Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në diskutimin për Buxhetin 2015 dhe Paketës Fiskale

Përpara se të hyhet në procedurën e votimit nen për nen të buxhetit dhe të paketës fiskale, unë dua të shfrytëzoj këtë moment për të komunikuar me qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi lidhur me disa pika të rëndësishme, që janë kthyer edhe në pika ku ngulmon debati politik.

Së pari, ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri janë rritur taksat.

E vërteta është që viti që po mbyllet është viti i parë, pas një periudhe të gjatë stresi dhe përkuljeje të rëndë të shumicës dërmuese të shqiptarëve, nën tavanin e taksës së sheshtë që 97% e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave. Është viti i parë që, krahasuar me shumë vite të shkuara, qysh se hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë mbi të ardhurat personale, një polic në vend se të trajtohej njësoj si një biznesmen ka përfituar 262 mijë lekë më shumë sesa nën qeverisjen e mëparshme; një mjek ka përfituar 238 mijë lekë më shumë sesa nën Qeverinë e mëparshme; një infermiere ka përfituar 313 mijë lekë më shumë sesa nën Qeverinë e mëparshme; një mësuese apo mësues ka përfituar 265 mijë lekë më shumë sesa nën Qeverinë e mëparshme dhe në mesatare, një punonjës i administratës në Republikën e Shqipërisë ka përfituar 257 mijë lekë më shumë sesa nën Qeverinë e mëparshme.

Ky është bilanci i vitit të parë të uljes së taksave, nga ku përfitimi konkret, drejtpërdrejtë, i ekonomisë familjare ka qenë në këto terma që unë sapo përshkrova.

Nga ana tjetër, thirrja për të rikthyer taksën e sheshtë është as më shumë dhe as më pak sesa thirrja për t’u hequr drejtpërdrejtë nga xhepi të gjithë këtyre kategorive, të gjitha këto para që kanë përfituar me taksimin e ndershëm. Dhe ndërkohë që përfitimi i përgjithshëm i gjithë këtyre kategorive shkon në harkun e një viti mbi 200 mijë lekë. Madje, edhe mbi 300 mijë, kur vjen puna tek infermieret.

 

Kush flet për rritje taksash dhe kush ankohet për rritje taksash ka një problem: Ata që flasin për rritje taksash bëjnë propagandë dhe i besojnë propagandës, bazuar në parimin “shpif, shpif, se diçka mbetet”, ndërsa ata që ankohen për rritje taksash, janë ata që nuk paguajnë taksa. Sepse e vërteta është që nga një anë flasin për mbi 200 mijë, mbi 250 mijë dhe mbi 300 mijë lekë të përfituar drejtpërdrejtë në xhepin e qytetarëve dhe nga ana tjetër flasin për 3 taksa të shtuara. Njëra vetëm 10 lekë, taksa në qarkullim e naftës, e cila vjen si rezultat:

a) i nevojës sonë organike si Aleancë e Partisë Socialiste dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të mos cenuar asnjë qindarkë, xhepin e gjithë këtyre kategorive që ne, në radhë të parë mbrojmë dhe përfaqësojmë në këtë Kuvend;

b) si nevojë për të përftuar një tjetër kontribut të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe për t’ia kthyer këtë kontribut në formën e projekteve për rilindjen urbane dhe për rilindjen mjedisore.

Faktet flasin vetë, projektet tona janë sot, kantiere në të gjithë Shqipërinë dhe qytetarët e këtij vendi po i prekin duke filluar nga sheshet kryesore të pothuajse të gjithë qyteteve të vendit, të pothuajse të gjithë qendrave të gravitetit të bashkive të ardhshme, bazuar mbi Reformën e re Territoriale dhe Administrative.

Ndërkohë, më lejoni t’ju kthej pas për një moment dhe t’ju kujtoj se në këtë sallë, kur u vu 10 lekë më shumë mbi naftën, u fol për pragun e një kataklizmoje; u fol për fundin e lundrimit dhe për rrezikun që të na mbeteshin këtu, në derë, anijet e botës, se s’do kishin me se të ktheheshin mbrapsht; u fol për fundin e 4 rrotave, se nuk do të lëvizte dot më, asnjë makinë. Madje u arrit të flitej për fundin e prodhimit të bukës, se nuk do të prodhohej më bukë.

Ajo që ndodhi është krejt e kundërta. Kjo kataklizmo, të cilën do të sillte rritja stratosferike e çmimit të naftës, jo vetëm që nuk u provua, por sot është e provuar se çmimi i naftës, krahasuar me një vit më parë, ka rënë nga 10 lekë deri në 60 lekë. Kjo do të bëjë që kjo taksë të mos ketë asnjë lloj impakti në ekonomi, në kuptimin e prekjes së asnjë lloj shtrese, por të ketë një impakt real në buxhet dhe një impakt real në jetën e komuniteteve, duke e kthyer në një investim të shtuar për rimëkëmbjen territoriale dhe mjedisore.

E dyta, kemi rritur taksën e duhanit. Do ta rrisim prapë, deri kur dhe sa të mundemi. Jemi haptas, preras, kundër duhanit dhe kundër konsumimit të duhanit, sepse jemi pro shëndetit dhe duam që ata që konsumojnë duhanin të ndihmohen për t’u shkëputur nga ky ves me pasoje deri dhe vdekjen dhe me kaq shumë të këqija në organizmin e njeriut dhe për shëndetin publik të Republikën e Shqipërisë.

Së treti, kemi rritur një taksë për të cilën 97%, në radhë të parë i popullsisë, duhet ta përshëndesë këtë Aleancë për Shqipërinë Europiane, taksën tek depozitat. Sepse është një taksë e cila rritet me synimin që paratë që flenë nëpër banka të investohen në ekonomi. Dhe po kështu duhet ta përshëndesë këtë Aleancë, edhe sipërmarrja. Sepse nëpërmjet kësaj takse nxitet që në vend që t’i çojë këto para në depozita, t’i ktheje në financim për projekte për zhvillimin ekonomik. Pra, është një taksë mbi depozitat, të cilën kush nuk do ta paguajë, fare mirë mund të çohet në një investim për ekonominë.

Këto janë 3 taksat!

Tani, kush janë këto taksat e rritura, që po i marrin frymën popullit? Dhe kush janë këto taksa të rritura, që nuk do t’i përshëndeste një infermiere, që nuk do t’i përshëndeste një mësues, që nuk do t’i përshëndeste një polic, që nuk do t’i përshëndeste një mjek, që nuk do t’i përshëndeste në punonjës i administratës?

Asnjëra prej tyre!

Ndërkohë që, nga ana tjetër janë ulur 15 taksa. 15 taksa që ndikojnë në vazhdim në nxitjen e prodhimit; 15 taksa që lehtësojnë sipërmarrës dhe fermerë; 15 taksa që ndikojnë në nxitjen e eksporteve; 15 taksa të cilat duke u ulur çlirojnë më tutje frymëmarrjen e sipërmarrjes në vendin tonë.

Ka një propagandë që janë rritur çmimet.

E pavërtetë!

Madje, për hir të së vërtetës, kemi një shqetësim që nga rënia në tërësi e çmimeve ka në horizont një rrezik nga deflacioni. Por këtu s’jemi për të diskutuar për deflacionin. Këtu jemi për të diskutuar çmimet.

Lista e çmimeve, që nga ushqimet bazë deri tek ilaçet rezulton jo me rritje, rezulton me ulje. Duke filluar nga orizi, duke vazhduar me miellin, duke shkuar tek mishi e më tutje drejt nënprodukteve të qumështit, duke ecur me sheqerin, me mollën, me spinaqin, me patatet, me perimet, me ushqimet dhe lëngjet për fëmijët, me pijet joalkoolike, me veshjet, me gazin, çmimet janë më të ulëta. Dhe më lejoni që të sjell përsëri në vëmendje këtu, efektin e drejtpërdrejtë e një mase të marrë nga kjo Aleancë për Shqipërinë Europiane, në paketën e shkuar fiskale dhe në vijimësi, duke hequr TVSH-në për ilaçet dhe duke ndërtuar një projekt alternativ që ka sjell mesatarisht një rënie të çmimit të ilaçeve me 6.5 % dhe ka sjellë një rënie të çmimit të shpenzimeve spitalore me 8.7 %.

Kjo është e vërteta!

Sikundër, e vërteta e konstatuar nga Instituti i Statistikave, por për të mos ta kthyer në debat çështjen e Institutit të Statistikave, e konstatuar nga të gjitha bilancet e kompanive të këtij vendi është se kemi një rritje të ndjeshme të konsumit. Dhe rrija e ndjeshme e konsumit nuk është asgjë tjetër, përveçse rritje e fuqisë blerëse. Sigurisht, ne duam ta rrisim më tutje fuqinë blerëse, se s’ka diskutim që s’mund të jemi të kënaqur me këtë, por askush nuk mund të na thotë që me votën e 23 qershorit janë rritur taksat.

Taksat janë ulur për 97 % të shqiptarëve dhe ky është fakt!

 

Askush nuk mund të na thotë se vota e 23 qershorit ka sjellë rritje të çmimeve për shkak të inflacionit, sepse është fakt që çmimet janë ulur.

Askush nuk mund të na thotë se me votën e 23 qershorit janë rritur shpenzimet për kujdesin shëndetësor, apo janë rritur shpenzimet për ilaçet, sepse qoftë të parat, qoftë të dytat kanë rënë.

Së treti, çështja e punësimit. Unë dua ta ndaj me ju, të dashur miq dhe kolegë, deputete dhe deputetë të një koalicioni që tek punësimi ka pasur dhe ka kryefjalën e vet, se Instituti i Sigurimeve Shoqërore me drejtor, drejtorin që ka pasur; me nëndrejtorë, nëndrejtorët që ka pasur; me skuadër drejtuese, skuadrën drejtuese që ka pasur, ku nuk është lëvizur asnjë person dhe ku puna vazhdon po njësoj, me të njëjtat metoda, jep shifrën e regjistrimit të 81 mijë e disa qindra vendeve të reja të punës që janë në bilancet e Republikës së Shqipërisë, që janë në borderotë e kompanive.

Pra, nuk flasim për të punësuar që ne i shohim në imagjinatë, apo për të punësuar që ne i nxjerrim me deduksion, flasim për punësim real. Flasim për vende të reja pune të hapura nga investimet e reja, të hapura nga kompanitë dhe të formalizuara falë një pune absolutisht të shkëlqyer, të bërë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke bërë që shumë punonjës të shkëputen nga kthetrat e skllavërisë së punës së zezë dhe duke bërë që shumë sipërmarrës të detyrohen që t’i deklarojnë, të paguajnë sigurimet shoqërore dhe nga ana tjetër duke bërë që këta punonjës të jenë taksapagues të Republikës së Shqipërisë.

81 mijë e disa qindra punonjës të rinj të regjistruar. Ky është fakt dhe këtë nuk e luan topi, sepse është në librin e një institucioni që nuk mund të flitet fare dhe nuk mund të abuzohet fare se mund ta kemi kapur ne, me ndonjë grup desantësh të hedhur atje për të fabrikuar shifra.

Nga ana tjetër, është vendi këtu për ta thënë, ka qenë angazhimi ynë solemn dhe mbetet angazhimi ynë i përditshëm që Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë të mos jetë më paradhoma e Kryeministrit dhe të mos jetë më fabrika e prodhimit të shifrave të rritjes dhe të sukseseve imagjinare. Ata që flasin për rritje të papunësisë, duke iu referuar përqindjes qesharake që publikohej deri para sesa ne të vinim në qeveri, me 12%, 12.5 a 12.6% dhe duke e krahasuar me shifrën e sotme, duhet ta dini se shifra e sotme është shifra e regjistrimit real. Është shifra e regjistrimit real dhe nuk është shifra reale e papunësisë, është edhe më e madhe se kaq, sepse është papunësia e paregjistruar. Por, ama, ne jemi po ashtu krenarë për faktin se duke hapur një sistem të ri dhe modern të Zyrave të Punës, përmes të cilave janë punësuar një numër i konsiderueshëm që është me mijëra, - unë sot nuk e kam tani në moment, shifrën reale, për të mos pasur asnjë ekuivok, - por me mijëra e mijëra është rritur edhe regjistrimi, sepse njerëzit kanë filluar të fitojnë besim se duke shkuar tek zyra, duke u regjistruar mund të gjesh një punë, siç e kanë gjetur me mijëra vajza e djem, gra e burra të këtij vendi.

Ky është realiteti!

Jam larg së qeni këtu për të përshkruar një realitet rozë të ekonomisë, apo për të përshkruar rrugët e ndonjë zinxhiri suksesesh të mëdha, sepse jam i bindur që ne jemi ende në fillim të sfidës sonë dhe pa as më të voglin dyshim, edhe paketa fiskale, edhe buxheti i vitit 2015 reflektojnë dhe situatën e trashëguar, por mos harrojmë një fakt, që duhet ta ketë parasysh çdo sipërmarrës kur të hapë gojën për Qeverinë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, se jemi ne, të parët në historinë e qeverisjes së këtij vendi, që i kemi njohur sipërmarrjes barazinë me shtetin dhe i kemi hequr shtetit dhe Qeverisë sjelljen superiore, të dhunuesit, të shtrënguesit apo të diktuesit të sipërmarrjes. Çka do të thotë se kemi njohur, marrë përsipër dhe po shlyejmë jo borxhet që kemi krijuar ne, por borxhet që na i lanë aty te dera, kur erdhëm këtu të bëjmë betimin, tamam si ajo plaçka në derë, për të cilën shqiptarët kanë një fjalë tjetër, por nuk jemi këtu në Kuvend për ta kujtuar atë fjalë, se e kujtojnë vetë. Dhe nuk thamë se kjo nuk është plaçka jonë. E morëm dhe 720 milionë dollarë borxhe kemi filluar t’i shlyejmë një më një. E jam shumë krenar sot, që pas auditimit të ekipit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për transparencën, për drejtësinë dhe për efektshmërinë e shlyerjes së këtyre borxheve, kemi marrë dritën jeshile që të vazhdojmë, sepse nuk ka rezultuar një shlyerje borxhesh as klienteliste dhe as korruptive. Ashtu sikundër, sipërmarrjet e këtij vendi, në ëndrrën e tyre më të guximshme nuk kishin parë që do të vinte një ditë, një qeveri që t’ua shlyente Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, drejtpërdrejt, automatikisht, mekanikisht dhe që të mos detyroheshin të mbyteshin në borxhe nga moskthimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar, apo të paguanin për të ndarë me qeveritarët dhe me pushtetarët, atë që ju takonte, në mënyrë që të merrnin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Këto janë hapa që flasin qartë në çfarë rruge jemi. Dhe flasin qartë, po ashtu, edhe raportet. Raportet e Bankës Botërore, raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, raportet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shqipëria, sot, përcaktohet objektivisht, bazuar në fakte, si një vend që ka marrë lidershipin e reformave në rajon dhe këtë lidership do ta mbajmë katër vjet me radhë.

Ne jo vetëm që nuk do kthejmë, jo vetëm që nuk do të zbusim, jo vetëm që nuk do të lakojmë ndonjë nga reformat, por do t’i thellojmë reformat. Ato do të jenë rrënjësore, ato do të jenë drastike, sepse ka vetëm një rrugë për të luftuar me kancerin që kemi trashëguar në të gjithë sistemin e organizimit tonë shtetëror dhe që i ka metastazat në të gjithë sektorët. E, kjo rrugë nuk është as t’i hedhim parfum, as ta pudrosim që të duket bukur, as ta mbajmë me aspirina, as shumë-shumë të shtojmë edhe ndonjë tetraciklinë apo ndonjë penicilinë. Kjo rrugë është terapia intensive. Kjo rrugë është operacioni intensiv në gjithë sektorët.

Për ta mbyllur, më lejoni të ndaj me ju një arritje të parë, konkrete, të operacionit për ta ndarë Shqipërinë një herë e përgjithmonë nga hajdutët e energjisë elektrike. Falë këtij operacioni kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me Bankat e Nivelit të Dytë, për të filluar dhe për të përfunduar shlyerjen e një borxhi dramatik, që nuk është i përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart dhe të njohura edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Botërore, që është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privatë të energjisë.

60 milionë euro!

60 milionë euro borxh për shkak kontratash halucinante, ku për teka të Lala Gjonit iu garantua për jetë të jetëve këtyre prodhuesve, që energjia do të blihej gjithmonë, në çdo rast, 10 lekë mbi çmimin e importit. Pra, nga rritja e prodhimit në vend, shqiptarët do të detyroheshin dhe janë detyruar ende sot, që të marrin energji me çmim më të shtrenjtë sesa importi. Sigurisht me të njëjtën filozofi bënë kontrata me sipërmarrjen e rrugëve për rrugë që kushtojnë 10 milionë, 20 milionë, 30 milionë, çelnin punimet me 500 mijë euro dhe pastaj, thuaju atyre, ju jeni patriotë apo çfarë jeni dhe vazhdoni punën me lekët tuaja. Bëje dhe në ligj që kush nuk bënte deri në 70% të punimeve, me detyrim, nga lekët e veta, u hiqet kontrata, shpallet armik e kështu me radhë. Me të njëjtën filozofi, që marrim ilaçe nga bota, se paguajnë brezat që vijnë, me të njëjtën filozofi, që marrim shërbime të tjera, se paguajnë brezat që vijnë, u la dhe kjo punë, u detyrua KESH-i, kompania shtetërore, të marri energjinë e këtyre privatëve pa ju dhënë lekët dhe borxhet janë aty.

Atëherë, kush është rezultati i parë i këtij operacioni?

Bankat e Nivelit të Dytë kanë takuar disa herë Ministrin e Energjisë, kanë ardhur në Kryeministri dhe kemi bërë disa takime dhe kanë kërkuar konfirmimin nga Qeveria të vullnetit për të mos ndaluar këtë operacion dhe në këmbim të kësaj sigurie të disbursojmë gjysmën e borxhit, pra, 30 milionë euro, pa kredi sovrane, për t’u shlyer me prodhuesit privatë. Shlyerja me prodhuesit privatë nuk është thjesht se ata do të mbyllin gropat që i ka hapur Qeveria paraardhëse në buxhetet e tyre, por është edhe fillimi i uljes së çmimit nga prodhimi vendas. Dhe është vendosja e prodhimit vendas në funksion të liberalizimit të tregut dhe në funksion të zgjedhjes së bizneseve private, në radhë të parë, për ta marrë energjinë nga ku ata të dëshirojnë, me çmime konkurrenciale.

Kjo është reforma dhe këto janë rezultatet që ne presim. Dhe janë vetëm rezultatet e para. Prandaj nuk ka asnjë tërheqje, nuk ka asnjë falje, nuk ka asnjë lëvizje nga rruga jonë, për të mbledhur mbrapsht të gjitha detyrimet që i kanë sektorit elektroenergjetik të gjithë ata që kanë bërë pallë në kurriz të të tjerëve. Nëse pensionistët e këtij vendi rezultojnë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike, 98% e pensionistëve paguajnë energjinë, sikur populli shqiptar, shoqëria shqiptare të paguante 98% energjinë elektrike, ekonomia shqiptare sot do ishte gjetkë. Sikur të gjithë të paguanin siç paguajnë pensionistët, investimet sot, në gjitha fushat, do ishin me herë më të mëdha. Ashtu sikundër edhe shërbimi do të ishte me herë më i mirë ndaj klientit. Sikur të paktën populli shqiptar, shoqëria shqiptare, të gjithë ata që e marrin energjinë elektrike të paguajnë siç paguajnë personat me aftësi të kufizuar, 93% e invalidëve, e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve paguajnë energjinë elektrike, sikur ta paguanin 93% e shqiptarëve, ne do të kishim në buxhet qindra - milionë dollarë më shumë çdo vit, do të kishim në buxhet më shumë sesa ç’marrim nga të gjitha kompanitë private të mbledhura sëbashku apo përmes së taksave, do të kishim në buxhet më shumë sesa ç’paguajmë si shtet për gjithë ndihmën ekonominë, për gjithë kujdesin social, do të  kishim në buxhet më shumë para në një vit se ç’kemi shpenzuar për shëndetësinë në 10 vjet.

