Ishte kënaqësi për mua si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, që së bashku me z. Spaho si Zëvendëskryetar, me z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe me z. Vasili si Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të prisnim sot në vizitën e parë zyrtare në vendin tonë,

Kryetarin e ri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli dhe delegacionin që e shoqëron atë gjatë kësaj vizite.

I kemi uruar z. Veseli suksese në detyrën e tij të re në krye të Kuvendit të Kosovës dhe e kemi siguruar për mbështetjen tonë të plotë për bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për vullnetin e sinqerte në thellimin e marrëdhënieve substanciale midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe në veçanti midis dy kuvendeve tona.

Besoj se rëndësia dhe domethënia e Kosovës për të gjithë ne nuk ka nevojë për shumë komente, pasi është e qartë se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë një mbështetje e veçantë pranë Kosovës dhe për Kosovën në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh, por edhe në drejtim të konsolidimit të axhendës rajonale dhe ndërkombëtare të saj.

Duke konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë prej kohësh midis dy kuvendeve tona, kemi rënë dakord që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë, në mbështetje të bashkëpunimit konkret, por njëkohësisht edhe për të nxitur më tej të dy qeveritë tona, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për të qenë edhe më aktive, edhe më produktive dhe besojmë se mbledhja e ardhshme do të japë mesazhe të qarta në këtë drejtim.

Njëkohësisht, kemi diskutuar me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli mbi intensifikimin e shkëmbimeve dhe të kontakteve midis komisioneve parlamentare të përhershme të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe për të forcuar më tej bashkëpunimin që ekziston prej kohësh midis dy administratave të kuvendeve tona, në funksion të përmirësimit të cilësisë së bashkëpunimit tonë, por edhe të përputhshmërisë së legjislacionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe midis dy vendeve tona dhe legjislacionit të Bashkimit Europian. Kemi shprehur mbështetjen tonë për forcimin e vazhdueshëm institucional dhe demokratik të Kosovës dhe kemi besim se në mënyrë konstruktive, forcat politike në Kosovë do të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në interes të së ardhmes së Kosovës, e cila gjendet në Bashkimin Europian, ashtu si edhe të gjithë vendet e tjera të rajonit tonë.

Njëkohësisht, mbështesim progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, duke e gjykuar atë si thelbësor, jo vetëm për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin të cilit ne i përkasim.

Jam i bindur se duke avancuar me kurajo dhe me vizion në zbatimin e marrëveshjes në terren, do të arrihet që të sigurohet normalizimi, jo vetëm i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve kudo, pa dallime etnike. Dua të shpreh mirënjohjen tonë për vëmendjen që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i kushtojnë progresit demokratik në Kosovë dhe dua ta siguroj z. Veseli për mbështetjen tonë që Kosova të jetë pjesë e të gjithë nismave rajonale. Me këtë rast, e kam ftuar për të marrë pjesë në krye të këtij delegacioni nga Kuvendi i Kosovës në Sesionin plenar të Kryetarëve të Parlamentarëve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Europës Juglindore që do të zhvillohet në maj të këtij viti në Tiranë. Jam i bindur se kjo vizitë do t’i japë një shtysë të re dhe më dinamike marrëdhënieve midis dy kuvendeve tona, por edhe midis dy vendeve tona. Dhe me këtë rast i uroj edhe njëherë suksese z. Veseli gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë!