Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta 

Së bashku me Kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Dade patëm kënaqësinë t’i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetarit të ri të Parlamentit të Malit të Zi, z. Darko Pajovic, në këtë vizitë të parë zyrtare të tij në Tiranë.
E kemi uruar kolegun Pajovic për marrjen e postit të ri dhe shumë të rëndësishëm në krye të Parlamentit të Malit të Zi dhe e kemi siguruar atë për vullnetin e plotë të Kuvendit të Shqipërisë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet midis dy Parlamenteve tona dhe vendeve tona.
Është tashmë një fakt që na gëzon të gjithëve, se gjithmonë kur flitet për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis vendeve të ndryshme në rajonin tonë, padyshim që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi përmenden gjithmonë si një model i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë.
Kemi ndarë bindjen se duke marrë në konsideratë këto marrëdhënie të shkëlqyera që dy vendet tona gëzojnë, bashkëpunimi mes dy parlamenteve tona duhet t’i shërbejë edhe më konkretisht rritjes së cilësisë së bashkëpunimit mes dy qeverive dhe gjithë institucioneve, në veçanti në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sikurse është bërë e qartë prej kohësh, Shqipëria ka mbështetur pa asnjë rezervë integrimin euro-atlantik të Malit të Zi. Ndaj dhe sot Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Aleancës së Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi në NATO, siç e premtuam edhe gjatë takimit të ngrohtë që patëm me Kryeministrin Milo Gjukanoviç muajin e kaluar në Tiranë, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku ai ishte i ftuar i veçantë.
Aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit tonë, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stabilitetit për Evropën Juglindore.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi dhe miqësia shqiptaro-malazeze janë mjaft të rëndësishme dhe domethënëse për stabilitetin e rajonit.
Mali i Zi, përfaqëson jo vetëm një vend fqinj e mik, por edhe një partner të natyrshëm në zhvillimin e projekteve rajonale, dhe në këtë kuadër mendoj se të dy vendet tona do të punojnë edhe më shumë për të konkretizuar e shumëfishuar projektet e përbashkëta ekonomike e shkëmbimet tregtare mes nesh, me qëllim rritjen e prosperitetit për qytetarët tanë.
Autostrada Adriatiko-Joniane apo Korridori Blu, si dhe zgjerimi i Gazsjellësit TAP përmes degëzimit IAP, janë disa prej këtyre projekteve më rëndësi strategjike për rajonin tonë, ku Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë përfitime të rëndësishme.
Kemi biseduar edhe lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, duke i konsideruar ata si një urë solide të miqësisë dhe një element jashtë i rëndësishëm për stabilitetin dhe kohezionin e brendshëm të Malit të Zi.
Ne e vlerësojmë vëmendjen që i kushtohet të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet malazeze dhe inkurajojmë progresin e mëtejshëm në këtë drejtim.
Rajoni ynë po kalon momente sfidash të rëndësishme historike, duke marrë në konsideratë këtu edhe sfidat globale të sigurisë e konfliktet në rajonet fqinje. Ndaj mendoj se politikanët si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi, por edhe në Maqedoni, Kosovë e kudo në rajon, kanë një përgjegjësi të veçantë për sa i përket ruajtjes së stabilitetit dhe eliminimit të pengesave rajonale.
Ne vlerësojmë këtu edhe mbështetjen strategjike që japin SHBA-të dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian në forcimin e demokracisë dhe standardeve të mirëqeverisjes në vendet tona.
Duke e falënderuar edhe një herë kolegun Pajovic për vizitën e tij, dua ta siguroj atë për miqësinë dhe mbështetjen tonë të vendosur ndaj Malit të Zi dhe popullit të tij mik.
Faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre