Fjala e ministrit Tahiri

Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo është forca jonë: ku flasim, ku debatojmë, ku mbase nuk na pëlqen ndonjëherë ç’i themi njëri-tjetrit, por jemi me sy e veshë ndaj njëri-tjetrit. Ku konkurrojmë me njëri-tjetrin e ku ai që zgjidhet nuk ësthë shef i të tjerëve, por një i barabartë me më shumë detyra. Ku fuqinë e marrim nga njëri-tjetri. E ku nuk lejohet të harrosh, nuk lejohet të largosh njerëzit, nuk lejohet të mos shohësh në sy socialistët - e ku edhe kur ndodh që dikush të harrojë, ka faj e përgjegjësi para të gjithëve.

Kush nga ne (ju, çdo socialist e socialiste, i ri e më pak i ri, autokton apo i ardhur në Durrës, i ditur apo me më pak eksperiencë) nuk e di sot se kjo është vlera jonë e madhe: njëri-tjetri dhe fuqia për t’u bërë bashkë me njerëzit.

Besoj ju kujtohet se si në opozitë bëheshim bashkë me të gjitë ata që kishin mure por nuk kishin shtëpi, me ata që ishin klandestinë në shtëpitë e tyre sepse nuk kishin as legalizim, as letra. Sot, me më shumë arsye, ne duhet të bëhemi bashkë me të gjithë ata që kanë marrë legalizimin, pa paguar lekë e ryshfet (por falas!). Dhe me më shumë arsye duhet të bëhemi bashkë me ata që presin me padurim të legalizojnë shtëpitë e tyre. E kush pyet ende: “Por mirë, ç’t’u themi ende atyre që ngelëm duke u thënë se do u legalizojmë shtëpitë?”, t’u përgjigjeni “Po, Edi Rama e kjo qeveri do legalizojë shtëpitë në çdo cep të Shqipërisë”. E  më në fund, pas një rropatjeje njëzetepesëvjeçare qeveria jonë, qeveria e socialistëve dhe progresistëve, po mban e do të mbajë premtimin për të legalizuar çdo shtëpi në çdo cep të Shqipërisë. Sepse vetëm në 2 vjet kemi legalizuar më shumë se ç’ka bërë qeveria e kaluar në 8 vite të marra  së bashku.

Dhe pra nuk mjaftohemi me kaq. Ndaj tij (socialist apo socialiste, në çdo qytet, njësi apo lagje) shko! Trokit nëçdo derë! Tako njerëz! Bisedo me gjithëkënd! E jepu besim dhe forcë atyre që presin legalizimin e shtëpisë së tyre e shpjegoju se, më shumë herët se vonë, do legalizohet dhe ajo. Ndaj bëje të besojë. Thuaji “Beso dhe bëhemi bashkë në Partinë Socialiste për të realizuar të gjithë bashkë këtë angazhim tonin!”.
 
Besoj ju kujtohet si kohë më parë, në opozitë, kemi qenë bashkë me të rinj e të reja që kërkonin me plot të drejtë arsim dinjitoz, që refuzonin modelin e diplomave-letër të prodhuara në disa kioska të vetëshpallura ‘universitet’ e të legalizuara nga qeveria e asaj kohe si të tilla. Me ata që refuzonin modelin e të arsimuarit në ‘prodhim seri’ ku mund të bleje diplomën e të ishe njësoj me atë që djersiste për të fituar pasurinë tonë më të madhe: dijen.
 
E më pas qytetarët ankoheshin për paaftësinë e korrupsionin në administratë. Me plot të drejtë në fakt, sepse ai që blente diplomën blente dhe vendin e punës dhe dëmtonte të gjithë arsyen e ekzistencës së sistemit arsimor e të punësimit.
 
Sot, me më shumë arsye, ne duhet të bëhemi bashkë, më shumë se kurrë, me çdo të ri e të re që beson ende se një Shqipëri më e ditur është plotësisht e mundur. Se një shoqëri e ndërtuar mbi diturinë është tërësisht e mundur. Se të mëosh e të edukohesh me sa të ha mendja është fuqi më e madhe se të blesh e të fitosh me sa të ha xhepi.
 
Qeveria jonë në këto dy vjet mbylli universitet kioska. Po rendit dhe akrediton universitetet tona sipas cilësisë. Po reformon sistemin arsimor në themel. Qeveria jonë (ministri i të cilës ndodhet këtu, Blendi Klosi) nxorri nga errësira arsimin profesional, duke e kthyer në themel të punës, pasi ne besojmë te profesionet, besojmë te profesionistët. Tek ai që pasurinë më të madhe të vetën, ka përuljen për të punuar për profesionin e tij. Ne besojmë te e drejta për t’u arsimuar e për të ndërtuar të ardhmen mbi pasurin më të çmuar që kemi, dijen. Ndaj ti socialist dhe socialiste jepi dorën çdo të riu dhe të reje, jepi besim që të bëhemi këtu bashkë në shtëpinë tonë të madhe Partinë Socialiste.

Jepi forcën të besojë se kjo qeveri që i dha fund diplomave të blera dhe ‘universiteteve kioska’, që do të bëjë më shumë për të kthyer arsimin në shtyllën bazë të zhvillimit tonë.

Jepi besim se duke u bërë bashkë në Partinë Socialiste do të bëjmë arsimin profesional rrugën për të gjetur profesionin tënd.
Universitetet do t’i kthejmë në fole të dijes për të ardhmen. Duhet të gjejmë më shumë arsye në gjithçka kemi bërë për të reformuar sistemin shëndetësor, për më shumë mirëqënie, për ekonomi të konsoliduar dhe zhvillim.

Në çdo reformë dhe çdo sektor ku kjo qeveri është investuar për të ndërtuar nga e para themelet e shtetit Shqiptar.
E kush thotë, se nga zero do e nisni? Përgjigjia ime është po, nga zero duhet nisur. Këtu gjithçka duhet nisur nga e para.

Në 25 vite kemi qenë më të suksesshmit për të bërë gjithçka tjetër veç shtetit, shtetit të drejtë që i gjendet në krahë të varfrit dhe nuk e lë të zhytet në mjerim.
Dua të ndalem pak te lufta kundër krimit jo se kundërshtarët tanë zgjodhën dhe bien duke folur pas çdo vrasje dhe vjedhje. Ne realisht kemi nevojë të kuptojmë çfarë po bëjmë për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë dhe çfarë do të thotë ta bësh Shqipërinë më të sigurtë.
Edi Rama dhe qeveria jonë u angazhua për të rilindur Policinë e Shtetit.

Policia sot është e gjitha në këmbë për të luftuar informalitetin, për të luftuar paligjshmërinë, kriminalitetin dhe për t’i shërbyer qytetarëve. U angazhuam të luftonim korrupsionin. Atë policin që i merrte bakshish qytetarit dhe që e rripte nga xhepat. Deri më sot në këto dy vite janë mbi 2 mijë punonjës policie në procedim penal dhe disiplinor, pasi nuk bënin detyrën, shkelnin ligjin, bëheshin bashkë me paligjshmërinë dhe kjo është situata në të cilën e lanë Policinë e Shtetit ata që sot flasin.
Dikush mund të pyes, si ka mundësi që ka akoma vrasje? Si ka mundësi që ka akoma vjedhje? Ka dhe do të ketë të tilla. Ka në çdo vend të botës dhe nuk ka motiv për t’u habitur me njëri tjetrin.

Unë pyes, si ka mundësi që ata që kanë bërë vrasje, ata që kanë bërë vjedhje, arrestohen nga Policia dhe dalin përsëri nga burgu? I lë drejtësia të lirë.
Si ka mundësi që drejtësia i lë jashtë dhe nuk i dënon, si ka mundësi që ky Parlament votoi një projektligj për të nxjerrë jashtë parlamentit ata që mund të kenë vrarë apo kanë vjedhur, ndërsa këta i lë komshinj shqiptarëve të bredhin të lirë nëpër lagje?

Sepse ky Parlament ende nuk voton Reformën ne Drejtësi. Unë pyes, si ka mundësi që shqiptarët vriten për të ndarë gardhin e  pronës dhe nuk vriten për këtë motiv në asnjë vend tjetër të botës? Drejtësia në fakt nuk zgjidh asnjë konflikt dhe i lë njerëzit të bëjnë drejtësi vetë.
Si ka mundësi që në Shqipëri vriten kaq shumë veta brenda familjes? Në 25 vite kemi shkatërruar çdo mekanizëm shoqëror që ndihmon qytetarin. Në një moment të historisë tonë u armatos i gjithë populli, me armët që dolën papritmas nga depot e ushtisë.

E përsëri falë angazhimit tonë të qeverisë tonë, viti i kaluar ishte viti i parë në historinë e Shqipërisë me numrin më të vogël të vrasjeve, me numrin më të vogël të vjedhjeve, me numirn më të vogël të krimeve dhe paligjshmërisë.
Ishte viti i parë kur Policia i kthehej luftës së paligjshmërisë edhe në atë që nuk duket, po që shkatërron në themel të ardhmen tonë. Shkatërrimin e natyrës, prerjen e pyjeve, shkatërrimin e lumenjve.

Policia sot është më pak e korruptuar dhe i shërben më shpejt, më mirë, në mënyrë më transparente qytetarëve. Po reformohet nga themeli, duke nisur nga punonjësit e rinj të policisë. Të rinj e të reja që kanë dëshirë për të punuar, deri te kamerat e trupit, se ata që ishin në qeveri deri dje as e imagjinonin. Kamerat e trupit që nuk lejojnë punonjësin e policisë të korruptohet, po nuk lejojnë as qytetarin t’i bëjë presion policit.
Siguria nuk është vetëm krahasim i numrit të krimeve nga një vit në vitin tjetër. Në mënyrë që qytetari të ndjehet realisht i sigurt ka nevojë për drejtësi; që krimineli të kapet, të dënohet, të rrijë në burg e të mos dalë prapë, kështu ndjehet qytetari i sigurtë; që shkelja të dënohet, madje që dhe administrata të sillet në mënyrë të drejtë dhe e pakorruptuar, pa pasur frikën qytetari se administrata një ditë do t’i hyjë në hak.
Që prokurori dhe gjyqtari të bëjë detyrën, e të ndëshkojë atë që ka faj.

Ju e patë sesi SHQUP-istët bënin gëk-mëk për arrestimin e një ministri të qeverisë së shkuar. Madje e quajtën dhe arrestim politik. Unë në fakt iu jap të drejtë. Edhe ata vet mendojnë, se kur nuk arrestohet njeri për vrasjen e 26 vetëve në Gërdec, nuk ka mundësi që të arrestohet një ish-ministër, që fundja vodhi disa lekë.
Edhe ata vet e mendojnë se: “kur nuk u arrestua Luli që vodhi 220 milion euro si ka mundësi të arrestohet ky ministër që vodhi vetëm 30 milion lekë?”.
Ne të gjitha këto i dimë. Njerëzit i dinë. Ju i dini. Edhe ata vet i dinë. Edhe ‘qytetari dixhital’ i di.
Po ne jemi të dënuar të ecim përpara, e të mos merremi fare me ata që i ka lënë pas historia, por të merremi me njëri-tjetrin, me qytetarët.
Partia Socialiste këtu në Durrës është forca dhe fuqia më e madhe politike. Socialistët e Durrësit kanë dhënë shembullin më të mirë, se si me punë, me njerëzit mund të fitohet.

Vangjush Dako është shembulli më i mirë se si i shërbehet njerëzve, se si bashkë me njerëzit mund të fitohen zgjedhjet, për t’i shërbyer përsëri njerëzve.
Prandaj ky është modeli edhe në Shijak, Krujë, në çdo njësi që administron Partia Socialiste. Këtu në Durrës, në Shijak, në Krujë socialistët janë fuqia jonë. Njerëzit janë fuqia jonë. Ne zgjedhjet e kaluara fituam çdo bashki, në këtë qark. Dhe kjo nuk është për tu vetkënaqur. Kjo është një përgjegjësi më shumë, për të bërë më shumë, për të shkuar përsëri tek njerëzit, për të biseduar, për të trokitur derë më derë dhe për tu bërë bashkë, për të shtuar anëtarësimet e Partisë Socialiste, sepse vetëm kështu mund të shtojmë kapacitetin për të biseduar me njerëzit, me njëri-tjetrin dhe për ta kthyer mundësinë tonë për të qeverisur në këtë vend, në një mundësi të vërtetë, që t’i shërbejmë shqiptarëve kudo që janë. Në mundësi të vertetë për të ndërtuar një të ardhme me të mirë për fëmijët tanë.
Ndaj ne duhet të dyfishojmë anëtarësinë. Duhet që ta kthejmë Partinë Socialiste në një mekanizëm të vërtetë, ku flasim me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha flasim me shqiptarët. Fuqia jonë janë njerëzit. Forca jonë është njëri-tjetri.

Ndaj bëni ç’është e mundur, anëtarë të Partisë Socialiste, dhe më shumë ju anëtarët e rinj, për tu bërë bashkë me të rinj dhe të reja, me burra dhe gra dhe për ta kthyer Partinë Socilaiste në modelin real të pushtetit tonë në qeverisje. Fuqia jonë nuk janë partitë. Fuqia jonë janë njerëzit. Trokisni derë më derë, bëhuni bashkë, dhe t’i japim forca! 

Ju faleminderit për gjithçka keni bërë deri më sot. Po gjithçka kemi bërë deri më sot është mundësia jonë më e mirë për të kuptuar se duhet të bëjmë ende më shumë!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës, s’ka rrezik për banorët