Fjala e Ministrit Ahmetaj në konferencën “Rimëkëmbja energjetike”

Në tetor të vitit të shkuar, në një event të ngjashëm me këtë të sotmin, kur prezantuam fillimin e aksionit në sistemin elektroenergjetik, iu referova atij momenti të rëndësishëm si një pikë kthese e domosdoshme në historinë e sektorit, por edhe në historinë e zhvillimit ekonomik.

Reformat e thella si kjo në sistemin elektroenergjetik janë reforma patjetër të dhimbshme, tejet të vështira për tu ndërmarrë, duan guxim politik dhe ndërgjegje të fortë qytetare. Për ne ishte sfidë e qeverisjes sonë, por dhe një përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë të cilët, për më shumë se 20 vite, kanë jetuar me koston e kësaj grope të madhe në buxhetin e shtetit, e cila sa vinte dhe zmadhohej po në kurriz të qytetarëve shqiptarë. 150 milionë euro në vit ka qenë shuma që zhdukej çdo vit, jo vetëm nga buxheti, për shkak të vjedhjes së energjisë. Koston e humbjeve teknike për shkak të amortizimit në vite të rrjetit dhe mungesës së investimeve e bënin këtë shifër të rritej vit pas viti. Ne vendosëm ta thyejmë këtë traditë abuzive shumë vjeçare në sektorin elektroenergjetik, të marrjes së energjisë në rrugë ilegale, të traditës së mos pagesave së faturave, traditës së keq menaxhimit të sistemit për shkak të rritjes së humbjeve dhe uljes së arkëtimeve, apo për shkak të performancës së keqe të kompanive në sektor.

Personalisht i referohem shpesh kësaj nisme jo thjesht si një aksion, por si një mënyrë e re jetese në sistemin elektroenergjetik shqiptar, sepse praktikisht sot kështu është. Nuk është më një aksion, por është një mënyrë e re jetese në këtë sistem.

Ne kishim vizionin e duhur dhe patjetër do të kemi vizionin e duhur për ta bërë këtë gjë, duke e parë si një reformë gjithëpërfshirëse që lidhen me hartimin e një modeli të ri të tregut të energjisë, me dhënien fund të abuzimit dhe vjedhjes, me përcaktimin e një tarife të re eficiente të energjisë elektrike, me mbrojtjen dhe subvencionin e shtresave në nevojë, me rritjen e eficiencës së kompanive, me garantimin e investimeve në rrjet dhe me vendosjen e drejtësisë sociale, ku koncepti që një paguan e një pjese jo dhe të gjithë përfitojnë energjinë elektrike nuk është më i mundur.

Në termat e zhvillimit ekonomik mungesa e kësaj reforme ka qenë një faktor thelbësor që ka penguar zhvillimin ekonomik të vendit të rritet me ritmet e duhura. Është tashmë histori e njohur, modeli ekonomik i zgjidhjeve të shpejta, afatshkurtra, për efekte imediate, madje edhe elektorale, por me kosto afatgjata për qytetarët dhe për ekonominë e vendit.

Modeli ekonomik i marrjes borxh për të paguar borxhet, i mbylljes vetëm në sipërfaqe të gropave, duke i thelluar në fakt ato më shumë, i mungesës së investimeve për shkak të mungesës së vizionit dhe padurimit të kthimit të tyre në kohë ka mbaruar.

150 milionë eurot e shkuara dëm çdo vit në 20 vite me radhë do t’i kishin dhënë qytetarëve shqiptarë dhe dua t’i fiksoni: 150 shkolla të reja të standardeve evropiane- herë 20; 80- 100 kilometra rrugë të reja shtruara çdo vit- herë 20; tetë spitale rajonale të ndërtuara çdo vit- herë 20, pa përmendur këtu impaktet që do të sillnin investimet në sistem. Ne duam t’ia kthejmë qytetarëve shqiptar paratë e vjedhura në këto vite.

Reforma në sistemin elektroenergjetik ka dy anë të saj, anën institucionale dhe anën e tregut, pra ana e konsumatorit. Ajo që po bëjmë është të ndërtojmë një treg të hapur, transparent, konkurrues, efiecient gjithashtu, që i përgjigjet zhvillimit ekonomik dhe mbron konsumatorin përmes ndaljes së vjedhjeve, liberalizimit dhe garantimit të së drejtës dhe drejtësisë në pagesa. Ana institucionale është e lidhur drejtpërsëdrejti me modelin e ri të tregut dhe reformimin e kompanive në sistemin elektroenergjetik.

Jam i bindur dhe ndaj bindjen me shumë kolegë se nëse duam që kjo reformë në vitin 2018 apo 2019 të sjellë frytet duhet të kemi një kompani Operator të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë të korporatizuar, jo si një departament zgjatues i buxhetit të shtetit, por si një korporatë që di të menaxhojë pjesën e vet të sistemit dhe di t’i përgjigjet kërkesave të konsumatorit me eficiencë.

Këtë vit buxheti i shtetit ka bllokuar mbi 80 milionë dollarë si fond rreziku për sektorin energjetik. Vetëm nëpërmjet këtyre muajve, nëpërmjet rritjes së arkëtimit dhe thellimit të reformës në sektorin elektroenergjetik kemi mundësi të kursejmë minimalisht 20 milionë dollarë. Pra, shikoni lidhjen e drejtpërdrejtë të reformës me përmirësimin e performancës tek qytetari dhe tek buxheti i shtetit.

Së fundi, shifrat që dëgjova nga Drejtori i Përgjithshëm janë tejet inkurajuese dhe janë, në fakt, provë e parë se sistemi elektroenergjetik në vend është kthyer në një mënyrë jetese për qytetarët shqiptarë, në një mënyrë të re bashkëjetese mes sistemit dhe qytetarëve.

72 356 akt-marrëveshje të lidhura janë në fakt 72 356 familje shqiptare që kanë përkrahur drejtpërsëdrejti nismën e qeverisë dhe kanë kuptuar se kjo gangrenë për ekonominë e vendit duhet mbyllur një herë e mirë.

Humbjet janë ulur në mënyrë drastike, 36 .7 për qind, që është një ulje 10.3 për qind krahasuar me një vit më parë dhe është dhe më domethënëse krahasuar me nivelin prej 51.1 për qind të humbjeve në ditën që ne erdhëm në pushtet.

Rritja e arkëtimeve me 57 për qind krahasuar me 2014 e ka çuar në 6.11 miliardë dollarë shumën që kompania ka në arkën e vet, më tepër.

Sigurisht që këto nuk janë të mjaftueshme, ashtu siç tha dhe Drejtori, bie dakord, por janë një fillim i mirë, një bazë e shëndetshme mbi të cilën po ndërtohet modeli i ri i punës në këtë korporatë.

Së bashku me modelin e ri ekonomik të vendit, rritjen e investimeve publike, thithjen e investimeve të huaja, punësimin, drejtësinë fiskale, zhvillimin e sektorëve dhe reformat e gjithanshme strukturore, si kjo në sistemin elektroenergjetik, po hidhen hapat e parë të sigurt mbi të cilat po ndërtojmë të ardhmen e vendit dhe të ardhmen e ekonomisë.

Dua të përgëzoj të gjithë ata inspektorë të OSHEE-së në terren të gjithë ato forca të Policisë që kanë marrë pjesë dhe kanë mbështetur çdo hap të këtij aksioni, diku më të vështirë, dhe që kanë mundësuar vënien në jetë me sukses të kësaj reforme. Ashtu sikurse i jam mirënjohës çdo qytetari shqiptar që ka përkrahur aksionin dhe ka kontribuar për të vënë në vend drejtësinë e munguar në gjithë këto vite.

Së fundi, i referohem dhe i drejtohem dhe sipërmarrjes, që për atë pjesë të sipërmarrjes që ka abuzuar me faturat e energjisë, koha që mund të nxjerrin fitime duke mos paguar konsumin e energjisë elektrike ka përfunduar dhe përgjegjshmëria do të duhet që të sjellë gjithashtu një qasje të re dhe një bashkëjetesë të re të sipërmarrjes me sistemin elektroenergjetik shqiptar.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare