Fjala e Kryeministrit Rama sot në
Kuvend për ligjin e legalizimeve

Fjala e Kryeministrit Rama sot në<br />Kuvend për ligjin e legalizimeve
Siç e thashë edhe më parë në një moment replike, sot për mua dhe për qeverinë tonë prezenca në këtë sallë është e lidhur në radhën më të parë me ligjin që ky parlament do të votojë sot. Për ti dhënë fund një kalvari 20 vjeçar të qindra e mijëra familjeve që ndërtuan një shtëpi për një jetë më të mirë që u gënjyen, u rigënjyen dhe u stërgënjyen se do të mund ta legalizonin shtëpinë e tyre. Qe votuan, rivotuan dhe stërvotuan ata që sot erdhën këtu për të bërë atë që bëjnë gjithmonë këtu, për të na hedhur ne baltën e keqqeverisjes së tyre dhe që meritojnë, këto qindra e mijëra familje, më në fund nga qeveria dhe parlamenti i këtij vendi vëmendjen e plotë dhe bazën e plotë ligjore, për ta mbyllur përgjithmonë këtë proces.  Kam dëgjuar shpesh njerëz që thonë se ne nuk duhet të flasim për këta që ikën, por është shumë  e vështirë që të mos e bësh një gjë të tillë, edhe në këtë moment, kur kam sjellë këtu një numër shumë të kufizuar rastesh konkrete që flasin më shumë se çdo fjalim, lidhur me ku na e lanë vendin, lidhur me kush ishte në krye të vendit për 8 vite me radhë dhe lidhur me nivelin e patregueshëm të hipokrizisë që karakterizon këta që bëjnë sikur qajnë me lotë për hallet e njerëzve dhe që për njerëzit nuk kanë pyetur kurrë, as edhe një çast të vetëm. Këtu kam një praktikë. Objekt i legalizuar brenda 24 orësh në 19 korrik 2013, pasi populli i kishte siklterisur nga pushteti me ato 1 milionë shuplakat që vazhdojnë t’iu djegin aq shumë, saqë ende sot nuk e marrin dot veten për të kuptuar se sa shumë i kanë rënë në qafë këtyre njerëzve. Dhjetëra e mijëra qytetarë në të njëjtën zonë prisnin prej vitesh legalizim, ndërsa një zotëri, emrin e të cilit nuk kam asnjë dëshirë ta përmend, por zyrtar i lartë i këtyre, mbaron punë nga data 18 në datën 19. E nuk është i vetmi!

Midis prillit dhe shtatorit të vitit 2013 deri ditën e fundit, deri natën e fundit, përpara sesa të dilnin nga zyrat janë 800 objekte të legalizuara brenda 24 orësh. Të 800 të lidhura qartësisht me interesa krejtësisht të ndryshme nga interesi i politikës së legalizimit.  

Objekt tjetër në një zonë ku 700 familje presin legalizimin sot që flasim, pasi kanë bërë edhe vetdeklarimet dhe askush s’ka denjuar t’ia vazhdojë procedurat, ndërkohë që i vetmi objekt që legalizohet në mes të shtëpive është një pallat me 12 kate. Dhe ku? Legalizohet në datën 30 gusht 2013, në një zonë që historikisht ka votuar Saliun dhe Partinë Demokratike, tek Qyteti Studenti.  

Një objekt tjetër, përsëri nuk dua t’ia përmend emrin, që lidhet me këta heronjtë e informimit të lirë, të cilët vunë në dispozicion ekrane, gazeta, ëebsite, për të manipuluar në mënyrën më të përbindshme opinionin publik, duke nxjerrë fotografitë e policëve si fotografi trafikantësh, dhe shikoni çfarë legalizimi spektakolar, që i përket një periudhe ekzaktësisht të lidhur me ikjen nga pushteti.

 

Objekt me leje nga 6 në 9 kate, që i legalizohen 16 kate, 7-10 kate pa leje, të ndërtuara pasi Bashkia e Tiranës ra në duart e atyre që sot kanë gojë dhe flasin për Qeverinë tonë dhe për Aleancën tonë. Si ky rast, në periudhën deri në ditën e fundit dhe në orët e fundit të natës së shtatorit 2013, përpara sesa të linin zyrat, janë 80 objekte të dyfishuara mbi leje, të përfituara nga këta. 

Objekt tjetër i legalizuar brenda 24 orësh, mbaron punë nga data 24 deri në datën 25, me të gjitha procedurat, nga hapja e dosjes e deri në fund. Nuk është shtëpi, është pallat. Është pallat në mes të Tiranës, me themele pa leje. Më e bukura është që kur e ka bërë vetëdeklarimin për legalizim ishte 3-kate, ndërkohë, si objekt i legalizuar është shumë më tepër.

Pra, në vend se pas vetëdeklarimit, bazuar në Kodin Penal, bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë, për shkak të kateve të shtuara mbi, ndërtuesi i këtij objekti të shkonte në burg është bërë pronar.  

Objekt tjetër, në rërë, në bregun e Spillesë. Edhe ky i legalizuar 30 metër nga deti, ndërkohë që në gjithë fshatrat, - dhe e them me përgjegjësi të plotë, - të bregdetit të Kavajës nuk ka as edhe një objekt tjetër të legalizuar. Është i vetmi objekt i legalizuar, hotel 8-kate, 30 metër nga deti, në rërë. I legalizuar përsëri, në kulmin e fushatës elektorale, brenda 24 orësh.  

Objekt tjetër në Tiranë, në mes të zonës së bllokut, prishur nga policia ndërtimore në vitin 2009. E dini se çfarë kanë legalizuar? Ajrin! Mund t’ju duket si diçka e pabesueshme, por kanë legalizuar ajrin. Objekti është i prishur, në terren nuk ekziston, ndërkohë që në hipotekë zotëria është pronar, ka në dispozicion gjithçka që i duhet për ta bërë objektin tani. Në mos e ka bërë dhe e ka përfunduar, mbi bazën e një legalizimi të fushatës elektorale të vitit të shkuar, i realizuar brenda 24 orësh. Nuk është një, janë 20 objekte në Tiranë ku është legalizuar dhe hipotekuar ajri. Pra, e kanë marrë paradhënie tokën, kanë marrë paradhënie edhe ajrin dhe tani nuk u mbetet veçse të përfundojnë apo të fillojnë, falë bashkëpunimit të ngushtë me Bashkinë e Tiranës, ndërtimet që janë të hipotekuara. 

Në Parkun e Liqenit, në Tiranë, 56 m2 objekti, i shitet truall 820 m2, jo mbi bazë të kthimit, as të kompensimit, as të pretendimit, por thjeshtë për të zhvatur 800 m2 mbi një të ashtuquajtur objekt social-ekonomik, -e quan ky, ndërkohë që është një klub. E nuk është vetëm. 12 legalizimet të tilla janë bërë, ekzaktësisht kështu, duke zhvatur mijëra e mijëra metër nga parku i liqenit. E dini datën? Se data është më domethënësja. Është 17 shtator 2013. 

Objekt tjetër, në Shkodër. Objekt 36 m2, në tokën e shtetit. Sipërfaqja e shitur tek zotëria tek këto 36 m2, nga toka e shtetit, në datën 30 gusht të vitit 2013, është 1013 m2 tokë shtet. Si ky rast, pikërisht në këtë periudhë të vitit 2013, janë 60.  

Edhe një rast tjetër që është mu në zemër të lëvizjes, që fatkeqësisht nxori Saliun në krye, në zemër të Kavajës, një objekt ndërtuar me 3 mure. E dini kush është muri i katërt?  Muri i Bashkisë së Kavajës. I legalizuar, pronë ngjitur si siamez me bashkinë e Kavajës. E dini sa raste të tilla ka, kur një mur i një godine shtetërore apo një trotuar, apo një aset publik ka shërbyer edhe si bazament apo si mbështetje, ose si pjesë e këtyre objekteve të legalizuara në këtë formë, - në rastin konkret, ky objekt i përket 17 gushtit të vitit 2013, - janë 400 raste të tilla. Unë nuk dua të marr më shumë kohë, por ju siguroj që nuk e ekzagjeroj, që në qoftë se në këtë parlament ne do të bënim një seancë për të numëruar një e nga një rastet, atëherë parlamenti do të duhej të qëndronte në seancë deri vitin tjetër.  

Kush i ka bërë këto dhe kush përgjigjet për këto? E bëj këtë pyetje se nuk është çudi që nesër të na kërkohet të përgjigjemi ne për këto. Të gjitha këto janë raste që nuk kanë nevojë për asnjë lloj hetimi të sofistikuar, por thjesht dhe vetëm për verifikim. Mbi bazën e këtyre verifikimeve, të gjithë personat e përzierë, dhe kur them persona të përzierë, nga koka deri tek dera në sistemin e ALUIZNI-t, duhet të shkojnë në burg. Duhet të shkojnë në burg, bazuar tek ligjet në fuqi dhe bazuar tek gjithë kjo flagrancë spektakolare. Për çfarë diskutojmë ne? Kujt t’ia tregon ai deputeti i Kavajës, i riu, që ne u justifikohemi me sistemin dhe nuk luftokemi korrupsionin. Ky çfarë quhet?!  Ky është krim i organizuar ekonomik. Përfitime marramendëse të nxjerra nga këto. E jo vetëm kaq, por kosto marramendëse e faturuar për shtetin kur do të dojë të bëjë investime publike në këto rrugë; siç është lungomare e Vlorës, ku janë legalizuar dhjetëra objekte në shkelje të hapur të çdo ligji, vetëm për përfitime; siç është lumi i Gjanicës, njësoj si të legalizoje Lanën. Ndërkohë që në gjithë rrethin e Fierit ata që janë legalizuar me shpejtësinë më të madhe janë ata që kanë ndërtuar mbi lumë dhe që sot pengojnë projektin e ripërtëritjes së lumit, sepse për ta filluar duhet t’i shpronësojmë si pronarë të ligjshëm.

 E njëjta histori është kudo ku vetëdeklarimi nuk është bërë për hall, nuk është bërë nga ata që kanë zbritur nga Tropoja, nga Kukësi apo nga Skrapari e Librazhdi apo nga Korça, Erseka e Devolli, për një jetë më të mirë në Tiranë, por është bërë nga ata që kanë zaptuar hojet e mjaltit të këtij vendi, për t’i mbushur me këto lloj këpurdhash prej betoni. Që kanë paguar padyshim, për t’u kthyer në pronarë dhe me të cilët, në çdo hap, shteti duhet të përballet si me pronarë të ligjshëm, që duhet t’ua shpronësojë me vlerën e tokës.

Shikoni tani se çfarë ndodh me qytetarët, çfarë ndodh me popullin, çfarë ndodh edhe me shumë nga ata që ishin sot këtu, punonjës të thjeshtë të ujësjellësit të Tiranës, kryesisht nga periferitë, të lidhur me luftën kundër narkotrafikut thjesht nga rroga në ujësjellës, të palegalizuar prej vitesh, apo me ata të shkretët e gjelbërimit të Tiranës. Se ata të Policisë Bashkiake nuk janë të shkretë fare, ata janë të gjithë me legalizime të bëra;

Ndërtime pa leje, 300 mijë.

Vetëdeklarime të bëra nga qytetarët, 273 mijë.

273 mijë qytetarë që duke dëgjuar këta, kanë shkuar e kanë bërë vetëdeklarime. Këta kanë denjuar në 8 vjet, të shkojnë dhe t’ju trokasin në derë vetëm 140 mijë qytetarëve. Kanë lëshuar vetëm 21 mijë e 900 letra legalizimi. Por kujdes! Letra e legalizimit është një gjë, certifikata e pronësisë është një gjë tjetër.

Nga gjithë kjo tollovi e madhe, nga gjithë kjo histori e madhe joshjeje për vota, të njerëzve në nevojë dhe nga gjithë kjo përpjekje titanike për të shkatërruar Shqipërinë, po këtu do më lejoni t’ju them se unë besoj që nuk kanë kuptuar, Saliu, se ata të tjerët, pastaj, nuk kanë as çfarë kuptojnë dhe as çfarë shohin, që Shqipërinë po e shkatërron, se i duken bukur ato, pronarë janë bërë 15 mijë familje. Vetëm 15 mijë familje! Llogariteni vetë se çfarë përqindjeje.

Për 8 vjet rresht 140 mijë qytetarëve, 140 mijë familjeve që ju janë bërë matjet, kanë vajtur ua kanë matur shtëpinë, u kanë thënë se do t’ua bëjnë, 70 mijërave u kanë marrë edhe lekët. I kanë bërë pagesat në 2006-n, në 2007-n, në 2008-n. Janë të gjithë që i kanë bërë pagesat aso kohe, ata të cilët sot kanë filluar të marrin përditë, dokumente legalizimi prej nesh. Ndërkohë që këta, në këtë 22 mijë, pjesën më të madhe të legalizimeve i kanë krime kundër natyrës. Krime kundër qyteteve. Krime kundër zonave turistike. Krime të bëra në një formë të organizuar, në një sistem korrupsioni që fatalisht ka detyruar këdo, që jo të paguajë, por të lërë qimet e kokës atje, për të marrë lejen.

Më keq akoma. Çfarë na rezulton tani?

Tani na rezulton se qytetarëve që kanë bërë pagesat, ju kanë marrë lekët dhe nuk kanë bërë asnjë veprim, nuk kanë avancuar asnjë procedurë. Kështu që, të gjithë procedurat kanë filluar pas zhvendosjes së kësaj bande, për të cilën Prokurori i Përgjithshëm ka një dosje të plotë në prokurori dhe vendosjes së Drejtorit të ri të ALUIZNI-t dhe të disa njerëzve që kanë marrë situatën në kontroll.

Çfarë i ndodh Shqipërisë, popullit shqiptar dhe arkës së shtetit?

75% e gjyqeve, sepse, normalisht, në shumë raste u kanë rënë në qafë njerëzve të tjerë, nuk është puna se nuk kanë legalizuar ata që kanë kërkuar të legalizohen, apo se kanë legalizuar disa të tjerë për qejfin e tyre, por duke legalizuar disa i’u kanë rënë në qafë ca të tjerave. Pra, 75%  e gjyqeve janë vendimmarrje e gabuar apo dukshëm korruptive e dy vjetëve të fundit,  në Tiranë, në Shkodër, në Berat, në Lezhë, në Fier, në Durrës, në Vlorë dhe Elbasan. Që do të thotë se 3 nga 4 legalizime që kanë bërë këta, pra, 3 nga ata ato 22 mijë përfundojnë në gjyq dhe janë të gabuara. Që do të thotë shpenzime të tmerrshme për njerëzit e shkretë, që duhet të pajtojnë juristë e avokatë, duhet të rrinë e të zvarriten sallave të gjyqeve, sherre, konflikte dhe fatura në fund të ditës, për shtetin. Fatura që i paguajnë ata që kanë paguar gjithmonë, për shkak se këta kanë qenë gjithmonë në krye të punëve, për të lehtësuar gjithmonë ata që nuk paguajnë. Situata e ALUIZNI-t, falimentim financiar, kaos total administrativ dhe institucional. Praktikisht, edhe një ngarkesë plus, e cila i është vënë në kurriz shtetit. Sepse nuk mjaftonin një miliardë lekë, në rang vendi, borxh. Një turp i madh për një shtet që ka trajtuar si skllevër edhe punonjësit e vet.

Dëgjoni këtu, tani, sa bukur. Në 30 shtator të vitit të kaluar, pra, kjo shumicë kishte bërë betimin, qeveria kishte filluar punën, këta që me siguri duhet të jenë tek protestat e atyre që janë hedhur në rrugë, bëjnë 200 kontrata të reja pune për punonjës të tjerë, pa pasur asnjë lek në arkë. Në 1 tetor, kur Drejtori i ALUIZNI-t shkon atje për të marrë situatën në dorë, gjen një miliardë borxhe dhe 200 veta që kishin ardhur tek dera, ditën e parë të punës, me një kontratë të lidhur natën përpara. E këta flasin për Shqipërinë! Këta flasin për çfarë po i bëjmë ne, Shqipërisë! Këta flasin se si në këto 9 muaj, Shqipëria që lulëzonte dhe ku një milionë njerëz gabuan, na qenka kthyer në ferr dhe na qenka kthyer në një problem të madh për gjithë planetin.

Për të shkuar më tutje. Fondi i mbledhur nga legalizimet ka qenë burimi i vetëm, gjatë gjithë këtyre viteve, për të kompensuar pronarët. Këta, partia e pronarëve. 

Pyetja që kam unë sot, për të gjithë ata që i kanë votuar këta dhe që kanë pritur legalizimin: Si ndjehen që këtu qëndrojmë të mbledhur ne, për të cilët këta thoshin mos i votoni se do t’u kthejnë andej nga keni ardhur, do t’ua shembin edhe shtëpitë, ndërkohë që këta kanë ikur. Kanë ikur dhe i gëzohen gjithë baltës që hodhën këtu sot dhe këmbejnë me njëri-tjetrin kënaqësinë, sesi e derdhën edhe një sasi llumi mbi Shqipërinë, jo mbi qeverinë.

Janë mbledhur 79 milionë dollarë, nga të cilat sipas ligjit duhet të shkonin 69.8 në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit, për t’u përdorur për pronarët, nën kujdesin e Fatmir Mediut, që sa herë merr fjalën këtu duket sikur ka një kasetë të harruar në kasetofonin e makinës, që përsërit atë punën e pronarëve. Në fakt 2 miliardë prej kësaj shume kanë shkuar komplet në drejtime të tjera, në kundërshtim të plotë me ligjin. Një pjesë e madhe e të cilave janë harxhuar për shirita, për këngën ‘rrugë, rrugë, rrugë’.

Nga ana tjetër shikoni këta që vijnë këtu dhe sa herë vijnë thonë ‘nuk po bani ligje, ku i keni ligjet, ju nuk dini të bani ligje’. Këta, në 8 vjet kanë bërë 4 ligje. 4 ligje bazë që kanë të bëjnë me legalizimet dhe i kanë ndryshuar 14 herë në 8 vjet, në 120 elementë të tyre. Ligjet tjera që kanë të bëjnë direkt apo indirekt me legalizimet, planifikimi urban, kontrolli i territorit, regjistrimi i pasurive etj. etj., të cilave duhet t’u shtonin me dhjetëra akte nënligjore, urdhra e kështu me radhë, iu kanë shtuar një mal të tërë me letra që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Të shikosh vetëm kundërshtitë mes letrave që Saliu i çonte Shabanit dhe letrat që Shabani i kthente Saliut, mund të kuptosh gjithçka për si ka funksionuar shteti shqiptar. Një korrespondencë mes dy njerëzve të gabuar, në kohën e gabuar, në vendin e gabuar, me misionin më të gabuar në botë, që të legalizonin ata hallexhinjtë, me të cilët talleshin sa herë shkonin atje, hipnin në tribuna dhe u thoshin që këtë që keni bërë ju në Bathore, qytetërimi nuk ka arritur ta bëjë kurrë, keni ndërtuar një qytet pa leje nga e para dhe kjo është mrekullia e tetë e botës. I lanë atje, në mes të ujërave të zeza, në mes të izolimit, pa infrastrukturë, pa shërbime sociale, pa asgjë dhe bebet që erdhën në krahun e nënave, apo që lindën këtu, tani janë bërë burra dhe akoma nuk kanë  letrën e legalizimit e certifikatën e pronësisë.

Pastaj janë edhe disa akte që këta i quajnë nënligjore, që janë akte, siç i thonë, e kemi dëgjuar ne që s’jemi juristë nga Italia, juristët e dinë mirë, ad personam. Domethënë t’i hysh një procesi, të bësh një ligj apo një akt nënligjor për një njeri. Akte për të favorizuar një person, një familje, një çetë dhe për të vazhduar për të shtuar kaosin. E parafytyrojeni që në Tiranë, sot që po flasim, në atë kaos ku u gjet zyra nuk arrihet dot të thuhet me saktësi janë bërë 29 mijë, janë bërë 35 mijë, apo janë bërë 37 mijë deklarime. E dini pse? Se dy javët e para të punës, Artan Lame e ka kaluar në dysheme, poshtë dollapëve, poshtë tavolinave, për të mbledhur letra e për të bashkuar bashkë fije. Kjo nuk është metaforë. Ky është fakt. Mjafton t’ju sjell këtu, një rast të një drejtorie rajonale, në Lezhë faktikisht, ku për t’ju dhënë aktin e legalizimit, qytetarët thirreshin tek holli i bibliotekës së qytetit.

Tani drejtoria e ALUIZNI-t ka bërë edhe një analizë faktike të tarifave jo shtetërore. Tarifa jo shtetërore e të mirënjohura në gjithë sistemin e korrupsionit, që unë pres, ne presim dhe nga sot, me siguri, me të drejtë Shqipëria pret që Prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroria e caktuar ta hetojnë. Rojës për të hyrë tek dera - dera e ALUZNI-t zuri për vite me radhë, vendin e derës së dikurshme të ambasadave, ku njerëzit nuk kanë më nevojë të shkojnë për viza, por kur ndërkohë nuk iu ndanë kurrë këto radhët dhe prisnin që Shabani t’u jepte vizën – 200 deri në 500 lekë rojës, për të kapërcyer murin e ‘ambasadës’ së kalimit nga ‘i pa legalizuar’ tek ‘i legalizuar’. Pastaj nuk mjaftonte të kapërceje hyrjen, se me dosje në dorë duhet ta lije diku. Se mund të hyje e të dilje pa lënë asgjë. Marrja e dosjes dhe hapja e dosjes, 5 mijë deri në 10 mijë lekë (të vjetra). Pastaj dhënia e vërtetimit 5 mijë lekë, pastaj matjet në terren, këtu fillon të ngrihet situata, 10 mijë lekë e këtu flasim me të reja. Pastaj kalojmë në një urdhër përfshirjeje. Kishte edhe një urdhër përfshirjeje, që përfshihesh apo s’përfshihesh, që ngjitej 500 deri në 1000 euro. Për përshpejtim procedure, se mund të përfshiheshe, por mund të ngecje, siç kanë ngecur gjithë këta dhjetëra mijëra njerëz, kalohej në 1000 deri në 2000 euro. Pastaj kalimi i pronësisë ishte goditja më e madhe dhe për shkak të kësaj goditjeje më të madhe është edhe ky hendeku, 22 mijë dokumente legalizimi, 15 mijë certifikata pronësisë.

Si shpjegohet kjo? Si ka mundësi që njerëzit shkojnë bëjnë gjithë këtë, ta marrin dokumentin e legalizimit dhe mos ta fusnin në hipotekë, sepse aty pastaj, goditja ishte që të mendoheshe a ta legalizoje, apo të bëje një shtëpi tjetër. 10 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të pozicionit ku ishe.

Kurse te dosjet e rëndësishme, thuhet, kishte një sektor të veçantë, ku tarifat ishin të posaçme. Tarifat e posaçme, kuptohet, kishin të bënin me gjithë këto legalizime që përmendëm, ku tipik është ai i Qytetit Studenti, 700 familje, shumica votues të hekurt të Partisë Demokratike, një legalizim. 700 familje nëpër shtëpi të bëra vetë, një legalizim i një pallati 12-katësh, të bërë me lekët, që mos ia themi emrin.

Më tutje dua vetëm të vij tek skema e operimit, bazuar tek ky ligj.

Ne do t’i bëjmë legalizimet falas.

Këtë, fatmirësisht e kuptojnë të gjithë ata që nuk i bien nga ezofagu i Saliut, për të marrë vesh si qëndron e vërteta, por shikojnë faktet. Qytetari sot dhe këtu vijmë tek tarifat legale, jo tek këto tarifat e sistemit të korrupsionit, që e përsëris mezi presim që prokuroria të fillojë punën për ta hetuar, dhe është e pamundur që ta parafytyrojmë se nuk do të kemi më korrupsion, në asnjë shkallë të këtij sistemi, në rast se përgjegjësit për atë sistem korrupsioni që u ngrit në të gjithë territorin e Shqipërisë nga legalizimet, nuk do të shkojnë në burg.

Tarifa e shërbimit për legalizim që shkon si pagë për punonjësit dhe shpenzime operative, penalitetet për vonesë në vetëdeklarim që shkojnë si pagë për punonjësit dhe shpenzime operative, taksa e ndikimit në infrastrukturë që shkon për njësitë vendore dhe vlera e parcelës ndërtimore që shkon për kompensimit e pronarëve, të gjitha këto janë tarifa e sotme  e legalizimit, që do të bjerë kur të gjithë ne që jemi këtu në sallë të ngremë kartonin jeshil, për të kaluar ligjin e ri, i cili e kthen gjithë këtë procedurë, në një procedurë tërësisht falas dhe qeveria ju ka sjellë një propozim.

Maxhoranca, sot do të votojë që administrata të marrë përsipër të bëjë gjithë shërbimin, të përgatisë certifikatat, të bëjë matjet, të përgatisë kontratat dhe t’ju çojë dokumentin në shtëpi, njerëzve. Nuk do të ketë më njerëz që do të rrinë të presin tek dera e ‘ambasadës’ së Shabanit, por do të jetë ALUIZNI që do të shkojë derë më derë tek njerëzit dhe do ta bëjë gjithë këtë proces, pa iu kërkuar njerëzve, asnjë qindarkë. Quhet ky falas, apo nuk quhet falas? Thonë që nuk quhet falas, tani, sepse janë ca të tjera gjëra që vijnë mbrapa.

Vijmë tek penalitetet. Nuk do të pranojmë më dhe këtu, përsëri ligji e zgjidh këtë punë sot, që shteti t’u kërkojë atyre hallexhinjve, penalitete për vonesat që i ka bërë shteti vetë, që ata hallexhinj të vazhdojnë të paguajnë lekë, në emër të një ligji të shkruar që shteti dhe qeveria e mëparshme e ka shkelur me të katër këmbët. Se katër këmbë kishte, s’kishte duar.

Janë 8.8 milion dollarë të ardhura nga pjesa e procedurës dhe 7 milionë të ardhura nga pjesa e panaliteteve që janë mbledhur në të kaluarën. Do të ishin shumë më tepër, nëse ne do t’i mbanim në ligj, sepse do të bënim shumë më tepër legalizime. Këto hiqen.

Vijmë tek taksa e infrastrukturës. Taksa e infrastrukturës mbetet si taksë, sepse nuk është taksë e qeverisë, por është taksë vendore, por hiqet nga ligji i legalizimeve. Njësitë vendore le ta mbledhin taksën e infrastrukturës. Por taksa e infrastrukturës si para nuk do të ndikojë në bërjen ose në mosbërjen e legalizimit. Që do të thotë që ne nuk mund t’i heqim këto para. Janë 19 milion dollarë të mbledhura nga kjo taksë, por është një raport mes njësive vendore dhe të legalizuarve, ndërkohë që nuk do të përbëje pengesë për  legalizimin.

Parcela ndërtimore. Deri më sot, kjo pikë ka krijuar 18 milionë dollarë të ardhura, të cilat kanë shkuar tek fondi i kompensimit të pronarëve. Ligjërisht, pastaj se çfarë është bërë me atë fondin, ja u thashë që aty brenda, 20 milionë prej tyre kanë shkuar në drejtime të tjera. E drejta mbi tokën nuk ka lidhje me procesin e legalizimit si proces, që do të thotë se ne, në radhë të parë, të gjithë atyre familjeve dhe janë 67 mijë familje që kanë ndërtuar pa leje në tokën e tyre, nuk do t’i marrim absolutisht asnjë qindarkë, për tokën, kuptohet. Që do të thotë që ato familje, thjesht do të kenë dokumentin e legalizimit në derë. Ndërkohë që për të tjerët, parcela, kur është e shtetit, apo është e dikujt tjetër, nuk do të përfshihet në procesin e legalizimit si kusht, pra, pagesa për parcelën, që do të thotë se legalizimi do të bëhet falas, që do të thotë se gjithkush do të behet pronar i shtëpisë, pavarësisht se toka nuk është e vetja.

Por, sigurisht që, nga njëra anë, ne nuk e kemi të drejtën që tokën e shtetit dhe tokën e tjetrit ta falim si të ishte toka jote, për dy arsye shumë të thjeshta. E para, sepse ne nuk jemi aq të papërgjegjshëm, sa t’i lëmë këtyre familjeve litarin e kësaj historie jashtë. E një ditë të bukur, një gjeneratë tjetër, në mos shumë më shpejt, të shfaqet tek dera e të thotë “ta kanë dhënë dokumentin e shtëpisë ty, por kjo toka nuk është e jotja, por është e gjyshit tim”. E dyta, sepse gjithë këto shërbime që ne do t’i bëjmë pa i kërkuar më qytetarëve të paguajnë asnjë lek dhe gjithë këta njerëz që do të angazhohen për të shkuar dhe për të bërë të gjithë dokumentet, matjet dhe për të mbaruar procesin, sigurisht që kërkojnë shpenzime, minimale, por i kërkojnë. Ashtu sikundër pronarët. Tek pjesa e shpenzimeve, ne do të  jemi absolutisht të orientuar drejt bërjes zero të tyre nga ky fond dhe quhet si fondi krejtësisht për pronarët.

Vijmë tek çmimet. Për të gjitha objektet, parcela deri në 300 metra është me çmim favorizues. Pjesa tjetër, 300 deri në 500 metra është me çmim tregu dhe kjo është siç ka qenë, nuk ndryshon. Objektet me qëllim fitimi do të paguajnë normalisht. Banesat e dyta do të legalizohen me vlerën e truallit, nuk ka asnjë diskutim, por këtu fillon pjesa e fundit e procesit, që prapë është në nderin tonë dhe është tërësisht konform zotimit tonë. E para, qytetari ka të drejtë të paguajë 30 deri në 50 % të faturës me letra me vlerë, gjë që e ul detyrimin rreth 20 %. Nëse ai dëshiron ta paguajë menjëherë detyrimin, pra, nëse ai vjen dhe thotë “unë do ta paguaj këtë detyrim, toka nuk është e imja, unë dua ta mbyll këtë histori”, atëherë ka dhe një zbritje tjetër 20 %. Dhe kur të paguaje në fund, ka dhe një zbritje të tretë prej 400 mijë lekësh, që ne do t’ia lëmë çdo familjeje, për të paguar energjinë elektrike, në dy vitet e ardhshme. Duke  konsideruar që gjithë këtë proces, ne nuk e bëjmë për ata që kanë ndërtuar hotele në rërë, as për ata që kanë ndërtuar pallate me leje 6 kate dhe kanë legalizuar 17 kate, por i bëjmë për ata që janë në nevojë. Ata, sot, gjithçka që kanë pasur, e kanë hedhur për të ndërtuar ato shtëpi dhe ky ligj iu jep mundësinë që nga varfëria të dalin duke shfrytëzuar si kolateral ndërtimin e tyre. Sepse në fund, edhe në rast se nuk do të paguajnë e do të thonë “nuk kemi lekë”, do të marrin letrat dhe do të bëhen pronarë, por në hipotekë do të kenë  një kufizim hipotekor, që do të qëndrojë aty për deri ditën kur do të kenë lekët për t’i paguar. Me kufizimin hipotekor, ata mund të shkojnë në bankë e të marrin kredi, mund ta shesin shtëpinë, bashkë me atë kufizim dhe kufizimi është me një mesatare prej 4 milionë lekësh të vjetra.

Duke pasur parasysh se ligji bën edhe një ndrysim të madh, rrënjësor, që nuk kushton toka njësoj si në Tiranë, si në Kukës, si në Durrës, si në Librazhd, por ka çmime të ndryshme, atëherë gjëja që ndodh është se ne transformojmë në pronarë dhe këto investime, që sot janë të vdekura dhe nuk figurojnë asgjëkund dhe janë miliarda, në kolateral, në mënyrë që këta njerëz të mos rrinë gjithë ditën, tek dera e partive apo tek dera e zyrave të shtetit për të kërkuar punë, por të vihen në lëvizje dhe ta përdorin kolateralin për kredi, që mund t’u shërbejë për të hapur një biznes të vogël, që mund t’u shërbejë për t’u lidhur me bashkëfshatarët e tyre aty ku i kanë ende, për të krijuar iniciativa të përbashkëta bujqësore, blegtorale, në agriturizëm e kështu me radhë dhe për t’u vënë në lëvizje, duke pasur mundësinë e demonstrimit se kanë një pasuri. Është një pasuri e konsumuar në gjithë këto vite, e cila sot nuk ekziston, nuk jua njeh askush se nuk e kanë me letra. Në momentin që kanë letrat, ajo pasuri, për bankën është një garanci dhe atëherë mund të paguajnë dhe studimet e fëmijëve, mund të marrin kredi edhe për të tjera veprimtari.

E fundit, është që një subjekt që duhet të paguajë mesatarisht 400 mijë lekë për legalizimin, paguan 360 mijë lekë dhe pas dy vjetësh, thjesht paraqet faturat që ka paguar energjinë dhe nuk ka nevojë më të paguajë pjesën e mbetur. Pra, këto para ia kreditojmë ne si shtet, në mënyrë që te kemi rritje të pagesës së energjisë dhe në mënyrë që, sigurisht nesër, askush të mos thotë s’kam lekë. Sepse ne nuk do të lejojmë që energjinë, ca ta paguajnë e ca të mos ta paguajnë.

Ky është ligji i ri dhe ju siguroj që këtë ligj të ri dhe këtë skemë të re, ata që kanë kaq vite që presim pas derës së PD-së për  të marrë legalizimin, e kanë shumë të qartë. Ata janë juristët më të shkëlqyer në fushën e legalizimeve, sepse kanë kaluar nëpër duar, kaq shumë ligje që kanë bërë këta, kaq shumë akte që kanë bërë këta, e kaq shumë vendime që kanë bërë këta, sa nuk ua ha shkopin, asnjë lloj qeni.

Kështu që, miqtë e mi, duke ju kërkuar shumë ndjesë për kohën, më lejoni t’u them me ketë rast, qentë le të lehin, karvani jonë të vazhdojë të ecë përpara.

Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët