Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të kartave elektronike për furnizimin me karburant të automjeteve në Policinë e Shtetit‏

Janë akoma të freskëta pamjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që shtynin automjetet e ngecura rrugëve për mungesë karburanti, pasqyrë e një historie të turpshme dhe të gjatë vjedhjeje me tallonat e karburantit.

Sot, ne jemi këtu, për të deklaruar se kësaj praktike të ndyrë shtetërore, 20 e kusur vjeçare, i japim fund dhe jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha institucionet shtetërore që përdorin automjete dhe çdo vit hapin gropa në buxhet, për shkak të vjedhjes masive, epidemike, të parave përmes abuzimeve me tallonat e karburantit.

Sot është Policia e Shtetit që fillon një proces të nisur qysh në janar, me një projekt-test me 150 automjete dhe më pas të shtrirë në periudhën prill-qershor në të gjithë logjistikën e saj.

Është e rëndësishme të ritheksohet ajo që në mënyrë të përsëritur unë kam nënvizuar. Policia e Shtetit, falë lidershipit të ministrit dhe një skuadre njerëzish të prirur për të bashkuar teknologjinë me njeriun në Policinë e Shtetit, është një sektor lider në këtë revolucion teknologjik. Revolucion që ne po përpiqemi të çojmë përpara në çdo sektor.

Ja sesi eksperienca e Policisë së Shtetit, sot është një bazë për të shtrirë këtë transformim teknologjik në të gjitha institucionet dhe për të bërë të mundur kursimin e 8 milionë litrave karburant. Që do të thotë, kursimin e rreth 9 milionë dollarëve vjedhje e përvitshme, epidemike, në të gjithë territorin, nga ana e njerëzve që marrin tallona, japin tallona, nxjerrin e fusin tallona dhe grabisin shtetin.

Vetëm në periudhën prill-qershor, Policia ka kursyer 150 mijë dollarë nga zëri i shpenzimeve për karburant. Në vit, parashikimi është për gjysmë milionë dollarë kursime vetëm nga karburanti.

Por nuk është thjesht çështja te kursimi. Ajo që është po kaq e rëndësishme, është se Policisë së Shtetit nuk do t’i mungojë asnjë sekondë karburanti, siç ndodhte për vite të tëra. Për turpin e dheut, një polici e diskretituar publikisht dhe e tallur botërisht, që shtynte automjetet se i mbeteshin në rrugë për mungesë karburanti.

Nuk ishte mungesë karburanti, por ishte vjedhje, grabitja e parave për karburant dhe pastaj, lënia në rrugë e policisë dhe e automjeteve të saj, që në vend të përdoreshin për t’u shërbyer njerëzve e për të ndjekur pas kriminelët, u kthyen në objekte estrade popullore.

9 milionë dollarë të kursyera janë shumë, po të mendojmë që vijnë vetëm nga zëri karburant për automjetet e institucioneve shtetërore.

Garantimi i furnizimit të rregullt, 24 orë në 24, për 365 ditë të vitit, pa lënë më shteg për abuzime mbi abuzime dhe për kërkesa shtesë për para, se medemek u harxhuan paratë e karburantit, përbëjnë një revolucion të vërtetë, si pjesë e transformimit rrënjësor që ne po sjellim hap pas hapi, përmes teknologjisë.

Çdo furnizim që bën një mjet shtetëror do të regjistrohet në kohë reale, duke përcaktuar saktësisht edhe vendin e furnizimit, edhe detajet e furnizimit dhe të litrave të mbetura në dispozicion.

Vetëm me një kartë teknologjike shmanget vazhdimi i një epoke të turpshme abuzimi, grabitjeje me damkën e shtetit. Është i njëjti sistem që përdoret për furnizimin me karburant në policinë amerikane dhe në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të Bashkimit Europian, jo në të gjitha.

Ne jemi shumë krenarë që tani, edhe Policia jonë e Shtetit, por edhe institucionet tona do të përfshihen në këtë sistem.

Të bësh historinë e Policisë së Shtetit deri vetëm më pak se 3 vjet më parë është e kotë sot, sepse mjafton të kujtojmë pamjet e automjeteve të mbetura rrugëve, me policë që i shtynin. Por është gjithmonë me rëndësi të nënvizohet se, përkundër gjithë baltës, gjithë akuzave nga më monstruozet dhe qëllimit, sa ogurzi, aq edhe vulgar për të kriminalizuar Policinë e Shtetit, Policia e Shtetit, në fakt, përbën sot një histori të sigurt suksesi. Një histori suksesi të qëndrueshëm, sepse gjithçka është bërë nuk na mjafton për ta quajtur të kryer punën tonë, por na del e na tepron për të thënë se e kemi shumë të qartë se çfarë mbetet për t’u bërë.

Kemi provat e sigurta, të prekshme, të faktit që e dimë shumë mirë punën që na kanë ngarkuar qytetarët.

I jam falenderues të gjithë drejtuesve të Policisë së Shtetit. Njerëz që eksperiencën e tyre dhe pasionin e tyre për punën, më në fund kanë mundësi ta vënë në dispozicion të uniformës dhe të publikut, sepse nuk janë më të tradhtuar, të abuzuar e të lënë më si jetimë, nën presingun vulgar të interesave të politikës së lidhur me krimin, apo të krimit të lidhur me politikën. Janë njerëz të lirë, profesionistë të denjë, qytetarë të përgjegjshëm që po e çojnë Policinë e Shtetit në një nivel që nuk ka qenë kurrë më parë. Por, shpresoj që, edhe ata të jenë të vetëdijshëm se çfarë mbetet për t’u bërë është shumë më tepër se ç’kemi bërë deri tani.

Po të marrin gjithë listën e përparimeve të bëra dhe e rezultateve të prekshme, janë gjëra që deri përpara më pak se tre vitesh as nuk mund të imagjinoheshin. Sikur t’ua tregonin njerëzve, do të na merrnin për romantikë, jashtë realitetit. Nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë intensivisht punën, për të rritur kapacitetin moral të Policisë së Shtetit në gjithë territorin, për të rritur kapacitetin e komunikimit të çdo punonjësi të Policisë së Shtetit në gjithë territorin, për të bërë të mundur që njësoj siç krijojnë mbresat më të mira tek të gjithë, vajzat e veshura me uniformën e Policisë së Shtetit në qendër të Tiranës, të njëjtat mbresa t’i krijojë çdo punonjës policie nga Tropoja në Konispol. Të mos jetë nevoja të vish në qendër të Tiranë për të parë fytyrën e re të Policisë së Shtetit, por ta shohësh atë kudo ku ka një uniformë të punonjësit të policisë.

Të mos tremben burrat se nuk po propozoj që ta mbushim policinë me vajza, edhe pse nuk besoj se do ta bënin punën më keq se burrat, përkundrazi! Por duke ruajtur minimumin 30% të vajzave në Policinë e Shtetit, ne do të vazhdojmë të konsolidojmë shembullin e tyre. Shembull i freskët dhe i prekshëm i transformimit të Policisë së Shtetit në raportin me qytetarin. Një shembull që duhet përçuar tek të gjithë.

Po ashtu kemi shumë për të bërë për të ulur moshën. Gjetëm policinë më të rraskapitur, më të vjetër në moshë dhe më të paedukuar të rajonit. Nuk po e krahasojmë me Europën se ky krahasim as nuk mund të bëhet. Kemi ulur moshën, kemi rritur nivelin e edukimit, por kjo është kjo edhe një çështje objektive vitesh. Akademia e Sigurisë, të cilën ne e rihapëm pas një periudhe të tërë, krejtësisht absurde, transformimi të saj nga një akademi serioze policie në një kurs plepash për policinë, po bën një punë të admirueshme. Por edhe Akademia e Sigurisë ka shumë për të bërë, për të qenë në standardet e akademive të policisë në Europë.

Kam marrë mbresa shumë pozitive nga partnerë që e kanë vizituar apo bashkëpunojnë me Akademinë. Në të njëjtën kohë jam i vetëdijshëm dhe shpresoj që të jeni të vetëdijshëm të gjithë për boshllëqet e mëdha që ka krijuar periudha e çmendurisë, që i vuri drynin Akademisë si një shkollë e lartë për të përgatitur punonjës policie të denjë e të aftë për sfidat shumë komplekse të kohës dhe e mbolli territorin aty me plepa, që si hynin, dilnin e visheshin policë pastaj. Është një boshllëk që duhet ta mbushim me shpejtësi.

Është me rëndësi të madhe që lufta kundër korrupsionit dhe lufta për pastërti, transparencë, për qëndrueshmëri morale, të padiskutueshme në çdo qelizë të Policisë së Shtetit, të vazhdojë brenda Policisë së Shtetit. Është bërë shumë, por nuk ka diskutim se vetëm duke pastruar në çdo qelizë, korrupsionin brenda Policisë së Shtetit mund të transformojmë moralisht jo vetëm Policinë e Shtetit, por gjithë raportin e shoqërisë me policinë dhe me ligjin.

Forca e shembullit dhe jo shembulli forcës është deviza jonë dhe duhet të jetë moto e përditshme e Policisë së Shtetit.

Forca e shembullit të vajzave të veshura me uniformën e policisë, që nuk bërtasin, as nuk fërshëllejnë, as tundin krahët e këmbët nëpër rrugë dhe bëjnë që t’ju ndalojë para këmbëve çdo qytetar, me çfarëdolloj statusi, ta marri gjobën thuajse i lumtur dhe të mos ketë asnjë rrugë tjetër. Këtë gjë duhet ta shohim si një mësim të madh, sepse uniforma e ka vetë fuqinë dhe atë fuqi, vetëm e dobëson vulgariteti dhe arroganca që prodhon zëri i njeriut me uniformë.

Duke ju lutur të gjithëve që të mos e harroni Faik Konicën, i cili tek libri i tij “Katër përralla nga Zululandi”, - që ju këshilloj t’ia dhuroni gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, - përshkruan sesi një i mençur përqeshet nga drejtuesit e paskalitur në tru të një shteti komplet imagjinar. Kjo është epoka që ne po ndajmë dhe për këtë ndarje na duhet që çdo shembull i ​mirë të shtrihet në të gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe çdo shembull i keq të bëhet shembull për të mos u përsëritur nga të tjerët.

Jemi në drejtimin e duhur dhe Policia e Shtetit, drejtuesit e saj po dëshmojnë çdo ditë se janë shumë të vetëdijshëm e të gatshëm për ta çuar përpara këtë proces transformimi historik. Por larg qoftë që të kënaqemi me çfarë kemi arritur dhe mbi të gjitha që të pajtohemi me sjellje, akte e situata, që nuk përputhen me këtë moral të ri që po ndërtojmë në Policinë e Shtetit. Papajtueshmëria me shembujt negativë të së shkuarës, papajtueshmëria me çdo shfaqe të inercisë të së shkuarës, papajtueshmëria në çdo moment, me këdo që gabon duke vazhduar të sillet si në të shkuarën, duhet të jetë normë e çdo minute punë të drejtuesve të Policisë së Shteti.

Edhe një herë, shumë faleminderit të gjithëve dhe respekt për punën tuaj të jashtëzakonshme, që është puna më kuptimplotë dhe ilustrimi më spektakolar i shprehjes “Qentë le të lehin, karvani do ecë përpara”.

Shumë faleminderit!


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë