Fjala e ministrit Ahmetaj në konferencen FMN

Së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar ne jemi fokusuar tek reformat strukturore, tek ato reforma që kemi filluar një vit më parë. Më duhet të them me kënaqësi se stabiliteti makro-fiskal, përpjekja e qeverisë, drejtuar nga Ministria e Financave si detyrë dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë,

na ka dhënë mundësinë që të mendojmë guximshëm dhe me thellësi për reformat strukturore. Dua të ndaj me publikun që përtej kënaqësisë që reformat strukturore kanë filluar të japin efektet e veta pozitive në ekonomi, ky është momenti të besojmë dhe të mendojmë për vazhdimësinë e tempit dhe për thellimin e reformave strukturore.

Rritja ekonomike për vitin 2015, kemi dakordësi që do të arrijë rreth 3%. Jemi të bindur se motori kryesor dhe garanti kryesor i kësaj rritje do të jetë thellimi i reformave strukturore. Reforma e pensioneve është një reformë afatgjate dhe gjithë aksionet afatshkurtra, për thellimin, detajimin dhe kursimin e eficencës së skemës qoftë të pensioneve, qoftë të paaftësisë apo ndihmës ekonomike është domosdoshmëri jo thjesht për transparencën e asaj skeme, por sigurisht edhe për stabilitetin fiskal.

E njëjta gjë ndodh edhe me reformën në energji. Ka dhënë rezultatet e veta shumë të mira. Është një reformë e cila sigurisht është afatmesme dhe duhet të theksojmë se liberalizimi i sektorit, i cili shkon deri në 2017 dhe do të garantojë uljen e ngarkesës së konsumatorëve të parregulluar le të themi nga 13% deri në 40% në vitin 2017, ka të bëjë jo vetëm me liberalizimin e tregut, por ka të bëjë drejtpërsëdrejti dhe me garancinë ose garantimin e shëndetshmërisë fiskale, sepse siç e kemi shpjeguar në vazhdimësi, të dyja janë të lidhura si enë komunikuese deri në momentin që sektori elektroenergjetik shqiptar në 2018 të funksionojë si koorporatë.

Në të njëjtën kohë, një nga reformat strukturore dhe aksionet e qeverisë që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit merr rëndësi të veçantë sepse të gjitha masat makro-fiskale kanë stabilizuar këtë ambient, tanimë do të duhet të furnizojnë rritjen ekonomike duke sjellë investime të huaja direkte, do të duhet të pranojmë që gjithë përpjekja qoftë në stabilitetin makro-fiskal, qoftë në reformën strukturore ka një drejtim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, e cila dua ta ndaj me publikun dhe me ju nuk mund të realizohet pa tërhequr investime të huaja direkte.

Në bisedimet tona u fokusuam edhe tek kjo pjesë e reformës strukturore, ku përmendëm me FMN investime të rëndësishme siç është TAP-i, rruga e Arbërit apo investime potenciale në hidrocentrale të rëndësishme në industri të lehta dhe industrinë mekanike. Në këtë kuadër dua të ndaj me ju që qeveria ka marrë iniciativat e veta legjislative, me të cilat synojmë në lehtësimin e procedurave, mbështetjen e investitorëve dhe rregullimin e mëtejshëm. Po përmend disa prej akteve:

1- Projektligji i investimeve strategjike ka kaluar nga qeveria dhe ka shkuar në parlament. ky projektligj mundëson zhvillimin e shpejtë të investimeve strategjike, duke liberalizuar procedurat, duke ulur kostot, dhe duke ulur afatet kohore.

2- Ndryshimet në ligjin e koncesioneve apo atë që i referohemi Partneriteti Publik Privat (PPP) patjetër që do mundësojë një model të ri të zhvillimit të shërbimeve dhe projekteve, nëpërmjet një partneriteti më të ngushtë me sektorin privat duke garantuar injektim investimesh në ekonomi.

3- Ligji i turizmit, i cili do të liberalizojë këtë sektor me potencial të madh zhvillimi për ekonominë, do të mundësojë zhvillimin e një produkti turistik me të vërtetë tërheqës qoftë me investitorët, qoftë me turistët në rajon apo përtej rajonit.

4- Ligj i rëndësishëm i cili sot është përpara parlamentit për diskutim, ligji i zonave zhvillimore dhe industriale është një përpjekje shumë serioze për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të manifakturës dhe industrisë në rajon ku të mundësojë promovimin dhe zhvillimin e eksporteve.

Këto ligje jo vetëm që janë pjesë e reformave strukturore që përmendëm më sipër, por sigurisht do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik. Së fundmi dua të ritheksoj që të arrijmë 3% apo më shumë rritje ekonomike do të duhet që jo vetëm të mos ulim tempin e reformave strukturore, por përkundrazi, t’i detajojmë dhe t’i thellojmë akoma më tepër ato reforma.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare