Fjala e Kryeministrit Rama

Shumë faleminderit të gjithëve. Sot është një ditë e shënuar, sepse shumë njerëz këtu në sallë e kanë një ditë të veçantë. Ata kanë ardhur për të marrë në dorë, kartën e anëtarësimit në Partinë Socialiste dhe për t’u bërë pjesë e kësaj familje të madhe. Në radhë të parë ju uroj atyre, vajza e djem, gra dhe burra, mirëseardhjen në familjen tonë politike.

Sot është po ashtu një ditë e mirë, sepse dje, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poors e ka rritur pikëzimin për ekonominë shqiptare në B+. Ky është një lajm shumë inkurajues, pasi vlerësimi i Standard & Poors është një vlerësim objektiv i një agjencie me reputacion absolut ndërkombëtar. Sigurisht që pozicioni në B+ nuk është maksimumi, por është pozicioni më i mirë që Shqipëria ka pasur dhe është një pozicion që nuk thotë se sot ekonomia në Shqipëri po lulëzon, por thotë se sot, reformat e mëdha dhe puna e madhe që ne kemi bërë, për t’i çuar përpara këto reforma, kanë vendosur një bazë dhe trupi jashtëzakonisht i sëmurë i ekonomisë sonë, që neve na u besua për ta operuar dhe për ta kuruar përpara dy vitesh e gjysmë, ka filluar të japë shenja të rëndësishme ripërtëritje. Natyrisht që duhet ende shumë punë dhe ende kohë e durim, që ky trup të fillojë të vrapojë, pasi bëhet fjalë për operimin e thellë, përmes reformave, të një kanceri që e kishte kapur në çdo sektor, organizimin e vendit tonë.

Është e lehtë të thuhet, por është e vështirë të bëhet, ajo që të gjithë ne themi dhe dëshirojmë, por një gjë është e sigurt, se sot, ndryshe nga dy vjet e gjysmë më parë, ka shumë më tepër arsye për të besuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku fëmijët tanë të mund të rriten, ashtu siç ne dëshirojmë; Ka shumë më tepër arsye për të besuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku vajzat dhe djemtë tanë të marrin shkollimin që meritojnë apo profesionin që u duhet, për të ecur në jetë me këmbët e tyre; Ka shumë më tepër arsye për të besuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku prindërit të mos kenë frikë të investojnë paratë e kursimeve të një jete për fëmijët e tyre dhe pastaj, fëmijët të kthehen në shtëpi si të diplomuar të papunë, për shkak se diplomat nuk kanë asnjë vlerë; Ka shumë arsye për të besuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku krimi nuk bën ligjin, por ku ligji e zmbraps dhe nënshtron, duke ndëshkuar krimin; Ka shumë arsye për të besuar se spitalet e Shqipërisë, që deri dje ishin ferri, mund të bëhen hapësirat e mikpritjes dhe të shërimit për të gjithë ata që trokasin në derën e spitalit.

Të gjitha këto që ne kemi arritur nuk janë arsye për të thënë se në dy vjet e gjysmë, ne e bëmë natën, ditë, e bëmë ferrin, parajsë dhe tani e kthyem Shqipërinë në oazin e lulëzimit ekonomik dhe social, por janë arsye të mjaftueshme për të thënë se ne po bëjmë shtetin që na duhet, për të ndërtuar shoqërinë, ekonominë dhe bashkëjetesën që na duhet. Këto janë arsyet e dy viteve e gjysmë dhe këto janë arsyet që ka sot, Partia Socialiste, për të pretenduar që shumë më tepër njerëz të bëhen pjesë e saj.

Partia Socialiste, sot është me gojën plot, kur troket në derën e një biznesi të vogël ku ka një familje të vetëpunësuar, sepse mund t’i thotë se pas shumë vitesh, taksa jote është zero dhe taksa jote u bë zero, sepse është Partia Socialiste e Shqipërisë që qeveris vendin. Prandaj eja edhe ti në Partinë Socialiste të Shqipërisë, pasi ka ende shumë për të bërë, natyrisht, sepse po të mos kishte, do të shkonim të gjithë në shtëpi.

Sot, Partia Socialiste e ka gojën plot për të shkuar tek çdo shqiptar dhe në çdo familje, për të thënë ne jemi votuar për të bërë shëndetësinë falas. Shëndetësia falas nuk është një fjalë goje. Shëndetësia falas është arsye e plotë për të kujtuar shprehjen “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, por ama sot, vetëm në dy vjet e gjysmë, shqiptarët mund të bëjnë analizat falas dhe shqiptarët e kanë mjekun e familjes falas. Të dyja këto, deri dje bëheshin me pagesë. Natyrisht do të shkojmë edhe tek spitali falas, por gjërat bëhen hap pas hapi dhe vit pas viti.

Këtu në Durrës janë bërë shumë legalizime. Ata që kanë legalizuar shtëpinë e dinë se edhe për të bërë një shtëpi pa leje, nuk mjafton ta thuash dhe të nesërmen ta kesh, por duhet kohë, mund dhe para. Edhe ata kanë harxhuar shumë kohë, shumë mund dhe kanë harxhuar të gjithë kursimet e tyre, për të bërë shtëpitë e tyre pa leje.

Atëherë, si mund të bëhet një shtet sa hap e mbyll sytë, si mund të bëhet një shtet ndryshe, përveçse si një shtëpi e madhe e përbashkët që do projektin, themelet, paratë dhe mbi të gjitha do mundin, djersën, përkushtimin dhe besimin e madh të familjes që e ndërton atë shtëpi. E pra, këtë po bëjmë ne. Ne nuk po ndërtojmë një shtëpi pa leje, por po ndërtojmë një shtet që t’u shërbejë, ashtu siç duhet, shqiptarëve.

Sikur sot të mos kishte më korrupsion, ne do të ishim vendi i një magjie të madhe. Por nuk mundet që korrupsioni ta hapë rrugën kaq kollaj, sepse në fund të fundit, çfarë është korrupsioni? Korrupsioni është mundësia e paligjshme për të marrë, duke paguar atë që shteti nuk ta jep menjëherë, ashtu siç të takon dhe për të mundur korrupsionin duhet të bëjmë shtetin që të jep atë që të takon dhe për të bërë shtetin që të jep atë që të takon, duhet të bëjmë reformat. Nuk mjafton të ndërrosh Lekën me Prengën, sepse Leka është hajdut dhe Prenga është i ndershëm, në rast se nuk ndërron sistemin dhe mënyrën sesi funksionojnë gjërat. 

Shikoni Policinë e Shtetit. Sot është koha për t’u kujtuar të gjithëve se dy vjet e gjysmë më parë, kur ne shkonim në fushatë, kryefjala ishte krimi, kryefjalë ishte “na mori frymën krimi, kriminelët dhe hajdutët”. Sot, kjo është kryefjalë në të përditshmen e atyre që deri dy vjet e gjysmë më parë ishin në pushtet dhe që ne gabimisht u themi opozita. Ata nuk janë opozita, por janë qeveria e vjetër, e cila ende nuk e ka kuptuar se shqiptarët duan më shumë, patjetër, duan që gjërat të bëhen edhe më mirë, patjetër, por shqiptarët nuk duan kurrën e kurrës që të kthehen tek qeveria e vjetër.

Mjafton të shohësh Policinë e Shtetit, aty ku e shihnim deri dy vjet e gjysmë më parë. Nuk ka nevojë të bëjmë shkencë të madhe e të futemi në shumë statistika e shifra që edhe ato flasin vetë, por mjafton të shohësh Policinë e Shtetit në rrugë kur ndalon makinën, mjafton të shohësh se për herë të parë në historinë e këtij vendi, në regjistrin e Policisë së Shtetit janë gjobitur dhe kanë paguar gjoba për parkim të gabuar, ministra, deputetë, drejtorë dhe cilido tjetër, njësoj, për të kuptuar se ka ndryshuar diçka në themel. Edhe kur flitet për Policinë e Shtetit, ajo që po ndryshon është se po bëhet policia e shtetit, jo policia e pushtetit, policia e interesave të më të fortëve, jo policia që makinën e një të forti, qoftë i fortë se ka një mandat politik apo i fortë se ka një revolte në xhep, e lë mbi trotuar dhe shkon e gjobit karrocën e një individi. Është policia që nuk bën dallime, është policia e plot vajzave dhe djemve që sot kanë filluar të flasin shqip dhe me edukatë. Jo një polici që nuk dinte të fliste dhe edhe kur tentonte të hapte gojën, nxirrte pasthirrma dhe të kërciste gjobën e korrupsionit, duke ngrënë farë kungulli.

Sigurisht që ndodhin krime. Po ku nuk ndodhim krime? Përpara pak javësh, natën e Vitit të Ri, në vendin më të sigurt të Europës, në sheshin e njërit prej qyteteve më të mëdha të atij vendi u deklaruan mbi 60 vajza dhe gra të përdhunuara. Për të mos folur për plot e plot raste të tjera. Është gjëja më e lehtë, por edhe gjëja më e turpshme dhe më mendjelehtë, që pas çdo krimi që ndodh, të çohesh e të baltosësh Policinë e Shtetit. Njerëzit nuk janë aq mendjelehtë sa, për fat të keq, politika i ka kujtuar gjithë këto vite. Njerëzit dinë shumë mirë ta bëjnë dallimin, prandaj sot, Policia e Shtetit është shëmbëlltyra e besimit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve se ka ende shumë për të bërë, por po bëhet shtet, se ka ende shumë për të përmirësuar, por pa dyshim nuk ka të krahasuar me dy vjet e gjysmë më parë. Çka po bën sot Policia e Shtetit, është një tjetër arsye për t’u thënë njerëzve: Eja sot në Partinë Socialiste, kemi nevojë edhe për ty, sepse Partia Socialiste është forca udhëheqëse e këtij transformimi të madh që po sjell shtet, edhe në hapësirën e bashkëjetesës qytetare, aty ku është Policia e Shtetit.

Nuk ka asnjë sektor, nuk ka asnjë aspekt të jetës ku ne nuk kemi ndërmarrë reforma që janë vonuar 20 e kusur vite. Përfytyroni sikur 20 vjet më parë, sikur 15 , 10 apo 5 vjet më parë, të tjerët përpara nesh ta kishin marrë përsipër reformën e pensioneve, sot do të kishte shumë më tepër pensionistë si ata që dolën dhe dalin në pension nga viti i shkuar dhe këtë vit dhe nuk paguhen më me një pension me tavan 240 mijë lekë, por marrin pensionin sipas kontributeve të punës së tyre. Sot marrin shumë më tepër se 240 mijë lekë. E kjo vetëm për një arsye; Partia Socialiste e Shqipërisë.

Partia jonë, organizatat tona duhet t’i gjejnë të gjithë ata pensionistë që kanë përfituar pensionin falë kësaj reforme dhe t’u themi bëhuni pjesë e Partisë Socialiste. Hapja e Partisë Socialiste, ripërtëritja e saj nuk është vetëm një hapje dhe ripërtëritje që nënkupton thjesht më të rinjtë në moshë, por është një hapje dhe ripërtëritje që nënkupton zgjerimin e të gjithë pasqyrës sociale të çdo organizate dhe të të gjithë organizatës sonë politike, ku duhet të ketë më shumë vend për të gjithë moshat, për të gjithë grupet e interesit, për të gjithë komunitetet dhe për çdokënd.

Këtu afër është ajo që është quajtur rëndom këneta e Durrësit, një pellg ku tërë njerëzit ishin marrë peng me vite të tëra nga qeveria e vjetër, në emër të legalizimit. Aty, tek ajo që ata vazhdojnë ta quajnë këneta e vjetër, ndërsa ne e quajmë Durrësi i Ri, janë mijëra arsye për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste. Nëse qeveria e vjetër, në tetë vjet bëri 21 mijë legalizime dhe përqindja më e madhe e tyre ishin lokale, hotele, motele, magazina, trampolina, pishina. Ne, vetëm në 1 vit e gjysmë, - pasi një vit na u desh të gjenim letrat e Shabanit, që i kishte lënë rrugëve, - kemi bërë 42 mijë legalizime, ose dyfishin e qeverisë së vjetër në 8 vjet dhe nuk kemi bërë legalizimi hotelesh e motelesh, pishinash e trampolinash, por kemi bërë legalizime shtëpish të të gjithë atyre shqiptarëve që kanë ardhur në Durrës, në Tiranë dhe rreth qyteteve të mëdha për një jetë më të mirë.

Ato legalizime u bënë vetëm për një arsye dhe kjo arsye nuk quhet as Edi Rama, as Vangjush Dako, as emra të tjerë me radhë, por quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Një emër në fletën e votimit dhe falë faktit që vota shkoi tek ky emër, sot janë 42 mijë familje që sot gëzojnë shtëpinë e tyre, të ndërtuar me mund dhe me djersë. Pjesa më e madhe e tyre prisnin ta gëzonin shtëpinë prej më shumë se 10, 15, 20 vjetësh dhe ishin pre e qeverisë së vjetër dhe e prisnin nga qeveria e vjetër.

Po ashtu, sot dhe e këtë e them me shumë bindje, të bazuar tek faktet, jo tek llafet, me një bindje të bazuar tek provat, jo tek thashethemet, me një bindje të bazuar tek e vërteta, jo tek gënjeshtrat, kjo është partia që duke udhëhequr qeverinë e vendit ka bërë më shumë se asnjë qeveri tjetër në të kaluarën për më të varfrit, me fakte. Kjo është partia që ka dyfishuar ndihëm ekonomike. A është ndihma ekonomike sot, mjaftueshëm për të thënë më mirë që jam i varfër, se do isha më keq, po të isha i pasur? Absolutisht jo! Është ende shumë pak, por ama është dyfishi, brenda vetëm dy vjetësh e gjysmë dhe mbasi ne nuk e morëm qeverinë në kushte normale, por në kushtet kur Shqipëria ishte e kërcënuar nga kolapsi ekonomik, për shkak të energjisë dhe për shkak të borxheve. Kemi shlyer qindra miliona dollarë borxhe, një më një. I kemi shlyer ato borxhe jo për t’i kthyer lekët të pasurve, por për të ndërtuar shtetin, i cili nuk mundet t’i thotë vetes shtet, në qoftë se nuk i quan borxhet të tjerëve.

Sot kemi përmbysur dhe kemi bërë një histori suksesi, për të cilën flitet në çdo takim, në çdo mbledhje, në çdo konferencë që Banka Botërore organizon për energjinë nëpër botë. Shqipëria është një histori suksesi që flitet për të, kudo ku ka probleme me energjinë. Sepse pas kaq shumë vitesh i dhamë fund hajdutërisë. Fakti thotë se nuk e bëmë këtë në kurriz të të varfërve, por vumë në dispozicion edhe vjet, edhe sivjet dhe deri kur te jetë nevoja, miliona, fiks, 16 milionë dollarë, për të kompensuar familjet në ndihmë ekonomike që të mos ju rritet çmimi i energjisë në raport me fashën 300 kilovat. Ajo që tanimë nuk e themi ne, por e thotë xhepi juaj, xhepi i çdo familje, është se çmimi i energjisë për familjet nuk u rrit. Sot, falë asaj reforme dhe falë faktit që 320 mijë familje nënshkruan më në fund marrëveshje dhe pranuan të ndalojnë me abuzimet, me vjedhjet, me mospagesat, me borxhet, kemi një çmim energjie më të ulët sesa 2 vjet e gjysmë më përpara. Këtë e thonë faturat, nuk e them unë! Kjo falë faktit që ne quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë.

Atëherë, pse duhet që Partia Socialiste të rritet, pse duhet që Partia Socialiste të zgjerohet, pse na duhen edhe më shumë njerëz? Për një arsye shumë të thjeshtë, miqtë e mi; Sepse beteja jonë, ju e shihni, është shumë e vështirë. Ne nuk e kemi betejën tonë, të vështirë, vetëm sepse po përballemi me plagë të tmerrshme, me plagë të gangrenizuar me vite të tëra për shkak të mungesës së reformave, të korrupsionit dhe pisllëkut që është mbledhur në çdo cep të organizmit të shtetit tonë, por sepse në këtë betejë, ne kemi kundërshtarë të gjithë ata që u mësuan të përfitojnë nga sëmundja e këtij vendi. Ne kemi kundërshtarë të gjithë ata që thonë “duhet shteti, por jo për mua”, “duhet ligji, por jo për mua”, “duhet barazia para ligjit, por jo për mua.” Dhe ata nuk janë vetëm qeveria e vjetër, por janë të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë përfituar duke bërë flirt me abuzimin.

Si mundet që të mos jetë në qendër të sulmit, ministri i Shëndetësisë! Do të çuditesha sikur të mos ndodhte kështu. Kur me kurajo ka çuar përpara një projekt që u ka hequr miliona e miliona nga duart, lobeve të ilaçeve. Si mundet që ministri i Shëndetësisë të mos akuzohet, nëse ilaçet janë 30% më të lira për shqiptarët, por janë faktikisht, një arsye për t’ju hakërryer! Për t’ju hakërryer, sepse këto janë para që deri dje shkonin në pak xhepa. Ndërkohë që sot janë 70 milionë dollarë që qëndrojnë në xhepat e shqiptarëve dhe nuk dalin më nga xhepat e tyre për të blerë ilaçe. Nuk janë pak, po 70 milionë dollarë të kursyera nga ekonomia familjare e shqiptarëve.

Ç’do të thotë “pse na duhet neve të bëjmë analizat?” Jemi i vetmi vend në Europë, madje, ata që kanë jetuar këtu në kohën e vjetër e dinë se edhe në atë kohë, për çdo njërin kishte një kartelë shëndetësore. Jo për çdo njeri, por edhe për çdo lopë, vic apo dele kishte një kartelë shëndetësore. Vetëm qentë e rrugëve ishin pa kartelë shëndetësore. Ndërkohë që sot, ne kemi trashëguar një shtet ku nuk ka një të dhënë për njerëzit e këtij populli, në sistemin tonë shëndetësor, për gjendjen e tyre shëndetësore. E si mundet ne të pretendojmë se do bëjmë një sistem shëndetësor modern, nëse në radhë të parë nuk kemi bazën e të dhënave të shëndetit të qytetarëve dhe nuk kemi bazën e të dhënave për shëndetin e çdo qytetar!

Ju siguroj se, nëse ne do të vazhdojmë kështu siç kemi ecur, paralelisht, në qeverisje dhe në reformimin, rritjen e zgjerimin e Partisë Socialiste, nuk ka asnjë forcë, nuk ka asnjë mundësi, nuk ka asgjë, asnjë mal me vështirësi që na pengon të realizojmë programin tonë të rilindjes së shqiptarëve dhe të bëjmë histori sëbashku, duke bërë natën ditë, por duke qenë të vetëdijshëm që Rilindja është një fjalë shumë e bukur, por kërkon një sakrificë shumë të madhe. Është një projekt madhështor, por kërkon një punë kolosale. Është një detyrim që ia kemi fëmijëve tanë, por kërkon durim dhe kohën e vet. Një gjë është e sigurt, dielli duket që në mëngjes. E nëse sot, ne jemi në mesditën e mandatit tonë qeverisës, për kë ka sy për të parë, vesh për të dëgjuar dhe tru për të bërë krahasimet, është fare e qartë se dita jonë në qeverisjen e vendit do të sjellë ende më shumë të mira, ende më shumë rezultate dhe rruga jonë është rruga e duhur, ku kemi nevojë për edhe më shumë njerëz, për të zmbrapsur të gjitha hordhitë e të shkuarës, që na shfaqen përpara me lloj-lloj formash, me lloj-lloj zërash dhe që kërkojnë të na kthejnë mbrapa.

Pamja që kam përpara më inspiron që të flas e të flas dhe mund t’ju mbaj këtu, deri në darkë. Në fakt është një tjetër tregues që të jesh në qeveri dhe të mund të flasësh deri në darkë për gjërat që janë bërë në 2 vjet e gjysmë, nuk është pak. Tani do të doja që bashkë me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon, Saimir Tahirin, Blendin Klosin, Ilir Beqjen, Klodin, Esin, Gentianin dhe me kryetarin e bashkisë së Shijakut - meqë jemi këtu, në Shijak ka përfunduar edhe një projekt i Rilindjes Urbane. Kush nuk ka shkuar, bën mirë të shkojë, të pijë një kafe në Shijak dhe të kuptojë pse ky është drejtimi i duhur. Tek sheshi i Shijakut kishin ngelur vetëm ca gurë nga bordurat e kohës kur ne nuk kishim lindur akoma. - të japim disa karta anëtarësie, simbolikisht. Këtu ka pasur një rritje të rëndësishme të numrit të anëtarësisë, gjatë këtij procesi që zgjat që nga muaji shtator dhe do të ishte e pamundur që t’ia jepnim të gjithëve drejtpërdrejtë. Unë i uroj mirëseardhjen të gjithëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës, s’ka rrezik për banorët