Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani në Komisionin e Ligjeve 

Projekti që kemi paraqitur synon të përmirësojë tre aspekte. E para, nga gjithë praktika e këtyre viteve kemi vënë re që siguria në qarkullimin civil, të objekteve nën ndërtim e sipër ka lënë për të dëshiruar. Qeveria, por besoj edhe Parlamenti, është dëshmitare e konstatimit të rasteve, të them të drejtën jo të vogla, të shitjes së pronës më shumë se një herë përgjatë kohës që prona ka qenë në ndërtim e sipër.

Sigurisht përpara këtij fakti ne nuk mund të mbrohemi gjithmonë me pretendimin që palët duhet të shkojnë dhe të kërkojnë mbrojtje gjyqësore, por kemi përgjegjësinë që të gjejmë zgjidhje, pra të rrisim garancinë juridike në qarkullimin civil.
 
E vërteta është që në ligjin aktual, neni 46 ka një parashikim për këtë çështje, pra për regjistrimin e lejes së ndërtimit. Kjo është tema numër 1 e këtij projektligji. Por nga mënyra se si është kuptuar, zbatuar në praktikë, të themi të vërtetën, moszbatuar në praktikë, na ka detyruar që të bëjmë një saktësim ku disa gjëra të bëhen të detyrueshme.

Ideja është që pushteti lokal me nxjerrjen e lejes së ndërtimit do të duhet që ta depozitojë menjëherë në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Dhe në momentin që kjo leje ndërtimi depozitohet në ZRPP, ZRPP-ja ka detyrim ta regjistrojë në regjistrin e posaçëm. Ky është hapi numër një që e bën transaksionin të kontrollueshëm nga pikëpamja ligjore.
 
E dyta, asnjë firmë ndërtimi pas këtij momenti nuk mund të pranojë kontratë porosie, apo të lidhë kontratë sipërmarrje me asnjë person të tretë nëse ky transaksion nuk është i regjistruar më parë. Pra leja e ndërtimit nuk është e regjistruar në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive. Ndryshe nuk ka asnjë mundësi tjetër kontrolli.
Që do të thotë se kompania e ndërtimit vërtet nuk shfaqet si aplikuese në sportelin e ZRPP-së, sepse ZRPP-ja do ta ketë regjistruar automatikisht lejen e ndërtimit e cila do të figurojë online në sistemin e ZRPP-së, i aksesueshëm nga çdo noter i republikës. Pra noteri ka informacion online për këtë leje ndërtimi. Momentin që kontrollon, pra kërkohet tek zyra e noterit, vjen dikush për të bërë një kontratë porosie, kjo kontratë do të bëhet vetëm nëse leja është regjistruar në ZRPP dhe ky është një informacion që jepet online. Pra ky është procedura, ky është rregulli.

Neni 2 i këtij projektligji na jep mundësinë që t’i vendosim mandatore të dyja këto çështje, pra edhe regjistrimin e lejes së ndërtimit në mënyrë të menjëhershme nga ZRPP, por edhe detyrimin e kompanive të ndërtimit dhe shtetasve të këtij shteti që duan të lidhin një kontratë porosie që duhet ta bëjnë tek zyra e noterit dhe do të bëhet vetëm pasi të jetë i regjistruar automatikisht në ZRPP.

Asnjë transaksion tjetër jashtë kësaj skeme nuk është i mbrojtshëm. Kjo nuk është e pamundur. Sipas Kodit Civil mund të jetë i mundur, por është i pa mbrojtshëm.
Që do të thotë se nëse në juristin e firmës së ndërtimit mund të lidhësh një kontratë sipërmarrje, shteti nuk të garanton më. Shteti sipas kësaj procedure të garanton që të regjistrosh lejen e ndërtimit, të shkosh tek zyra e noterit, të lidhësh një kontratë sipërmarrje dhe është e garantueshme. Që do të thotë se pas kësaj askush nuk mund ta rishesë apo ta riporosisë, apo ta risipërmarrë një pronë që është e angazhuar tashmë. Ky është neni dy i këtij projektligji. Është një mundësi që ne na jepet për ta zgjidhur në mënyrë definitive këtë shqetësim.

E dyta. E vërteta është se nenin 47 të ligjit aktual ka përcaktime goxha të detajuara për çështjen e garantimit të kredimarrjes. Pra regjistrimi i banesave në karabina nuk është koncept i ri, është një koncept që e kemi sot në ligj, por e kemi vetëm për fazën e parë, e kemi vetëm për fazën e marrjes së kredisë. Në praktikë na ka dhënë një shqetësim. Një shqetësim që është ngritur nga shoqata e bankave në mënyrë të vazhdueshme. Dhe shqetësimi është që çfarë ndodh nëse kompania e ndërtimit ka marrë kredi duke lënë hipotekë karabinanë dhe pas kësaj falimenton. Çfarë ndodh? Kjo është një çështje e pazgjidhur.

Atëherë ne kemi bërë një propozim që në këtë rast, karabinaja që është lënë garanci, pra garanci hipotekore në hipotekë për llogari të bankës, automatikisht pas veprimeve përmbarimore, kalon në pronësi të bankës dhe pastaj sigurisht që është banka pronare e karabinasë dhe që bën zhvillimin e pronës sipas nevojave të saj, bën administrimin e saj dhe në vijim të punës e shet, e tjetërson, siç do të bënte çdo pronar normal. Në kushte normale sigurisht një bankë do të duhet ta zhvillonte këtë pronë që ta bënte të shitshme dhe t’i nxirrte vlerën e kredisë në kushte optimale.

Por kjo sigurisht është çështje e tregut, është çështje e mënyrës se si do ta rregullonte banka. Ne na duhet që ZRPP-ja të bëjë në regjistrin e saj kalimin e pronësisë sipas procedurave të falimentit në favor të bankës kreditore. Ky është rregulli, ose shtylla numër dy e këtij projekti.

E treta, kemi filluar një proces dixhitalizimi. Të nderuar deputet, dixhitalizimi është zgjidhja përfundimtare e problemit disa vjeçar kaotik në fushën e regjistrimit të pasurive. Dhe dixhitalizimi nuk është thjeshtë një komandë kompjuteri por është një punë voluminoze e jashtëzakonshme.  Më lejoni të shpjegoj se si është mekanizmi i kryerjes së dixhitalizimit. Sot për sot në zyrën e regjistrimit të pasurive ka zona që kemi harta me pesë deri në 6 layer. Çfarë do të thotë? Kemi një hartë origjinale. Mbi këtë hartë vendoset harta e kthimit të pronave, harta 7501-it, harta e ALUIZNI-t harta e vendimeve të gjykatave që i bëjnë ekspertët te dera e secilës zyrë, nuk dua t’i paragjykoj, private, dhe në ZRPPP për disa zona, jo për të gjithë Shqipërinë, kemi konfuzion të jashtëzakonshëm. Kjo bën të vështirë  ofrimin e shërbimit në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë cilësore. Fenomeni më i përhapur sot për sot, janë mbivendosjet. Po ta shihni për kuriozitetin tuaj hartën e të gjithë Shqipërisë, na rezulton me zhvendosje të jashtëzakonshme, pasi shtëpia apo pallati apo prona fizikisht ekziston në një zonë kadastrale, por po ta shihni në hartë mund të dalë edhe deri në 200 metra larg vendit fizik.
Dhe kjo ligjërisht quhet mbivendosje dhe regjistruesi nuk ka çfarë t’i bëjë kësaj. Çfarë ju themi ne njerëzve? Për fat të keq ju themi shkoni në gjykatë se kjo është mbivendosje. Çfarë kemi propozuar dhe çfarë po bëjmë apo çfarë po bëhet sot?

Kemi vendosur në qeveri që harta më e saktë, për arsye se kështu erdhi situata, për arsye se është bërë edhe një punë serioze për hir të së vërtetës në vite, të konsiderohet harta e prodhuar nga ALUIZNI e cila është një hartë e prodhuar fillimisht nga një fotografim ajror, por në vite ALUIZNI shkon në terren dhe bën matje fizike. Dua të them dhe një gjë në parantezë. Ne kemi marrë një kredi para 10-15 vjetësh, rreth 40 milionë dollarë nga Banka Botërore për të bërë ekzakt këtë gjë që po bëjmë sot dhe për fat të keq nuk është bërë. E them këtë me përgjegjësi të plotë dhe këtu nuk është fjala për t’i hyrë dhe për të bërë retorikë, por po them që kjo është një gjë që në metodologjinë që kishim zgjedhur, nuk kemi qullosur gjë. Dhe përfunduam te koncepti që harta e ALUIZNI-t është më e sakta, sepse në fakt është më e sakta. Fillon me fotografim ajror dhe vazhdon me verifikim në terren. Dhe këtë  produkt që merr ALUIZNI pas verifikimit në terren bën atë që quhet vektorizim, që do të thotë e vendos pronën në kufi fizik real, e ngre në lartësinë e duhur , në lartësinë që është fizikisht dhe ky quhet vektorizim. Kjo hartë e vektorizuar  dhe e verifikuar në terren sipas një blloku kadastral. Paralelisht ZRPP çfarë bën? Në këtë bllok kadastral që ALUIZNI po bën këtë proces, merr dokumentet ligjore dhe i skanon aty ku nuk janë ende të skanuara. Dhe në fund të dyja informacionet bashkohen në ZRPP duke bërë një zhvendosje vektorësh në hartë nga ky pozicion, po themi që është në ZRPP tek pozicioni që është te ALUIZNI dhe bashkohen në një pikë. Ky është procesi i përputhjes. Në këtë proces përputhje ne besojmë se kjo zonë në 100 vitet  e ardhshme është e zgjidhur, pra ka informacion ligjor të saktë adekuat dhe të palëvizshëm. Ky është procesi që duam ta bëjmë. Kemi nisur që ta bëjmë. Mirëpo që ta bëjmë këtë miqtë e mi duhen para dhe duhen para goxha. Kemi vendosur që ta bëjmë “inhouse”, jo me kredi dhe jo me koncesion , jo me burime të jashtme. Do ta bëjmë me burimet tona duke përdorur sigurisht dhe të ardhurat që dalin nga ky proces. Kjo është arsyeja se pse kemi ardhur dhe në një konkluzion që do na duhet që të kishim filluar që nga ky vit që ne të përdorim një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave që vjen nga ZRPP për këtë proces dixhitalizimi. Kush është alternativa tjetër e financimit? Të marrim borxh. Kemi vendosur të mos marrim borxh, por të përdorim këto para në mënyrë efiçente, “inhouse”, duke dalë në terren sipas kësaj procedure që ju shpjegova. E vetmja mënyrë që ne ta mbyllim njëherë e mirë, do kërkojë pak kohë pasi nuk është e thjeshtë me burimet njerëzore që kemi, do të duhet të shtojmë disa patjetër, por prapë nuk është e thjeshtë, sepse duhet të shkojmë të masim çdo centimetër katror në terren. Kjo është metodologjia që kemi hartuar. Për këtë metodologji është ngarkuar ZRPP dhe zyra e ALUIZNI-t dhe këto dy zyra, për të financuar burimet njerëzore të domosdoshme për këtë punë, do na duhen disa të ardhura të cilat kërkojnë autorizimin e Parlamentit për të lejuar këto zyra që të përdorin një pjesë të të ardhurave të tyre në funksion të këtij procesi. Sigurisht brenda një kalendari pune, brenda një kalendari veprimi që është i përcaktuar. Jemi gati që ta diskutojmë dhe me ju kalendarin e këtij procesi për efekt transparence, por dhe për të vënë në dijeni Parlamentin, që është gjëja më normale që mund të ndodhë, por ky është qëllimi i thënë shkurt dhe i thënë në mënyrë  të përmbledhur. Ne e kemi të nevojshëm këtë projektligj, e kemi të nevojshëm me lejen tuaj që ta miratojmë sa më shpejt që të fillojnë të tri këto procese pasi janë shumë të rëndësishme. Pra edhe garantimi i kontratave të sipërmarrjes, edhe garantimi i bankave kur kreditë janë të këqija, por edhe garantimin e financimit me burime  të brendshme të procesit të dixhitalizimit. Këto janë tre qëllimet e projektligjit. Faleminderit.   

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën