Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së shpimit në pusin Shpirag 3 nga kompania SHELL‏

Përshëndetje të gjithëve!

Sot nuk është më një sekret, ajo çka Jan Henk dhe Maksi diskutuan me mua, disa kohë më parë, lidhur me një zbulim të ri të një rezerve të konsiderueshme nafte dhe gazi dhe të një nafte të cilësisë më të mirë. Por, për një periudhë kohe, kjo mbeti e pathënë, sepse SHELL kërkonte më shumë garanci, në kuptimin teknik të fjalës, për të bërë këtë njoftim.

Garancia më e madhe është se ndërkohë, kjo kompani - sa për t’ju dhënë një ide, ka një nivel të ardhurash vjetore 33 më të lartë se i gjithë Prodhimi i Brendshëm Kombëtar i Shqipërisë, - vendosi të mos e ndërpresë programin e investimit në Shqipëri dhe jo vetëm kaq, por të marrë 100% të aksioneve, pas marrëveshjes me kompaninë Petromanas.

Natyrisht që bëhet fjalë për një super komani dhe një super investim si vlerë e shtuar që i vjen Shqipërisë. Kjo është edhe arsyeja, pse sot, ne kemi siguruar qoftë për zëvendëspresidentin e eksplorimeve për Europën, qoftë për Jan Henk-un, një nxehtësi tipikisht të vendeve të Gjirit Persik, që të ndihen në zemrën e botës përsa i përket eksplorimit të naftës.

Nga ana tjetër është me rëndësi të theksohet se Shqipëria është një vend i pasur dhe që të gjithë të kenë një ide të qartë për këtë, i dyti vend më i pasur në Europë për potencialin e vet ujor dhe i pari vend më i pasur në Europë, në raport me territorin e popullsinë, për naftën dhe për gazin onshore, pra, nën tokë.

SHELL po ashtu po negocion me qeverinë shqiptare dhe faktikisht ka përfunduar draftin e një marrëveshje të re dhe pas operacioneve në blloqet 2 dhe 3, shumë shpejtë do të nisë një operacion të ri në bllokun 4.

Ajo që vlen të theksohet dhe që për mua përbën një arsye të fortë për t’i shprehur mirënjohje dhe falënderim kompanisë është se SHELL ka pranuar një ndryshim në qasje në këtë marrëveshje të re, në raport me marrëveshjen e mëparshme dhe ka pranuar ta ndajë, - për ta thënë me fjalë të thjeshta, - më shumë të ardhura me popullin shqiptar.

Ky është një fakt që e bën plotësisht të vërtetë edhe atë çka shkruhet në moton e SHELL-it edhe atë çka thamë më parë, qoftë zëvendëspresidenti, qoftë edhe miku ynë, Jan Henk, i cili është një lloj De Biazi i fushave të naftës për Shqipërinë, por që akoma pret të bëhet po aq i njohur sa De Biazi, kur të fillojë tregtimi i sasisë së re të naftës së cilësisë më të mirë që është zbuluar së fundmi nga SHELL. 

Ka rëndësi të madhe fakti që SHELL nuk ka ndërprerë programet me Shqipërinë, ndërkohe që ka ndërprerë programe në tërësi, për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës.

Natyrisht, këtë nuk e ka bërë nga dashuria e verbër për Shqipërinë, por nga kthjelltësia e vizionit të zhvillimit, duke u nisur prej rezultateve fantastike të eksplorimeve të fundit dhe treguesve shumë inkurajues të një rezerve të re, më e madhja deri më sot në Shqipëri, naftë dhe gazi.

Edhe më e rëndësishme se këto është se SHELL ka pranuar vijën e politikes së re të ndjekur nga qeveria, për të ndërtuar marrëveshje që nuk janë në kurriz të popullit shqiptar, por që janë nën funksion harmonizimi të interesave. Nëse deri dje, buxheti i shtetit s’ka marrë asgjë tjetër përveç rentës dhe me vite e me vite të tëra, kompani të caktuara kanë eksploruar, kanë nxjerrë, kanë shitur dhe kanë pretenduar se nuk janë ende në pikën ku sipas marrëveshjeve duhet t’i paguajnë ndonjë gjë popullit shqiptar, sot, marrëveshja e re është një garanci e plotë për një  marrëdhënie afatgjatë, me interes reciprok, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL. Të cilën dua ta falënderoj për një përputhje ekzemplare mes fjalës dhe veprës, mes gjithçka, me pasion, SHELL propagandon për profilin e vet social dhe gjithçkaje që ne vete kemi pasur mundësinë të provojmë gjatë hartimit të marrëveshjes.

Nuk ka qenë një marrëveshje e lehtë. SHELL nuk është një organizatë bamirëse, është një nga gogolët më të mëdhenj të kapitalizmit botëror, por e vërteta është se deri në fund ka qëndruar në një tavolinë, për të lidhur një marrëveshje në harmonizim të plotë të interesave.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së re për bllokun 4, nënshkruajmë një marrëveshje për një investim të ri të huaj, të përmasave të mëdha, në territorin e vendit tonë.

Fakti që SHELL vazhdon të investojë në Shqipëri, ndërkohë që në tërësi, investimet e reja në fushën e naftës kanë pësuar një ulje për shkak të çmimit, është në të njëjtën kohë, një flamur i ngritur për të tërhequr vëmendjen dhe interesimin e kompanive të tjera.

Faktikisht, po të shikojmë në raport me të shkuarën se çfarë cilësie, reputacioni dhe fuqie kanë kompanitë që interesohen sot për të hyrë në tregun e naftës dhe të gazit ne Shqipëri, ky fakt është kuptimplotë dhe SHELL ka një rol të madh në këtë drejtim.

Por ka një rol të madh, jo vetëm për naftën dhe për gazin, por në tërësi për investimet e huaja në Shqipëri. Marrëveshja jonë e re me SHELL është një mesazh shumë i qartë që ne i japim investitorëve të huaj. Prania e SHELL-it këtu është një dëshmi shumë e qartë se për ata që duan të investojnë në Shqipëri, jo për të grabitur, apo për t’ia hedhur popullit shqiptar, por për të përfituar reciprokisht, Shqipëria është një vend i hapur dhe i sigurt.

Ky është rasti për të bërë edhe krahasimet e duhura mes një kompanie të fuqishme, që investon seriozisht, që bashkëpunon seriozisht dhe që mendon seriozisht për të ardhmen, duke mos u përpjekur që të marri çfarë të marri sot dhe nesër të lëri mbrapa gërmadhë buxhetin e shtetit apo në truallin e shqiptarëve dhe kompanish të tjera, që duke tundur flamuj vendesh mike janë munduar vetëm  e vetëm si t’ia hedhin popullit shqiptar dhe si t’i shmangen detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit. Kjo epokë ka mbaruar!

Ne nuk sugjestionohemi nga flamujt e vendeve mike, kur ato tunden për t’i bërë presion qeverisë shqiptarë. Qeverisë shqiptare nuk mund t’i bëjë dot presion, askush.

Në mbyllje, edhe njëherë, duke falënderuar nga zemra për prezencën zëvendëspresidentin dhe De Biazin e naftës, unë dua t’i siguroj të gjithë se politika jonë e re në fushën e energjisë ka hyrë në një fazë tërësisht të re. Edhe ky investim është tregues i kësaj fazë tërësisht të re, ku tani, pas ndaljes së hemorragjisë, stabilizimit të përgjithshëm të sektorit, kemi hyrë në procesin pa kthim të liberalizimit të tregut.

Ndërkohë, njerëzit në të gjithë Shqipërinë po shikojnë frytet e këtij investimi të madh, të përbashkët, pasi fundi i qershorit do të koencidojë edhe me fundin e epokës së faturave aforfe. Fakti që gjatë kësaj vere, në shumë zona turistike, shërbimi me energji elektrike do të jetë cilësisht i ndryshëm dhe edhe zona të thella, fshatra si Ostreni, Valmartaneshi e ndonjë tjetër, që për 25 vjet nuk kanë pasur fare drita, kanë qenë të shkëputur nga sistemi, kanë jetuar me kandil, do të ndezin dritat brenda qershorit, flet vetë sesa ja ka vlejtur kjo reformë rrënjësorë, e dhimbshme, me sakrifica për shumëkënd. Por që në fund të fundit është një reformë tipike e filozofisë se ne me këto reforma dhe me këto investime po ndërtojmë Shqipërinë e gjeneratës së re. 

Shumë faleminderit.​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre