Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 25 vjetorit të BERZH

Faleminderit zoti President për këtë ftesë që të jem pjesë e kësaj ceremonie dhe gjithashtu për gatishmërinë tuaj që ndodheni këtu dhe të festuar përvjetorin e një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm mes vendit tonë, qeverisë dhe bankës tuaj.

Do të doja ta filloja aty ku ju e latë, me reformën më drejtësi. Jam mjaft krenar që ia dolëm, jam mjaft krenar që kemi qenë të angazhuar për të që ditën e parë dhe meqë ra fjala ishim forca e parë politike në vend, gjatë këtyre 25 viteve, që e kishim reformën në drejtësi si pjesë të programit tonë dhe që e bëmë atë një prej premtimeve tona. 

Shumë njerëz mendonin se kjo ishte e pamundur, sepse ishte përtej mundësisë sonë përsa iu përket numrave që dispononim, por unë isha mes atyre të paktëve që mendonin që prej momentit të parë se kjo ishte e mundur, sepse Shqipëria asnjëherë nuk ka qënë vetëm dhe sepse reforma e drejtësisë, siç është tanimë, një paketë kushtetuese e integruar në Kushtetutë me një konsensus mjaft të madh, është rezultat i një bashkëpunimi mjaft të ngushtë më miqtë dhe aleatët tanë.

Natyrisht ka mjaft njerëz që kanë variantin e tyre të historisë, unë kam timin dhe në këtë variant, ky konsensus ishte një kryevepër e një kombinimi mjaft fatlum midis vullnetit të shqiptarëve, të cilët shkonin absolutisht përtej çdo linje partiake në mbështetje të kësaj reformë; Vullnetit të aleatëve tanë, të cilët shkuan përtej çdo pritshmërie, duke investuar përpjekjen dhe imazhin e tyre, si edhe vullneti i disa murthyesve  që siguruan që reforma të ishte e sigurt edhe pa konsensus. Pa këto elemente nuk do të kishim pasur 140 vota.

Por çka është më e rëndësishme është se duke pasur 140 vota, tanimë kemi hyrë në një epokë krejt të re të historisë shqiptare, sepse për herë të parë, ne kemi instrumentet të gjykojmë ata që kurrë nuk janë gjykuar dhe që kanë tjetërsuar misionin dinjitoz të gjyqtarëve në një instrument që e shndërron drejtësinë në diçka që mund ta shesësh dhe mund ta blesh.

Natyrisht është një epoke e re edhe për të gjithë ata që kanë investuar apo duan të investojnë në Shqipëri. Kësisoj jam ndjerë mjaft mirë, kur nga shumë drejtime, nga Britania, Gjermania, Turqia, më është shprehur vullneti i investitorëve për të pare më nga afër mundësitë e  investimit në Shqipëri, pikërisht sepse kanë marrë informacionin se kjo reformë në drejtësi, kjo reformë e jashtëzakonshme kushtetuese ka kaluar me sukses.

Nga ana tjetër më vjen mjaft mirë që Presidenti i BERZH-it theksoi vullnetin tonë për të qenë një qeveri reformash dhe ne do të vazhdojmë të jemi një qeveri reformash deri ditën e fundit në detyrë, pasi jemi absolutisht të bindur se Shqipëria ka humbur shumë kohë, duke shtyrë e duke vonuar gjithnjë e më tepër  luftën e madhe me të shkuarën e saj dhe me sfidat madhore me të ardhmen tonë. Ndaj fjala jonë kyçe është modernizimi dhe kësisoj ne do të vazhdojmë të modernizojmë përmes reformimit të sistemeve tona, reformimit të institucioneve tona, të shtetit.

Pjesë e këtij procesi është edhe bashkëpunimi me BERZH-in, i cili nuk ka qënë thjesht një ofrues parash, por mbi të gjitha ofrues njohurish. Sot, ne nënshkruam programin tonë më të ri, që është para së gjithash, një instrument inovator në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë, bazuar në një shkëmbim mjaft të frytshëm të njohurive, falë mbështetjes së BERZH-it në një proces mjaft produktiv të të nxënit nga ana jonë si të shpenzojmë më mirë dhe në mënyrë shumë herë më efikase për hir të zhvillimit të bujqësisë, ato para, të cilat ne i përdornim në mënyrën e vjetër, por papritur rezultate të një lloji të ri.

Jemi të gjithë të njohur me historinë e bashkëpunimit tonë, ndaj nuk do të përsëris ato që vuri në dukje Presidenti. Por thjesht doja të theksoja se jemi tejet të angazhuar si anëtarë e partnerë me BERZH-in dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të ecur më tej në këtë përpjekje, për të krijuar instrumente të reja që do të mbështetin në mënyrë alternative rritjen e kapaciteteve tona si vend, si bashkësi biznesi dhe po kështu, për të hapur hapësira të reja për investuesit e huaj. 

Do t’ju falënderoja të gjithëve edhe një herë dhe do t’ju uroja më të mirën gjithkujt nga ekipi. Shpresoj vërtetë që të keni vazhdimësi të mëtejshme e të mbarë në Tiranë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë