Fjala e Kryeministrit Edi Rama në 
Asamblenë Parlamentare të NATO-s

I nderuar zoti Kryetar!

Të nderuar parlamentarë!

Zonja dhe zotërinj!

Shumë i dashur Kryeministër i Malit të Zi!

Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe shpresoj që në këto pak ditë dhe në pak momentet që keni pasur jashtë ndriçimit artificial të sallës, keni mundur të kuptoni që ky është një vend ku ia vlen të rikthehesh.

Që kur skizma e madhe e ndau Europën në Lindje dhe Perëndim, rreth 1000 vjet më parë dhe deri në vitin 2009, kur u bë anëtare në NATO, Shqipëria dhe shqiptarët jetuan, ose më mirë të themi, mbijetuan në një kufi shumë serioz të botës. Për disa shekuj, kufiri që kalonte këtu ishte bizantin, shumë shekuj të tjerë, ai ishte otoman dhe së fundmi, komunist. Përpjekjet për mbijetesë në këtë kufi që ndau botën e kanë determinuar thellë të gjithë profilin politik social, kulturor e ekonomik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Te ky kufi mijëvjeçar gjenden shumë përgjigje për të shkuarën dhe të sotmen tonë.

Anëtarësimi në NATO, që ishte faktikisht edhe një lloj largimi i kufirit nga ne, ka qenë një bing-bang historik, i cili ka përcaktuar përfundimisht një të ardhme të re për popullin shqiptar, duke hapur një mundësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar prosperitetin në kushte krejtësisht të ndryshme dhe qenësisht të favorshme.

Pasi kemi mbushur vitin e shtatë të anëtarësisë tonë në Aleancë, ne sot kemi nderin të presim në Tiranë, Asamblenë Parlamentare të NATO-s, këtë forum shumë të rëndësishëm euroatlantik. Me këtë rast, edhe në emër të qeverisë shqiptare, uroj që kjo Asamble këtu në Tiranë të jetë një sukses.

Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme, kryetarin e delegacionit shqiptar në Asamble, Pandeli Majkon, i cili, me ardhjen tuaj këtu, ka realizuar një ëndërr, që jam dëshmitar, është shumë e vjetër. Tani mbetet të realizojë edhe një ëndërr tjetër, një bazë të NATO-s në Shqipëri.

Sesioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s mbahet në prag të Samitit të Varshavës, i cili pritet ta orientojë Aleancën tonë në një moment të komplikuar historik, kur mjedisi i sigurisë euroatlantike po përballet me ndryshime tektonike në Lindje, në Jug dhe në Veri. Ky mjedis sigurie sfidues ka natyrisht ndikimet e veta edhe në Europën Juglindore. Me gjithë rëndësinë e padiskutueshme që ka rajoni ynë për Bashkimin Europian dhe për NATO-n, sot ai mbetet një hapësirë ku as Bashkimi Europian dhe as NATO nuk janë shtrirë ende plotësisht, duke e lënë kështu të paplotësuar, nevojën për një Europë plotësisht të kompletuar dhe tërësisht të lirë.

Ekzistenca e NATO-s në vitet e ndryshimeve epokale të fundit të viteve ’80-të të shekullit të kaluar dhe zgjerimi i saj, pas rënies së komunizmit, ka qenë një faktor bazë për ruajtjen e paqes në Europë dhe shtrirjes së hapësirave të lirisë në lindje të kontinentit, duke e mbushur shpejt, vakumin e krijuar nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Por kjo gjë nuk ndodhi me të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën vendosmëri në Ballkan, ku NATO nuk e dominoi menjëherë vakumin, e krijuar pas ndryshimeve tektonike që pësoi gadishulli nga shpërbërja e Jugosllavisë. Problemet e krijuara nga kjo vonesë janë të njohura, ndërkohë që procesi i shtrirjes së NATO-s në Ballkan, ende i papërfunduar.

Prandaj, nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit me Malin e Zi, vetëm para pak ditësh, është një hap i rëndësishëm strategjik i Aleancës, në drejtim të jetësimit të politikës të dyerve të hapura. Jam krenar që Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht, qysh në krye të herës, edhe kur kishte shumë skepticizëm rreth temës së Malit të Zi, hapjen drejt Malit të Zi dhe integrimin e Malit të Zi. Sepse, përveç të tjerash, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO e shndërron detin Adriatik në një det të brendshëm të Aleancës, duke projektuar kështu, më shumë stabilitet demokratik në hapësirën e Europës Adriatike.

Aq sa ne kemi mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, aq kemi shpresuar dhe shpresojmë, kemi punuar dhe do të punojmë që edhe Maqedonia të ankorohet në kursin euroatlantik. Eliminimi i trashëgimisë jugosllave në mendësi dhe në praktikën shtetërore mbetet një parakusht “sine qua non” për të ardhmen e atij vendi, për të cilin Shqipëria është e interesuar që të jetë sa më demokratik, sa më i begatë e padyshim, sa më i konsoliduar.

Ne besojmë në potencialin e Maqedonisë dhe e çmojmë investimin konstant të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për sigurinë demokratike të saj. Maqedonia ka shansin që të ndërtojë të ardhmen e saj, jo mbi formulat arkaike të aritmetikave etnike, fetare apo kulturore, por mbi bazën e vlerave të mëdha të lirisë e të progresit, si kusht për bashkëjetesën e qytetarëve të lirë. Një shtet dhe një shoqëri e tillë, pa hierarki të imponuar etnike dhe kulturore, i integruar në NATO dhe Bashkimin Europian, do të jetë pa asnjë dyshim një faktor dhe një model shumë i rëndësishëm për një Ballkan në paqe dhe prosperitet. Ngrirja e proceseve të paqëtimit të brendshëm dhe të integrimit euroatlantik në Maqedoni, gjatë viteve të fundit, vetëm e shton nevojën për mbështetjen e fuqishme nga ana e NATO-s dhe e Bashkimit Europian për Maqedoninë.

Nëse Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia duhet që heterogjenitetin etnik, kulturor apo fetar të tyre, ta shndërrojnë në motorin e integrimit euroatlantik, Kosova duhet të shndërrojë homogjenitetin e saj në një faktor integrimi euroatlantik. Këtë e them sepse, për fat të keq, ende ka aktorë të veçantë të skenës europiane që e konsiderojnë homogjenitetin e Kosovës si problem më vete. Këto qasje bëjnë që shteti më i ri i Europës, ende të përpiqet që thjesht t’i njihet nga disa vende europiane, e drejta për të ekzistuar, apo për t’u integruar, duke u njohur dhe duke u pranuar. Ndërkohë që është pikëpamja jonë, shumë e qëndrueshme, se koha që jetojmë na vë të gjithëve përballë sfidash të reja në përmasë dhe në rrezik, përballë të cilave, shumë prej mekanizmave tradicionalë, që kanë imponuar këtë marrëdhënie krejtësisht kushtëzuese për Kosovën, duhen lënë pas, në emër të stabilitetit dhe të sigurisë të gjithsecilit dhe të gjithëve së bashku.

Ne besojmë fort se integrimi i Kosovës në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo thjesht për Kosovën, as vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Mbetet i padiskutueshëm fakti që përgjegjësitë e integrimit të Kosovës nuk mund të kërkohen vetëm jashtë saj. Udhëheqja politike, institucionet dhe mbarë shoqëria e Kosovës, padyshim, do të mbajnë barrën kryesore në këtë proces jetik si për shtetin më të ri në Europë, ashtu dhe për krejt rajonin. Por institucionalizimi i marrëdhënieve NATO-Kosovë dhe më pas, ankorimi i Kosovës në familjen e përbashkët euroatlantike, duhet parë si katalizator për të gjithë procesin integrues të rajonit.

Integrimi në Aleancë i vendeve të rajonit që aspirojnë fort anëtarësimin, siç është Kosova, do të jetë një faktor reflektimi dhe inkurajimi edhe për vende që ende janë të dyzuara në raportet e tyre me NATO-n. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO do të jetë padyshim një investim strategjik, kapital, përmes të cilit, arkitektura e sigurisë europiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit do të merrnin një trajtë shumë të më plotë dhe shumë më të sigurtë. Kjo do të ishte në një kohë, përgjigja më e qartë si për ambiciet gjeopolitike të aktorëve të tjerë dhe të rajonit, ashtu edhe përballë valëve të rreziqeve dhe kërcënimeve që vijnë pa ndërprerje nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Të nderuar pjesëmarrës!

Samiti i Varshavës, që zhvillohet në vendin ku para 61 vjetësh u krijua Traktati i Varshavës, do të mbetet historik, jo vetëm për shkak të simbolikës që vetë kryeqyteti i Polonisë mban mbi vete, por edhe për domethënien e problemeve që kërkojnë trajtim dhe zgjidhje prej këtij Samiti. Nga njëra anë, Rusia po aplikon një doktrinë përherë e më agresive, me një dispozitiv ushtarak në rritje, që mbetet një shqetësim konstant. Nga ana tjetër, valët e terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe kriza e refugjatëve që e ka origjinën në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë për arkitekturën e sigurisë europiane.

Në këto kushte, ne duhet të përforcojmë, por dhe të zgjerojmë gamën e kapaciteteve tona, për të përballuar me sukses rreziqe që përherë e më shumë po marrin trajtë dhe një natyrë globale dhe që përherë e më shumë sfidojnë mekanizmat tradicionale të përgjigjeve ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve. Nevoja për një spektër shumë të gjerë kapacitetesh krijon hapësira të mëdha, që të gjithë vendet anëtare në NATO të mund të japin një kontribut thelbësor, pavarësisht madhësisë së tyre.

Duke qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për mundësitë modeste të Shqipërisë, për të ofruar kapacitete ushtarake konvencionale, ne jemi po ashtu të vetëdijshëm në mundësinë për të dhënë kontribute të spikatura në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, jo vetëm duke u rreshtuar krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë në çdo front, por dhe duke qenë pjesë aktive e një fronti që shkon përtej mjeteve konvencionale, në këtë betejë globale.

Në këtë kufi, ku prej 1000 vjetësh deri në ditën kur u anëtarësuan në NATO, shqiptarët kanë qenë vazhdimisht nën presionin e të mbijetuarit, kanë arritur sidoqoftë, përgjatë shekujve të ndërtojnë një bashkësi e më pas një shtet, të bazuar në qytetarë me besime të ndryshme, por në harmoni të plotë fetare, apo, siç do të shprehej Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, në një vëllazëri të plotë fetare, si rrallë tjetërkund.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria numëronte thuajse dhjetëfishin e numrit të hebrenjve që kishte pasur në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe mbetet e do të mbete gjithmonë, një vend me historinë krenare të mosdorëzimit të asnjë hebreu në duart e nazistëve. E ndërkohë, me rrëfime të jashtëzakonshme të marrjes në mbrojtje të hebrenjve prej familjesh të krishtera, por edhe në shumicën e herës prej familjesh myslimane.

Një popull që së fundmi i dha trashëgimisë europiane, 38 martirë të lirisë dhe të fesë, të cilët u bënë të tillë si përfaqësues të klerit katolik në ferrin e torturave të një regjimi brutal komunist që ndryshe nga të gjithë regjimet komuniste të vendeve të perandorisë sovjetike guxoi të shkonte deri në shpalljen e Zotit si të paligjshëm.

Në shtator të këtij viti, shqiptarët dhe Shqipëria do të identifikohen edhe me shenjtore më të re të krishterimit, Nënë Terezën, duke u ndjerë jo vetëm në të drejtën, por dhe në detyrën për të kultivuar, përsosur e ndarë me të tjerët, gjithë këtë softëare të çmuar të trashëgimisë tonë, që mund të shërbejë si një antidot i dobishëm kundër çdo lloj ekstremizmi.

Ne jemi angazhuar që në Tiranë të ngremë Qendrën Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Ndërsa në Varshavë, Shqipëria do të vijë si një vend që ka bërë përpjekje serioze për zbatimin e angazhimeve të pranuara në samitin e Ëells-it, si në drejtimin të modernizimit të kapaciteteve të mbrojtjes, ashtu dhe në drejtim të përmirësimit të buxhetit të mbrojtjes. Në buxhetin e këtij viti, ne arritën të ndryshojmë trendin rënës të viteve të fundit dhe të shënojmë një rritje domethënëse në shpenzimet e mbrojtjes. Po ashtu, pjesëmarrja dhe aktivizimi ynë, me resurse dhe kapacitete ushtarake në kuadër të NATO-s, ka njohur një intensifikim të dukshëm, sasior dhe cilësor.

Në të njëjtën kohë, ne po kombinojmë përpjekjet e mësipërme me vijimin e reformave shtetkonsoliduese, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sigurinë demokratike. Energjitë tona për momentin janë të orientuara të gjitha drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi. Miratimi e më pas zbatimi i kësaj reforme thelbësore në procesin e integrimit, që për ne është një proces i pandërprerë modernizimi i shtetit dhe institucioneve, do të përbëjë një moment shumë të rëndësishëm për të hapur një kapitull të ri të konsolidimit demokratik, që përkon me një hap të ri në procesin e integrimit europian, çeljen e negociatave për anëtarësim.

E fundit, por jo për nga rëndësia.

NATO dhe turizmi janë dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por besoj se kjo nuk do të thotë që njerëzit që punojnë për NATO-n janë të pa interesuar për turizmin. Prandaj shpresoj që aq pak sa keni parë në Tiranë, ju ka nxitur kuriozitetin për t’u rikthyer. Ju siguroj se, nëse bukuria e vendit tonë, klima e jashtëzakonshme e tij dhe mikpritja që në këto ditë ju kanë bërë kaq shumë përshtypje, sipas gjithçkaje kam mundur të dëgjoj drejtpërdrejtë ose indirekt, atëherë kthehuni sa më parë në Shqipëri si turistë, sepse nuk keni parë asgjë akoma.

Shumë faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar