Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta mbajtur gjatë aktivitetit

Të dashur të rinj dhe të reja,

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar deputetë,

Mirë se erdhët në Kuvendin e Shqipërisë! Më lejoni të përgëzoj në mënyrë të veçantë PNUD-in për iniciativën e kësaj Tryeze në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Kuvendi inkurajon intensifikimin e dialogut midis të rinjve romë dhe të komuniteteve të tjera me përfaqësuesit parlamentarë për të evidentuar sfidat sociale dhe zhvillimore të këtij komuniteti si dhe rritjen e kapitalit social të të rinjve romë dhe egjiptianë.

Respektimi i parimit të barazisë dhe jo diskriminimit, të drejtës së arsimimit, strehimit, mbrojtjes sociale dhe të punësimit, të cilat mbrohen dhe nga Kushtetuta e vendit tonë dhe njëkohësisht dhe nga vetë Kuvendi si institucion ligjvënës, ka një rol kyç jo vetëm në miratimin e legjislacionit, por në mënyrë të veçantë për implementimin e tij në bashkëpunim me të gjithë aktorët qeveritarë dhe jo-qeveritarë.

Në përmbushje edhe të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, Kuvendi e ka forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me institucione të pavarura si Avokati i Popullit që e përshëndes për angazhimin e tij të përhershëm në bashkëpunim dhe me Kuvendin, nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në interes të të drejtave dhe integrimit të të gjithë pakicave në vendin tonë, por veçanërisht të komunitetit rom.

Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndaj dhe vitin e kaluar është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve për periudhën 2016-2020.

Ky plan pritet të adresojë fusha prioritare si Regjistrimi Civil, Punësimi, Arsimi Profesional, Kujdesi Shëndetësor dhe Strehimi.

Arsimi është sfidë kombëtare, por mendoj se përfshirja veçanërisht e të gjithë fëmijëve romë në arsimin parashkollor, i cili duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë, duhet të jetë një nga prioritetet tona.

Kjo nevojshmëri kërkon një legjislacion që sanksionon dhe garanton këtë përfshirje. Por e rëndësishme është që të identifikohen ato arsye objektive dhe subjektive, të mbartura nga e shkuara dhe tradita apo dhe krijuara rishtaz që çojnë në moszbatimin në praktikë të arsimimit të fëmijëve romë.

Nuk mjafton vetëm legjislacioni, por duhet më shumë vullnet për zbatimin e tij.

Niveli arsimor i fëmijëve romë është problem i të sotmes, por akoma më shumë i të ardhmes, pasi pa arsimin e duhur ata nuk do të jenë realisht të integruar, por do të jenë të mënjanuar nga tregu i punës dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë të drejtat e barabarta që meritojnë me të gjithë gjeneratën e tyre.

Duke njohur këtë realitet, duke e kuptuar këtë sfidë, ne jemi të vendosur të kontribuojmë për ta ndryshuar atë.

Kuvendi është një aktor i rëndësishëm në këtë përballje. Në aktivitetin e tij ai e ushtron vullnetin legjislativ përmes komisioneve parlamentare. Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë i ka kushtuar vëmendje të posaçme trajtimit dhe problemeve të komunitetit rom në Shqipëri.

Është organizuar seancë dëgjimore për diskutimin e raportit të veçantë të Avokatit të Popullit për “Problematikat dhe gjendjen e të drejtave të komunitetit rom”, të cilin dua t’a falënderoj për angazhimin e tij.

Rekomandimet janë përcjellë në të gjitha ministritë përkatëse për të realizuar iniciativa legjislative për arsimin, për kriteret lehtësuese për përfitimin e ndihmës ekonomike, për mbrojtjen e interesave jetësore të komunitetit Rom në Shqipëri si dhe për marrjen e masave për regjistrimin në Gjendjen Civile.

Po kështu, dua të nënvizoj marrjen e masave për lehtësimin e kritereve për përfitimin e strehimit. Pikërisht problemi i strehimit është një nga sfidat më të rëndësishme që kushtëzon jetën standarde normale të këtij komuniteti.

Një vëmendje të veçantë duhet të marrë edhe pozita e gruas dhe vajzave rome në Shqipëri, veçanërisht të rinjtë romë dhe egjiptianë, të cilët duhet të kenë mundësi të reja për formim profesional, njëlloj si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vend, me qëllim që të jenë sa më të aftë për tregun e punës e punës në të ardhmen.
 
Po kështu, dua t’ju falënderoj që jeni mbledhur të gjithë sot në ambientet tona dhe t’ju siguroj se ne mbetemi maksimalisht të angazhuar si Kuvend për të mbikëqyrur vazhdimisht të gjitha institucionet shqiptare që duhet të garantojnë të drejtat tuaja ndërkohë që do të jetë gjithmonë ky Kuvend një platformë e hapur debati, ku jo vetëm deputetët, jo vetëm institucionet e pavarura, por edhe shoqëria civile dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian do të kenë hapësirën maksimale për të shprehur shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

Ju falënderoj
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari