Përshëndetje të gjithëve. Ky është takimi më entuziast që unë kam parë në Tiranë qysh nga viti 2000. Ju sot e keni bërë pallatin e sportit zemrën e Partisë Socialiste. Ju sot, nga ky pallat sporti po shpërndani në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë fuqinë e jashtëzakonshme të energjisë pozitive të Rilindjes Shqiptare. Ju sot, mbledhur këtu nga të katër anët e Tiranës, jeni zemra e vet Shqipërisë, zemra që merr gjak nga të gjitha anët e Shqipërisë: nga Tropoja, Kukësi, Hasi, Malësia e Madhe, Shkodra, Dibra, Mati, Bulqiza, Lezha, Kurbini, Mirdita, nga Durrësi e nga Kruja, nga Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Peqini, nga Korça, nga Devolli, nga Pogradeci, nga Kolonja, nga Gjirokastra, Përmeti e Tepelena, nga Berati, nga Kuçova, nga Skrapari. Padyshim nga Lushnja, Fieri e Mallakastra, nga Saranda, Himara e Vlora. Kjo është Tirana, ku gjithë shqiptarët ëndërrimtarë erdhën për të kërkuar dhe ndërtuar këtu një Amerikë të vogël. Amerikën e vogël të atyre, që sot kanë ndërtuar mijëra shtëpi me kursimet e sakrificave dhe forcën e ëndrrës, për të jetuar në kryeqytetin e Shqipërisë, për të lindur dhe për të rritur fëmijët këtu. Ato shtëpi, që prej 22 vjetësh presin shtetin e shqiptarëve, që t’i kthejë në pasuri të patundshme të çdo shqiptari, në Kamzë, në Paskuqan, në Laprakë, në Kodrën e Priftit, në Allias, në Kinostudio, në Kombinat, në njësinë nr.5, në bregun e Lumit, në Sauk, dhe në Selitë. Unë zotohem përpara jush se në 23 qershor, vetëm duke marrë një copë letër, fletën e votimit dhe duke shënuar një kryq tek numri 29, Partia Socialiste, çdo kryefamiljar e çdo familje që pret legalizimin do t’a kthejë shtëpinë e vet në pronën e vet përjetësisht të patundshme.
Qyteti ynë, kryeqyteti i Shqipërisë lindi si një pazar i vogël, si një hapësirë për zejtarë, për artizanë, për dyqanxhinj, për njerëz të urtë dhe të mirë, që me pak tregti të vogël ndërtuan shtëpi dhe oborre të bukura, lindën dhe rritën fëmijë të edukuar dhe i dhanë tironsit profilin e qytetarit, që i druhet gjithmonë shtetit dhe që më shumë se sa puna me shtetin donte punën me duart e tij, me mendjen e tij, me atë dyqanin e tij të vogël.
E pas rënies së komunizmit, sistemit që Tirona e tironsve nuk e deshi kurrë, erdhi epoka e re, epoka e sipërmarrjes së lirë, që nuk mund të kuptohet pa vetëpunësimin dhe një biznesi të vogël. Kështu me biznesin e tyre të vogël shumë shqiptarë këtu në Amerikën e vogël të shqiptarëve ecën përpara, deri kur u gjendën përballë presionit të papërmbajtur të mallkimit të tyre dhe të mallkimit të gjithë shtresës së mesme që quhet taksa e sheshtë. Taksa e sheshtë, që u vendos mbi taksën e biznesit të vogël dhe pastaj bashkë me taksën e fshehtë, tatimin mbi vlerën e shtuar, që po ja marrin krejt frymën biznesit të vogël në Tiranë e në të gjithë Shqipëri. Kjo bën që çdo orë në Shqipëri të mbyllet një biznes. Dua t’u them të gjithë tironsve dhe tiranasve, atyre që e kanë trashëguar shpirtin e vetëpunësimit nga të parët dhe atyre që erdhën dhe e ndërtuan shpirtin e vetëpunësimit këtu me përmbysjen e komunizmit, të gjithë atyre që jetojnë me një furrë buke, me një ushqimore, me një dyqan lodrash, me një rrobaqepësi të vogël, me gjithçka që u jep mundësinë ta ushqejnë me punë të ndershme familjen e tyre, se në 23 qershor duke shkuar dhe duke marrë një copë letër në dorë, fletën e votimit, dhe duke vënë vetëm një kryq sa hap e mbyll sytë tek numri 29, tek Partia Socialiste, do të bëjnë të mundur që ne ta heqim taksën e biznesit të vogël, ta përgjysmojmë tatimin mbi fitimin. Kështu ata do të rifillojnë të marrin frymë për të shkuar përpara, duke e mbajtur familjen e tyre me pune të ndershme dhe duke mos ju frikur më hijes së falimentimit.
Tirana është edhe kryeqyteti nga ku nisi lëvizja e madhe demokratike, lëvizja e vajzave dhe e djemve, e mësuesve dhe e pedagogëve për të përmbysur regjimin e vjetër dhe për të hapur një rrugë të re ëndrrash dhe shpresash. Tirana është kryeqyteti, ku sot si askund presioni dhe kërcënimet në shkelje të lirive dhe të drejtave, pikërisht të nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve që dikur u bënë pararoja e revolucionit demokratik, ka arritur një kulm të tillë që e bëjnë imperative për Partinë Socialiste çlirimin e nxënësve, studentëve, mësuesve e pedagogëve. Me një kryq sa hap e mbyll sytë, në një copë letër, tek fleta e votimit, tek numri 29, tek Partia Socialiste, çdo nxënës, çdo student, çdo mësues e pedagog por edhe çdo prind do t’ia shkulë njëherë e mirë nga kthetrat pushtetit politik lirinë, lirinë, lirinë, lirinë. Lirinë që i duhet çdokujt, lirinë për të cilën çdokush ndër ata që dolën për të përmbysur regjimin e vjetër, sot meritojnë jo respektin me fjalë, por zotimin e Partisë Socialiste se pas 23 qershorit nuk do të ketë më asnjë rrogëtar të këtij shteti që do t’i nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti.
Duke ardhur këtu, me autobusin mavi njoha ca miq që kam dëshirë t’i ftoj për një moment sepse u bë shumë serioze biseda, na duhet pak gallatë nga Tirona. Hajdeni pak këtu. Ju lutem atë këngën që nisët në autobus.
Këngëtari: “E ra Sala prej fiku, e ra si top llastiku, jarinani nani hopa e ç’është kjo rrugë me gropa, jarinani nani hopa e Sala ra te gropa”...
E bukur ishte! Edhe më e bukur ishte pjesa e dytë: E ç’janë këto rrugë me gropa. Në fakt, kryeministri edhe për 30 ditë e ka shumë të lehtë, e ka gati përgjigjen për çdo pyetje. Kush është i papunë? Çoni dorën këtu kush është pa punë? Kryeministri e ka zgjidhjen: rrugë, rrugë, rrugë. Kush ka nevojë për kujdes shëndetësor? Kryeministri e ka zgjidhjen: rrugë, pra, rrugë. Kush sot nuk ka mundësi të blejë librat për fëmijët, prapë kryeministri e ka zgjidhjen: rrugë, rrugë, pra, rrugë. Dhe sa rrugë? 10.400 kilometra. Tiranë-Tokio-Oqean dhe matanë. Ndërkohë që, siç e tha kënga rrugët e Tironës kanë fillu me u mush me gropa, por ne sigurisht që kemi një projekt edhe për infrastrukturën. Se vërtet në 2011 na e vodhën Tiranën, por në 23 Qershor Tirana me një votë më masive se asnjëherë tjetër do të votojë ndëshkimin dhe Rilindjen. Dhe ne do të rimarrim projektin tonë të Tiranës evropiane, që është themeli i projektit të Shqipërisë europiane.
Me shumë respekt, me shumë mirënjohje dhe me shumë dashuri ju them një faleminderit të madhe të gjithë atyre ndër ju që kanë ardhur nga fshatrat e Tironës. Atyre që kanë ardhur nga Dajti, nga Shëngjergji, nga Kërraba, nga Preza, nga Peza dhe nga të gjitha hapësirat që presin ujë për të ujitur tokën, që presin kanale për të kulluar tokën, që presin politikën tonë të re në mbështetje të fshatit për të rilindur si në qytet edhe në fshat. Dua këtu një ovacion, ovacionin më të fortë të kësaj mbrëmjeje për ata që në 8 maj 2011 çanë rrugën e Rilindjes së 23 Qershorit, Kavajën.
Në mbyllje të kësaj fjale kam dy fjalë për atë që është bërë, fatkeqësisht, plaga më e rëndë e shoqërisë së sotme dhe që lëndon çdo ditë zemra familjesh të zakonshme e të pafajshme, lëndon çdo ditë shoqërinë e tërë dhe godet rregullisht edhe kryeqytetin; që është kriminaliteti. Janë dyfishuar vjedhjet në banesa, janë trefishuar grabitjet në rrugë, janë katërfishuar vrasjet dhe plagosjet dhe unë zotohem se për 300 ditë ne do t’u kthejmë shqiptarëve një Polici Shteti të kthyer në krye të detyrës. Duke nisur nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë do t’a bëjmë rendin e sigurinë një shembull për të cilin çdo shqiptar do të ndjehet i qetë e i sigurt për veten, familjen, jetën e pronën e tij. Kush do të guxojë të prekë vajzën, djalin, babain, nënën apo cilindo pjesëtar të një familjeje të zakonshme shqiptare ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit. Ashtu sikundër, kush do të guxojë të prekë pronën e një familjeje shqiptare ka prekur të gjithë shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit dhe forcën e ligjit që ne do të rivendosim së bashku në 23 qershor.
Në fund, në fund fare dua të këndojmë një këngë të gjithë së bashku. Një këngë për Tironën dhe për Tiranën. Të gjithë bashkë, të gjithë bashkë:
"O Tiron, o Tiron, ti për ne je kampion, O Tiron, o Tiron se për ne je zemra jonë”
Nuk ka si Tirona dhe nuk ka si Partia Socialiste e Shqipërisë! Fitore! Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria! Rrofshi ju të gjithë! Rrofshin socialistët, progresistët dhe demokratët e zakonshëm, që më 23 qershor duhet të votojnë “Aleancën për Shqipërinë Europiane” që të rilindë edhe PD. Fitore!