Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të LRI-së

Kemi hyrë në një fazë të re ku kam përshtypjen që unë mësoj më shumë nga ju sa ju mësoni nga unë dhe nga bashkëmoshatarët e mi në LSI. Prandaj do ta nis pak ndryshe fjalën time.
Dhe shkak për këtë, është dhe një miku juaj këtu, përfaqësuesi i Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”.
Një nga arsyet pse unë u bëra socialist apo socialdemokrat ka të bëjë me frymëzimin që kam gjetur për shkak të studimeve dhe të njohurive që kam marrë edhe para ‘90-s për një figurë shumë të madhe të Gjermanisë dhe të Europës dhe të socialistëve në botë, nga Willy Brandt, i cili përjetoi si rrallë kush tjetër ndarjen e Berlinit, qytetit ku ishte Kryetar i bashkisë, ndarjen e Gjermanisë, ndarjen e Europës dhe i cili bëri si askush tjetër për bashkimin e Berlinit, për bashkimin e Gjermanisë dhe për bashkimin e Europës përmes Ostpolitikës që ishte politika për të rrëzuar muret, për të rrëzuar Murin e Berlinit, për të rrëzuar murin që ndante Gjermaninë, murin që ndante Europën.
Dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë ata të cilët vinin në zyrën time në fillim të viteve ‘90 dhe shumë prej tyre edhe nuk e njihnin dhe shikonin një poster të madh të Willy Brandt-it.
Për fat të keq, figura të këtyre përmasave është e vështirë që t’i shohim sot, por idetë e tyre janë shumë të fuqishme edhe sot e kësaj dite. Janë të fuqishme për Europën, e cila ka nevojë për të qenë më e bashkuar, më solidare dhe më pak egoiste.
Por le të kthehemi në vendin tonë, ide të tilla janë shumë frymëzuese për vendin tonë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të zhvilluar solidaritetin, në mënyrë që t’i japim vendit dhe në mënyrë të veçantë të rinjve në një të ardhme të sigurt, në mënyrë që t’i japim fund ëndrrës së të rinjve për t’u larguar dhe t’i japim krah jetës, dhe mundësi ëndrrës dhe dëshirës për të jetuar dhe për të punuar në vendin tonë.
Ju vazhdimisht thoni se unë jam miku juaj më i mirë. Unë dua t’ju siguroj sinqerisht që në këto 25 vite në politikë, ku unë jam përfshirë që student në Lëvizjen Demokratike të Dhjetorit, ju të rinjtë dhe të rejat e LRI-së jeni miqtë e mi më të mirë.
Në këto 25 vite edhe unë si kushdo tjetër kam pasur mjaft zhgënjime. Megjithatë dua t’ju siguroj se vendimi më i mirë politik që kam marrë ndonjëherë në jetën time padyshim që ka qenë vendimi për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Por brenda këtij vendimi, vendimi më i rëndësishëm ka qenë që nga dita e krijimit të LSI-së - dhe LSI-ja nuk ka themelues vetëm Ilir Metën apo Petrit Vasilin që është këtu dhe shumë kolegë të tjerë, por ka edhe Erisa Xhixhon që atëherë ishte 17 vjeç, dhe shumë të rinj të tjerë - mbështetja për të krijuar një organizatë të fuqishme rinore si Lëvizja Rinore për Integrim.
Dhe nuk jam aspak i zhgënjyer në këto 12 vite, nuk jam i zhgënjyer as nga gjenerata e Erisës, që është një gjeneratë mjaft e integruar në të gjithë strukturat e LSI-së, as nga gjenerata e Endritit dhe e Kejdit, dhe as nga gjenerata më e re që ndodhet sot këtu dhe që do të marri drejtimin e Lëvizjes Rinore për Integrim për të ardhmen.
Pak ditë më parë isha në Washington dhe u takova me drejtuesit e Institutit Demokratit Amerikan me të cilët LRI-ja ka një bashkëpunim të shkëlqyer prej një kohe të gjatë dhe të jeni të sigurt, që pjesën më të madhe të diskutimit e bëmë rreth Lëvizjes Rinore për Integrim.
Por nuk është kjo më e rëndësishmja.
Më e rëndësishmja është ajo që unë dëgjova dhe që unë e ndaj plotësisht me drejtuesit e këtij instituti që gjeneratat e LRI-së sa vijnë dhe bëhen më të mira.
Dhe kjo mos mendoni se është vetëm merita juaj, por është merita edhe e gjeneratave të mëparshme, e Erisës, e Endritit, e Kejdit, të cilët i kanë dhënë kaq shumë përkushtim, solidaritet dhe dashuri kësaj organizate.
Ju vini dhe bëheni gjithnjë dhe më të mirë, por njëkohësisht është detyra jonë që gjeneratat e mëparshme t’i integrojmë më mirë në të gjithë lidershipin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në nivel qendror dhe lokal në të gjithë vendin.
Kjo është arsyeja që ne nuk i thamë Endritit, Kejdit dhe gjithë kolegëve të tjerë, “faleminderit për punën që keni bërë dhe për dëshirën për t’u hapur rrugën më të rinjve në drejtimin e LRI-së, në mënyrë që ata të afirmohen më tej”, por u thamë, “ejani dhe merrni drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mënyrë që vetë LSI-ja të bëhet më e mirë”.
Natyrisht që nuk dëgjova vetëm mrekulli pak më parë, dëgjova edhe vlerësime që edhe mua dhe shumë të tjerëve mund t’ju vrasin veshin. Dëgjova vlerësime për “arkitekt të Shqipërisë evropiane” etj.
Populli shqiptar, të dashur anëtarë, delegatë të LRI-së, është lodhur dhe i ka ardhur në maj të hundës me arkitektë dhe me ideatorë.
Populli shqiptar kërkon që ne të gjithë të jemi më të përgjegjshëm, të jemi më modest, të jemi më njerëzor, dhe të marrim përgjegjësi për çdo gjë që nuk ka shkuar mirë në këtë vend deri tani dhe ta fusim Shqipërinë në një fazë të re cilësore të një vendi të vërtetë evropian, të një vendi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet që vijnë nga hapja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë individ, këtë nuk mund ta bëjë asnjë parti, këtë nuk mund ta bëjë asnjë organizatë rinore, këtë nuk mund ta bëjë asnjë shumicë, këtë nuk mund ta bëjë asnjë pakicë.
Këtë mund ta bëjë vetëm një kulturë e re politike, ku LRI shkëlqen me frymën e saj të bashkëpunimit të solidaritetit, të përgjegjshmërisë, të pjesëmarrjes dhe të transparencës.
Vendi është lodhur shumë nga një konflikt i egër egoist, absurd, që i shteron çdo ditë energjitë më të mëdha dhe e shpërqendron nga problemet më të mëdha, të cilat duhet t’i zgjidhim së bashku.
Prandaj unë e vlerësoj shumë përqendrimin tuaj, te çështjet e mëdha dhe konkrete, që kanë të bëjnë me edukimin e të rinjve, me arsimimin në funksion të punësimit, me reformat në tregun e punës, me mbështetjen ligjore dhe praktike, që u duhet dhënë të rinjve që të kualifikohen, që të formohen profesionalisht në mënyrë që të gjejnë veten me dinjitet në tregun e punës.
Në këtë drejtim unë ju inkurajoj të vazhdoni pa u lodhur ashtu sikurse bëtë një punë shumë të mirë për ligjin për vullnetarizmin.
Dua ta falënderoj Kejdin në mënyrë të veçantë, Silvën dhe të gjithë ata që u përfshinë në këtë grup pune, sepse kemi nevojë të ndërtojmë një raport më njerëzor të çdo qytetari, me komunitetin dhe me shoqërinë, por edhe të çdo organizate politike gjithashtu.
Duhet të jemi të parët për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, duhet të jemi të parët për të përfshirë në programet tona në mbështetjen tonë ata që vuajnë më shumë.
Duhet të jemi të parët që të punojmë për të realizuar një transparencë të plotë të politikës dhe të shoqërisë sonë në të gjitha aspektet, që nga vendimmarrja në institucionet më të lartat të shtetit, në Parlament në qeveri dhe kudo, e deri te funksionimi i partive, te funksionimi i organizatave rinore, te realizimi i zgjedhjeve dhe në çdo drejtim.
Kërkoj nga ju angazhim të plotë për të qenë modeli i transparencës.
Askush më shumë se ju nuk duhet të pajtohet me veset e shoqërisë sonë dhe politikës tonë deri tani.
Askush nga ju, më mirë se kushdo tjetër, nuk mund të pajtohet me këtë ritëm që ne ecim, i cili është pozitiv, por i cili është larg mundësive për të realizuar pritshmëritë tuaja dhe të gjithë të rinjve anembanë vendit, por edhe të prindërve tuaj, por edhe të gjyshërve tuaj, të cilët nuk kanë kohë të presin edhe shumë gjatë.
Sepse mundësitë janë këtu, resurset janë këtu, potenciali është këtu, të rinjtë janë këtu dhe ne duhet t’i mbajmë me çdo çmim dhe t’i motivojmë.
Për të rritur shpresën duhet që ju më shumë se kushdo tjetër të përcillni këto energji pozitive, dhe ju po e bëni këtë në mënyrë të shkëlqyer, por asnjëherë nuk duhet të kënaqemi, përkundrazi.
Sfidat që kemi përpara janë mjaft të rëndësishme dhe të mëdha.
Felipe Gonzales, një tjetër ish-idhull i imi që bëri shumë për transformimin e Spanjës, pak kohë më parë tha që e ardhmja nuk është më ajo që ishte, duke reflektuar kështu dinamikën që ka sjellë për të gjithë globalizimi dhe shumë fenomene dhe pasoja që lidhen me të.
Kjo reflektohet sot në vetë Bashkimin Evropian dhe sfidat që ai ndesh, reflektohen edhe në vendin tonë, në vendet e rajonit, në rajonet fqinje me ne si Lindja e Mesme dhe Mesdheu në përgjithësi.
E ardhmja është bërë më e vështirë se sa përpara 20 vitesh, se sa përpara 10 vitesh.
Europa kërkon standarde më të larta për të gjithë ata që kërkojnë të kenë vendin e tyre në Bashkimin Europian.
Ndaj është detyra e jonë, e të gjithëve, e juaja në mënyrë të veçantë të mos e humbasim shansin dhe mundësinë që Shqipëria të jetë një anëtare e denjë dhe e barabartë e Bashkimit Europian.
Sepse nuk kemi një alternativë tjetër, sepse kjo është e vemja mënyrë që të jetojmë në paqe dhe në bashkëpunim me fqinjët në rajonin tonë.
Sepse sot në kohën e globalizimit konkurrenca nuk është më midis Shqipërisë dhe Maqedonisë apo Serbisë, por konkurrenca është midis rajoneve.
Bota është bërë më e vogël falë globalizimit, falë gjithë zhvillimeve teknologjike.
Dhe ne duhet të jemi më të bashkuar dhe më bashkëpunues, për t’i fituar sfidat e të ardhmes me njëri-tjetrin, por edhe për rajonin tonë.
Përfitoj nga rasti, meqenëse kemi dhe Ministrin e Arsimit të Maqedonisë, ta falënderoj që ka gjetur kohën për ta përshëndetur këtë Konventë dhe për të marrë pjesë në një prej aktiviteteve tuaja dhe njëkohësisht të uroj me gjithë zemër, që edhe Maqedonia të kalojë sa më shpejt një ngërç politik, ku faktori shqiptar jam i bindur do luajë një rol vendimtar si një faktor stabilizues, integrues dhe europianizues për t’i dhënë një të ardhme të qartë dhe euroatlantike këtij vendi mjaft të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit tonë, por shumë të rëndësishëm edhe për ne.
Jam shumë i lumtur si Kryetar i Kuvendit të dëgjoj Kejdin kur flet në Kuvend dhe kam vënë re që edhe ajo e ka një gabim: që nuk bën asnjë gabim, qoftë edhe presjen.
Jam shumë i lumtur të dëgjoj të gjithë përfaqësuesit tuaj të LRI-së në Këshillin e ri të Bashkisë së Tiranës.
Kur dëgjoj përgjegjshmërinë e tyre, idetë e tyre konkrete, frymën e tyre bashkëpunuese, dëshirën për t’i zgjidhur problemet e komunitetit në mënyrë pozitive dhe konstruktive, them me vete: Ah, sikur ky të ishte Parlamenti i Shqipërisë! Ne jemi dëshmitarë që ky nuk është Parlamenti qe duam sot, por do jetë Parlamenti që do duam nesër në 2017-n.
Unë jam i bindur se LRI do të ketë një përfaqësim të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor, dinjitoz dhe frymëzues për të ndryshuar kulturën tonë të konfliktit dhe për ta zëvendësuar atë me kulturën e bashkëpunimit.
Kulturën tonë të denigrimeve personale për ta zëvendësuar atë me kulturën tonë të respektit ndaj institucioneve.
Nuk kemi nevojë për individë të fortë, nuk kemi nevojë për “arkitektë”, nuk kemi nevojë për mendësi, kemi nevojë për institucione të forta, të pranuara dhe të respektuara nga të gjithë.
Ky është edhe thelbi i kryereformës, që duhet të përmbyllim me cilësi, me legjitimitet dhe me integritet, pra të reformës në drejtësi.
Së fundmi, do ta vazhdoj atje, ku e lashë; te provimet.
Ju uroj suksese dhe mbarësi, sepse provimet dhe shkolla janë më të rëndësishme për ju dhe familjet tuaja, se angazhimi politik.
Ju më keni dhënë gjithmonë frymëzim, besim dhe kënaqësi.
Dua ta përfundoj me një falënderim të veçantë; gëzohem kur diku në plazh, në rrugë apo qoftë edhe në një udhëtim dikush vjen edhe më takon dhe më thotë se “unë jam babai i kësaj anëtareje të LRI-së apo i këtij anëtari të LRI-së. Me thënë të drejtën, deri tani kanë ardhur më shumë baballarët e vajzave.
Ata më thonë që duam t’ju falënderojmë për kujdesin që LSI-a, që ju tregon për fëmijët tanë.
Unë me këtë rast dua të falënderoj të gjithë prindërit tuaj dhe në mënyrë të veçantë, të vajzave për mbështetjen dhe për besimin dhe për inkurajimin që ata ju japin juve për t’u angazhuar me Lëvizjen Rinore për Integrim dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Unë dua t’i siguroj ata se nuk do të zhgënjehen dhe përmes kësaj mbështetjeje, përmes këtij besimi ata nuk po investojnë thjesht për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Por, po investojnë për të ardhmen e vendit tonë. Suksese dhe mbarësi!
Për mua asnjëherë nuk ka qenë e rëndësishme dhe nuk është e rëndësishme se kush ka qenë, është dhe do të jetë kryetar i Lëvizjes Rinore për Integrim, sepse fuqia e LRI-së është fryma dhe shpirti i ekipit. Dhe natyrisht, përveç provimeve që ju uroj suksese, dhe meqenëse fjala ‘ekip’ doli si rastësisht, le të bashkohemi të gjithë me një urim për kombëtaren tonë në Francë.
Ata duhet të luajnë pa merak, sepse detyrën e tyre e kanë kryer.
Tani është e rëndësishme për ne politikanët dhe për Parlamentin e Shqipërisë të kryejmë detyrën tonë në raport me Europianin, siç thoshte komisioneri Hahn përpara disa ditësh: të përfundojmë reformën në drejtësi në mënyrë që Shqipëria të kualifikohet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Rroftë LRI-ja, rroftë Shqipëria Europiane.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Prej disa ditësh i shtruar në QSUT, aktori Mehdi Malkaj lë spitalin! Si paraqitet gjendja e tij shëndetësore