Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama në 24 vjetorin e FRESSH

Në radhë të parë faleminderit që u larguat që këtu, sepse do të ndihesha shumë në vështirësi bashkë me atë djalin e vetëm që ishte në mes të vajzave. 

Duke ju parë po mendoja që vërtet Partia Socialiste është e angazhuar, me zemër dhe mendje, në një betejë emancipuese për barazinë gjinore, por jo deri në pikën sa të kemi 10% burra dhe djem, dhe 90% gra dhe vajza, sepse pastaj do të kalonim nga diktatura e burrave, tek diktatura e grave, e cila kur e mendon mund të duket më e pëlqyeshme, por jam i bindur që si çdo diktaturë është një ferr më vete.

Unë ju jam mirënjohës që sot jeni këtu. Ne jemi takuar edhe një herë me një pjesë tuajën, kur dëshironit që të shprehnit dëshirën për t’u përfshirë në këtë proces të pandërprerë por, në këtë fazë të kohës, të fokusuar të Partisë Socialiste, për t’u riorganizuar dhe për të bërë zgjedhjet e reja, por siç e kujtoni, ju thashë të merrni kohë, ta mendoni më mirë, ta vendosni me më shumë diskutim me veten dhe me të tjerët, pasi ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë, sidomos për njerëz si ju që jeni një model i bazuar tek puna e madhe dhe tek vullneti i fortë në fushën e dijes.

Kjo e bën mirënjohjen time për praninë tuaj këtu dhe për këtë hap të hedhur drejt Partisë Socialiste një mirënjohje të thellë, të vërtetë dhe aspak shprehje formale të një fjalimi të rastit.

Duke pasur praninë tuaj në këtë proces të ripërtëritjes së Partisë Socialiste, ne marrim një kurajë të veçantë. Për mua është një inkurajim shumë i posaçëm, pasi asnjëri nga ju nuk është një individ që mund të gënjehet, që mund të manipulohet dhe që mund të tërhiqet pas një ideje apo një force nëse ideja dhe forca në fjalë nuk e kanë fuqinë e duhur bindëse për zemrën dhe për mendjen.

Kjo, pikërisht më tregon, edhe pa pasur nevojë për fjalë, që çka ne po bëjmë meriton respektin tuaj. Respekti juaj për atë që ne po përpiqemi të bëjmë është çmimi më i lartë që unë mund të merrja si Kryeministër, pas dy vitesh e gjysmë përpjekje dhe ju falenderoj shumë për këtë çmim.

Unë kam bindjen se ardhja juaj në Partinë Socialiste çel një rrugë të re, në një kohë që nuk është e lehtë për vendin, nuk është e lehtë as për politikën. Politika ka marrë shumë goditje dhe është e cenuar rëndë në imazhin dhe në besueshmërinë e saj.

Ndërkohë, vendi është në një proces kompleks sfidash, vështirësish, përpjekjesh për transformim por edhe mbiprodhimi të energjive negative dhe të cinizmit ndaj çdo gjëje që ndodh. Sigurisht, një mbiprodhim që nuk e ndal dot procesin ku ne po udhëheqim, me bindje të madhe dhe me vullnet të hekurt, një sërë reformash, por pa dyshim e pengon jashtë mase.

Unë besoj që ka qenë një ide më shumë se sa e mirë, e ministrit të Mirëqenies Sociale, në rolin e tij si Sekretar i Organizimit të Partisë Socialiste, për të ngulmuar që ne të hidhnim hapat e nevojshëm drejt jush. Po ashtu për ta finalizuar këtë komunikim në distancë dhe përfshirjen tuaj në Partinë Socialiste, pikërisht sot, në ditën e lindjes së Forumit Rinor Euro-Socialist, i cili është një organizatë e të rinjve brenda Partisë Socialiste, që ka një histori të posaçme dhe që i ka dhënë Partisë Socialiste, por i ka dhënë edhe vendit një kontribut të çmuar në burime njerëzore. Madje, ka nxjerrë edhe dy Kryeministra, pa llogaritur ministrat, zëvendësministrat apo të tjerët.

Është një mënyrë e veçantë për ta kremtuar këtë ditë por është edhe një detyrim i veçantë i yni që ardhjen tuaj në Partinë Socialiste, anëtarësimin tuaj në Partinë Socialiste të mos ta trajtojmë si diçka të zakonshme, si diçka që mund të lihet jashtë vëmendjes, jo vetëm tonës, sepse bashkë me një pjesë të madhe prej jush jemi takuar pa kamera, por as jashtë vëmendjes së të gjithë opinionit publik.

Ajo që ju bëni sot, duke u anëtarësuar në Partinë Socialiste, është një mesazh shumë kuptimplotë për të gjithë opinionin publik. Është një mesazh, të cilit ne duam t’i japim të gjithë hapësirën e vëmendjes që meriton, pasi ju jeni të veçantë. Ju jeni një shembull shumë inkurajues, por edhe shumë kuptimplotë. Inkurajues për mua, inkurajues për të gjithë ata që njësoj si unë duan t’i shërbejnë Shqipërisë me përkushtim dhe ta shfrytëzojnë mundësinë e madhe që iu është dhënë për të shërbyer, për të lënë gjurmë. Por edhe një mesazh kuptimplotë për të gjithë ata që kanë zgjedhur vetëm të ankohen, vetëm të shfryjnë, vetëm të përsërisin pa pushim se “ky vend s’bëhet”, se “këtu gjithçka shkon keq|, se “këtu, çdo gjë që ndodh, në përpjekjen për ta bërë këtë vend, ka mbas një arsye të errët” e kështu me radhë.

Midis jush, jam i bindur, ka plot që i kanë prindërit në vështirësi, ka plot që mund të kenë njërin prej prindërve pa punë, ka plot që për t’i krijuar vetes mundësinë e studimit të përkushtuar dhe të marrjes së rezultateve ekselente nga ky studim i përkushtuar iu duhet të bëjnë sakrifica të posaçme. Secili prej jush mund ta kishte fare të lehtë dhe do të ishte tërësisht i mirëkuptuar, nëse do të përdorte papunësinë e prindërve, vështirësinë ekonomike të familjes, pamundësinë e krijuar nga pengesa nga më të ndryshmet që njeriu i ndesh në këtë vend si alibi apo justifikim, për të mos qenë ekselent. Askush nuk do të mund t’ju thoshte se jeni në gabim. 

Përkundrazi, shumë të tjerë e bëjnë këtë gjë. Fshihen pas papunësisë së prindërve, fshihen pas varfërisë së familjes, fshihen pas pengesave që iu shfaqen në rrugë nga klientelizimi, nga korrupsioni, nga nepotizmi, nga burokracia, për të qenë ngelës, për të qenë mediokër, apo edhe për të ndenjur kot, për të mos bërë asgjë, për t’i shpenzuar lekët e marra nga babi dhe nga mami për telefon, për Facebook dhe për të prodhuar energji negative përmes pjesëmarrjes në rrjetet sociale. Ndërkohë që shembulli juaj është njësoj si shembulli i Shqipërisë. Shembulli i çdo familje nga ju vini është njësoj si shembulli i Shqipërisë.

Shqipëria është një vend i pasur, por është ende larg së pasuri nën kontroll pasurinë e vet dhe të shfrytëzuarit e pasurisë së vet për mirëqenien e të gjithë njerëzve të saj. Shqipëria, sot është një familje që ka halle dhe probleme të ngjashme me hallet dhe problemet e çdo familjeje të zakonshme shqiptare. Por fakti që ju i keni mundur të gjitha këto pengesa, në radhë të parë, duke vendosur që të mos i konsideroni si justifikime për të mos shkuar pas ëndrrës tuaj dhe keni vendosur t’i shkoni drejt, çdo ditë, hap pas hapi, me shumë vështirësi, drejtimit të ëndrrës tuaj, tregon që edhe Shqipëria mund të bëjë të njëjtën gjë.

Unë jam këtu për të luftuar çdo ditë, bashkë me ju dhe me të gjithë ata që mendojnë njësoj si ne, që Shqipëria ta bëjë të njëjtën gjë dhe që falë punës tonë, familja e madhe, vendi ynë të marrë mbrapsht rezultatet e atij investimi që bashkë me prindërit tuaj, ju po bëni dhe që do të jenë rezultate për familjen tuaj, nesër.

Në një prej librave të tij, Presidenti Obama thotë: “Ndryshimi nuk vjen, nëse presim dikë tjetër, apo presim një kohë tjetër. Ne jemi dikush që kemi qenë duke pritur dhe jemi ne vetë ndryshimi që kërkojmë.”

Ju jeni ilustrimi më besnik i këtij fakti. Nëse ju do të rrinit apo rrini të prisni dikë tjetër apo një kohë tjetër, që studimet tuaja të jenë me rezultate ekselente, koha e studimeve do të kishte kaluar dhe do të kalojë dhe ju nuk do të ishit dhe nuk do të jeni dot studentët e ekselencës. Por ju, individualisht, në jetën tuaj keni bërë zgjedhjen tuaj, keni vendosur që të jeni ju ndryshimi që nuk është i prekshëm aty ku ju studioni. Ta bëni ju ndryshimin aty ku infrastruktura apo struktura, apo të dyja bashkë, në universitetin tuaj e pengojnë dhe nuk e bëjnë atë të mundur.

Ka një fakt shumë kuptimplotë që studentët e ekselencës në Shqipëri, kurdoherë dhe kudo që shkojnë për t’u sprovuar jashtë Shqipërisë, janë po ashtu po kaq të suksesshëm. Nuk dështojnë. E njëjta gjë vlen për studentët e shkëlqyer të Maturës Shtetërore. Janë kudo në çdo vend, në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, mes më të mirëve.

Përpara pak javësh isha në Turqi, bashkë me ministren e Arsimit. Më parë kishim bërë të mundur pesë bursa për pesë maturante, - edhe në atë rast ishin të gjitha vajza. Pesë  maturante që ishin në krye të listës së rezultateve të Maturës Shtetërore. Katër prej tyre vinin nga familje të varfra ose shumë të varfra, me prindër të vetëpunësuar ose të papunë. Jemi ndjerë shumë krenarë kur kemi marrë vesh që në universitetin më të njohur të Turqisë, i rankuar mes 100 universiteteve më të mirë të botës, maturantet shqiptare dolën më të mirat në testin për të hyrë në degët ku kishin kërkuar. Rektori i universitetit na tha: “Jemi të impresionuar nga dija dhe kapacitetet e tyre për ta përcjellë dijen.” Në një hark kohor aq të shkurtër, sa nuk kishin pasur kohë as të sistemoheshin përfundimisht, me të gjitha mundësitë, për arsye procedurash, kishin arritur të bënin një test ekselent.

E sjell si rast këtu, sepse është një nga shumë shembujt, qindra, mijëra shembujt që mund të merren në radhët e të rinjve, për të këmbëngulur në faktin se asgjë nuk është e pamundur, nëse një individ, një komunitet apo një vend, nuk e tradhton ëndrrën e vet përpara çfarëdolloj pengese dhe nuk i përdor pengesat si justifikime dhe si alibi për të tradhtuar ëndrrën.

Partia Socialiste është pa asnjë diskutim partia që ka në ADN-në e vet, disa elementë që të tjerët nuk i kanë. Është pa diskutim, një parti politike me nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë në raport me vlerat dhe parimet e botës që kemi zgjedhur të ndërtojmë, për të qenë pjesë e botës që kemi përcaktuar në horizontin e ëndrrës tonë europiane. Është pa asnjë diskutim, partia që në qeverisjen e vendit ka dhënë gjithmonë provën se edhe nëse s’është më e mira, më të mirë nuk kemi parë, siç thotë dhe ajo reklama.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Partia Socialiste është një parti e përsosur. E kundërta është e vërtetë. Partia Socialiste është një parti që është një kantier në proces, në një fazë historike edhe ndryshimi gjeneratash. Mbi të gjitha është një parti e hapur, një parti demokratike ku ka vend për të gjithë dhe ku ka nga të gjithë. 

Por pa as më të voglin dyshim, Partia Socialiste është një mundësi reale për ta vënë politikën në dispozicion të ëndrrave dhe shpresave të gjithsecilit dhe të këtij populli, të marrë së bashku. Është një mundësi reale për këdo që nuk mjaftohet vetëm duke qenë një shkencëtar i mirë, apo duke ëndërruar të jetë një shkencëtar i mirë, por do që të jetë edhe një qytetar i mirë. Një mundësi reale për këdo që nuk mjaftohet vetëm me 10-at në shkollë apo në universitet, por që kërkon më shumë jashtë pragut të shtëpisë së vet dhe jashtë pragut të klasës ku hyn e ku del për të marrë leksione dhe për të dhënë provime. Në fund të fundit, politika nuk është asgjë tjetër, përveçse mundësia që i jepet njeriut, për të bërë bashkë me të tjerë të mundura gjëra që i vetëm nuk i bën dot.

Bashkimin Europian e krijoi politika. Shtetet e Bashkuara i krijoi politika. Këto janë dy nga krijesat më kuptimplota për fuqinë që ka politika dhe për mundësinë që politika u jep njerëzve për t’u bërë së bashku dhe për të bërë vepra kaq madhështore, sa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe po ashtu, në çdo nivel dhe në çdo shkallë madhësie. Prandaj përfshirja juaj në Partinë Socialiste është më shumë sesa çfarë mund të duket dhe perceptohet në këtë moment, është një investim i madh i Partisë Socialiste në rritjen cilësore të kapitalit të vetë njerëzor, është një investim i madh sot, për të pasur nesër, një klasë të re drejtuesish të saj. Padyshim është një investim i madh për të zgjeruar hapësirën e vet dhe për të krijuar mundësi për të gjithë ata që njësoj si ju kanë nevojë për politikën, për të përmirësuar së bashku me të tjerët, cilësinë e jetës së tyre në këtë vend. E nëse këtë e bëni ju që jeni ekselentë, sigurisht që ky është një inkurajim edhe për të tjerët që mund të mos jenë me 10-ta, por mund të kenë pa dyshim, cilësi të shkëlqyera. Në fund të fundit, 10-tat janë shumëçka, por jo gjithçka dhe këtë e dini dhe ju vetë. Prandaj jeni këtu, se po të ishin 10-at gjithçka, asnjëri nga ju s’do të kishte ardhur këtu.

Unë kam nderin dhe kënaqësinë që sot t’ju jap disave prej jush, kartën e anëtarësimit në Partinë Socialiste. Them disave, pasi do t’i merrni të gjithë, por nuk do t’ju marrim kohë, duke ju mbajtur në radhë për t’ju dhënë kartat. Më besoni që ky është një moment shumë i veçantë në të gjithë periudhën që unë drejtoj Partinë Socialiste. Jo se nuk kemi pasur më parë studentë ekselentë, jo se nuk kemi pasur më parë, studentë dhe nxënës të shkëlqyer, jo se nuk kemi pasur më parë, arsye dhe jo të pakta për t’u ndierë mirë nga njerëzit që vijnë në Partinë Socialiste, por ardhja juaj, e një grupi kaq të gjerë studentësh të ekselencës për të marrë kartën e anëtarësimit në Partinë Socialiste dhe përfshirja juaj në një proces ripërtëritje, zgjerimi, fuqizimi të Partisë Socialiste, është lajmi më i mirë që mund të merrnim në këtë fillim viti. Ky është shembulli më i shkëlqyer që mund të kishim përpara syve, për t’u ndjerë të motivuar, për të vazhduar me vendosmëri edhe më të madhe rrugën e reformave dhe për të vazhduar me fuqi të bashkuara, bashkë me ju, këtë përpjekje të madhe historike për Shqipërinë.

Ne nuk po qeverisim sot për nesër. Ne po qeverisim sot, për të përcaktuar se cila do të jetë Shqipëria e mbas 20-25 viteve. Nëse 20-25 vite më parë do të kishte nisur për së mbari rruga e reformave që ne kemi nisur, Shqipëria, sot do të ishte krejt tjetër dhe temat e debateve, sot do të ishin krejt të tjera dhe sfidat tona do të ishin krejt të tjera. Por 20-25 vjet kaluan jashtëzakonisht shpejt. Më besoni që nuk është aq e largët koha, kur ai djali që ishte këtu, përpara sesa të vija unë, do t’i ketë humbur të gjitha flokët dhe do të dalë këtu dhe do t’u thotë të tjerëve “sa bukur është të jesh në Partinë Socialiste!”

Pikërisht sepse koha kalon shumë shpejt, nuk duhet të mendojmë që të punosh sot me vizionin dhe me bindjen se duhen bërë me çdo kosto, gjërat që nuk u bënë dhe na humbën 20 vite, për të përcaktuar 20 vitet e tjera dhe për të përcaktuar si do të jetë Shqipëria e 20 viteve të tjera, është absolutisht gjëja e duhur.

Duke ardhur në Partinë Socialiste të jeni të bindur që keni bërë gjënë e duhur. Po ashtu të jeni të bindur që do të ndesheni me shumë vështirësi, do të keni zhgënjime, do të mërziteni, do të keni momente kur do thoni “ç’mu desh kjo punë”, apo të thoni “të iki fare”. Por do të jenë vetëm momente, sepse ajo çka do të mund të jepni dhe ajo çka do të mund të përjetoni në sfidat e njëpasnjëshme dhe në betejat e njëpasnjëshme do të jetë e paçmuar për secilin prej jush që do ta vazhdojë këtë rrugë, duke pasur ambicien që të jetë edhe protagonist, gjë që nuk është absolutisht e detyrueshme. Sepse të jesh në Partinë Socialiste apo në një parti, nuk do të thotë të bëhesh politikan, apo të bësh karrierë politike, nuk do të thotë të braktisësh investimin që ke bërë, për t’u bërë shkencëtar, inxhinier, ekonomist apo çfarëdo qoftë dhe të bëhesh politikan. Absolutisht jo. 

 

***

 

200 studentë të ekselencës nga profile të ndryshme studimi u anëtarësuan sot në Partinë Socialiste, në një event të organizuar nën kujdesin e Sekretarit Organizativ Blendi Klosi. Ky event u zgjodh të zhvillohej pikërisht në ditën e 24 vjetorit të themelimit të FRESSH.

Duke marrë fjalën, studentët shprehën vlerësimin e tyre për mënyrën e qeverisjes nga Partia Socialiste dhe ambicien e tyre që një ditë të jenë pjesë e rëndësishme e saj.

Një nga studentet e ekonomisë, Fjona, u shpreh se besimi i saj tek Kryeministri Edi Rama bazohet tek prioriteti që qeveria u ka dhënë studentëve të ekselencës: “Unë besoj fort tek PS, sepse e di që ne qeverisemi nga një Kryeministër si Edi Rama, që i ka prioritet studentët e ekselencës.”

Një tjetër studente, këtë herë nga Universiteti i Sporteve, u shpreh: “Ne nuk flasim shumë, por preferojmë të bëjmë vepra, pavarësisht sfidave që na dalin përpara.”

Ndërkohë, ministri Klosi, nga ana e tij shprehu vlerësimin e tij për këta studentë, duke i quajtur ata “The Best”. Ai gjithashtu i uroi ata për zgjedhjen e bërë në këtë ditë të shënuar. “Ju përgëzoj për këtë zgjedhje të guximshme dhe largpamëse. Pra, që vendosët të merreni me politikë, me të vetmin mekanizëm demokratik, me të cilin shoqëritë demokratike mund të ndryshojnë gjërat për mirë”.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në përfundim të këtij takimi shpërndau personalisht kartat për anëtarët më të rinj të Partisë Socialiste.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Homazhe për Eglin Progën në Korçë, qytetarët kërkojnë drejtësi: Institucionet kanë detyrë të mbrojnë jetën