Fjala e kryeministrit Rama në  Këshillin Kombëtar të Ekonomisë

Më lejoni që të përfitoj nga rasti për të bërë një pasqyrë shumë të përmbledhur të rezultateve të luftës kundër informalitetit. I cili, siç e dini është paralajmëruar në periudhën e verës dhe pastaj ka filluar të jetësohet, duke filluar nga jave e parë e muajit shtator.

Faktikisht, në një periudhe kaq të shkurtër kemi të gjithë provën e një potenciali shumë të madh në raport me vendosjen e vendit tonë në një nivel të ri të rendit ligjor në ekonomi, në raport me garantimin e lirive dhe të drejtave njerëzore tw gjithë atyre që për shkak të informalitetit kanë punuar, ka qenë të detyruar të punojnë në hije, në kushte skllavërie. Po ashtu dhe në raport me nevojën për të rritur kapacitete investuese, si rezultat i pjesëmarrjes më të gjerë dhe i një ndarje më të drejtë të barrës së kontributeve të gjithsecilit, në bazë të asaj që gjithsecili fiton.

Deri në datën 18 tetor janë kryer 94 mijë kontrolle në të gjithë vendin.

Siç e dini, administrata tatimore punon pa asnjë ditë pushimi, përtej orarit zyrtar, gjë për të cilën madje jemi akuzuar edhe për informalitet nga burime mediatike që mund të jenë vetë pjesë e nevojës për formalizim.

Faktikisht, përveç gjithë fluksit të vetë regjistrimeve që ka qenë shumë i lartë, kemi një numër të konsiderueshëm konstatimesh për subjekte që ushtronin veprimtari pa qenë të regjistruar, 831 subjekte, e përsëris, ndërkohë që janë mijëra e mira subjekte që janë regjistruar në mënyrë vullnetare; 5777 subjekte të papajisura me kartë fiskale; 902 subjekte që nuk lëshonin kuponin tatimor dhe 813 subjekte me punonjës të padeklaruar.

Ndërkohë që numri i punonjësve të formalizuar, pra i njerëzve të nxjerrë nga sistemi i skllavërisë dhe i futur në sistemin e sigurimeve shoqërore ka kaluar 80 mijë. Një shifër absolutisht spektakolare. Ndërkohë që vetëm në këtë periudhe prej 45 ditësh kemi tetëfishim të numrit të pajisjeve fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve, ose 700 % më shumë se njëjta periudhë e vitit 2014. Janë lidhur 17 mijë kontrata të reja për pajisje fiskale ose 994 %, pra 1000 % më shumë, sesa e njëjta periudhe e vitit 2014. Dhe këtu përjashtojmë karburantet.

Ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar. Xhiro e deklaruar është rritur me 52%, çka përbën edhe një arsye shumë të fortë për të besuar se potenciali është ende gjerësisht i pashfrytëzuar. Nëse në korrik rezultojnë 108871 biznese të regjistruara në shtator janë 134328 të tilla. Pra nga 1 shtatori në 18 tetor janë regjistruar 25457 biznese të reja, më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Vetëm në muajin shtator janë regjistruar 52972 punonjës të rinj dhe ende pa u mbyllur deklarimi për tetorin kemi 13560 punonjës të rinj më shumë se në shtator. Pra, vetëm për gjysmën e dytë të tetorit, që do të thotë që në total vetëm në këtë periudhë, pa llogaritur periudhën e regjistrimit vullnetar dhe pa u mbyllur deklarimet e tetorit janë 66532 vende të reja pune, të formalizuara.

Nga ana tjetër, jemi në kushtet e një zhvillimi historik, në këndvështrimin tonë, për sa i përket formalizmit të bujqësisë. Të gjitha këto vende pune të reja të formalizuara janë në sektorin jobujqësor, por tema e vjetër dhe asnjëherë e trajtuar konkretisht e informalitetit në bujqësi është në një pikë kthese, sepse kemi 10500 fermerë që kanë paraqitur kërkesën për t’u paraqitur me NIPT dhe në një kohë rekord edhe për të mos penguar punën e tyre u janë dorëzuar NIPT-et 9200 fermerëve dhe fare pranë përmbylljes janë edhe për 1300 të tjerë. Përfitoj nga rasti t’i bej thirrje të gjithë fermerëve që synojnë të përfitojnë nga mbështetja me grante, nga mbështetja me kredi, nga programet mbështetëse qoftë ne nivelin qeveritar qoftë në nivelin komunitar, në kuptimin e BE, që të pajisen me NIPT, pasi mospajisja i bën të pakualifikueshëm në asnjë proces, për të marrë mbështetje financiare.

Nga ana tjetër, kemi të dhëna shumë pozitive lidhur me portofolin e xhiros për muajin shtator, që do të thotë kemi një biznes të vogël me një rritje absolute 86% dhe një biznes të vogël që kthehet në subjekt të TVSH për shkak të rritjes së xhiros së regjistruar me 74%. Pra, ulja e informalitetit ka sjelle në të njëjtën kohë edhe parakushtin për një rivlerësim real të biznesit të vogël dhe për një rivlerësim real të çdo subjekti që duhet të futet në skemën e TVSH-së.

Ndërsa biznesi i madh ka një rritje me 35%, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Më vjen keq që nuk e shoh këtu përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sepse do të kisha parapëlqyer që ta shikoja në sy dhe t’i thosha se përpara sesa të bëjë deklarata pas deklaratash, duke iu kundërvënë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepat të qeverisë si masa penguese, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë i ndodh në SHBA, dikujt që kapet me evazion apo që kapet duke shitur pa lëshuar faturë tatimore. Pasi t’ia tregojë shqiptarëve këtë, atëherë le të vazhdojë të na tregojë neve se ç’duhet të bëjmë më mirë.

Unë nuk besoj se shqiptarët meritojnë të trajtohen ndryshe, qoftë në kuptimin e të drejtave qoftë në kuptimin e detyrimeve, kur vjen puna tek raporti i drejtë me ligjin, si një raport që garanton barazinë përpara ligjit dhe që garanton një shpërndarje të drejtë të kontributeve.

Sepse të përkrahësh informalitetin, apo t’i kundërvihesh këtij operacioni me çfarëdolloj arsyetimi, sado qëllim mirë, do të thotë në fakt që të vazhdosh të kërkosh që ata që paguajnë të vazhdojnë të mbajnë barrën për ata që nuk paguajnë.

Të përkrahësh informalitetin, apo t’i kundërvihesh këtij operacioni me çfarëdolloj arsyetimi, sado qëllim mirë, do të thotë në fakt të vazhdosh të kërkosh që ata që paguajnë të mbajnë barrën edhe për ata që nuk paguajnë. Ndërkohë që ne duam që në një afat të arsyeshëm të sjellim një ulje të taksave, por për të pasur një ulje të taksave duhet të kemi një rritje të kontributeve. Dhe sot në rajon jemi ende, për shkak të këtij informaliteti të madh të trashëguar, vendi me kontributet më të vogla nga detyrimet tatimore në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar.

Kemi sjellë në këto dy vite një rritje të ndjeshme, por ende të pamjaftueshme për të kapur edhe nivelin e rajonit. Nëse, me të drejtë, njerëzit kërkojnë më shumë investime në infrastrukturë, në shkolla, spitale, kopshte, në komunitet; me të drejtë, ne kërkojmë që njerëzit të kontribuojnë dhe jo vetëm ata që paguajnë taksat, por edhe ata që si qytetarë, duke marrë kuponin, japin një kontribut të drejtpërdrejtë, sepse garantojnë që ajo pjesë fitimit që aty brenda në atë kupon nuk i takon shitësit, as furnizuesit, por i takon shtetit, i takon qytetarit, të mos shkojë në buxhetin e shtetit dhe të mos shkojë në xhepin e shitësit apo në xhepin e furnizuesit.

Dua të rrëzoj këtu edhe një mit, të ngritur me pathos nga gjithfarë zëdhënësish të inercisë së të shkuarës, se kjo është një luftë kundër të vegjëlve, kundër më të varfëve, kundër atyre që mezi mbijetojnë. E kundërta është e vërtetë . Ky operacion, i cili detyrimisht e përfshin biznesin e vogël si hallkën e fundit të një zinxhiri që e ka fillimin e vet tek kompanitë mëdha, ka përfshirë plotësisht dhe thellësisht edhe biznesin e madh. Janë deri tani që flasim, 84 biznese të mëdha e më të mëdhatë në Shqipëri, dosjet e të cilave nuk i kanë procedurat po aq të lehtë, për shkaqe që ju i kuptoni fare mirë, siç është procedura e një kontrolli për të parë ke kasë apo s’ke, ke NIPT apo jo, por që kanë hyrë në një proces skanimi të imët dhe kanë çelur kështu, një fazë të re në raportin e shtetit dhe administratës tatimore me biznesin e madh.

Vetëm për shtatorin rezultojnë 16 biznese me qarkullim 150 milionë dollarë, të cilave ju janë evidentuar detyrime të pashlyera ndaj shtetit, në masën 34 milionë dollarë, pra, një evazion në masën 23%. Vazhdon kontrolli i imët në 24 subjekte të tjera. Për 6 subjektet e parë po mbyllet procedimi penal dhe ne presim nga prokuroria të veprojë në bazë të ligjit dhe të gjithë ata të përfshirë në këtë evazion t’i dorëzohen drejtësisë.

Nga ana tjetër jam shumë i keqardhur se njësoj siç ndodhte me operacionin për energjinë, ka një rezistencë spekulative nga zëdhënës me demek të komunitetit, që ngrenë problemin që pse qeveria dhe shumica kanë kaluar në parlament një ligj që shkon deri në heqje lirie. Në fakt, ne nuk e kemi sjellë për herë të parë si risi këtë. Kjo ka qenë në ligj që kur ka një ligj për procedurat tatimore. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një kompani e madhe, apo një spekulant i madh në emër të kompanisë së madhe të vendoset përpara drejtësisë, por kjo nuk do të thotë që kjo nuk ka qenë në ligj.

Nga ana tjetër, unë nuk kuptoj pse duhet që njerëzit të kërkojnë justifikime për vjedhjet njësoj siç ndodhi me energjinë. Pse u justifikuaka një vjedhje, apo pse vjedhja e energjisë apo vjedhja e taksave na qenka më e lehtë sesa çdo vjedhje tjetër! Përse një vjedhës shtëpie, kur kapet arrestohet e shkon përpara drejtësisë dhe një vjedhës taksash u dashka trajtuar me kujdes se mos shqetësohet klima e biznesit. Nëse duam një klimë të shëndetshme biznesi duhet të garantojmë që të gjithë të paguajnë sipas ligjit, që detyron secilin të kontribuojë për aq sa fiton.

Dëshiroj të theksoj se krahas këtij operacioni kundër informalitetit do të hyjmë në një fazë të re, me një veprim shumë intensiv për lehtësimin e procedurave. Këtë vit, ne presim një rënie nga pozicioni aktual që kemi në raporton e Doing Business të Bankës Botërore. Jemi të vetëdijshëm që kjo rënie do të vijë, sepse e kemi llogaritur për këtë vit si rezultat i bllokimit të detyruar për një periudhë jo të vogël kohe të ndërtime në radhë të parë, që erdhi si domosdoshmëri për të vendosur rregull në territor, duke ndaluar ndërtimet pa leje dhe duke frenuar abuzimet edhe në ndërtimet me leje.

Po ashtu jemi të vetëdijshëm që me metodologjinë e re që ka futur Banka Botërore në indikatorët e Doing Bussiness, kemi absolutisht detyrimin të bëjmë lehtësime të domosdoshme, duke hequr një numër të konsiderueshëm licencash e dokumentesh që janë të tepërt, që janë mbingarkesë e pengesë, duke përmirësuar rrënjësisht shërbimin në hipoteka, që është një problem shumë i madh dhe që në metodologjinë e re rëndon pozicionin tonë. Shërbimi në hipoteka, shumë shpejt, brenda pak javësh, duke filluar nga hipoteka e Tiranës, do të shikoni që do të ketë një ndryshim rrënjësor, falë projektit të ri, inovativ, që kemi vënë në jetë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që do të shtrihet vitin e ardhshëm në të gjithë hipotekat e vendit, përfshirë edhe projektin e dixhitalizimit të plotë të hipotekave.

Po ashtu janë edhe një sërë shërbimesh të tjera që duhen transformuar dhe për të cilat po punojmë intensivisht. Frytet e gjithë kësaj pune do t‘i marrim në fund të vitit vitin e ardhshëm, pasi tanimë, projektet janë të konceptuara dhe janë ose në rrugën e realizimit, ose gati për t’u futur në rrugën e realizimit.

Sikundër do të hyjmë në një reformë të re strukturore për të shkurtuar numrin e inspektorateve, për të bashkuar inspektorate në dy linja kryesore, inspektorat ushqimor dhe jo ushqimor dhe njëkohësisht për të minimizuar kontaktet e biznesit me shtetin. Sa më shumë kontakte, aq më shumë burokraci, aq më shumë pengesa dhe korrupsion. Sa më pak kontakte, aq më pak burokraci, aq më pak pengesa dhe korrupsion dhe aq më shumë liri për biznesin.

Duke qenë i bindur që frytet e këtij operacioni do të fillojnë të duken fare qartë, posaçërisht në fillimin e vitit të ardhshëm kur do të kemi vetëdeklarimet, dua t’i bëj thirrje të gjithë atyre që merren me biznes që të kenë parasysh se për kam kohë, çështje ditësh, hyn në fuqi ligji i ri dhe ligji i ri përcakton shumë qartë detyrimet e palëve.

Ligji i ri përcakton shumë qartë që mosdhënia e kuponit ndëshkohet me 5 milionë lekë (të vjetra) gjoba, ndërsa konstatimi i parregullsive që sjellin evazion në magazinat e kompanive sjell 100 milionë lekë gjobë, si masë e parë. Ashtu sikundër, konstatimi i punonjësve të padeklaruar, pra, i skllevërve që mbahen në të zezë, sjell një ndëshkim edhe më të rëndë, ashtu sikundër edhe fshehja e fakteve në terren nga ana e inspektorëve të tatimeve sjell ndëshkimin me heqje lirie për ta.

Futja e këtij ligji është një kambanë alarmi për të gjithë ata që nuk janë në rregull me ligjin. Ne i kemi ftuar me ligj që deri në 31 dhjetor, të gjithë të bëjnë rivlerësimet vetë, vullnetarisht, por kjo nuk pengon absolutisht administratën që të veprojë sipas ligjit, aty ku kap shkelje. Pra, nëse dikush kapet me shkelje, nuk ka fat 31 dhjetorin, por ka probleme me drejtësinë. Ndërkohë të gjithë mund të bëjnë rivlerësime, në vend që të presin që rivlerësimet t’i bëjë administrata tatimore, përkundër edhe goditjes ligjore.

Ashtu sikundër, ne kemi çelur rrugën që të gjitha bizneset, që nuk duan të kenë kontrollin tatimor të drejtpërdrejtë, mund të kontraktojnë kompani të mëdha auditimi, ta bëjnë atë vetë dhe mbi bazën e auditimit të kompanive të mëdha të auditimit, administrata tatimore bën pastaj verifikimet e veta, por pa ardhur për të trokitur dhe për të qenë me javë të tëra në mjediset e biznesit, për të bërë kontrollet. Kjo është një kërkesë e programit tonë qeverisës, ka qenë edhe një kërkesë e komunitetit të biznesit, tanimë është në ligjin e ri dhe secili mund t’i referohet, duke bërë kështu, një tjetër hap përpara drejt shkëputjes së kontakteve të drejtpërdrejta mes biznesit dhe shtetit dhe uljes së stresit të kontrolleve dhe burokracisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit