Fjala e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta tek Konferenca e Integrimit

E nderuar znj. Majlinda Bregu, 
I nderuar z. Ditmir Bushati,
I nderuar z. Knut Fleckenstein,
Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi t’ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, në Konferencën e 11-të të Komisioneve të Integrimit Evropian të Vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit, nën Presidencën shqiptare të COSAP.

Jemi në një moment historik për rajonin tonë, i cili pavarësisht sfidave me të cilat po përballet i gjithë kontinenti, ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm nëse marrim në konsideratë se ku ishte Evropa Juglindore vetëm 15 vite më parë.

Ky progres substancial nuk duhet marrë si i mirëqenë. Meritë për këtë kanë vetë pritshmëritë dhe kërkesat e qytetarëve dhe shoqërive tona, por kontribut të spikatur ka gjithashtu edhe procesi i integrimit evropian, i cili e ka mbajtur të gjallë perspektivën e vendeve tona dhe avancimin e proceseve të brendshme reformuese.
Sot kemi hyrë në një fazë tjetër më domethënëse, më intensive dhe secili vend po avancon në marrëdhënien e tij kontraktuale në BE.

Kjo marrëdhënie kontraktuale ka domethënien pikërisht në prekshmërinë dhe qëndrueshmërinë e reformave të nevojshme që duhet të kryejmë me qëllim anëtarësimin e plotë në BE, që në vetvete është një mjet i pazëvendësueshëm për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve tanë.
Në këtë kontekst, parlamentet tona dhe veçanërisht Komisionet e Integrimit kanë mundësitë që të shumëfishojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta, në nxitje të qeverive për të përshpejtuar ritmin e reformave vendimtare në çdo vend.

Ne jemi mirënjohës për Procesin e Berlinit, që rikonfirmoi perspektivën evropiane të vendeve tona dhe krijon një moment të ri pozitiv pikërisht në kulmin e lodhjes së zgjerimit.
Njëkohësisht, unë e shoh këtë proces të nisur si një impuls të ri, në drejtim të transformimit të rajonit tonë në një hapësirë më dinamike, ekonomike, demokratike dhe sociale.
Në këtë kuadër, ne përshëndesim dhe deklaratën e Vjenës që besoj se shtyn përpara një sërë projektesh të prekshme për të gjithë vendet tona.
Njëkohësisht ne presim dhe na duhet të përgatitemi të gjithë së bashku për Konferencën e ardhshme të Parisit, e cila duhet të avancojë projektet e dakordësuara në Vjenë.
Jam i bindur se përfshirja e parlamenteve kombëtare në Procesin e Berlinit forcon rolin mbikëqyrës të tyre ndaj procesin e integrimit evropian duke kontribuar në rritjen e stabilitetit politik dhe në përmirësimin e klimës politike dhe ekonomike rajonale.

Ne e shohim perspektivën e saj, pra të vendit tonë në BE të lidhur ngushtë me axhendën e reformave në vend të fokusuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës përmes Reformës në Drejtësi në mënyrë të veçantë, si reforma kyçe e cila do të garantojë edhe mbarëvajtjen e procesit të integrimit. Konsiderojmë se hapja e negociatave do të jetë një nxitje dhe një angazhim i mëtejshëm për një adresim më të mirë të sfidave që sjell zbatimi i këtyre reformave. Ne jemi të bindur se duhet të përshpejtojmë ritmin e reformave që lidhen me forcimin dhe sundimin e ligjit, pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar ende qëndrojnë si barriera serioze për një zhvillim më të shpejtë dhe për një cilësi tjetër të mirëqeverisjes. Bashkimi Europian po ndihmon shumë në këtë drejtim, pavarësisht se ka mjaft sfida të tjera të shtuara.
Ritmi i reformave të qëndrueshme duhet të përshpejtohet në secilin vend dhe kjo do të realizohet në radhë të parë duke garantuar edhe një përfshirje më të madhe të gjithë grupeve të interesit dhe të gjithë shoqërisë civile. Ne duhet të punojmë akoma më shumë për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëjetesës midis të gjithë vendeve në rajon dhe këtë Shqipëria e konsideron si shtyllë të paqes, stabilitetit por dhe të prosperitet të gjithë rajonit tonë. 

Ne duhet të rrisim angazhimin tonë aktiv në të gjitha iniciativat rajonale duke rënë dakord që këto nisma të udhëhiqen nga parimi i gjithëpërfshirjes me qëllim konkretizimin e programeve të prekshme, ekonomike, infrastrukturore dhe punësimi për të gjithë qytetarët tanë. Në lidhje me këtë temë, ne mbështesim plotësisht përfshirjen e Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale dhe shpresojmë që të gjitha vendet tuaja do të jenë po aq mbështetëse ose të paktën mirëkuptuese. Përfitoj nga rasti këtu të përshëndes praninë e delegacionit parlamentar të Kosovës në këtë konferencë të KOSAP-it sot në Tiranë.

Njëkohësisht parlamentet tona duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për të forcuar parametrat tonë të përbashkëta të sigurisë të cilët janë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit tonë dhe për adresimin e problematikave që sjellin sfidat e ekstremizmit, radikalizmit, terrorizmit, por edhe populizmit. Dhe në këtë kontekst, si një vend anëtar në NATO, ne mbështesim aspiratat e gjithë vendeve të rajonit tonë për t’u përfshirë në Aleancë pasi kjo do të forcojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në një mënyrë më afatgjatë.

Njëkohësisht, ndërlidhja infrastrukturore dhe shkëmbimet tregtare janë kyçe për investimet e huaja dhe për një zhvillim më të shpejtë. Shtrirja e rrjetit të transportit trans-europiane dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore, ekonomike dhe tregtare, që do të realizojë lidhjen e qyteteve tona me qendrat ekonomike dhe portet kryesore të rajonit, janë esenciale për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare dhe do ta transformojnë rajonin në një hapësirë më tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja.

Së fundmi, ne duhet të marrim masa praktike për të përmirësuar mobilitetin dhe të investojmë akoma më shumë për arsimin e të rinjve tanë duke i dhënë përparësi formimit profesional të të rinjve si një element kyç për t’u bërë më konkurrues në këtë treg rajonal, por edhe global që ndryshon shpejt. Kjo është e vetmja mënyrë për të trajtuar dhe luftuar papunësinë e lartë e cila për fat të keq ende dekurajon të rinjtë tanë për të investuar energjitë dhe aftësitë e tyre në vendet tona dhe në rajonin tonë.

Ky prioritet ka një domethënie të jashtëzakonshme sidomos gjatë këtij viti ku për fat të keq kërkesat e azilantëve në vendet e Europës Perëndimore janë rritur në mënyrë shqetësuese edhe nga vendet tona. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ne mund të tërheqim investimet e huaja domethënëse vetëm duke punuar në aspektin rajonal dhe jo thjesht atë të ngushtë kombëtar. Dhe siç u bë e qartë gjatë Konferencës së Vjenës, qeverisja më e mirë, forcimi i shtetit ligjor, arsimi profesional i të rinjve dhe ndërlidhja infrastrukturore dhe energjetike, janë fushat kryesore për një zhvillim më të shpejtë të gjithë rajonit tonë.

Me këtë rast do të dëshiroja t’ju uroja punime të suksesshme gjatë kësaj konference dhe shpresoj që konferenca të tjera të këtij lloji të bëhen jo vetëm në Tiranë, por edhe në shumë qytete të tjera të vendit tonë për ta njohur akoma më mirë Shqipërinë.
Faleminderit!

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit