Fjala e ministrit Saimir Tahiri, gjatë dhënies së çertifikatave të Mirënjohjes për policët në pension

Për studentët e rinj të Akademisë dua t’iu bëj me dije që këtu bashkë me ne janë ish-punonjës dhe punonjëse të Policisë së Shtetit të cilët kanë vite që e kanë lënë këtë detyrë.
Për ne është kënaqësi dhe për mua personalisht është kënaqësi e veçantë e privilegj shumë i madh që t’ju kemi këtu sot. Sepse unë besoj që ne kemi shumë për të fituar nga eksperienca juaj. Veçanërisht studentëve të Akademisë së  Policisë të cilët kanë filluar një rrugë jo të lehtë siç secili prej jush mund ta dëshmojë me sakrificën e tij dhe vitet në detyrë.     
Kur ne morëm detyrën, Policia e Shtetit ishte në kulmin e degradimit: ishte e tradhëtuar, e braktisur, pa mjete financiare, infrastrukturore e teknologjike për të arritur të bëjë detyrën e vet.
Ne jemi munduar shumë që të gjitha energjitë tona t’i fokusojmë në përmirësimin e kapaciteteve të Policisë. Sepse ne besojmë se kërkon shumë energji e mbi të gjitha mundësi për të luftuar kriminalitetin, paligjshmërinë, informalitetin, dhe për të bërë gjithçka është e mundur që ligji të vlejë i barabartë për të gjithë.
Por një gjë duhet më shumë se gjithë të tjerat dhe kjo është energjia njerëzore. Të cilën ju pa kursim e keni investuar në punën tuaj çdo ditë, duke u dhënë shembullin atyre të ardhur pas jush për të vazhduar modelin tuaj. Dhe unë shpresoj shumë që të rinjtë dhe të rejat që sot studiojnë në Akademinë e Policisë të marrin shembull, forcë e kurajo nga gjithçka keni bërë ju në detyrë.
Ndaj mirënjohja ime personale por besoj dhe e të gjithë punonjësve të Policisë dhe studentëve, shkon për gjithçka keni bërë në detyrë ju që jeni këtu e ata që kanë kontribuar ndër vite për Policinë e Shtetit, këtë që kemi sot, me të gjithë eksperiencën, meritën, rezultatet historike që ka pasur Policia e Shtetit në përballjen me krimin.
Kuptohet që sfidat janë të pafundme. Sot lufta me krimin, paligjshmërinë,  informalitetin është bërë më e vështirë, atëherë kur ata që kemi përballë kanë më shumë mundësi financiare e infrastrukturore se ato të Policisë së Shtetit.  Ndaj përpjekja e Policisë duhet të jetë shumë më e madhe për të arritur rezultatet që presin qytetarët.
Dhe energjia njerëzore është çelësi kyç. Policia e Shtetit edhe në kohën tuaj nuk ka pasur mundësitë maksimale, infrastrukturën maksimale, mundësinë buxhetore po ashtu. Por ju ka pasur ju si asetin më të çmuar: që është energjia njerëzore, investimi juaj personal dhe i grupit, për të bërë gjithçka të mundur që rezultatet të vijnë.
Sfida jonë është e shumëfishtë. Nga njëra anë të përmirësojmë punën sot. Nga ana tjetër të edukojmë brezin e punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit, që është Gjenerata e Re e Policisë së Shtetit. Të rinj e të reja (që janë sot këtu, një pjesë janë në detyrë, disa të tjerë në kurse) të cilët studiojnë me metodat më bashkëkohore në Akademinë e Policisë, për t’u stërvitur e për t’u dhënë qytetarëve nesër shërbimin që meritojnë.
Kuptohet që jo gjithçka është perfekte. Jo gjithçka kemi arritur ta bëjmë siç duhet. Ndoshta dhe kemi gabuar gjatë rrugës, por kemi mësuar nga gabimet tona. Kemi mësuar nga eksperienca e vyer e juaja. Dhe sot bëjmë gjithçka kemi mundësi që të rinjtë e të rejat që studiojnë në Akademinë e Sigurisë t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve.
Ju kujtoj këtu që Akademia s’ekzistonte kur morëm detyrën: ishte vetëm një kurs disamujor, sa për të nxjerrë punonjësit e Policisë si fotokopje. Pa i përgatitur siç duhet, e mbi të gjitha pa i edukuar siç duhet, para së gjithave, me filozofinë dhe mentalitetin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe më pas me forcën dhe kurajon për t’u përballur me krimin.
Sot Policia e Shtetit është skuadër fituese. Sot qytetarët kanë besim te Policia e Shtetit. Sot Policia u shërben më mirë qytetarëve. Sot Policia ka rezultate spektakolare në luftën kundër krimit. Pavarësisht se jemi të bindur që ka ende shumë për të bërë përpara, të paktën jemi në rrugën e duhur.
Detyra jonë është shumë e pandashme nga detyra e të gjithë atyre, që brenda Policisë apo jo, kanë një mundësi për ta bërë shoqërinë më të drejtë. Kanë një mundësi për t’u dhënë qytetarëve realisht të drejtën të ndjehen të barabartë para ligjit. Kjo barazia para ligjit është çelësi kyç për të pasur të gjithë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara. 
Unë bëra disa deklarata sot paradite këtu lidhur me një gjyqtar i cili sipas meje dhe sipas shumicës dërrmuese të qytetarëve që janë përballur sikur qoftë dhe një herë në dyert e gjykatave e ka provuar vuajtjen e sakrificën pas derës e çekiçit të çdo gjyqtari. Unë sot përmenda vetëm njërin prej tyre, që është shkarkuar nga detyra, sepse ka liruar një person që kishte vrarë. Është shkarkuar nga detyra sepse ka liruar një person që kishte kryer grabitje me armë. Se kishte liruar një person që kishte përdhunuar, kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë. 
Për secilin prej nesh këtu ky gjyqtar nuk do ishte i denjë as për t’a pasur komshi. Për Unionin e Gjyqtarëve, për Shoqatat e Gjyqtarëve, për KLD-në, e për të gjithë ata që e mbrojnë politikisht ky është i denjë të vazhdojë detyrën. Një gjyqtar që lejon një përdhunues dhe një vrasës nga detyra për ne këtu e për çdo gjyqtarë nuk do ishte i denjë t’i jepnim as dorën. Për të gjithë këta unione, korporata, sindikata gjyqtarësh dhe prokurorësh është i denjë për ta mbajtur në detyrë.
E për të gjithë ata politikanë që e kanë përdorur është i denjë për ta rivënë në detyrë që ta përdorin prapë. E them këtë sepse Policia e Shtetit nuk ka përballë vetëm botën e krimit ka dhe tradhtarët në sistemin gjyqësor, në Prokurori dhe në gjykata. Ka dhe ata që bëjnë biznes me krimin.  Ka dhe ata që flirtojnë në botën e krimit. Të gjitha këto për shkak të imunitetit që i jep pushteti politik. Sepse atëherë kur gabojmë, kur lirojmë përdhunuesin, kur lirojmë vrasësin mbrohet nga pushteti politik që i mban atje, ekzaktësisht për shërbimet politike që bëjnë. Dhe ky është problemi. 
Sot pas deklaratave të mia reaguan unione prokurorësh, gjyqtarësh, sindikatash, prokurorësh dhe gjyqtarësh janë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre.
 
Ajo që është e qartë për mua siç besoj për shumë qytetarë është: Si ka mundësi këta nuk kanë reaguar qoftë dhe një herë kur një gjyqtarë që liron një vrasës apo një përdhunues rikthehet në detyrë. Si ka mundësi këta prokurorë dhe këta gjyqtarë pajtohen, solidarizohen me një kolegun e tyre që kapet duke liruar një vrasës e një përdhunues dhe kur ua rikthejnë në detyrë askush nuk reagon. 
Keni dëgjuar ju Union Gjyqtarësh e Prokurorësh e Sindikata Gjyqtarësh e Prokurorësh të reagojnë kur njëri prej tyre kapet në faj duke vjedhur, duke marrë para, duke liruar një kriminel, një përdhunues, një vrasës dhe ju rikthehet në detyrë për shkaqe të benfiteve politike? Askush s’ka reaguar. Heshtin të gjithë. Solidarizohen me njëri-tjetrin me një korporatë kriminale, duke mbrojtur njëri-tjetrin. Se duke mbrojtur njëri-tjetrin arrijnë të bëjnë pazaret që bëjnë. Arrijnë t’i bien në qafë qytetarëve vetëm duke ju mohuar të drejtën e duke mbushur xhepat e tyre.
Unë nuk po them që të gjithë gjyqtarët e prokurorët janë njëlloj. Ka plot të ndershëm. Ka shumë të ndershëm që nuk ndjehen mirë kur kolegët e tyre lirojnë vrasës, përdhunues, korruptohen, marrin para. Nuk janë të gjithë njëlloj. Ka prokurorë dhe gjyqtarë shumë të ndershëm që janë modeli se si duhet ta bëjnë nesër sistemin e drejtësisë. Për ata që flasin, ata që mbrojnë gjyqtarët që lirojnë përdhunuesit, lirojnë vrasësin, ata janë korporata që ka përfituar në vazhdimësi  nga imuniteti politik, për të bërë biznes me vendimet e drejtësisë.
Duke ardhur këtu partnerët ndërkombëtarë bënë disa deklarata shumë të rëndësishme, e thanë qartë publikisht cilët janë ata që e bllokojnë Reformën në Drejtësi dhe cilët janë ata që e duan, cilët janë ata që nuk kanë bërë qoftë edhe një hap për të gjetur zgjidhje dhe për të bërë Reformën në Drejtësi, e cilët janë ata që janë treguar fleksibilitet për të gjetur zgjidhje dhe për të miratuar Reformën në Drejtësi në Parlament.
Ne jemi shumë të vendosur për të vazhduar përpara, sepse është tashmë e qartë për ne, për qytetarët, dhe për partnerët ndërkombëtarë se kush e do realisht Reformën në Drejtësi dhe kush nuk e do.
Kush do që të shkulë nga themelet gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe kush do t’i mbrojë me imunitet politik  me aq bateri sa kanë.  Kush do që ligji të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe kush do që ligji të vlejë për disa ndryshe nga shumica.
Ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë përpara për miratimin e Reformës në Drejtësi, sepse ne besojmë se kjo është rruga e vetme dhe rruga e duhur, për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë më të drejtë dhe për të garantuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi kanë kohë të kuptojnë, kanë kohë ta kuptojnë dhe të kthejnë mendje, të binden se nuk ka rrugë tjetër përveçse të miratimit të Reformës në Drejtësi. Shqiptarët nuk duan asnjë alternativë tjetër përveçse miratimit të Reformës në Drejtësi, gjyqtarëve të ndershëm, prokurorëve të ndershëm që vendosin jo sipas xhepit por sipas të drejtës. Koha është e mjaftueshme që të ndërrojnë mendje, të vijnë dhe të miratojnë në Parlament Reformën në Drejtësi sepse koha e numrave, lojërave, talljeve, gallatave, gënjeshtrave të gjithë atyre që ditën bëjnë sikur duan Reformën në Drejtësi dhe natën minojnë Reformën në Drejtësi, kjo kohë ka mbaruar. Fishekët e fundit i harxhuan. I investuan në prokurorë e gjyqtarë e çdo lloj resursi tjetër vetëm e vetëm që të mos miratohej Reforma në Drejtësi.
Sot partnerët ndërkombëtarë dhanë një përgjigje të mjaftueshme, për t’i bëri të gjithë qytetarëve të kuptojnë se sa e rëndësishme është Reforma në Drejtësi. Dhe sa e rëndësishme është mbi të gjitha të bëhemi bashkë me të gjithë ata që duan që Shqipëria të jetë më e drejtë, shoqëria të jetë më e drejtë, ligji të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Të bëhemi bashkë me çdo qytetarë në  çdo cep të Shqipërisë dhe të lëmë në cep ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi. Sepse duhet të bëhemi bashkë për të ardhmen. Ky është investimi ynë më i madh për të ardhmen. Për të lënë pas shpatullave të kaluarën.
Unë besoj se në Policinë e Shtetit sot kemi arritur mbi të gjitha vetëdijen kolektive që përfaqësohet nga secili prej jush. Se kështu përpara nuk mund të shkohet dot më. Se ai që korruptohet do të marrë faturën që i takon. Ai që shkel ligjin do të marrë faturën që i takon dhe nuk mbrohet nga askush. Dhe nuk ka njeri imunitet në Policinë e Shtetit. E njëjta gjë duhet të ndodhi për Prokurorinë. E njëjta gjë duhet të ndodhi për Gjykatat në mënyrë që unione, sindikata, e shoqata, çfarë janë prokurorësh e gjyqtarësh të mos flasin sa herë i duhet të mbrojnë të korruptuarin e radhës, sa herë i duhet të mbrojnë atë që ka liruar vrasësin e përdhunuesin, po të flasin edhe për të denoncuar, kolegun që merr para, që liron vrasësin, që liron përdhunuesin, që liron kriminelin në shkëmbim të parave apo favoreve politike kjo nuk ka rëndësi. Por duhet të jenë ata të parët që të garantojnë integritetin e strukturës që përfaqësojnë.
Sa për mua! Unë do vazhdojë të flasë sa të kem frymë për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Do vazhdoj t’i denoncoj me emër mbiemër, fytyrë sa të kem frymë. Për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që bëjnë favore dhe ndere në emër të politikës apo parasë. Sepse në rast se, të gjithë bashkë humbasim mundësinë për të fituar të drejtën kemi humbur mundësinë për të që të kemi një të ardhme më të mirë, për fëmijët tanë. Dhe ky është një investim që e bën secili për vete. Ky është një investim që bën secili për familjen e tij. Ky është një investim që bëjmë të gjithë bashkë për Shqipërinë e të ardhmes. Për gjeneratën tjetër. Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Unë besoj se gjithçka kemi bërë deri më sot në Polici nuk mjafton. Kemi shumë për të mësuar edhe nga ju, që keni jetuar vite të tëra punë në Policinë e Shtetit në kohë ndoshta më të vështira se sa sot. Ashtu siç besoj se ata që janë sot në punë në Policinë e Shtetit dhe ata që studiojnë për t’u bërë nesër punonjës të Policisë duhet të marrin shembull nga të gjithë ata që i kanë dhënë jetën e tyre, punës në Policinë e Shtetit. 
Ndaj mirënjohjen timen maksimale për gjithçka keni bërë dhe jam shumë i bindur dhe besoj se flasë edhe në emër të studentëve të rinj të Akademisë se shembulli juaj është frymëzimi më i madh për çdo studentë të Akademisë së Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Ju falënderoj pa masë që jeni sot këtu me ne dhe ju falënderoj pa masë për gjithçka keni bërë për të ndërtuar Shqipërinë që kemi sot, duke ju premtuar se bashkë me studentët, bashkë me punonjësit e Policisë ne do të punojmë për Shqipërinë që duam të kemi nesër, ne dhe fëmijët tanë. Faleminderit të gjithëve!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë