Fjala e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama
në mbledhjen e grupit parlamentar të PS

Fjala e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama<br />në mbledhjen e grupit parlamentar të PS
Fjala e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS

Ky është një moment vërtet krejt i posaçëm për ne të gjithë. Është një moment solemn, për këtë grup kuvendor që sot mblidhet përpara se të zbresë në fushën e betejës parlamentare si trupë e mandatuar, fuqimisht, nga populli për të ndalur rrënimin dhe rilindur Shqipërinë.

Le të jeni krenarë për besimin që shqiptarë na dhanë në 23 qershor. Po, njëkohësisht, të jeni shumë të përulur përpara vullnetit të tyre sovran, që do të jetë ligj për ne, në çdo vendim apo veprim politik ose qeverisës. Le të mos e harrojmë, asnjë ndër ne, se kush dhe pse na e ka dhënë besimin e madh. Dhe asnjë ndër ne të mos e ngatërrojë, asnjëherë, detyrën e vet me pushtetin e popullit. Detyra është e jona, pushteti është i zgjedhësve. I të gjithë zgjedhësve, jo vetëm i atyre që votuan masivisht “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

Të gjithë u përpoqëm fort për ta fituar mandatin që pas një beteje të gjatë, të mundimshme e fisnike, na u besua me një votë popullore të ngjashme vetëm me atë të vitit 1992. Tash e mbrapa duhet të përpiqemi edhe më fort, si një skuadër kompakte, për ta merituar këtë mandat kaq të jashtëzakonshëm për Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim, gjithë koalicionin tonë të 1 milionë votave. Duhet të përpiqemi edhe më fort, ditë për ditë, për të mbajtur me dinjitet lart flamurin e interesave kombëtare e qytetare, si një trupë e vetme, të vetëdijshëm në çdo moment dhe lëvizje se jemi bashkë, për të bërë punë të mirë për Shqipërinë; Jemi bashkë për t’i dhënë fund praktikave të këqija të shpërdorimit të pushtetit e të mandateve; Jemi bashkë për t’i bërë zgjedhësit tanë krenarë për ne dhe për ta fisnikëruar politikën me sjelljen tonë ndaj detyrës dhe publikut.

Secili prej nesh lypset ta meritojë përditë mandatin e vet parlamentar ose qeverisës, pa harruar asnjë zotim të dhënë para popullit; Pa harruar asnjë plagë e dhimbje të ndeshur mes njerëzve në rrugëtimin e mundimshëm të fitores; Pa harruar asnjë sjellje të shëmtuar dhe veprim të gabuar të humbësve të 23 qershorit, për të mos i përsëritur kurrsesi në emër të shumicës së re. Ndëshkimi popullor i 23 qershorit për ato sjellje vulgare e veprime brutale, ishte njëherësh urdhri i popullit sovran për ne: Mos bëni si këta nëse nuk doni të ndëshkoheni edhe më keq se këta!

Ky është një urdhër që nuk diskutohet, por vetëm zbatohet. E, ky grup duhet të vigjilojë që askush të mos e thyejë këtë urdhër, po gjithkush ta zbatojë me besnikëri shembullore ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.

Ne deputetët e shumicës së re, duhet të përpiqemi me të gjithë forcën e zemrës dhe të mendjes për ta merituar, jo veç me fjalë e beteja kuvendore, po edhe me përkushtim të përditshëm për njerëzit, nderin e madh që na kanë bërë duke na besuar privilegjin e jashtëzakonshëm të ligjvënies e të qeverisjes, në emër të tyre për 4 vitet që vijnë.

Mos e harroni asnjë çast: Ata votuan, për ne, në një numër shumë më të madh se parashikimet më optimiste. Lejomëni të ndaj me ju çfarë ndjenje e pandashme më shoqëron, qysh se fitorja mori përmasën e vet të plotë duke tejkaluar çdo parashikim;

Për çdo votë më shumë që numëruam, çdo përqindje më shumë që morëm, çdo vend më shumë që fituam, unë nuk ndiej më shumë gëzim për fitoren, po më shumë përgjegjësi për qeverisjen. Tek madhësia e pazakonshme e fitores, unë shoh fytyrën e revoltës së shqiptarëve ndaj një mënyre arrogante të ushtrimit të pushtetit. Tek rezultatet e rritura përtej parashikimeve kudo në favorin tonë, unë lexoj rrudhat e dhimbjes dëshpëruese prej padrejtësive, grabitjeve, gënjeshtrave të pushtetit të pamerituar. Tek këto dhe te vetë mbështetja popullore e shtrirë si asnjëherë nga veriu në jug për ne, unë ndjej peshën e madhe të një përgjegjësie që rritet çdo ditë bashkë me pritshmërinë e lartë të njerëzve.

Jam përkohësisht i lehtësuar që publikimi i skuadrës sonë të re qeveritare, nuk e cenoi pritshmërinë e lartë. Kemi një skuadër që u formua duke lexuar me kujdesin më të madh shkaqet e revolucionit të votës së 23 qershorit dhe ekzigjencat ndaj nesh të atyre 1 milionë shqiptarëve, të cilët e bënë atë revolucion jo për të ndërruar qeverinë, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Por, mirëpritja që opinioni publik i ka rezervuar qeverisë së re, - sondazhet tona flasin për një nivel aprovimi në kufirin 70%- i’a lë vendin, ditë për ditë dhe, ditën e hënë plotësisht gjykimit të opinionit për ne në përballjen tonë me krizën e rëndë të vlerave morale, shoqërore dhe ekonomike që e ka dërrmuar vendin si s’ka më keq.

Këtë provë sfilitëse ne duhet t’a kapërcejmë me sukses çdo ditë të mandatit tonë 4 vjeçar, sepse çdo ditë do të jemi në provë, edhe si qeveri, edhe si shumicë e re kuvendore. Edhe si ministra, edhe si deputetë. Do të jemi në provë në qeverisjen e vendit, por do të jemi po ashtu specifikisht në provë për sjelljen ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Mandati i fortë që njerëzit na kanë dhënë nuk duhet të na kthejë në asnjë mënyrë në shembullin e vjetër të forcës, po në forcën e re të shembullit. Masa e madhe e shumicës që kemi marrë, është thjesht mishërimi i përgjegjësisë së madhe që na është ngarkuar. Unë do të bëj gjithçka për të garantuar që kjo shumicë ta mbajë me nder dhe me faqe të bardhë këtë përgjegjësi. Unë pres nga ju, nga çdo njëri prej jush sipas detyrës së lartë që do të mbulojë, në Kuvend a në Qeveri, që të bëni të njëjtën gjë- në mënyrë që kjo shumicë të çojë përpara Shqipërinë duke ndryshuar modelin e derisotëm të ushtrimit të pushtetit dhe duke i kthyer popullit të drejtën e humbur mbi pushtetin.

Dhe të gjithë ne, të zgjedhurit, së bashku, duhet të kërkojmë dhe të presim nga drejtuesit e partisë në çdo rreth e njësi, të bëjnë as më shumë dhe as më pak po të njëjtën gjë që do të bëjmë ne vetë, në mënyrë që shpresa të mos i’a lërë vendin zhgënjimit dhe pritshmëria e njerëzve të mos zëvendësohet nga revolta e tyre ndaj nesh. Vija që i ndan këto është tejet e hollë dhe koha që njerëzit do të na japin në pritje të ndryshimit, besoni, është tejet e kufizuar. Të humburit na kanë lënë në dorë një libër të trashë marrëzish e gabimesh për të mos u përsëritur. Të mos e humbasim atë libër nga sytë asnjë ditë nëse duam të mos biem në batakun mjerues ku ata ranë e u zhytën thellë e më thellë, deri në fund, deri në mbledhjen e djeshme dhe fatmirësisht të fundit të qeverisë së tyre. Të mbetemi sot e mot në një mendje që gabimet tona të pashmangshme në rrugën e re të Rilindjes, të mos jenë përsëritja banale e gabimeve të rrugës së tyre të vjetër të rrënimit.

Ministrat kanë kohë që kanë nisur përgatitjet dhe ju siguroj se skuadra qeveritare ka gjithçka gati – të detajuar për çdo ministri brenda një plani pune 100 dhe 300 ditor. Edhe sinteza e programit qeverisës të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, është gati dhe tanimë po redaktohet gjuhësisht për t’ju paraqitur Kuvendit. Sot nis edhe përgatitja e këtij grupi të ri kuvendor, me rizgjedhjen krejt natyrale të kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi. I cili, dhe pse gëzon konsensusin më të plotë, me dëshirën e tij si gjithmonë, ka kërkuar kalimin përmes votimit të fshehtë të kandidaturës së vetme.

Pas betimit të deputetëve, ditën e hënë, do të caktojmë Kryesinë e grupit kuvendor të PS-së, si dhe drejtuesit dhe anëtarët e komisioneve kuvendore të “Aleancës për Shqipërinë Europaine”. Në Kuvend PS dhe LSI do të jenë dy grupe kuvendore, po do të veprojnë në harmoninë më të plotë për të realizuar programin e përbashkët qeverisës.

Paralelisht me përgatitjen për diskutimin e parë parlamentar lidhur me programin e qeverisë së re duhet që çdo deputete e deputet i këtij grupi kuvendor të përgatisë zyrën në njësinë e vet të kujdestarisë. Lutja ime është që kjo kërkesë të merret me të gjithë seriozitetin që meriton çdo komunitet zgjedhësish.

Pritshmëria e lartë shoqërohet kudo me një ndjenjë padurimi krejt legjitim. Njerëzit janë sfilitur në rrugën e vjetër të padrejtësive. Janë të lodhur nga papunësia e të dëshpëruar nga varfëria. Vuajnë mungesën shumëvjeçare të përfilljes më minimale mes miliona hallesh anembanë Shqipërisë. Ne s’mund t’ua zgjidhim problemet sa hap e mbyll sytë, por mundemi ama sa hap e mbyll sytë t’u gjendemi pranë dhe të mos bëhemi problemi i tyre i ri. Duhet t’u jemi pranë rregullisht, për të vazhduar t’i dëgjojmë me të njëjtin durim si deri para disa muajsh kur kërkonim votën e tyre. Për t’u dhënë përgjigje kërkesave e ankesave të tyre. Për të siguruar që qeverisja jonë nuk do të shkëputet nga realiteti i tyre dhe që ata nuk do të mbeten të painformuar për realitetin e qeverisjes. Unë e di që ju të gjithë, njësoj si dhe unë, jeni nën presionin e njerëzve në kërkim të një pune, apo të një të drejte të mohuar me vite, apo të një mbështetjeje të munguar shumë gjatë. Ky presion, natyrshëm, do të vijë duke u rritur dhe duke u rritur duhet të vijë dhe përkujdesja jonë për të administruar me përkushtim dhe qetësi presionin për punësim, të drejta, liri e zgjidhje që njerëzve u janë mohuar prej vitesh.

Në librin e trashë të marrëzive dhe të gabimeve të pushtetit të kundërshtarëve tanë, nxin kapitulli i dhunës psikologjike ndaj administratës dhe çdokujt që ata e gjetën në punë kur filluan të qeverisin. Nxijnë krimet e flakjes pa asnjë motiv nga puna të mijëra profesionistëve e specialistëve, po edhe punonjësve më të thjeshtë të shërbimeve, që u zëvendësuan me të tjerë të cilët rëndom, nuk plotësonin asnjë kriter tjetër veç verbërisë politike. Nxijnë faqet e maskaradës së një korrupsioni që u katandis në degradimin e fundëm të shitblerjes së vendeve të punës. Ne s’duhet dhe s’do ta nxijmë librin e qeverisjes sonë me padrejtësira të kësaj natyre të ulët jo vetëm politikisht, por edhe njerëzisht.

Por ne nuk do të rijmë as duarkryq. Jemi të vendosur të mbjellim në këtë vend kulturën e konkurrencës e të meritës dhe do ta bëjmë këtë hap pas hapi. Pa i rënë në qafë padrejtësisht askujt, as edhe një njeriu të vetëm, që sot shërben me profesionalizëm në administratën e shtetit, por pa u lënë shqiptarëve në qafë askënd, as edhe një njeri të vetëm që është paguar deri më sot jo për shërbimin ndaj shtetit të tyre, por besnikërinë ndaj pushtetit që rrënoi Shqipërinë dhe rrënoi ekonominë e jetën e tyre. Shteti është i qytetarëve jo i partive në pushtet dhe s’ka asnjë dyshim se nuk mund të vazhdojë të jetë i partisë që deri dje ishte në pushtet, e cila ka bërë në këtë vend emërimet më të padrejta po edhe më qesharake në historinë e Shqipërisë - në dëm të Shqipërisë.

Po ashtu, s’ka dyshim se ne nuk mund dhe nuk do t’u mohojmë të rejave dhe të rinjve të mirëshkolluar e të dëshiruar të punojnë për shtetin, të drejtën që të konkurrojnë e të fitojnë me meritë vendin ku duan të shërbejnë sa herë që e ka një vend të tillë të hapur sipas ligjit. Por ky është një proces që kërkon kohën e vet, në respekt të plotë të ligjit e të drejtave të çdo njeriu, të aspiratës sonë europiane dhe domosdoshmërisë që ta ndajmë njëherë e mirë Shqipërinë nga epoka e ndërrimit jo vetëm të pushteteve, po dhe e shpartallimit të administratës. Prandaj çdo deputet në radhë të parë, duke filluar nga unë duhet të mos bëhet përçues i presionit për punësim tek qeveria, po administrues i kujdesshëm i këtij presioni, me një punë sa më të madhe shpjeguese.

Ashtu si kundër edhe çdo ministër duhet të jetë shembullor në procesin e vlerësimit sa më objektiv të kapitalit njerëzor ekzistues në administratën e shtetit, si edhe në garantimin e transparencës e të meritës për çdo konkurs dhe emërim të ri. Asnjë lidhje e shkurtër, miqësore apo klienteliste, s’duhet t’i mbivendoset lidhjes organike institucionale të qeverisë me grupin parlamentar dhe të çdo ministri me deputetët. Duhet t’u gjejmë punëve të vendit njerëzit e duhur, jo miqve e kushërinjve t’u gjejmë punë për vete në dëm të punëve të vendit e të njerëzve të këtij vendi.

Nepotizmi s’duhet në asnjë mënyrë të gjejë rrugë për të prekur e dëmtuar organizmin e kësaj shumice të re qeverisëse. Në asnjë institucion nuk mund të ketë më bashkëshortë dhe kushërinj të parë që marrin rrogën në të njëjtën bordero. Ndërsa për kë do të guxojë të marrë para për të shitur një vend pune ne duhet të kërkojmë deri në fund dënim penal maksimal!

Por sfida e punësimit, në thelbin e vet, është sfida për hapjen e vendeve të reja të punës. Të gjithë ne, deputetët dhe jo vetëm ministrat, duhet të bëhen zëri ynë bindës për thithjen e investimeve që hapin vende të reja pune.

Sot është plotësisht e mirëprovuar dhe e argumentuar bazuar mbi faktet dhe rrethanat e vendeve fqinje Shqipëria është një territor ku në rast se ne arrijmë të garantojmë ligjin dhe kushtet në bazë të ligjit ka shumë interes për delokalizim të kompanive të huaja sidomos në vendet fqinje dhe posaçërisht në manifakturë. Për këtë duhet të bëhet një punë e organizuar dhe ne do të organizojmë të gjithë grupin parlamentar edhe në funksion të kushteve e të nevojave nëpër qarqe për një ndërmarrje të gjatë dhe sistematike, të durueshme dhe të mirëharmonizuar me qeverinë për thithjen e interesit për investime të huaja që krijojnë vende të reja pune.

Këtë e bëjnë të gjithë përfaqësuesit e popullit në vendet e asaj Familje Europiane ku ne duam të integrohemi, të cilët në radhën më të parë të axhendës së tyre kanë hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e investimeve në zonat e tyre. Këtë nuk kemi pse të mos e bëjmë ne dhe madje nuk ka pse të mos kemi sukses në rast se qeveria do të jetë në mbështetje të plotë të të gjithë forcës promovuese dhe argumentuese të deputetëve dhe në rast se ministrat do të jenë, dhe ju siguroj që do të jenë me dyer të hapura për çdo kërkesë për investime të huaja, që krijojnë vende të reja pune në çdo qark të Shqipërisë.

Së fundi, dëshiroj edhe njëherë tjetër t’ju siguroj se ky është një oportunitet i jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe se unë kam bindjen më të thellë që ne do t’ia dalim. Do t’ia dalim që të punojmë me përkushtimin më të madh dhe me profesionalizmin më të lartë që ky vend ka njohur në këto 20 vjet për të skontuar, një e nga një, të gjitha zotimet tona, prej të cilave ne nuk do të lëvizim në asnjë pikë. Dhe realizimin e të cilave ne do ta kemi kartëvizitën për t’u riprezantuar përpara shqiptarëve në ditën e gjykimit pas katër vjetësh.

(6 shtator 2013)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit