Përshëndetje të gjithëve!

Sot në fat është edhe dita për të kujtuar sa shumë kemi bërë deri më sot dhe sa shumë na duhet të bëjmë ende për të garantuar dinjitetin profesional, por mbi të gjitha dinjitetin njerëzor të secilit që sot bën një punë për ta merituar, në shumë raste më shumë sesa një punë, por më shumë akoma për ti dhënë dinjitet dhe mirëqenie çdokujt që nuk ka ende një punë, e që një jetë dijnitoze e meriton plotësisht. Jo vetëm pse siç e thonë edhe dita më e mërzitshme në punë është prapë më mirë se dita më e lumtur kur je i papunë, por sepse kjo ditë si çdo ditë është përpjekja jonë e përbashkët nga Kryeministri e deri tek punonjësi më i fundit i administratës, nga kompanitë më të mëdha e deri tek sipërmarrjet më të vogla dhe çdo fuqi punëtore në vend për ti dhënë dinjitet jetës së çdo qytetari nëpërmjet mirëqenies dhe punës.

Ne besojmë shumë se duke luftuar varfërinë, duke çmontuar monopolet, duke garantuar konkurrencën dhe duke garantuar barazinë e qytetarëve para ligjit kthejmë dinjitetin e qytetarëve nëpërmjet punës edhe mirëqenies dhe është kjo arsyeja pse sot ne nisim vetëm koordinimin e forcave tona ndërmjet shumë institucioneve për të shëruar një plagë tjetër shumë vjeçare që fillon me vjedhjen e pasurisë tonë kombëtare dhe burimeve natyrore pa kursyer edhe hatara që vazhdojnë me pasoja edhe sot si ajo në Marinzë dhe që po hetohet, për të vazhduar me mashtrimin e tregut dhe konkurrencën e pandershme, fshehjen e krahut të punës dhe fshehjen e të ardhurave shpeshherë me skema marramendëse të evazionit fiskal, duke e bërë tregun e naftës monopol herë nëpërmjet ligjit dhe herë nëpërmjet korrupsionit deri tek cilësia e karburantit që nuk prish vetëm makinat apo shqetëson drejtuesit e tyre, por mbi të gjitha shkatërron shëndetin e çdo qytetari me apo pa makinë duke dërrmuar mjedisin të cilin fatkeqësisht e përdorim shumë shumë pak në një shoqëri si kjo e jona ku thashethemi bombastik i politikës së ditës ka më shumë vlerë sesa të vërtetat të hidhura kaq fort ashiqare përpara syve tanë sa ç’është edhe ndotja katastrofike e mjedisit dhe po kështu lufta jonë për ta bërë Shqipërinë më të pastër dhe më të jetueshme.

Kur nisëm me ndërtimet pa leje na thanë po godisni të varfrit, në fakt rezultoi se po godisnim paligjshmërinë që nuk e matim sipas xhepit apo kusurit, por në fakt rezultoi që në çdo tullë pa leje tregohej arroganca e antiligjit më së pari vetë atyre që kurrë nuk e kanë pasur një mundësi as me para as me forcë për të qenë aq të paligjshëm edhe aq të paprekshëm sa ata që kishin ndërtuar pa leje dhe këta nuk ishin të varfrit.

Po kështu me energjinë elektrike, na thanë që po godisnim ata që nuk e paguanin dot energjinë elektrike se nuk kishin lekë t’a paguanin dhe nuk ishte kështu sepse rezultoi që shkuan përpara drejtësisë ata që e vidhnin energjinë për arrogancë, arrogancë parash dhe arrogancë muskujsh, muskujt e tyre apo muskujt e pushtetit apo sipërmarrës të të gjithë niveleve apo privatë me mbi 150 metra katrorë shtëpi e sipër. Po këto nuk janë të varfër.

Kur ja gjetën kritikën edhe përpjekjes sonë për shkatërrimin e parcelave me kanabis që lebetitën botën duke bërë herë policinë bandë apo duke na akuzuar se po dëmtojmë ekonominë e vendit që na paskërka lulëzuar më shumë sesa kanabisi kur edhe për këtë punë që për herë të parë Shqipërinë në 20 vitet e fundit e hoqi nga lista e vendeve të origjinës për kultivimin dhe trafikimin e drogës, sigurisht do ja gjejnë kritikën edhe kësaj përpjekjes sonë të përbashkët që nisim sot, që nga varfëria besoj e deri tek selektiviteti do t’i dëgjomë të gjitha. Por unë besoj shumë fort që nuk ka abuzim më të madh dhe abuzim më çnjerëzor për varfërinë, sesa nga ata që përdorin pikërisht varfërinë për të bërë politikën e ditës dhe atëherë kur në mënyrë të pashmangshme dallohet fort qartë vullneti ynë qeverisës, por besoj shumë fort që edhe vullneti i secilit prej jush në Administratën Publike për ta nxjerrë këtë vend nëpërmjet punës edhe dinjitetit nga varfëria.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup pune me oficerë permanent që bashkë me institucione te tjera do të nisin hetime intensive duke marrë në shqyrtim të gjitha veprat penale duke nisur veprimtari me të gjitha veprat penale të lidhura me këtë veprimtari që kemi marrë në shqyrtim nga ndryshimi i aparateve matës tek mospagimi i taksave, fshehja e të ardhurave dhe kontrabanda me mallra që kanë regjim akcize, mashtrimi, manipulimi i tregut, veprat penale që lidhen me mjedisin dhe që janë mjaft të rëndësishme dhe çdo aktivitet kriminal që deri më sot ka dërrmuar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve duke dërrmuar kapacitetin e shtetit për të ofruar pikërisht këto shërbime dhe zgjidhej për to. Grupe të posatshme hetimore do i dedikohen kësaj veprimtarie duke kërkuar nga Prokuroria e deri tek hetimori përgjegjësi maksimale përpara ligjit për cilindo që sot ka kryer këtë veprimtari kriminale duke shkelur ligjin në vazhdimësi gjatë këtyre viteve.

Po ju kujtoj që vetëm gjatë vitit të kaluar, gjatë vitit 2014, Policia e Shtetit ka referuar 1116 raste për korrupsion. Dje pamë një raport që na thoshte se ndëshkueshmëria pas vendimit të gjykatës për secilin nga këto ishte në raportin 1 me 10, po ky nuk është kurrë motiv për të ndaluar as për të rënë në depresion, as për ta konsideruar një betejë të humbur me sekserllëqe apo korrupsionin në sistemin gjyqësor, por përkundrazi ky është një motiv për të vazhduar edhe më fort në mënyrën më të kualifikuar nga secili prej jush që ta bëjmë gati të pamundur për këdo në prokurori apo në gjyqësor që të nxjerri vendime tërësisht të paligjshme apo korruptive dhe barra bie mbi ne.
Vetëm në Policinë e Shtetit gjatë vitit 2014, janë proceduar penalisht apo vetëm në mënyrë administrative 1219 punonjës policie dhe ky është më së pari shenja e trashëgimisë dhe pastaj është sigurisht shenja e vetëdijes për tu bërë më pastër vetë, për të luftuar korrupsionin brenda nesh, abuzimin me detyrën brenda nesh sepse kjo është e vetmja mundësi për ta bërë shoqërinë më drejtë dhe për të garantuar barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët.

Ndoshta mund t’ju duket fare e papërshtatshme, por duhet t’ ja u them këtu, unë nuk di sa prej jush këtu në këtë sallë, apo sa prej atyre që nuk janë në këtë sallë, por që janë institucionet prezent janë përgjegjës për këtë situatë. Unë nuk di sa prej jush kanë përgjegjësi për gjithçka duhet kishin bërë gjatë këtyre kohëve për të garantuar cilësinë e karburanteve, cilësinë e shëndetit të qytetarëve, shmangien e evazionit fiskal e kështu me rradhë, por unë di një gjë të sigurtë, nga sot e tutje Policia e Shtetit do marrë detyrën në mënyrë të detajshme aktivitetin tuaj në këto grupe pune sepse unë besoj që keni ardhur deri në këtë pikë edhe për shkak të korrupsionit këtu brenda, edhe me këtu brenda nuk e kam me individë  brenda kësaj salle, por brenda institucioneve që duhet të garantonin zbatimin e ligjit, për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë në vazhdimësi. Dhe ne nuk mund ti shmangemi me aksione që vijnë nga vullneti i Kryeministrit, i maxhorancës në tërësi, përgjegjësisë që ka çdo individ ktu apo në institucionet që do të mbajë përgjegjësi për këtë aksion për të garantuar ligjshmëri në çdo hap të punës së tyre sepse ne  duhet të biem dakord që ta lëmë Shqipërinë dhe shqiptarët të ngrinë kokë duke e respektuar ne ligjin të parët.

Është për këtë arsye që nga policia do ketë grupe specifike të punës permanente, të cilat do të merren jo vetëm me referimin e rasteve sipas veprave penale që ju thashë më parë, por do të merren edhe me shqyrtimin e çdo hallke institucionale që deri më sot ka dështuar të bëje punën e saj sepse ne nuk tolerojmë që në këtë aksion vullneti i shtrënguar i çdo individi të prish objektivin tonë madhor që është të garantojnë mirëqenien e qytetarëve, sigurisht shëndoshjen e shtetit që pastaj të garantojë shërbim, punësim dhe jetë më të mirë për qytetarët shqiptar.

Nga policia, por edhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese sigurisht kërkohet punë e kualifikuar për të zhvilluar hetime shteruese të plota dhe për t’i shkuar deri në fund zinxhirit të përgjegjësive lidhur me këtë aktivitet, por mbi të gjitha dhe për ta bërë të pamundur vazhdimin e të njëjtit film që ka të bëjë me pandëshkueshmërinë ne sistemin gjyqësor. Që do të thotë, të shkojë para drejtësisë, sipas përgjegjësive, që nga shitësi me pakicë i karburantit në rrugë, deri te kompania mëmë që merret me prodhimin apo importimin dhe tregtimin e karburantit. Do kërkojmë ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, për të gjitha rastet që do na duhet, për të zhvilluara hetime të pakufizuara në territor, sepse vetëm kështu, ne besojmë, mund t’i shkojmë paligjshmërisë deri në rrënjë.

Grupet e punës të ngritura në policinë e shtetit do jenë tërësisht të angazhuara, sepse në këtë mënyrë mund të çmontojmë tërësisht, skema të konsoliduara, që nëpërmjet mashtrimit, evazionit, situatës monopol dhe cilësisë skandaloze, kanë deformuar rëndë tregun e karburanteve në tërësi, por akoma më shumë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, për sot por edhe për ata që vijnë nesër.

Do ketë nga ata që do ngrenë zërin e do na thonë se policia nuk duhet të merret,  - siç dhe na thanë, me ndërtimet; nuk duhet të merret me energjinë; - nuk duhet të merret as me këtë që po nisim sot, sepse me demek policia paska punë të mëdha!

Gjithsesi unë po ju them se falë atyre angazhimeve gjatë kësaj kohe që ne jemi në drejtim të punëve të vendit, nga janari deri në 1 maj sot 2015, kemi numrin më të vogël të vrasjeve, krahasuar me të gjitha vitet, që nga viti 1991, e deri sot.

Pra numrin më të vogël të vrasjeve në dy dekadat e fundit. Dhe ky është rezultati. Falë pandëshkueshmërisë, pa njohur në është e madhe apo e vogël, falë luftës kundër paligjshmërisë në çdo shfaqje të saj. Ky është efekti që jep angazhimi maksimal i Policisë së shtetit dhe i të gjithë neve, për ta bërë Shqipërinë më të drejtë dhe qytetarët të barabartë para ligjit.

Ne kemi zgjedhur të jemi te ata që punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë. Unë shpresoj që kjo iniciativë të ketë fatin e të gjithë atyre që kemi bërë deri më sot. Rezultate maksimale dhe për këtë Policia e shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme është tërësisht në dispozicioni tuaj për të bërë gjithçka është në dorën tonë, për ta bërë tregun në radhë të parë, por dhe jetën e qytetarëve më të mirë.

Faleminderit shumë!