A e kuptojmë se ku jemi?! Dhe për këtë arsye nuk ka kthim mbrapa dhe nuk ka falje. Koncepti i faljes së krimeve, koncepti i faljes së vjedhjeve, koncepti i faljes së turpeve, koncepti i faljes së shkeljeve e ka katandisur këtë vend që s’ka ngritur kurrë kokën, po gjithmonë është zvarritur, vetëm për hir se dikush ka dashur të mbajë pushtetin dhe nuk ka dashur të prishet më këta që vjedhin këtë, me ata që vjedhin atë, me ata që vjedhin atë tjetrën. “Shqipëria, plaçkë e madhe”, “o burra, kush ta kapi ndonjë copë” dhe të pushtetërojnë duke e pushtetëruar gjithë vendin tonë.

Kjo epokë ka marrë fund për popullin shqiptar, në momentin që na ka dhënë votën!

Dhe ne jemi këtu, garantët e asaj vote, jemi këtu, mbajtësit e atij misioni dhe jemi këtu, përgjegjësit për fatin e asaj vote. Ne nuk mund të tradhtojmë popullin shqiptar dhe mbi të gjitha dua ta kujtoj mirë, nuk jemi këtu për ta ndjekur mbrapa, jemi këtu për ta udhëhequr; nuk jemi këtu për të shkuar mbrapa humoreve të çastit apo mbrapa pakënaqësive të çastit, jemi këtu për ta udhëhequr. Njësoj siç është një mjek me përgjegjësinë për të udhëhequr rrugën e daljes nga agonia të një trupi të sëmurë. Dhe asnjë mjek i përgjegjshëm nuk mund të thotë “po mirë, mos e merr këtë ilaç ti, se është i hidhur dhe s’të pëlqen”. Ashtu dhe një qeveri e përgjegjshme, një mazhorancë e përgjegjshme nuk mund ta bëjë kurrë këtë gjë!

Përsa i përket çështjes së akumulimit të shumë borxheve nga konsumatorë familjarë, një mekanizëm i ri do të vihet në funksion, jo për të falur, se nuk ka falje, por për të lehtësuar procesin e pagesave për të incentivuar atë proces.

Dhe e dini pse? Vetëm për një arsye. Sepse neve na takon, pavarësisht se s’është edhe ky faji jonë, të marrim përgjegjësinë që shërbimi ndaj klientit sot nuk është ai i duhuri. Ka shumë njerëz, sot, që rilidhen në sistem, formalizohen, shkojnë atje dhe nuk marrin shërbimin e merituar, siç nuk marrin shërbimin e merituar shumë pagues të rregullt, siç ka shumë që vuajnë nga arbitrariteti dhe për këtë përgjegjësi dhe për këtë shërbim, ende larg parametrave që ne duam, ne do ndërtojmë një mekanizëm lehtësues të pagesave për qytetarët. Do të jetë një mekanizëm që në të gjitha rastet do të favorizojë pagimin dhe jo mospagimin, do favorizojë ngutjen drejt arkës dhe jo “futja gjumit se kemi kohë për ta paguar”, do të favorizojë ata që janë gati të japin më shumë në momentin e parë. Pa diskutim!

Kjo është rruga e vetme. Gjithë rrugët e tjera janë provuar, kemi pasur vite të tëra për t’i parë se ku nxjerrin. Të gjitha nxjerrin po aty, te “pallati i Lala Gjonit”. Ne, “Shqipërinë e Lala Gjonit” e kemi lënë pas dhe na duhet tani të konfirmojmë që Shqipëria tjetër është plotësisht e mundshme.

Faleminderit!”

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Afera ‘Partizani’/ Berisha duhet të paraqitet sot në SPAK, mobilizon militantët në protestë! Paralelisht seanca paraprake në GJKKO