Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Darko Pajovic 

I nderuar z. Meta!
Përfaqësues të medias!
Kjo është vizita e dytë ndërkombëtare gjatë 20 ditëve të fundit, kohë kur unë kam marrë detyrën e Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, dhe vizita e parë në një shtet fqinj.
Kam kënaqësinë që jam sot këtu për disa arsye. Ato janë historike, kulturore, njerëzore. Gjithsesi edhe marrëdhëniet midis dy popujve dhe dy shteteve tona janë shumë të mira, siç kanë qenë edhe në të kaluarën.
Si Kryetar i Parlamentit i porsazgjedhur falënderoj z. Meta dhe të gjithë juve. Vlerësoj marrëdhëniet e mira të cilat do të kenë vazhdimësinë e tyre.
Dua të theksoj se gjenerata e re politike në shtetin tonë ka filluar të marrë përgjegjësitë se saj.
Për ne nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO. Për ne NATO nuk është vetëm një aleancë politike dhe sigurie. Ajo është e rëndësishme për sigurinë e paqes jo vetëm për shtetin e Malit të Zi, por edhe të vetë rajonit tonë. Dhe ato shtete në rajon që në këtë moment as nuk mendojnë për anëtarësimin në NATO, në një të ardhme të shpejtë do të fillojnë të mendojnë në këtë drejtim.
Falënderoj Parlamentin e Shqipërisë në këtë përshpejtim të anëtarësimit. Ju jeni shteti i pestë që do të ratifikoni Protokollin për Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të përforcojmë marrëdhëniet tona, por ju dërgoni një mesazh të mirë edhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s që ky proces të përshpejtohet dhe ai të ecë në drejtimin dhe tempin e duhur.
Sot kemi diskutuar për mundësitë dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy parlamentareve dhe komisioneve të ndërsjella të dy Parlamenteve. Unë besoj se së shpejti do të realizohet edhe një vizitë e ndërsjelltë e Kryetarit Meta me stafin e tij në Parlamentin e Malit të Zi dhe ne kështu në këtë mënyrë do të kemi shansin që t’ju kthejmë në një mënyrë mikpritjen tuaj të sotme.
Nuk do ta kemi të lehtë të arrijmë nivelin e mikpritjes që kemi pasur ne këtu, por sigurisht që edhe ne do të përpiqemi.
Unë do të falënderoja edhe misionin tonë diplomatik këtu në Tiranë, që gjithashtu janë një urë e rëndësishme për bashkëpunimin midis dy shteteve. Dhe besoj se në të ardhmen do të vazhdojmë me intensifikimin e bashkëpunimit e cila do të jetë frytdhënës. Dera e Parlamentit të Malit të Zi është e hapur për të gjitha iniciativat tuaja, për çdo aktivitet, për çdo gjë që i lidh dy shtetet dhe dy kombet tona.
Unë besoj se marrëdhëniet mes shteteve tona, marrëdhëniet në Ballkan duhet të ecin në drejtimin e forcimit të vlerave evropiane sepse jam i bindur se këtë mendim e ndajnë edhe popujt pa marrë parasysh se në cilën anë të kufirit janë. Ata dëshirojnë vlerat e bashkëpunimit, vlerat civilizuese, vlerat evropiane.
Edhe njëherë falënderime nga përfaqësuesit e Malit të Zi, nga delegacioni i sotëm, nga misioni diplomatik, nga shteti i Malit të Zi për hapin e sotëm për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre