Fjala e Luan Ramës në konferencën për shtyp

Dëshiroj sot në këtë prag të mbylljes së vitit dhe në vigjilje të Viti të Ri, të bëj një vlerësim të përgjithshëm politik mbi vitin politik Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili në termat të përgjithshëm dhe referuar gjithë produktit politik, qeverisës dhe gjithçka lidhet me këtë, në vlerësimin e LSI-së konsiderohet një vit politik i suksesshëm dhe që përgjithësisht rezulton në përmbushje të të gjitha angazhimeve dhe prioriteteve që ne kishim programuar në fillim të vitit.

Pa dashur të zgjatem, por në mënyrë konçize dua të evidentoj veçanërisht rolin përcaktues dhe deçiziv që luajti LSI në miratimin e paketës së reformës në drejtësi, që është padyshim arritja më e madhe legjislative, por edhe politike e këtij viti, çka u bë e mundur në fakt të realizohej me konsensus për shkak të investimit maksimal me shumë përgjegjësi dhe me konsistencë të LSI-së dhe në mënyrë të veçantë do të thoja të Kryetarit të LSI-së në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta.

Reforma në drejtësi i hap kështu rrugë nisjes së një procesi vital, një procesi tejet të rëndësishëm dhe që lidhet pazgjidhshmërisht me gjithë mënyrën e funksionimit të shtetit për të bërë të mundur, që ne si vend aspirant për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, pikë së pari të bëjmë të mundur që drejtësia, jo vetëm të jetë funksionale, por të jetë drejtësi që bën drejtësi. Drejtësi që respekton dhe zbaton ligjin për të bërë të mundur pastaj që i gjithë ky produkt që vjen prej drejtësisë të shkojë tek qytetarët ashtu siç ndodh në çdo vend tjetër të BE-së.

Natyrisht, roli konstruktiv, dimensioni bashkëpunues dhe luajaliteti në gjithë sjelljen politike të LSI-së ka qenë një konstante e pandryshuar, sepse kjo është në përputhje të plotë me gjithë filozofinë tonë politike, me filozofinë tonë qeverisëse dhe me gjithë angazhimin tonë për të bërë të mundur përmbushjen e të gjitha detyrimeve që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Një tjetër arritje politike që e bën të dallueshme dhe që e veçon LSI-në nga e gjithë pjesa tjetër e politikës në vend ka qenë vendimi për të realizuar në sytë e publikut dhe për ta bërë të aksesueshëm për çdo qytetar transparencën financiare të çdo qindarke që hyn në llogaritë apo në buxhetin e LSI-së për të bërë të mundur që çdokush të lexojë si krijohen të ardhurat, si administrohen, si shpenzohen dhe gjithçka ka të bëjë me transparencën financiare. Kjo ka qenë një nismë e rëndësishme politike, tashmë ne e kemi kthyer në traditë dhe natyrisht është një model politik, të cilin do të bënin mirë ta ndiqnin edhe aktorët e tjerë politikë në vend.

Përsa i përket anës organizative dhe funksionimit të LSI-së, dëshiroj të theksoj që viti 2016 shënon një rritje, jo vetëm të rolit dhe peshës politike të LSI-së në skenën politike të vendit, por shënon edhe një rritje përsa i përket nivelit të angazhimit të çdo anëtari, të çdo strukture të saj. Shënon rritje përsa i përket mënyrës së organizimit dhe funksionimit organizativ të LSI-së dhe mbi të gjitha shënon një rritje të konsiderueshme në numrin e anëtarëve, të simpatizantëve, në numrin e të rinjve, që janë bërë anëtarë të LSI-së, pra që kanë zgjedhur LSI-në si alternativë politike, por edhe si mundësinë apo shansin e tyre për të bërë të mundur që angazhimi i tyre të jetë kontribut edhe për shoqërinë, të jetë kontribut edhe për vendin.

E kurorëzuam këtë proces të riorganizimit dhe të strukturimit të LSI-së me Konventën Kombëtare, që zhvilluam në fillim të dhjetorit, ku demonstruam edhe një herë gjithë angazhimin tonë, gjithë vëmendjen tonë për reformat e mëdha, për reformat që kanë të bëjnë me ecurinë e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimin në BE dhe mbi bazën e këtyre prioriteteve ne do të vazhdojmë të punojmë. Do të vazhdojmë të jemi forca që insiston për ta kthyer në institucion bashkëpunimin, dialogun, kompromisin kur është fjala për reforma të mëdha apo për vendimmarrje të mëdha, që kanë të bëjnë me interesat e vendit dhe gjithçka lidhet me ecurinë, me zhvillimin dhe me progresin e Shqipërisë në përputhje dhe me aspiratën e qytetarëve të këtij vendi.

Pa dashur të zgjatem më tej, duke e konsideruar politikisht vitin 2016 një vit të suksesshëm, LSI uron të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, kudo ku ata punojnë, suksese, gëzuar Vitin e Ri 2017 dhe të kenë të gjithë më të mirën e tyre në familjet e tyre dhe në plotësim të dëshirave dhe të aspiratave të tyre për një jetë më të mirë, për më shumë begati, dhe padyshim për ecurinë e mëtejme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian të vendit.

Një urim të veçantë dua të përcjell për të gjithë ju përfaqësuesit dhe punonjësit e medias në këtë vend për punën, angazhimin dhe për gjithë përkushtimin tuaj për të përcjellë përmes frekuencave apo hapësirave tuaja te qytetarët, gjithçka ndodh në këtë vend dhe mbi të gjitha gjithçka ndodh në realitetin politik të vendit. Edhe një herë gëzuar vitin 2017, suksese dhe mbarësi të gjithëve.  
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot