtu siç ndodh kudo, ashtu ndodh ende në Shqipëri, që ata që anë më aktivë dhe që faktikisht sjellin edhe risitë në këtë fushë, janë përgjithësisht fare të rinj dhe i përkasin gjeneratës tjetër.

Është shumë e rëndësishme kjo që bëjmë sot, për të krijuar një mundësi konkrete përmes një hapësirë që i vihet në dispozicion inovatorëve. Një hapësirë fizike, por dhe një hapësirë mundësish dhe mbështetjeje nga ana jonë, për të krijuar kushte që në këtë hapësirë të punohet pa orar dhe të mund të shkohet përtej dijeve që kemi sot dhe instrumenteve që disponojmë sot. Është një praktikë e njohur në rajon dhe një praktikë që ka rezultuar mjaft e efektshme. Për ne është një praktikë e re, por jam i bindur  se do të jetë po ashtu mjaft e efektshme.

Ky proces i intensifikimit të punës për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në funksion të modernizimit të sistemit të funksionimit të shtetit ka dy anë jashtëzakonisht të rëndësishme; Njëra anë, potenciali i jashtëzakonshëm i rritjes ekonomike, i rritjes së punësimit, i rritjes së kapaciteteve për të zhvilluar ekonominë dhe shoqërinë; Ana tjetër, që për ne ka një rëndësi themelore, potenciali i jashtëzakonshëm për të zmbrapsur në mënyrë sistematike  korrupsionin. Është përmes modernizimit të shërbimeve që zhvillohet lufta reale dhe efektive ndaj korrupsionit dhe përmes krijimit të sistemeve që janë të imunizuara vetiu nga korrupsioni, për shkak të marrëdhënies jo personale mes qytetarit në nevojë për një shërbim dhe shtetit që shërben  përmes teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit.

Sot janë një numër i konsiderueshëm shërbimesh që jepen drejtpërdrejtë online. Para pak ditësh ka filluar dhe shërbimi i lejeve të ndërtimit. Por unë do të sjell si shembull, shërbimin e pagesës së energjisë elektrike. Sot është një nga shërbimet më të suksesshme dhe që të gjithë e kemi të lehtë që ta vlerësojmë, duke e krahasuar me atë që ndodhte para pak kohësh, kur njerëzit ishin të detyruar të  dyndeshin në sportele mizerabël, të mbanin radha të stërgjata dhe të torturoheshin në këto radhë për të paguar faturën e energjisë elektrike. Sot, kjo është e mundur të bëhet nga shtëpia.

Ajo që ne synojmë është që të mbërrijmë që çdo shërbim për qytetarin të bëhet drejtpërdrejtë në shtëpi, përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, falë thjeshtë dhe vetëm një lidhje në internet, përmes telefonit apo përmes kompjuterit në shtëpi. E nga ana tjetër, ajo që është jo vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme është që në dhënien e gjithë këtyre shërbimeve, shteti të arrijë të kryejë shërbimin për qytetarin për çdo dokument që është vetë shteti që e prodhon, pra, të mos kemi më nevojën si shtet dhe detyrimin si qytetar që për të marrë një shërbim të duhet të marrim ne vetë një numër, nganjëherë me dy shifra dokumentesh në shtet, në institucione të ndryshme, por të gjitha dokumentet që shteti duhet të japë për qytetarët të jetë detyre e shtetit që t’i dorëzojë në emër të qytetarit në shërbimin përkatës ku këto dokumente duhet.

E këtë, ne duhet ta kthejmë në detyrim ligjor për shtetin. Por që ta kthejmë në detyrim ligjor për shtetin nuk mjafton dëshira dhe vullneti, na duhet të kemi një sistem të dhënash dhe një sistem ndërveprimi online mes te gjitha institucioneve, në mënyrë që kjo të bëhet e mundur dhe që qytetari kur merr një shërbim online, të ketë detyrim vetëm dokumentet që merren nga institucione  jo shtetërore, në rast se të duhen për të marrë shërbime, fjala vjen, bankat ose institucionet e tjera jo shtetërore.

E gjithë kjo është një utopi, por është një mundësi, është një domosdoshmëri, është një qëllim i yni shumë i qartë në rrugën e të cilit ne jemi.

Nëse deri më pak se tre vjet më parë, shteti shqiptar kishte vetëm 13 shërbime online, të cilat nuk përdoreshin nga askush dhe sot ka 260 shërbime online, që përdoren nga ende pak njerëz, por që janë aty për t’u përdorur nga të gjithë. Është e sigurt në vitin që është mes kësaj jave të inovacionit dhe javës së ardhshme, - sot e një vit më vonë – ne do të kemi bërë një progres shumë të madh. Ajo që është karakteristikë e progresit në këtë fushë është që progresi është shumë i shpejtë dhe ndryshmet janë të jashtëzakonshme brenda një harku kohor shumë të shkurtër.

Duke falënderuar të gjithë ata që janë këtu pjesëmarrës, jo thjeshtë për pjesëmarrje, por sepse janë kontributorë në një mënyrë ose në një tjetër, në këtë proces kaq të rëndësishëm që është në të vërtetë një revolucion teknologjik; duke falënderuar edhe ambasadorin për praninë e tij e nëpërmjet ambasadorit; qeverinë italiane për mbështetjen që i dha financiarisht krijimit të kësaj hapësire jashtëzakonisht të rëndësishme  dhe mesa mund të kuptoj nga një shikim i parë shumë efektive dhe duke inkurajuar që të gjithë ta shfrytëzojnë hapësirën për t’i dhënë asaj vlerën e duhur përmes rezultateve, -nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju falënderoj për durimin dhe për vëmendjen.

E kam shumë të qartë  që për të gjithë ju është shumë e lodhshme të dëgjoni dikë që nuk është pjesë e kësaj fushe, flas për fushën tuaj sepse fusha juaj ka një shpejtësi të ndryshme nga shpejtësia e fushave të tjera të jetës dhe sidomos kur vjen puna për të dëgjuar fjalimet e mia që nuk janë përgjithësisht shumë të shkurtra. E di që është një mundim i veçantë, prandaj ju jam shumë mirënjohës për mundimin.

Shumë faleminderit! 

 

***

Innovation Hub është qendra e parë publike e inovacionit në Shqipëri, me perspektivën për t’u shndërruar në një qendër shkëmbimi rajonal. Kjo qendër do të ofrojë sipërfaqe të përshtatshme për krijimin e hapësirave open-space, për të rinj me ide inovative që duan t’i zhvillojnë dhe kthejnë në biznese të suksesshme. Të rinjve do t’u sigurohet trajnim në fusha të ndryshme, financim përmes projekteve dhe ndjekje të aktivitetit sipërmarrës. Kjo hapësirë do të akomodojë start up-e të ndryshme në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe synon të kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme komunitare në fushën e inovacionit.

Në të njëjtën kohë, Qendra e Inovacionit do të sigurojë për të gjithë të rinjtë e interesuar informacion lidhur me ekosistemin rajonal, mundësitë për të aplikuar për projekte të ndryshme apo edhe për të bashkëpunuar me të rinj apo start up-e në rajon.

Innovation Hub ka një sipërfaqe prej 900 metrash katrore dhe siguron hapësirë dhe mjete pune për 150 të rinj. Ajo është ndërtuar në formën e një qendre rinore më hapësira të përshtatshme për studim, punë por edhe çlodhje. ​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar